Luan Rama, Zv.kryetari i LSI-së, në një analizë për ngjarjen e rëndë që tronditi vendin të martën, ku një i ri mbeti i pajetë pasi u qëllua nga një efektiv policie, thotë se vrasja e Klodian Rashës nuk është rastësi.
Luan Rama nënvizon se kjo është vrasje “e paralajmëruar prej një sistemi të ngritur mbi krimin dhe paligjshmërinë, mbi shpërdorimin dhe pandëshkueshmërinë”.
“Ndryshimet hapur në shkelje të Kushtetutës, janë vetëm kontributi i fundit i pseudoshumicës së Kryeministrit, në të njejtën qasje që ata kanë shfaqur që në krye të herës, duke e përdorur policinë si instrument për të frikësuar qytetarët, për interesat e pushtetit dhe jo si Polici të Shtetit.
Prandaj, vrasja e Klodian Rashës nuk është rastësi.
Ajo është vrasje e paralajmëruar prej një sistemi të ngritur mbi krimin dhe paligjshmërinë, mbi shpërdorimin dhe pandëshkueshmërinë.
Është ky sistem që ka vrarë për fat të keq edhe vetë Policinë e Shtetit”, shkruan Luan Rama.
Analiza e Luan Rama:
VRASJA E KLODIAN RASHËS,
NJË VRASJE E PARALAJMËRUAR…
Klodian Rasha, 25 vjeçari i vrarë prej një punonjësi të Policisë së Shtetit në detyrë pas mesnatës në të gdhirë të 8 dhjetorit, nuk është viktimë e rastit.
Prej shumë kohësh, arbitrariteti dhe arroganca, paligjshmëria dhe brutaliteti, mungesa e kulturës së shërbimit dhe shpërdorimi deri në ekstrem i shenjtërisë së shërbimit policor, janë konturuar si profili publik i sjelljes së disa drejtuesve dhe punonjësve të policisë, injektuar tek ata prej arketipit të sjelljes publike dhe politike të vetë kryeministrit.
Pa dashur të merrem me ngjarjen konkrete;
e para, në respekt të viktimës dhe dhimbjes së familjes dhe të afërmve të të ndjerit;
e dyta, prej faktit se ngjarja është nën hetim nga organi i prokurorisë dhe askush nuk ka të drejtë ta interpretojë apo ta vlerësojë atë;
dhe e treta, sepse polici i akuzuar, prezumohet i pafajshëm derisa të kemi një vendim përfundimtar nga gjykata, po marr shkas prej saj, pra prej ngjarjes, për të shprehur disa konsiderata apo vlerësime, bazuar në njohjen që unë kam mbi gjithë mënyrën e organizimit dhe të funksionimit të Policisë së Shtetit.
E them me shumë krenari se bëj pjesë ndër ata që e duan Policinë e Shtetit dhe i respektoj me shumë nderim të gjithë punonjësit e saj, pavarësisht gradës që mbajnë apo funksionit që kryejnë, pavarësisht në i njoh personalisht apo jo.
Sepse, ata janë njerëzit e sakrificës së rendit të parë, janë burimi i sigurisë së jetës tonë, janë shenja e parë e shtetit, edhe pse vetë shteti nuk i vlerëson dhe as nuk i respekton si të tillë.
Duke iu referuar arketipit të Kryeministrit, nuk nisem nga ndonjë yshtje për të bërë politikë, edhe pse të bësh politikë me modelin e sjelljes që ofron Kryeministri është gjëja më normale. Por nuk është ky rasti.
Kryeministri është modeli më i shëmtuar i shkeljes së ligjit. E prej kësaj qasjeje, ai nuk qe i pavetëdijshëm kur e urdhëroi policinë në zgjedhjet e vjedhura të vitit 2017 që të hiqte kapelet e uniformës së policisë e të mblidhte (pse jo edhe të vidhte?), vota për partinë e tij.
Policia e Shtetit është përdorur sitematikisht në tejkalim të atributeve që asaj ia jep ligji.
E kjo është shpërdorim i saj. Është shenjë e mungesës së respektit për të. E më shumë se kaq, është shenjë e mungesës së respektit për vetë shtetin.
Policia nuk mund të jetë instrument për të trembur qytetarët, sikundër është përdorur dhe po përdoret sa herë që Kryeministri duhet të shfryejë epshet e tij të pakontrolluara për të na demonstruar forcë apo autoritet.
E injektuar me këtë psikologji, policia e drejtuar keq, për të fituar dashurinë e Kryeministrit, në fakt humbi qytetarin, humbi respektin dhe dashurinë e tij.
Por humbi edhe bashkëpunimin apo partneritetin e qytetarit, ç’ka është padyshim humbja më e madhe për të.
Në këtë mënyrë, policia i ka ikur misionit të saj dhe ka deformuar imazhin e vet në raport me qytetarin.
Ajo shfaqet arrogante, shpesh herë sillet me harbutëri, me brutalitet dhe me mungesa të theksuara të etikës dhe edukatës në komunikimin me qytetarët. Pra, me apo pa dashje ka marrë fytyrën e shefave politikë.
Policia e Shtetit është e demotivuar, sepse karriera në të është selektive e në shumë raste motivohet prej njohjeve klienteliste dhe politike.
Policia e Shtetit është e pa trajnuar, dhe specifikisht referuar ngjarjes së rëndë të vrasjes së të ndjerit Klodian Rasha, edhe polici që qëlloi mbi tē, është viktimë e mungesës apo mosfunksionimit të sistemit të kualifikimit, të mungesës së instruktazhit, të defekteve në përgatitjen psikologjike të punjonjësve të policisë dhe e një morie mangësisht të tjera të kësaj natyre, që më sëpari janë kulturore.
Policia e Shtetit është e papajisur me mjetet e domosdoshme për të përmbushur misionin e saj kushtetues, është e paveshur, më e paveshura në Evropë, është më e papaguar e madje e nënçmuar, e fyer dhe e tallur nga Kryeministri e të tjerēt pas tij.
Arroganca e pseudoshumicës parlamentare, sa herë që ka nevojë të fshehë paaftësinë e vet, transplantohet në arrogancë policore.
I pari del Kryeministri, e pasi kërcënon e kanos qytetarët se do të përdorë policinë nëse nuk paguajnë faturën e energjisë elektrike, se do të përdorë policinë nëse ndryshojnë modelin e dritareve të shtëpisë, se do të përdorë policinë nëse dikush shet disa kilogramë qepë në një kthinë rruge, se do të përdorë policinë nëse ankohesh se ke mbetur ende në çadër prej shtëpisë së pandërtuar po nga qeveria e të njejtit kryeministër, apo se do të përdorë policinë për të të vënë gjobë e pranga nëse nuk mban maskë në rrugë, e ndërsen policinë kundër qytetarëve, edhe pse janë qytetarët që e paguajnë atë me taksat e tyre.
E ndërsen kundēr qytetarëve në bulevard, por e ndërsen edhe në unazen e re, e ndërsen kur prish pa asnje bazë ligjore teatrin kombëtar, por edhe kur u cënon pronën private duke mos i kompensuar sipas ligjit.
E ndërsen edhe nëpër rrugët e kryeqytetit si askund tjetër në Evropë me gjithëfarëlloj patrullash me e pa uniformë, duke terrorizuar qyetarēt vetëm e vetëm për të ngjallur tek ata frikën prej pushtetit.
Ndërsa ata që nuk preken, janë miqtë e pushtetit, klientët e tij. Pra, fatalisht edhe policisë i kultivohet ndjeja e miqësisë për miqtë e Kryeministrit dhe ajo e armiqësisë për ata që edhe Kryeministri i konsideron armiqtë e pushtetit të tij.
Edhe ndryshimet e bëra pak ditë më parë në ligjin “Për Policinë e Shtetit” dhe të miratuara me arrogancën e njerëzve pa tru, janë ndryshime të inicuara prej kësaj filozofie, prej psikologjisë që i ndan qytetarët në miqtë dhe armiqtë e pushtetit të Kryeministrit.
Ndryshimet hapur në shkelje të Kushtetutës, janë vetëm kontributi i fundit i pseudoshumicës së Kryeministrit, në të njejtën qasje që ata kanë shfaqur që në krye të herës, duke e përdorur policinë si instrument për të frikësuar qytetarët, për interesat e pushtetit dhe jo si Polici të Shtetit.
Prandaj, vrasja e Klodian Rashës nuk është rastësi.
Ajo është vrasje e paralajmëruar prej një sistemi të ngritur mbi krimin dhe paligjshmërinë, mbi shpërdorimin dhe pandëshkueshmërinë.
Është ky sistem që ka vrarë për fat të keq edhe vetë Policinë e Shtetit.