Sot mbushen 82 vjet nga vdekja e Gjergj Fishtës. Është interesant ky shënim nekrologjik i gazetës italiane il Corriere della Sera, të cilin po e përcjellim edhe në figurë.
Vdekja e Gjergj Fishtës – poeti kombtar shqiptar (Romë më 31 dhjetor 1940)
Erdhi lajmi nga Shkodra se per shkak të një goditje zemre ka vdekur sot në mëngjes At Gjergj Fishta i Urdhërit Françeskan (OFM), akademik i Italisë dhe shkrimtar i shquar shqiptar.
Fishta, i lindur në afërsi të Shkodrës në vitin 1871, mbaroi studimet fetare në Bosnjë dhe u kthye në atdhe pasi u shugurua meshtar. Në Shkodër themeloi shkollën françeskane dhe filloi botimin e së përkohshmes “Hylli i Dritës” . Të shumta jane botimet kulturore dhe letrare të cilave u dha jetë dhe zhvillim ky rregulltar. Poemat e tij, krijimet dramaturgjike dhe shkrimet e tij qysh në fillim u drejtuan në përgjithësi për dhënien e impulsit të zgjimit të ndërgjegjes patriotike shqiptare. Si drejtor i Shkollës Publike të françeskanëve në Shkoder futi aty gjuhën kombtare që nga viti 1902, kur ajo ishte e ndaluear rreptesisht nga Qeveria osmane.
Mbas lëshimeve të kushtetutës turke të korrikut 1908, shqiptarët, të cilët kishin luejtur një rol me rëndësi në atë revolucion, deshën të mblidhshin forcat intelektuale dhe t’i përfshinin në një bashkësi të përbashkët, por vështirësia e parë në të cilen ndeshën ishte njësimi i alfabetit. Në Kongresin shqiptar të mbledhun për këtë qëllim mori pjesë At Gjergj Fishta, i cili ia arriti që të bënte që alfabeti latin të pranohej, i cili më vonë u bë i përbashkët dhe zyrtar për të gjithë Shqipërinë.
Pasi u bë një nder eksponentet kryesorë të Shqipërisë së ringjallur, ai mori pjesë në Konferencën e Paqes në Paris dhe më vonë u emërua deputet dhe zevendës- president i parlamentit. Në shenjë mirënjohje si mik i sinqertë i Italisë, për meritat e tij ndaj vendit të vet dhe per vlerat e botimeve të tij, u ftua në majin e shkuar të marrë pjesë e Akademisë Mbretnore të Italisë.
Ndër publikimet e shumta të At Gjergj Fishtës kanë randësi krijimet poetike të frymzuara në përgjithësi prej legjendave (eposit) shqiptare dhe me prirje për të përkujtuar ndjenjat kombëtare. Veç poemës në tridhjet këngë të titulluar “Lahuta e Malcise” , ai ka shkruar hymne kishtare, lirika të ndryshme dhe satira me karakter politik.
Luigi Federzoni ka marrë masat që Akademia e Italisë të ketë përfaqesuesin e saj në funeral, dhe i ka dërguar telegram ngushllimi familjes, kryeministrit të Shqipërisë, ministrit të Arsimit të Shqipërisë, parisë së etërve françeskan si dhe “Institutit Skënderbeg”, antarë i të cilit ishte i ndjeri i shquar.”