Ministri serb të Mbrojtjes, Aleksandar Vulin, ka reaguar pas deklaratave të djeshme të kryeministrit Rama, i cili bëri me dije se do të niste një notë verbale Serbisë për deklaratën fyese të Vulin “ship-tarizma” (popull dele).
Menjëherë pas kësaj, përmes një deklarate të botuar në faqen zyrtare të Ministrisë së Mbrojtjes, Vulin jo vetëm që nuk reflektoi, por me tone të ashpra iu drejtua Ramës, duke i bërë thirrje që t’i kërkojë falje Serbisë.
“Le të kërkojë falje Rama për Shtëpinë e Verdhë, le të kërkojë falje për mbështetjen e vrasësve nga UÇK-ja”, tha Vulin, duke shtuar se “aksidenti që do të shkaktohej nga ‘Shqipëria e Madhe’ do të ishte aksidenti i të gjithëve në Ballkan dhe se ai do të luftonte kundër kësaj.
“Për vendin e Esad Pashë Toptanit, ka pak katastrofa më të mëdha se Rama, por kjo është çështje e Shqipërisë, dhe katastrofa që një “Shqipëri e Madhe” do të bënte në Ballkan është fatkeqësia e të gjithë neve që jetojmë në Ballkan, dhe kjo është arsyeja pse unë do të luftoj”, shkruhej në deklaratën e Ministrisë së Mbrojtjes të Serbisë.
Kujtojmë se gjatë muajit të fundit, 6 deklarata u botuan online në faqen zyrtare të Ministrisë serbe të Mbrojtjes, në të cilën Vulin i quajti shqiptarët “Ship-tars”, duke injoruar vendimin e gjykatës në Serbi sipas të cilit termi është “politikisht i pasaktë dhe ofendues”.
Ditën e djeshme, Rama deklaroi se: “Pres një ndjesë nga presidenti. E kuptoj që mund të mos ketë fuqi mbi atë fatkeqësi, por atë fatkeqësi duhet ta mbajë për vete. Ministria e Jashtme ka vijuar procesin, është thirrur apo do të thirret ambasadori serb për t’i vënë notë verbale shtetit serb, për t’iu bërë të qartë se asnjë gojë e shthurur nuk mund të lëndojë qeverinë e Shqipërisë apo figurën e një ministri apo të kryeministrit të Shqipërisë.”