Arkitekti Artan Shkreli ka ngritur një shqetësim në lidhje me ristrukturimin e kishës së Shën Prokopit, për të cilën tha se do bëhet në një stil pa lidhje as me projektin origjinal apo traditat shekullore stilistike-ekleziastike të Ballkanit jug-perëndimor.
Në një postim në rrjetet sociale, ndërsa ka ndarë foto nga kisha në shekullin e XX dhe propozimin për rikonstruktimin, Shkreli bëri thirrje që të ndërhyhet pranë hirësisë së tij kryepeshkopit Anastas, në mënyrë që autoriteti i tij të ndalojë këtë marrëzi.
Postimi i plotë:
Sprapësimi i Kishës Ortodokse
Do e konsideroja, nëse është e vërtetë se ristrukturimi i kishës të Shën Prokopit, do bëhet në një stil pa lidhje as me projektin origjinal ikonik të ark. Luarasit (senior), e as me traditat shekullore stilistike-ekleziastike të Ballkanit jug-perëndimor.
Nuk di nëse ka njerëz që kanë njohuri arkitekturore në strukturat e KOASH, sikurse ishte dikur i nderuari at Theologu, por dikush duhet të ndërhyjë pranë hirësisë së tij kryepeshkopit Anastas, në mënyrë që autoriteti i tij të ndalojë, sa pa filluar, këtë marrëzi të panevojshme.
Greqizimi i Kishës së Shën Prokopit – Mbrojtësit të Tiranës
Në lidhje me këtë çështje një konstatim interesant është bërë në faqen Albanian Historical Society: Sipas këtij konstatimi: “Vazhdon plani shkombëtarizues që i bëhet Shqipërisë dhe kulturës së saj nga qarqet greke të veshura me petkun fetar dhe përfaqësuar nga institucione fetare të ozurpuara nga grupe agjenturore greke dhe të tjerë.
Kisha e Shën Prokopit në mes të Tiranës tek Liqeni Artificial është ndërtuar në fillim në vitin 1780, po tentohet të rindërtohet totalisht rishtazi në të fshehtë, ndryshe nga realizimi arkitektonik dhe ndërtimi që u bë nga i biri i Kristo Luarasit, Skënder Luarasi në vitin 1945.
Në datën e përurimit 20 maj 1945 u shkrua:
“THEMELUE NË VITIN 1940 NË KOHËN E KRYEPISKOPIT TË GJITHË SHQIPNIS IMZOT KRISTOFORIT – me pjesëmarrjen dhe bashkëpunimin e pleqësis kishtare dhe të kujdestarisë së kishës të Tiranës, ndërtue me t-ardhunat e çpronësimit të kishës së vjetër të Shën Prokopit dhe me ndihmat e popullit ortodoks, projektue dhe drejtue prej ing. arch. Skënder Luarasit, zbatue prej sipërmarrjes Ing. Lucca e C, Milano”.
Arkitektura e re që shikoni ne modelin 3D (në foton mëposhtë) e mbështetur dhe paguar nga KOASH-i, ka tendenca të qarta tjetërsimi greqizimi në krahësim me variantin origjinal.
Pasi lanë të shkatërroheshin dhe greqizuan kishat me vlera historike, artistike, arkitektonike, kulturore ..etj në jug të Shqipërisë, #KOASH-i me veglat e saja tani po tjetërson edhe kishën e Shën Prokopit.
Ku janë këta arkitektët shqiptar që ti bëjnë oponencën?
Ku janë këta pseudo historianë që të shkruajnë diçka në media?
Ku janë pseudo patriotët që vetëm dinë të dalin në media sociale sikur po shpëtojnë Shqipërinë me maska të ndryshme, por që e kanë bërë shpirtin nevojtore, dhe i ofrohen të parit që i pagan?
Më poshtë po japim disa foto nga pjesët e filmit të famshëm “Luftëtari i Madh Shqiptar Skënderbeu”, ku disa pjesë janë realizuar tek kjo kishë (Kisha e Shën Prokopit para se të prishej/tjetërsohej nga regjimi komunist) po ju japim disa foto sesi kjo kishë ka qënë.
Duke qënë që institucionet shtetërore Komuniste Shqiptare janë të zëna, duke verësuar se kush vjedh me shume me konçensionet, ju kanë lënë dorë të lirë të gjithëve të vjedhin çdo gjë, edhe kulturën, historinë, artin, jetën..e shqiptarëve.”