Artan Lame, një zë i qetë i mendimit qytetar shqiptar, u shua në moshën 58-vjeçare
Artan Lame, figura e njohur publike dhe ish-drejtues i Agjencisë së Legalizimit, Urbanizimit dhe Integrimit të Zonave Informale, është ndarë nga jeta në moshën 58-vjeçare. Ai po kurohej në Gjermani pas një ishemie të rëndë, dhe humbi jetën pas një ndërhyrjeje të komplikuar kirurgjikale në zemër në një spital të Mynihut.
Lame, i njohur për qasjen e tij të matur, qytetare dhe të argumentuar në çështje publike, u bë pjesë e debateve dhe reformave urbane në Shqipëri përmes një angazhimi të gjatë institucional dhe intelektual. Vdekja e tij ka tronditur jo vetëm rrethin e miqve dhe bashkëpunëtorëve, por edhe opinionin publik që e ka njohur atë si një figurë të mendimit të pavarur dhe me ton njerëzor.
Një prej reagimeve më të ndjera ka ardhur nga gazetari Glorjan Janjaj, i cili solli në vëmendje një letër reflektive që Lame kishte shkruar në vitin 2016, pas operacionit të tij të parë në zemër. Letra, e quajtur “porosia e fundit për shqiptarët”, është një dëshmi e rrallë e sinqeritetit njerëzor dhe pjekurisë filozofike të autorit.
Në rreshtat e asaj letre, Lame flet për besimin, dhimbjen dhe tërheqjen nga bota materiale. Ai e përshkruan me ndjenjë dhe thellësi reflektimi mënyrën si vuajtja fizike i ka ndryshuar këndvështrimin për jetën, duke bërë thirrje për më shumë dashuri, mirëkuptim dhe përulësi mes njerëzve. “Mos u zini kot. Ka për të gjithë. Duajeni më shumë njëri-tjetrin”, shkruante ai, duke lënë pas një mesazh të fuqishëm që tejkalon kufijtë e kohës dhe rrethanave personale.
Artan Lame la pas një trashëgimi të çmuar jo vetëm në fushën e urbanistikës dhe drejtimit publik, por edhe në ndërgjegjen qytetare dhe kulturore të vendit. Ai ishte një zë i rrallë që reflektonte në heshtje dhe fliste me dinjitet – për jetën, për shoqërinë dhe për njeriun.
Postimi i Janjaj:
Kur përgatiteshim me Jonida Shehu-n për intervistën e Artan Lame-s në Pasdite në Top Channel, pas operacionit të parë në zemër në vitin 2016, (8 vite më parë), përshtypje na bëri letra që ai kishte shkruar në atë kohë.Teksti ishte i jashtëzakonshëm, frymëzues, plotë mesazhe që ia vlen t’i rikthehesh edhe sot, sikurse dhe kësaj interviste.
Më poshtë letra.
Thelbi i besimit qëndron tek dy gjëra, tek dhimbja dhe tek tërheqja.Dhimbja, vuajtja fizike, e bën njerinë të kuptojë kotësitë e shumicës së botës materiale. Dhe tërheqja, shkëputja nga bota, e bën të fitojë atë distancë të domosdoshme që duhet për t’u ngritur mbi tollovitë e zallamahitë e ditës. Unë i kalova të dyja, ndaj më lejoni t’u them ç’kuptova në fund. Mos u zini kot. Ka për të gjithë. Duajeni më shumë njëri-tjetrin. Nëpër ditët kur isha hequr mënjanë botës dhe orët i kaloja veç mes dhembjesh fizike që nuk mbaronin e nuk mbaronin, kuptova pikërisht këtë gjë. Shpikim e sajojmë mes nesh kaq shumë keqdashje, zili, cmirë, urrejtje, hile, që e bëjnë m’kot edhe më të dhimbshme botën tonë, që edhe pa to është plot dhimbje. Dhe që në fakt është plot njerëz të mirë e qëllim mirë, njerëz të vojtur e të ndershëm, njerëz të mësuar me mundimin dhe vuajtjen dhe që i kalojnë ato pa shume filozofi, thjesht i kalojnë. Ishte nje surprizë e pamatë për mua të shihja vajza e djem të rinj infermiere, që kalonin 12 ore turne nate, duke u kujdesur pa prerë, si t’i kishin prinder, për njerëz që as i njohin e as do i shohin më pas një a dy ditësh. Bota mbështet mbi hapësirën dhe kohën. Atëhere në doni ta bëni një gjë, bëjeni, pasi kur të doni, ndoshta s’do mundeni dot më.Nëse doni ta hapni nje portë, hapeni. Eshtë gjithmonë bukur. Krishterimi e humbi luftën me botën tokësore. I hyri një beteje qindravjeçare që në fillesat e kapitalit në Republikat Italike, apo nëpër qytetet racionale të Vendeve të Ulta, s’ka rëndesi. Por pavarësisht kësaj lufte planetare të humbur, ai s’harron kurrë që të na kujtojë disa të vërteta universale, sa herë që pranojmë të kemi veshë: Kot mundohemi për vete. Në rastin më të mirë të mundshëm, prapë ato të shkreta 2 metra dhé do marrim në fund. E vetmja mënyrë për të marrë diçka më shumë, është të japim. S’ka rëndësi çfarë, panem, amor, vitam!
https://www.facebook.com/share/v/1WM4FmSY1A/
