Albert Vataj
Në horizontin e historisë sonë kombëtare, asaj shtjelle të rrapëllimshme që udhëpriu ekzistencën tonë nga një luftë në tjetrën, nga një trazim në një tjetër mosdakordësi, nga poterisjes së disa zërave dhe kushtrimit të rrënjëve dhe gurëve të kësaj topke të vaditur me gjak e me lot , disa figura nuk shfaqen me zhurmë e ambicie, por me një dritë të brendshme që i bën të qëndrojnë të patrazuara, përtej stuhive politike dhe shurdhësisë së kohës.
Një prej tyre është Ferit Vokopola, i lindur më 18 gusht 1887 në Vokopolë të Beratit, firmëtar i Pavarësisë, poet dhe mendimtar mistik, që jetën e tij e bëri udhëtim midis dy dimensioneve të atdheut dhe besimit, rrugët prejnga ne do të gjenim përmbushjen e amanetit të të parëve dhe të hidhnim themelet e premtimit për gjeneratat.
Të quhesh “shqiptar i mirë, i ndershëm dhe i ditur” nuk ka qenë kurrë një etiketë e lehtë, por një provë e vështirë që shpesh të vinte në kalvar. Ferit Vokopola e dëshmoi këtë jo me retorikë, por me vepërm me sprovën e dëshmimit personal, përballë rrëmeteve, çarjeve dhe lëkundjeve sizmike të kohës. Ai ishte një shembull i rrallë i asaj bashkësie të heshtur njerëzish që e mbanin peshën e kombit mbi shpatulla, pa kërkuar shpërblim dhe pa bërë kompromis me lirinë e vet morale.
Dy burime fryme ushqenin qenien e tij, ishte mistika e atdheut dhe mistika e besimit, një rrugë e misticizmit të shpirtit që fton në zgjim çdo forcë dhe energji, çdo parim dhe ambicie, për t’i shndërruar në gurë të themeleve të asaj lartësie ku përkushtimi kërkojnë të ngrenë përjetësinë.
Nga njëra anë, si pasardhës i shehlerëve rufai, ai e shijonte thellësinë e sufizmit, duke i dhënë shqipes një përkthim të pastër dhe poetik të Kuranit, por edhe duke i dhënë mendimit islam shqiptar një dimension akademik e kritik.
Nga ana tjetër, si bir i Rilindjes, ai mori prej brezit të burrështetasve shqiptarë një vokacion të pashuar për shërbimin ndaj kombit dhe shtetit, një përkushtim që kufizohej me sakralitetin.
Në këtë sintezë të rrallë, Vokopola kuptoi se feja dhe shteti duhej të qëndronin të dallueshëm, por gjithsesi të ndërvarur në shërbim të së mirës së përbashkët. Ishte besimtar i devotshëm, por mbi të gjitha ishte i ndërgjegjshëm se qytetari i lirë dhe kombi i fortë janë po aq amanet sa besimi vetë.
Kur i dhanë poste ministrore, nuk i shndërroi në stolí karriere, por i mbajti dhe i la pas pa dramë e pazare, duke dëshmuar se politika është vetëm një mjet shërbimi dhe jo një altar ku shiten ndërgjegje. Kështu fitoi respektin e atyre që e njihnin, edhe pse nuk i përkiste asnjë kaste pushteti. Ishte i urtë, rigoroz, i sjellshëm deri në finesë, dhe kultura e tij rrezatonte si një fisnikëri natyrore që nuk kishte nevojë për tituj apo privilegje.
Si poet dhe publicist, ai mbeti i përkorë. Shkroi pak, por thellë. Përktheu shumë, por me kujdes që fjala e huaj të shndërrohej në gjuhë të pastër shqipe. Në vargjet e tij gërshetohej një frymë filozofike e mistike, që e nxirrte lexuesin nga kufijtë e një poezie kombëtare klasike dhe e ngjiste drejt një përjetimi shpirtëror universal.
Ferit Vokopola nuk është vetëm një firmëtar i aktit të Pavarësisë, por edhe një firmëtar i heshtur i shpirtit shqiptar. Në një kohë kur historia shpesh e shurdhonte virtytin, ai u bë zë i maturisë dhe i thellësisë, duke dëshmuar se të jesh shqiptar i mirë, i ndershëm dhe i ditur është një akt jo vetëm i rrallë, por edhe i përjetshëm.
Nga rilindësit mori vokacionin e shërbimit ndaj kombit dhe shtetit, një vokacion që e ktheu në përkushtim pothuaj fetar. Në këtë sintezë, ai i kuptoi feja dhe shteti si dy fusha të dallueshme, por me një mision të përbashkët: njeriun dhe të mirën e tij.
Në poezinë e tij ai u bë zë i një mistike të re shqipe, ku fjalët nuk ishin vetëm vargje, por dritare që hapeshin mbi amshimin.
Në një nga vargjet e tij më të njohura ai shkruan: “Në zemrën time ka vend vetëm për dashuri,/ dhe dashuria është dritë që nuk shuhet kurrë.”
Ky varg, i thjeshtë në dukje, bart esencën e mendimit të tij mistik: dashuria si qendër e qenies dhe si urë mes njeriut dhe Hyjnores, mes individit dhe Atdheut.
Në një tjetër shkrim poetik ai pohonte: “Njeriu është një udhëtar i përkohshëm,/ por shpirti është një dritë që kërkon përjetësinë.”
Një varg që tingëllon si amanet filozofik dhe si bekim shpirtëror për një komb që në ato vite kërkonte vetë përjetësinë e tij nëpërmjet shtetit të pavarur.
Si publicist, Vokopola mbeti gjithnjë i matur, por mendimet e tij përkthejnë një mendje të thellë. Ai nuk bëri karrierë mbi politikën, edhe pse mbajti poste ministrore; për të politika ishte detyrë, jo stoli. I mbajti ato, i dorëzoi pa dramë e pazare, duke dhënë një shembull të rrallë të integritetit.
Në fund, Vokopola mbetet një poet i mistikës shqiptare dhe një firmëtar i shpirtit kombëtar.