Deputeti socialist Erion Braçe, është rebeluar ndaj shtrenjtimit të kafesë në baret e Tiranës. Ai ka publikuar një video në rrjetet sociale kundër pronarëve të kafesë, të cilët ditët e fundit kanë rritur çmimet dhe e quan rritjen e çmimit të një filxhani kafeje si zhvatje dhe asgjë më shumë.
“Edhe çmimin e një filxhani kafeje e rritet? Nga janari e këtej, çmimi i një kg kafe ardhur nga Italia, është rritur me 150 lekë, vetëm 150 lekë. Pra, me 1.25 lekë për një filxhan kafeje, vetëm 1.25 lekë! Nëse e shisnit në periferi të Tiranës me 50 lekë një filxhan kafeje, duhet ta shisni me 51.25 lekë; Nëse e shisnit në qendër të Tiranës me 70 lekë një filxhan kafeje, duhet ta shisni me 71.25 lekë. Çfarë ka ndodhur me ju që po e shisni filxhanin e kafesë në periferi me 70 lekë e në qendër me 90 lekë? Ju është rritur edhe juve çmimi i hekurit, çimentos e betonit? Apo çmimi i vajit, orizit, sheqerit, miellit, makaronave, vezëve, pulave etj? Zhvatje, asgjë tjetër”, shkruan deputeti Erion Braçe.