Prof. Dr. Marenglen Verli
A. Sa Dimë dhe Sa Duhet Ditur për Arvanitasit?
Për qytetarin e zakonshëm në Republikën e Shqipërisë dhe në Kosovë, madje edhe për individin e arsimuar që nuk i është përkushtuar literaturës historike dhe që informacionin e merr vetëm rastësisht e në mënyrë të përmbledhur, njohuritë për arbërorët e Greqisë, ose arvanitasit, nuk janë ende në nivelin e duhur. Në mënyrë të mjegullt, “arvanit”, për të, është thjesht shqiptari i diasporës mesjetare i vendosur në Greqi, i cili në shekullin XIX luftoi për pavarësinë e saj.
Të paktë janë ata që kanë një ide për shtrirjen gjeografike dhe numerike të arvanitasve në periudha të caktuara historike, si për shembull në periudhën paraosmane, gjatë së cilës rreth 150 mijë arbër u zhvendosën drejt jugut të trevave të tyre, duke konsoliduar praninë masive deri në brigjet e Egjeut. Akoma më të paktë janë ata që kanë dëgjuar për argumentet e studiuesve që kërkojnë të vërtetojnë praninë e etnosit iliro-arbëror në jug të Gadishullit të Ballkanit qysh në mijëvjeçarin e parë pas Krishtit, madje ndoshta edhe më herët. Kjo do t’i bënte arbërorët e sotëm të Greqisë autoktonë të hershëm në Ballkanin Jugor, ashtu siç besojnë edhe vetë ata.
Për aq sa dihet për arvanitasit, as studiuesit e antikitetit nuk gjejnë një mendje, madje ata të periudhave të hershme vetëm diskutojnë dhe hamendësojnë për të përcaktuar nëse ka pasur afri të hershme midis iliro-arbërorëve dhe grekëve antikë në ato thellësi të kohërave, kur një popull i emërtuar “pellazg” ishte populli më i madh i Mesdheut.
Shqiptarët sot dinë mjaft për Skënderbeun dhe bëmat e tij – çudi do të ishte sikur të mos dinin – dinë diçka edhe për historinë e princave para tij, të shekujve XII–XIV, sidomos për pinjollët më të famshëm të familjeve të mëdha të kohës, si Topiaj, Balshaj, Shpataj, Arianitë, Muzakaj etj., të gjysmës së dytë të shekullit XIV.
Por sa dinë vallë për rolin dhe ndikimin e arvanitasve apo arbërve të Thesalisë, Beotisë, Atikës, Peloponezit (Moresë), Etolisë, ishujve të Egjeut dhe Jonit etj., në këtë periudhë? Sa dinë për kontributin e tyre në politikën rajonale të normanëve, bizantinëve, spanjollëve, francezëve apo gjermanëve dhe veçanërisht për qëndresën e tyre të jashtëzakonshme antiosmane?
Sa dimë për figura të tilla të kohës, me origjinë arbërore, si Leon Sguro, Dhimitër Rendi, Pjetër Bua, Teodor Buhali, Manuel Bakali, Doskja, Krokondil Klada, Dhimitër Bakali, Teodor Bua, Primo Koka etj. (shek. XIII–XV)? Sa dimë, më tej, për përmasat e largimit të arvanitasve drejt perëndimit, pasi kishin populluar në mënyrë masive viset e Greqisë për rreth një shekull – një shekull e gjysmë, duke i dhënë asaj jetë e gjallëri? Po për bëmat e tyre në viset ku u vendosën rishtas, nga shekulli XIV deri në fillim të shekullit XVIII?
Sa dimë për “stratiotët” arvanitas, të shpërndarë anekënd fushave të betejave të Evropës, më të aftët ndër kandotierët e kohës, dhe për gjeneralët e tyre të famshëm si Merkur Bua etj., që u ngjitën në shkallët më të larta të hierarkisë ushtarake evropiane në shekujt XV-XVI, kur ende mund të identifikoheshin si arbërorë apo arvanitas?
Sa realisht dimë për përbërjen etnike të viseve ku, si rezultat i një lufte çlirimtare, në fakt shumëkombëshe, në Ballkan në shekullin XIX, u krijua shteti i parë i pavarur, shteti grek, si edhe për rolin e arvanitasve në arritjen e pavarësisë dhe konsolidimin e tij etj.?
Shumëkush do të çuditej kur të dëgjonte se:
Peloponezi i shekullit XIV banohej të paktën 50 për qind nga arvanitasit. (Në një regjistrim të gjysmës së dytë të shekullit XIV në pjesën veriore dhe qendrore të gadishullit, ndër 198 vendbanime, 155 rezultonin arbërore).
Shteti grek i porsakrijuar i shekullit XIX, me rreth 570 mijë banorë, kishte 1/4 e ndoshta 1/3 e popullsisë arvanite.
Athina e asaj kohe, një qytezë me rreth 9–10 mijë banorë, kishte më shumë arvanitas se grekë (4 mijë arvanitas, 3 mijë turq, 3 mijë grekë).
Revolucioni i vitit 1821, rreth 90 për qind të “kapedanëve” (Kunduriotin, Dhjakon, Boçarin, Xhavellën, Miaulin, Kanarin, Kollokotronin, Bubulinën, Andrucin, Karaiskaqin etj.) i kishte arvanitas.
Flota e revolucionit ishte në shumicën dërrmuese ekskluzivitet i arvanitasve.
Rregullorja e parë e flotës greke është shkruar edhe në gjuhën arbërore.
Në parlamentin e parë të Greqisë flitej krahas greqishtes edhe arbërishtja.
Deri në vitin 1912, admirali i flotës greke Pavllo Kundurioti, më pas president i Republikës Greke, jepte urdhra edhe në këtë gjuhë.
Edhe në dekadat e para të shekullit XX, rreth 300 mijë vetë, ose 1 në 7 banorë të Greqisë, flisnin e kuptonin si ai.
Edhe sot një shqiptar mund të bisedojë e të kuptohet për bukuri me shumëkënd prej ende rreth 200 mijë folësve të gjuhës arvanite, të identifikuar në të paktën 645 fshatra arvanite, shqipfolëse nga arbëreshi i palodhur, At Antonio Belushi.
Shumëçka do të na shkaktonte çudi nëse do të kërkonim të dinim për botën arvanite, e cila është prezente sot në Greqi, që ka qenë aty, siç thonë studiues të shumtë, edhe në shekujt XII, XIII, XIV, madje edhe në shekujt VI–VII (kur arbërit ndoshta quheshin ende ilirë, në Korfuz, në Peloponezin Perëndimor, në krahinën e Manit), por që evidentohet shumë dukshëm dhe në mënyrë të padiskutueshme veçanërisht 800 vjetët e fundit.
B. Ç’kemi Studiuar dhe Botuar për Arvanitasit?
Për arvanitasit kanë shkruar studiues dhe udhëtarë evropianë, grekë, e së fundi edhe vetë arvanitasit. Është studiuar dhe botuar për ta edhe në Shqipëri, ndoshta jo aq sa do të duhej, por edhe jo pak, në raport me potencialin shkencor që ka pasur Shqipëria.
Madje, në këtë drejtim, që nga viti 1912 e deri më sot janë aktivizuar studiues ndër më të njohurit si Mit’hat Frashëri, Prof. Kristo Frashëri, Prof. Stefanaq Pollo, Prof. Koli Xoxi, Prof. Pëllumb Xhufi etj. Ndoshta më tepër duhej bërë për publikimin e studimeve të realizuara, por edhe për botimin e studimeve të albanologëve e helenistëve që kanë pasur objekt të punës së tyre historinë dhe kulturën arvanitase, publikimin e përshkrimeve të udhëtarëve të huaj, të diplomatëve etj., që kanë rënë në kontakt me arvanitasit, si dhe publikimin e pjesëve të zgjedhura të kronikave për historinë e luftërave dhe të ngjarjeve të rëndësishme të historisë mesjetare të Evropës, në të cilat ndeshen gjurmët e “stratiotëve” të shquar arvanitas.
Sidoqoftë, për çfarë nuk është bërë, le të bëhet në të ardhmen. Është koha që, për të ngritur ura të forta miqësie në Ballkan, duhet të dimë cilët jemi dhe nga vijmë. Kështu, më lehtë do të shkojmë aty ku të gjithë duam të shkojmë.
Le të ndalemi konkretisht te studimet dhe botimet në Shqipëri për historinë dhe kulturën arvanite. Ato po mbushin rreth një shekull, pra kanë moshën e shtetit të pavarur shqiptar. Por këto studime kanë edhe një prehistori të vyer, falë përkushtimit të rilindasve tanë të mëdhenj, Sami Frashërit, Naim Frashërit, Thimi Mitkos etj. Veprat e tyre përmbajnë informacionin e parë tonin për historinë dhe kulturën arvanite. Mund të përmendet për atë kohë edhe ndonjë organ i diasporës si “Kalendari Kombiar”, që botohej në Sofje, i cili nga fillimi i shekullit XX pati ndonjë artikull kushtuar arbërve të Moresë.
Në periudhën pas vitit 1912, arvanitasit u përmendën nga:
Fan S. Noli në monografinë “Gjergj Kastrioti-Skënderbeu”.
Mithat Frashëri, Osman Myderizi, në studime ose artikuj të botuar në periodikët e kohës.
Mehdi Frashëri, në ndonjë përmbledhje (“Leka”).
Ose edhe në ndonjë pamflet politik, sikurse është rasti i Luigj Bumçit etj.
Ndër organet e medias, ku u publikuan shkrime me informacion për arvanitasit, mund të përmenden revistat:
- “Dituria” (1926-1927)
- “Besa” (1934)
- “Leka” (1944)
- “Hylli i Dritës” (1943)
- “Bashkimi i Kombit” (1944)
- “Drita” (1937)
- “Agimi” (1979)
- “Vullneti i popullit” (1931)
- “Minerva” (1935)
- “Gazeta e Korçës” (1932)
Për ta gjendet informacion gjithashtu në botimin serial “Visarët e Kombit” (1939) etj. Gjithsesi, historia dhe kultura arvanite, në këtë periudhë të lindjes dhe konsolidimit të shtetit shqiptar, pak mundën të studioheshin dhe të publikoheshin. Për fat të keq, ndryshe nga arbëreshët e Italisë, arvanitasit vetë, mjaft të asimiluar, por edhe të penguar, nuk shkruan për veten e tyre, të paktën këtë nuk e bënë në formë të identifikuar, kështu që nuk pati çfarë të riprodhohej në Shqipëri, e dalë nga pena e tyre.
Investimi shtetëror në Shqipëri për albanologjinë, në periudhën e Pasluftës së Dytë Botërore, gradualisht, solli një qasje më të dukshme të studiuesve të ndryshëm ndaj botës arvanite, ngjarjeve dhe figurave të saj të shquara. Me një ngritje graduale, që dha fryte veçanërisht 30 vjetët e fundit, albanologjia prodhoi studime dhe informacion të vlefshëm edhe për historinë dhe kulturën arvanite. Në 15 vjetët e fundit fenomeni ka qenë mjaft më i dukshëm.
Aktualisht, arvanitasit kanë një vend të posaçëm në:
Tekstet shkollore të Historisë së Popullit Shqiptar (arsimi i ulët dhe i mesëm).
Leksione të veçanta në ciklin e lartë.
Këto informacione janë pasuruar vit pas viti, veçanërisht në pjesët ku flitet për emigracionet shqiptare në Mesjetë dhe për qëndresën e shqiptarëve të Moresë në shekullin XV. Këtë vend ata e kanë siguruar edhe në vepra madhore si:
- Historia e Shqipërisë, në dy vëllime (Tiranë, 1965), me autorë të pjesëve respektive Prof. A. Budën dhe Prof. S. Pollon.
- Botimi i ri në 4 vëllime i Historisë së Popullit Shqiptar, përkatësisht në vëllimin e parë (botuar në vitin 2002), me autor Prof. P. Xhufin.
Informacion konciz për arvanitasit, dhënë në disa artikuj apo zëra të veçantë, është publikuar edhe në Fjalorin Enciklopedik Shqiptar (Tiranë, 1985), botim i Akademisë së Shkencave.
Gjithsesi, në tekstet shkollore dhe në Historinë e Popullit Shqiptar, do të ishte dashur të gjendej më shumë vend për rolin e arvanitasve në Revolucionin Grek të vitit 1821 dhe në krijimin e Greqisë së Pavarur. Por këtë boshllëk e kanë plotësuar disa monografi të botuara 20 vitet e fundit, të cilat janë mbështetur në një bibliografi mjaft të gjerë:
Arvanitët dhe shqiptarët në luftën çlirimtare të popullit grek (shek.XIV – 1829), (1985) nga Dhimitër Grillo.
Lufta e popullit grek për pavarësi – kontributi shqiptar, (1991) nga Koli Xoxi.
Marko Boçari, Fatosi i Misalongjit, i po këtij autori.
Arvanitët, (1994) nga Irakli Koçollari, që synon të japë një informacion të plotë për botën arvanite.
Studime më të shkurtra dhe artikuj seriozë për probleme të caktuara, i janë prezantuar lexuesve në Shqipëri nga studiuesit e njohur: Aleks Buda, Stefanaq Pollo, Kristo Frashëri, Zija Shkodra, Filip Liço, Eqrem Çabej, Stavri Naçi, Petraq Pepo, Zana K. Frashëri (Lito), Pëllumb Xhufi, Zihni Reso, Timo Dilo etj. Këta studiues, kryesisht potencialet intelektuale të Institutit të Historisë të Akademisë së Shkencave, në vitet ’60-’80, krahas artikujve të botuar, e trajtuan temën arvanite edhe në Konferenca e simpoziume shkencore.
Botimi i korpuseve me dokumente arkivore për mesjetën (shek. X–XV), i organizuar nga Instituti i Historisë, ka qenë një drejtim tjetër i punës, ku shfaqet informacion edhe për botën arvanite, qoftë edhe indirekt. Këtu përmenden cikle vëllimesh si: Dokumente të periudhës bizantine për historinë e Shqipërisë (shek. XII-XV), Burime të zgjedhura për Historinë e Shqipërisë, Dokumente të shek. XV për historinë e Shqipërisë, Burime tregimtare bizantine për historinë e Shqipërisë, shek. X–XV, mandej vëllimet për Luftën shqiptaro-turke të shek. XV (Burimet bizantine dhe burimet osmane), të përgatitura nga A. Buda, K. Biçoku, K. Bozhori, F. Liço, I. Zamputi, K. Frashëri, S. Pollo, P. Bogdani, P. Huta, L. Malltezi, S. Pulaha, S. Naçi, Z. Shkodra, P. Thëngjilli etj.
Plotësimit të informacionit për arvanitasit i ka shërbyer edhe publikimi i studimeve dhe botimeve të tjera të realizuara jashtë Shqipërisë, të shkruara nga shqiptarë ose të huaj. Një vend nderi në këtë kategori ribotimesh zë monografia:
Arvanitët dhe prejardhja e grekëve (vështrim historik-folklorik dhe politik-gjuhësor) e të mirënjohurit Aristidh Kolja (Shtëpia Botuese 55, Tiranë, 2002).
Shumë me rëndësi është gjithashtu përfshirja në studimin e Zana K. Litos e listës së fshatrave arvanite në Greqi, të përcaktuara dhe publikuara nga studiuesi i palodhur arbëresh At Antonio Belushi në librin Kërkime dhe studime për arbëreshët në Greqi (Ricerche e studi tra gli Arberori dell`Ellade, Cosenza, 1994). Natyrisht, shtëpitë botuese duhet të kenë edhe projekte të tjera.
C. Karakteri i Studimeve Tona për Arvanitasit
Pas këtij vështrimi të përgjithshëm mbi studimet dhe botimet e realizuara në Shqipëri mbi arvanitasit, mund të konkludojmë se:
- Raporti midis shkrimeve që trajtojnë tërësisht ose pjesërisht temën arvanite, anon nga e dyta (trajtimi pjesor).
- Në raportin midis shkrimeve të mirëfillta shkencore dhe publicistike, apo trajtimit divulgativ të temës, pesha anon përsëri nga e dyta (trajtimi divulgativ/publicistik).
Aty-këtu nuk kanë munguar edhe artikuj informacioni. Përmendja me pak fjalë e temës arvanite është dhënë ndonjëherë edhe në kontekstin e ndonjë momenti politik.
Përsa i takon destinacionit ku drejtohen studimet dhe botimet e realizuara në Shqipëri për arvanitasit, ato, përgjithësisht, kanë synuar publikun shqiptar. Vetëm në raste të veçanta, si konferenca a simpoziume shkencore ose botime të karakterit akademik, destinimi ka qenë për një rreth të ngushtë studiuesish të huaj dhe të interesuarish të tjerë. Orientimi drejt një publiku më masiv do të kërkonte botimin në gjuhë të huaja të pikëpamjeve të historiografisë shqiptare. Mungesat që vihen re në këtë drejtim lidhen, përgjithësisht, me mjetet relativisht të pakta materiale, që kanë pasur në dispozicion shkencat albanologjike gjatë gjithë ekzistencës rreth 90-vjeçare të shtetit shqiptar. Le të shpresojmë se bashkëpunimi i studiuesve shqiptarë, kudo që ndodhen, do të shtojë prodhimin shkencor, por edhe mjetet për publikimin e tij në mënyrën e duhur, brenda e jashtë botës shqiptare.
D. Hapa të Tjerë për Njohjen dhe Respektimin e Botës Arvanite në Shqipëri
Natyrisht, në ndihmë të shkencës historike, për një publikim masiv të arritjeve të saj, por edhe të arritjeve të degëve të tjera, si letërsisë, arteve etj., ka luajtur e po luan rol media e shkruar, ajo elektronike, fonike dhe vizive. Edhe pse mungon informacioni i nevojshëm për të përcaktuar sa e kanë realizuar “detyrën” e vet shtypi i përditshëm, radiot ose televizionet, mendoj se këta sektorë kanë ende për të bërë në drejtimin sasior dhe cilësor të informimit të publikut shqiptar për historinë e vjetër e të re, kulturën, ekonominë, personalitetet etj., të arbërve të Greqisë.
Diçka është bërë edhe në fushën e artit, veçanërisht në pikturë, si dhe në vlerësimin nga autoritetet për figura të caktuara historike (ndonjë mbledhje përkujtimore, dekorim, emërtim rruge etj.), por është vështirë të përcaktohet në ç’raport kanë qenë këto me ato që do të duhej të ishin bërë. Theksoj me bindje se gjallërimi i punës në të gjitha këto fusha mund të ketë një ndikim të gjerë dhe të menjëhershëm në plotësimin e dijeve të njerëzve të zakonshëm, të çdo niveli arsimor e kulturor.
E. Sa Na Kanë Ndihmuar Studimet dhe Botimet e Djeśotme për të Njohur Botën Arvanite?
Bilanci i përgjithshëm i studimeve dhe botimeve në Shqipëri për botën arvanite, sikurse u përmend, nuk është as shumë, as pak. Ndonëse nuk pretendoj për një vrojtim shterues, mund të them se në skedarët e Bibliotekës së Institutit të Historisë të Akademisë së Shkencave në Tiranë, që si institucion i specializuar është biblioteka më e pasur me materiale albanologjike, gjenden 141 skeda bibliografike për historinë dhe kulturën arvanite, të nxjerra nga shtypi dhe nga botime të ndryshme. (Ato janë kryesisht në gjuhën shqipe dhe shpesh trajtojnë në përgjithësi edhe problemin e shqiptarëve të tjerë në Greqi). Për krahasim, do të përmend se për arbëreshët e Italisë, në bibliotekën e sipërpërmendur, ka rreth 3 herë më tepër skeda. Natyrisht, diferenca lidhet me faktin se arbëreshët e Italisë punuan shumë që të tjerët t’i njihnin dhe, nga ana tjetër, kontribuuan shumë në Lëvizjen Kombëtare të Rilindjes Shqiptare.
Gjithsesi, angazhimi i studiuesve më të kualifikuar të shkencës shqiptare për trajtimin e historisë dhe kulturës arvanitase ka ndikuar ndjeshëm në njohjen që kemi sot ndaj botës arvanite. Madje, artikujt e tyre cilësorë kanë qenë informacioni i vetëm serioz që ka dalë nga vetë shqiptarët për atë degë të tyre të lashtë, e cila, në rrethana të caktuara, për mjaft kohë, nuk ka pasur mundësi të shkruajë për veten e saj. Por bota arvanite duhet të presë jo vetëm të njihet në Shqipëri, por edhe ta njohë, madje ta shohë realisht Shqipërinë, Kosovën dhe botën tjetër shqiptare në përgjithësi. Unë mendoj se në këtë drejtim ka hapa pozitivë, të diktuar nga faktorë të shumtë objektivë e subjektivë.
Me siguri historia dhe kultura arvanitase do të ishin më të njohura, nëse:
- Edhe politika nuk do të kishte penguar (kujto marrëdhëniet e acaruara shqiptaro-greke për shumë kohë).
- Do të kapërceheshin konceptet në të dy anët e kufirit Shqipëri-Greqi.
- Do të vlerësoheshin drejt personalitete arvanite, si dhe ngjarje ku ata luajtën një rol të rëndësishëm progresiv.
- Arvanitasit do të kishin pasur mundësi të ruanin më mirë, ashtu si arbëreshët e Italisë, krenarinë për origjinën, identitetin, gjuhën dhe kulturën e tyre.
- Do të mund të krijonin në Greqi, sikurse vëllezërit e tyre të përtej Jonit e Adriatikut, një lob pro Shqipërisë paqësore, aktualisht edhe pro Kosovës, e më gjerë, në interes të forcimit të marrëdhënieve ndërshtetërore shqiptaro-greke.
Kjo, natyrisht, do të shkonte në të mirë të stabilitetit në Ballkan e më gjerë. Një politikë konstruktive e qarqeve drejtuese të të dy shteteve, Shqipërisë e Greqisë, në rrethanat e kaq shumë lidhjeve të vjetra e të reja etnike, historike, ekonomike, kulturore, politike etj., me siguri do të gjallëronte të gjithë ata elementë që mund ta kthenin jugun e Ballkanit në modelin më të mirë për arritjen në Gadishull të parametrave të kërkuar evropianë të integrimit.





















