JONILA GODOLE
Në vitin 1946 filozofi Karl Jaspers botoi një ese me titull “Çështja e fajit” (Die Schuldfrage), në të cilën përmblodhi mendimet e tij mbi fajin e gjermanëve në periudhën e errët të nacional-socializmit. Japsersi fliste për katër koncepte të fajit: atë kriminal, politik, moral dhe metafizik. Nëse përpiqemi t’i përshtatim këta terma në situatën shqiptare, hasim probleme serioze. Sipas Jaspersit, faji kriminal konstatohet nga gjyqi në bazë të shkeljeve të ligjit që vërtetohen objektivisht. Në rastin e Shqipërisë ekzistojnë dy fenomene interesante. Së pari, eliminimi i funksionarëve të lartë nga vetë regjimi komunist, përfshirë dhe ministrin e Brendshëm, që kishte nën kontroll dhe Sigurimin dhe policinë kufitare; së dyti, humbja e rastit nga institucionet e reja të drejtësisë për t’i dënuar pushtetarët në detyrë deri më 1991.
Debatet për fajin kriminal gjatë komunizmit dështuan sistematikisht nga kundërshtimi se përgjegjësit kishin vepruar sipas ligjeve të kohës e ndaj na qenkëshin të pafajshëm. Gjyqet e para, duke filluar nga Nexhmije Hoxha (dhjetor 1991) deri te Ramiz Alia (shtator 1993) dhe funksionarët e tjerë të lartë të regjimit komunist u kryen mbi akuzat për korrupsion dhe shpërdorim detyre, dhe jo për krime ndaj njerëzimit, siç kishin pritur ish-të burgosurit politikë. Gjyqet sipas ligjit nr. 8001 të “Gjenocidit” (1995-1997) dënuan 24 persona të përfshirë në krime ndaj njerëzimit, përfshirë këtu ish-ministrin e Brendshëm Simon Stefani (1989-1990) dhe pasardhësin e tij Hekuran Isai (1990-1991); Aranit Çelën, njërin nga prokurorët dhe gjykatësit më famëkëqij të regjimit komunist, i cili kishte marrë pjesë personalisht në mbi 650 gjyqe politike, drejtorin e fundit të Sigurimit, Zylyftar Ramizin dhe ish-Prokurorin e Përgjithshëm, Rrapi Mino, u dënua më 24 korrik 1996 me vdekje. Dënimi i tyre u ul më vonë në 25 vjet heqje lirie, derisa gjatë krizës politike të vitit 1997 ata dhe gjithë të burgosurit e tjerë të “Bllokut” dolën nga burgu dhe nuk u kthyen më kurrë aty. Pas rikthimit të ish-komunistëve në pushtet më 1997 Gjykata e Lartë do t’i shpallte ata të pafajshëm me pretekstin se ata “nuk mund të dënoheshin për veprime që gjatë kohës së kryerjes nuk ishin ilegale”. Për ironi të ish-të burgosurve politikë, pjesa më e madhe e tyre u dëmshpërblye. Pas kësaj, përpjekjet për një drejtësi tranzicionale (Transitional Justice) në Shqipëri u vendosën në dyshim. Në opinionin publik filloi të mbizotëronte argumenti se padrejtësi qe ushtruar edhe ndaj komunistëve, të cilët sipas tyre, gjithashtu qenë burgosur e ndëshkuar. “Bashkëfajtorësia” e shoqërisë shqiptare justifikohej edhe me pretekstin “ashtu ishte koha”. Jaspersi ishte partizan i një përgjegjësie morale të çdo individi për veprimet apo pasivitetin e tij, jo vetëm për jetën e vet private. Fjalia “urdhri është urdhër” nuk mund të përdoret si justifikim sipas Jaspersit. Ashtu siç krimi mbetet krim, edhe pse mund të kryhet bazuar te një urdhër, ashtu i nënshtrohet edhe çdo veprim yni një gjykimi moral: instanca më e lartë e drejtësisë mbetet ndërgjegjja e të gjithëve. Pra, faji moral është një faj për veprime që i ke kryer si individ ose si pjesëtar i një shoqërie, e cila për një gjysmë shekulli mbylli sytë para padrejtësive të panumërta që iu bënë bashkëqytetarëve të saj “armiqve”, “armiqve të klasave” dhe “disidentëve”.
Pjesëmarrja aktive në zbatimin e vendimeve të marra në diktaturë, sipas Jaspersit, bën pjesë te koncepti i fajit politik. Në këtë kuptim janë politikisht fajtorë shumë anëtarë të Partisë Komuniste Shqiptare (më pas Partia e Punës së Shqipërisë – PPSH). Pra, faj politik do të kishin të gjithë anëtarët e elitës së vjetër që në vitet 1991- 1992 u futën në politikë dhe një pjesë e të cilëve janë ende aktivë. Për fajin politik, thotë Jaspersi, vendosin “fitimtarët”; por mënyra se si reagohet është edhe bashkëpërgjegjësi e çdo individi.
Çështja e fajit metafizik nënkupton vështrimin kritik ndaj vetvetes, përgjegjësinë individuale vetjake për rrethanat në jetën publike gjatë diktaturës. Në emër të solidaritetit dhe dashurisë njerëzore secili është bashkëpërgjegjës për padrejtësitë, sidomos për krimet që janë kryer në prani apo me dijeninë e tij. Hannah Arendti, në një kontekst tjetër, kur analizon pjesëmarrjen e popullit gjerman në krimet e Hitlerit, thotë: “Nga të nënshtruarit lindën bashkëfajtorë. Gjithsesi, në sasi të kufizuar, por në mënyrë të atillë që njerëz prej të cilëve nuk do ta prisje kurrë, baballarë familjesh, qytetarë punëtorë, që sipas detyrës ushtrojnë çdo profesion, po aq sipas detyrës vranë dhe kryen me urdhër krimet e tjera nëpër kampet e përqendrimit.”
Në kontekstin e bashkëfajtorësisë mund të themi vetëm se një regjim represiv nuk mund të ekzistojë për një gjysmë shekulli të tërë pa një miratim të paktën nga një pjesë e madhe e popullatës. As terrori komunist në Shqipëri nuk do të kishte marrë këto përmasa pa një “Enverizëm nga poshtë”. Partia u mbështet nga gatishmëria e karrieristëve, besnikëve, idealistëve komunistë, plaçkitësve naivë e sadistë të të gjitha llojeve. Denoncuesi dhe oportunisti ishin modelet frymëzuese të “njeriut të ri” në komunizëm, paçka se jo rrallë mund të binin vetë pre e terrorit. Si nën Stalinin, ashtu edhe nën Enverin, asnjë komunist nuk mund të ishte i sigurt që nuk do ta burgosnin, që nuk do t’i duhej të mërgonte apo nuk mund ta ekzekutonin. Përvoja traumatike në diktaturë nga përndjekja, internimi, vdekja e kudondodhur brenda familjes, ankthi dhe frika e përhershme nga tradhtia, spiunimi, arrestimi në çdo orë për një arsye të caktuar dhe pasiguria e përhershme në Shqipërinë e Enver Hoxhës kanë karakterizuar breza të tërë shqiptarësh. Nga ana tjetër, komunizmi u mundësoi një pjese të shqiptarëve një jetë më të mirë, një karrierë dhe një status më të lartë shoqëror. Ndaj, shumë njerëz e mbështetnin regjimin, edhe kur e kishin të qartë që në çdo kohë mund të ishin vetë viktima të tij.
NJË SHOQËRI “BASHKËVUAJTËSISH” DHE “BASHKËFAJTORËSH”
Për fajin dhe fajtorët që ishin përgjegjës për krimet e komunizmit në Shqipëri duhej të ishte folur menjëherë pas rënies së diktaturës, sa kohë që krimet ishin ende të freskëta dhe ekzekutuesit e tyre mund të identifikoheshin. Mirëpo kjo nuk ndodhi. Pas një konsensusi midis atyre që e lanë pushtetin dhe atyre që e morën, faji politik për 45 vjet diktaturë u nda midis popullit dhe PPSH-së (kjo e fundit ndryshoi emrin në qershor 1991 në “Partia Socialiste” dhe kështu e hoqi përgjegjësinë nga vetja). Papritur u bënë të gjithë “bashkëvuajtës dhe bashkëfajtorë”. I pari që e përdori këtë term në diskursin politik të Shqipërisë ishte ishPresidenti Sali Berisha, në vitin 1992. Para tij e kishin përdorur politikanë të tjerë, që dolën në krye të lëvizjeve pluraliste; më i njohuri mes tyre, Presidenti çek Vaclav Havel. Kur kishte folur gjatë një fjalimi për trashëgiminë e përbashkët të totalitarizmit, Haveli qe shprehur se jo vetëm “sundimtarët”, por edhe qytetarët në tërësi kishin “ndihmuar” për ta “vijuar” këtë totalitarizëm. “Pra, të gjithë ne jemi, edhe pse natyrisht në përmasa të ndryshme, përgjegjës për funksionimin e aparatit totalitar. Asnjëri prej nesh nuk ka qenë vetëm viktimë. Ne të gjithë jemi njëkohësisht edhe krijuesit e këtij aparati”.
Gjykimi i fajit politik nga fitimtarët që morën pushtetin më 1990-ën, duke rënë në ujdi për të nën tryezë, formatoi kulturën e kujtesës shqiptare për tridhjetë vjet. Këtu hyjnë: mungesa e lustracionit; dekomunizimi i munguar; përpjekjet për ta rehabilituar figurën e diktatorit Hoxha; pastaj rehabilitimi i diktatorit të fundit Alia; rehabilitimi i ish-drejtorëve të burgjeve dhe kampeve të internimit; shkatërrimi i vendeve të kujtesës për të fshirë gjurmët e krimit komunist; sulmi ndaj zërave kritikë që luftuan për mposhtjen e diktaturës; ruajtja e konfliktit në frymën e urrejtjes së klasave përmes propagandës në diskursin politik, si dhe në Parlament e në media.
Që në vitin 1992 larja e hesapeve me historinë rrodhi në frymën e një ballafaqimi jashtëzakonisht konfliktual dhe të personalizuar të të dyja kampeve politike, të cilat qëndrojnë përballë njëratjetrës duke mos u pajtuar dot: kampi i “demokratëve”, si dhe kampi i atyre që u bënë “socialistë” apo ish-komunistëve. Elitat e deritanishme politike të transformimit janë kryekëput produkte të diktaturës Hoxha. Këtu nuk përjashtohen as “më të rinjtë”. Ish-kuadro nga nomenklatura komuniste janë ende nëpër poste të larta, në politikë dhe drejtësi. Edhe Kryetari (i tanishëm) i Parlamentit në detyrë, Gramoz Ruçi, ishte ministri i fundit i Brendshëm i regjimit të Ramiz Alisë. Qysh kur ai u zgjodh më 2017-ën Kryetar Parlamenti, u shtuan çuditërisht sulmet ndaj personave që merren me të kaluarën komuniste. Veçanërisht shqetësues është fakti që këto sulme nisen dhe mbështeten nga deputetë të PS-së dhe nga mediat e kontrolluara prej tyre. Në disa raste këto sulme përfshijnë kërcënime me vdekje në rrjete sociale, si “Facebook” ose në telefon. Kjo bëri që drejtori i Institutit të Studimeve për Krimet dhe Pasojat e Komunizmit, Agron Tufa, të kërkonte azil politik në Zvicër në nëntor të vitit 2019.
Disa iniciativa për dekomunizimin dhe ndalimin e simboleve komuniste ose kanë dështuar, ose nuk kanë shkuar deri në fund dhe as për së largu nuk janë dëmshpërblyer materialisht të gjithë të burgosurit politikë dhe të përndjekurit për vuajtjet e tyre. Çdo qeveri ka ndryshuar këstet e pagesës, si dhe kategorinë e tyre. Nga viti 1994 deri më 2004-ën ka pasur disa herë protesta të të burgosurve politikë dhe greva urie, e çdo herë janë shtypur me dhunë, pavarësisht nëse kanë qenë në pushtet “socialistët” apo “demokratët”.
Në të njëjtën kohë, në vitet e shkuara janë botuar një sërë botimesh letrare apo biografiko-historike që trajtojnë represionin dhe terrorin. Aty dallohen dy prirje të kundërta: nga njëra anë, theksimi i përndjekjes nga ish-të burgosur politikë (me dëshmi gojore dhe dokumente arkivore), dhe nga ana tjetër, rehabilitimi i kastës së vjetër politike, veçanërisht i diktatorit Hoxha.
Biografitë e të mbijetuarve të terrorit janë shpesh i vetmi burim që mund t’i japë publikut një panoramë të përgjithshme për përndjekjen dhe shtypjen në regjimin komunist, pavarësisht subjektivitetit të autorëve. Por gjatë viteve të fundit ka pasur shumë botime të persekutorëve të regjimit apo persona që u kanë shërbyer atyre, përmendim këtu kujtimet e Nexhmije Hoxhës, një libër biografik të mjekut personal të Hoxhës, si dhe dy libra të ish-kryetarit të Hetuesisë së Përgjithshme, Qemal Lame. Ky i fundit jep informacione për vitin e fundit para rënies së diktaturës apo për praktikat e përndjekjes së Sigurimit, si për shembull, në rastin e shkrimtarit të njohur Ismail Kadare. Përgjithësisht qëllimi i këtyre autorëve është që të ruajnë një kujtim pozitiv të komunizmit. Vejusha e diktatorit, derisa vdiq në shkurt të vitit 2020, nuk tregoi as edhe një pendesë ndaj viktimave të regjimit dhe e mbrojti të shoqin dhe luftën kundër “armiqve të popullit” si një kusht paraprak të domosdoshëm për ndërtimin e rendit socialist. Mjeku personal i Hoxhës theksonte inteligjencën e jashtëzakonshme dhe formimin, qëndrimin patriotik dhe sjelljen tejet njerëzore të pacientit të vet të dikurshëm.
EPILOG
Tridhjetë vjet pas rënies së diktaturës në Shqipëri ende nuk ka ndodhur një ballafaqim i gjerë shoqëror me të kaluarën totalitare. Duket sikur shumë shqiptarë do të kishin dashur më fort ta fshinin nga kujtesa diktaturën. Vetëm një pjesë e vogël e popullit është që të ruhet kujtesa për atë kohë si garanci për të ardhmen demokratike. Këtu hyjnë kryesisht të mbijetuarit, dëshmitarët e dhunës së kohës dhe familjarët e tyre, që kanë vuajtur vetë. Analiza e thelluar e aspekteve politike, ekonomike dhe kulturore të diktaturës është sporadike dhe lëvrohet nga pak autorë. Dhjetëramijëra viktima jetojnë shpesh pranë kriminelëve. Aktualisht në politikë nuk bëhet as përpjekja minimale për të vendosur drejtësinë në vend për të gjithë viktimat e përndjekjes politike. Qysh pas vitit 1997 vijojnë të mungojnë proceset gjyqësore ndaj ish-funksionarëve të lartë për krime ndaj njerëzimit.
Përvoja në Gjermani dhe vende të tjera tregon se pajtimi me diktaturën dhe kultivimi i një kulture të kujtesës varet shumë nga angazhimi i shoqërisë civile. Shoqëria e dobët civile në Shqipëri ia la për një kohë të gjatë shtetit në dorë këtë çështje. Kjo vlen sidomos për qëndrimin kritik ndaj diktaturës që duhet të mbanin librat e historisë dhe programet mësimore. Mosndërmarrja e këtyre iniciativave nga ana e shtetit e gjymtoi ndjeshëm procesin e pajtimit shoqëror. Deri sot e kësaj dite në Shqipëri nuk ka pasur një strategji për politika simbolike të kujtesës dhe muzealizimin e vendeve ku vuajtën dënimin mijëra shqiptarë. Nuk ka ende një monument qendror që përkujton viktimat e komunizmit. Ndërkohë, ekzistojnë mbi 700 lapidarë në kujtim të partizanëve që luftuan gjatë Luftës II Botërore, mijëra bunkerë dhe ishparulla të luftës së klasave, të ndërtuar në funksion të sistemit represiv të Hoxhës. Ato pak muze që janë ngritur, sidomos në dhjetë vitet e fundit, kanë qenë përgjithësisht iniciativa lokale dhe ka vetëm një muze kombëtar. Nga ana tjetër, qeveria socialiste i ka dhënë përparësi muzealizimit të objekteve në shërbim të paranojës së Hoxhës dhe regjimit të tij stalinist. Ende nuk ka një monument zyrtar për viktimat e diktaturës dhe asnjë ditë përkujtimore në kujtim të krimeve të regjimit ndaj popullit të vet.
Ballafaqimi me diktaturën totalitare do të duhej të ishte një element përbërës i domosdoshëm i demokratizimit dhe demokracisë në Shqipëri. Kjo sepse në një debat të tillë nuk bëhet fjalë vetëm për historinë, por preket edhe koncepti që qytetarët kanë për vlerat e demokracisë dhe të moralit. Reflektimet etike të Jaspersit dhe dallimet e tij të kujdesshme midis përgjegjësisë së qeveritarëve dhe përgjegjshmërisë së çdo njeriu vlejnë për çdo shoqëri që i ka mbijetuar një diktature. Një ballafaqim i tillë me të kaluarën për shoqërinë aktuale shqiptare dhe për demokracinë është i domosdoshëm. Mosndëshkimi i krimeve dhe shpërfillja e viktimave i vënë në pikëpyetje vlerat demokratike. Klasa politike dhe shoqëria në Shqipëri, që aspirojnë familjen europiane, do të duhej të mishëronin vlerat përkatëse në përputhje me parimet e Bashkimit Europian.
*Marrë nga revista “Medius”