Edhe sot ka vijuar ‘shtetrrethimi’ në rafinerinë e Ballshit ku forca të shumta policie po pengojnë praninë e naftëtarëve gjatë momentit që po bëhet çmontimi i uzinës së naftës. Naftëtarët thonë se nuk e dinë se kush po e kryen këtë çmontim dhe kanë kërkuar gjithashtu që të zhvillohet një seancë plenare në Kuvendin e Shqipërisë, sa i përket problemit të tyre që vijon të jetë i pazgjidhur prej vitesh tashmë.
Njëri prej naftëtarëve: Është turpi i botës, të punosh 30 vite në rafineri dhe të mos kesh bukë të hash dhe të prishet në këtë formë, është skandaloze. Krahasoje me Maqedoninë e Veriut, të jesh atje naftëtar, ke privilegje ndërsa këtu nuk ke bukë të hash. Çfarë të themi më? Na vjen zor edhe të dalim para gjithë njerëzve. Ne na vjen turp të dalim para fëmijëve, ka burri 500 lekë në xhep? Do ikim jashtë shtetit se s’kemi zgjidhje tjetër. Iku nëntori ne nuk kemi marrë asnjë lek. U bëj thirrje naftëtarëve të bashkohen dhe të kërkojmë me protesta paqësore atë që na takon se është turp jemi në mes të Europës. Unë do iki në Greqi do të vjel ullinj atje se nuk kam zgjidhje tjetër, fëmijët duan bukë.
Ndërsa kreu i sindikatës, Sokol Dautaj shprehet: Duke parë që të gjitha palët ju japin të drejtë naftëtarëve dhe janë dhënë disa opsione, vënia në punë e rafinerisë dhe çmontimi i uzinës pasi të jetë shpallur falimentimi, të gjithë të ardhurat t’u shpërndahen naftëtarëve. Këto firma do t’i drejtohen parlamentit të Shqipërisë sepse ky është një objekt i rëndësisë së veçantë dhe nuk mund të shpallet falimentimi pa vendim nga parlamenti.