Kuvendi Kombëtar 10 qershor 1878, në Prizren
Kuvendi Kombëtar u hap më 10 qershor 1878. Por atë ditë në Prizren nuk kishin arritur të gjithë delegatët e krahinave shqiptare. Mungonin delegatët e vilajetit të Shkodrës, nisjen e të cilëve e kishin penguar intrigat e valiut turk, Hysen Pashës. Po ashtu, nga vilajeti i Janinës arritën vetëm dy delegatë, njëri nga të cilët ishte Abdyl Frashëri, pasi të tjerët ishin ende në udhëtim. Nga të dhënat e derisotme dokumentare nuk ka qenë e mundur të përcaktohet lista e plotë e delegatëve, as numri i saktë i atyre që u ndodhën të pranishëm në ditën e hapjes së Kuvendit të Përgjithshëm të Lidhjes. Njihen më se 110 emra, shumica e të cilëve vinin nga vilajeti i Kosovës. Ishin këta përfaqësues të shtresave të ndryshme shoqërore, çifligarë e agallarë, tregtarë e zejtarë, klerikë e nëpunës, bajraktarë e malësorë. Kishte personalitete të shquara politike të së kaluarës, por edhe emra të rinj që po hynin në jetën politike të vendit, figura që kishin marrë pjesë në kryengritjet kundër Tanzimatit ose që kishin luftuar prej kohësh kundër ushtrive të monarkive fqinje ballkanike. Ndër personalitetet më të shquara që merrnin pjesë në Kuvendin e Përgjithshëm ishin: Ali Pasjtë Gucia, Abdyl Frashëri, Iljaz pashë Dibra, Hasan pashë Tetova, Ymer Prizreni (kryetar i komisionit organizator të Kuvendit), Abdullah pashë Dreni, Ahmet Koronica, Shaban bej Prizreni, Zija bej Prishtina, Jashar bej Shkupi, Shaban bej Peja, Filip Doda, Sulejman Vokshi, Shuajip Spahiu, Ali Ibra etj. Në Prizren kishin ardhur gjithashtu delegatë disa feudalë sllavë e sulltanistë nga viset e Bosnjë-Hercegovinës. Kuvendi i Prizrenit i filloi punimet në ditën e caktuar, me qëllim që kërkesat shqiptare t’u paraqiteshin Fuqive të Mëdha para se të mblidhej Kongresi i Berlinit (13 qershor 1878). Kuvendi i Përgjithshëm i zhvilloi punimet në një nga sallat e medresesë së ndërtuar në shek. XVII nga Mehmet Pasha; kjo ndërtesë ndodhet pranë xhamisë ose Bajrak-Xhamisë, siç quhej nga qytetarët prizrenas.
Kryetar i Kuvendit u zgjodh delegati më i moshuar, Iljaz Pashë Dibra.
Kararnamet (vendimet) e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit
1. Lidhja jonë është formuar me qëllim që të mos njohë asnjë qeveri tjetër përveç Perandorisë Osmane dhe të mbrojë integritetin tokësor me të gjithë mjetet.
2. Qëllimi ynë i lart është të mbrojmë të drejtën e lartmadhërisë së tij sulltanit, sovranit tonë. Në do quajmë armiq të kombit dhe atdheut të gjithë ata që kundërshtojnë dhe prishin qetësinë, ata që dobësojnë qeverinë dhe bashkëpunëtorët e tyre. Në rast se turbulluesit nuk heqin dorë do i dëbojmë jashtë shtetit.
3. Ata delegatë të krahinave të tjera që duan të hynë në Lidhjen tonë do i pranojmë me gëzim dhe regjistrojmë si miq të qeverisë dhe vendit.
4. Në bazë të Sheriatit do të mbrojmë jetën, pasurinë dhe nderin edhe të atyre që nuk janë muhamedanë, por janë besnikë, tamam si për veten tonë. Ndërsa kryengritësit do ti dënojmë sipas fajit.
5. Të gjitha shpenzimet për luftëtarët që do të mbledhin krahinat do të rregullohen dhe perballohen në bazë të dispozitave që do japim. Ndihmat që do na vinë nga jashtë do ti pranojmë me kënaqësi.
6. Duke patur parasysh gjendjen e Ballkanit nuk do pranojmë në asnjë mënyrë fuqitë e huaja në tokat tona.Ne nuk do të njohim në asnjë mënyrë Bullgarinë dhe as duam t’ia dëgjojmë emrin, edhe Serbia në rast se nuk na i dorëzon tokat me të mirë që na ka marrë, do të dërgojmë kundër saj një fuqi dhe t’ia marrim me pushkë. Edhe kundër Malit të Zi do veprojmë në të njëjtën mënyrë.
7. Bashkatdhetarëve besnikë të qeverisë që kanë hyrë në Lidhjen tonë do ti japim dorën dhe ndihmojmë sipas mundësisë.
8. Në rast se një krahinë ka probleme për të zbatuar vendimet, krahinat fqinje do ti shkojnë në ndihmë.
9. Kush do që del nga Lidhja jonë, Zot na ruaj! Kush do që spiunon, dhe vepron sipas qejfit dhe dëgjon urdhërat e të parëve do të marrë dënimin që meriton.
10. Asnjë vendas i kujt do krahine që do me dalë nga Lidhja, i çfarëdo feje qoftë nuk do lejohet të shkojë as në Serbi e as në Mal të Zi. Në rast se shkon do njihet si spiun dhe dënohet.
11. Kushdo që ka vënë në dispozicion të Lidhjes diçka dhe i shmanget detyrimit,s’dëgjon urdhërat, sillet brutalisht apo bën ndonjë ç’nderim do të dënohet sipas fajit.
12. Dërgimi i fuqive, thirrja dhe përdorimi i tyre do të bëhet sipas udhëzimeve të përpiluara.
13. Për të zbatuar këto nene do ti jepet rëndësi korespondencës.
14. Është rënë dakort që qeveria nuk do hyjë në punët e Lidhjes dhe as Lidhja në punët e saj; përndryshe ky do shihet si cënim i të drejtës.
15. Një kopje i këtij vendimi do i paraqitet çdo krahine dhe qyteti.
16. Në bazë të besës së lidhur nga burrat e patrembur të Shqipërisë së Veriut, Jugut dhe Bosnjes, të atyre që kur kanë lindur nuk kanë njohur tjetër zanat por pushkën dhe që për Din, Devlet dhe Vatan japin jetën, kanë zgjedhur Prizrenin si kryeqytet të Lidhjes. Sikur e themeluam këtë Lidhje edhe në të ardhmen nuk do durojmë tiranë që të shtypin vendet tona. Bijtë tanë dhe bijtë e tyre do të jenë besnikë të Lidhjes dhe kush largohet nga ajo do të konsiderohet sikur dikush që braktis Islamin dhe do mallkohet dhe përbuzet nga ne.
Siç shifet nga pikat e Karar Namesë, Lidhja Shqiptare e Prizrenit ishte një organizatë politike-ushtarake që synonte të mobilizojë muslimanët ballkanas për vetëmbrojtje, në të gjithë territorin e saj dhe shtrihej nga Bosnja deri në Jug të Shqipërisë. Edhe pse ishte konceptuar si një Lidhje kryesisht muslimane shqiptare, ajo shquhej nga toleranca për të krishterët ku në pikën e 4-të, Lidhja Shqiptare e Prizrenot zotohet që do të mbrojë edhe jomuslimanët, gjegjësisht të krishterët.
Përveç kësaj Lidhja Shqiptare e Prizrenit miratoi edhe vendime të spektrit ushtarak me të cilët zotohet të mbrojë me force territoret e saja, të cilët ishin të kërcënuar se do të pushtohen pas nga sllavo- grekët pas vendimeve të Kongresit të Berlinit të vitit 1878.
Talimatet (urdhëresat) ushtarake të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit
1. Asnjë krahinë nuk do të njohë ndonjë qeveri tjetër përveç asaj të PerandorisëOsmane.
2. Nëse Turqia nuk paraqitet dhe Kongresi i Berlinit nuk do të njohë të drejtat tona mbi vendet e pushtuara nga Serbia dhe Mali i Zi, atëherë ne do rrokim armëtpër ti ri-pushtuar.
3. Në qoftë se fuqitë tona do të mundin të çlirojnë vendet e pushtuara, atëherë dotë zbatohen masat e duhura.
4. E gjithë fuqia jonë do të përbëhet prej pesë ushtrishë: atyre të Shkodrës,
Shkupit, Kosovës, Jenipazarit dhe të Herzegovinës.
5. Ajo e Shkodrës do sulmojë Malin e Zi, oficerët dhe bajraktarët do të zgjidhen nga populli.
6. Në Guci përveç vendësve do të dërgohen edhe 2000 forca nga Gjakova dhe Berana dhe 1000 nga Peja.
7. Jenipazari përveç fuqisë që do të mbajë për mbrojtjen e vendit do të dërgojë edhe 1000 forca në Kolashin.
8. Në Bjelopolje mjafton fuqia vendase.
9. Në Prepolje, Çajniça, Tashlixhë dhe Foçë përveç fuqive të tyre, do të
dërgohen edhe 2000 të tjerë.
10. Për të ruajtur vijën Gracko – Trebinjë, përveç fuqisë së Herzegovinës, do të ketë 10000 burra nga Sarajeva dhe këta së bashku do të formojnë ushtrinë e Herzegovinës.
11. Fuqia e Shkupit, Kosovës dhe Jenipazarit do të sulmojë Serbinë sipas
instruksioneve tona.
12. Në qoftë se armiku i kërcënohet njërës krahinë, komandanti i krahinës në
rrezik do të lajmëroj komandantët e tjerë që të marrin dijeni të gjithë dhe sulmohet armiku.
13. Në rast se në luftën tonë kundër Malit të Zi, Serbia qëndron asnjanëse atëherë fuqitë që janë caktuar për atë, kalojnë kundër Malit të Zi.
14. Në qoftë se si Mali i Zi ashtu edhe Serbia do të luftojnë kundër nesh atëherë këto fuqi detyrohen të luftojnë burrërisht dhe me ngulm sipas besës që kemi dhënë.
Këto dy vendime, si politike ashtu edhe ushtarke u nënshkruan nga përfaqësuesit e Prizrenit, Gjakovës, Pejës,Gucisë, Jenipazarit, Sjenicës, Tashlixhës, Mitrovicës, Vuçiternit, Prishtinës, Gjilanit,Shkupit, Tetovës, Kërçovës, Gostivarit, Dibrës së Madhe dhe Dibrës së Vogël.




















