Nga Dr. Glevin Dervishi
6 maji i vitit 1971 shënon një nga ditët e rëndësishme të kalendarit diplomatik mes Shqipërisë dhe Greqisë si dhe përbën një moment të veçantë për angazhimin diplomatik të Shqipërisë në planin rajonal, evropian dhe më gjërë, elemente këto që do të evidentohen pas rivendosjes së marrëdhënieve diplomatike dypalëshe. Sot, 50 vite më pas, është e rëndësishme që të kuptojmë jo vetëm në aspektin historik si erdhëm deri këtu, por trajektoren, pritshmëritë, problematikat e adresuara dhe të paadresuara si dhe të analizojmë nëse kjo marrëdhënie i ka përmbushur pritshmëritë e dy popujve tanë pas 5 dekadash ulje e ngritjesh konstante.
Në përfudim të Luftës së Dytë Botërore Greqia e gjeti veten të përfshirë në luftë civile e cila si një luftë me karakter ideologjik implikonte dhe fqinjët e saj veçanërisht Shqipërinë pasi qeveria komuniste e Tiranës i dha mbështetje gueriljeve komuniste greke, duke shënuar kështu një etapë problematike të panevojshme në raportet dypalëshe. Gjatë viteve 1949-1953 politika greke e mbajtjes së gjendjes së tensionit me Shqipërinë shfaqej në disa drejtime; në mbajtjen e gjendjes së luftës, në vazhdimin e parashtrimit dhe të propagandimit të kërkesave territoriale ndaj Shqipërisë, në provokimet kufitare dhe veprimtaritë subversive diversioniste greke në kufijtë dhe brenda territorit shqiptar.
Kjo fazë përbënë gjithashtu një etapë të rëndësishme të tensioneve dhe provokacioneve ushtarake dypalëshe në vijën kufitare. Ky tension do të mbetet prezent deri në vitet 1971 ndonëse erdhi gradualisht duke rënë. Përpjekjet e para mes të dy vendeve për të rivendosur marrëdhëniet diplomatike fillojnë në vitin 1954 dhe në këtë kohë shërben si indicie kërkesa që pala greke bëri nëpërmjet qeverisë sovjetike që Tirana të riatdhesonte grekët që mbaheshin në Shqipëri që nga Lufta Civile greke dhe Athina premtoi se ky veprim do të shërbente për vendosjen e marrëdhënieve diplomatike dypalëshe. Palët zhvilluan disa takime në nivel ambasadorësh në kryeqytete të treta të shoqëruara dhe me një sërë mesazhesh publike konstruktive në nivel të udhëheqjes politike në të dy vendet, në një kohë që rendi ndërkombëtar po ndikohej nga koncepti i bashkëekzistencës paqësore në marrëdhëniet Lindje-Perëndim. Në procesin e vështirë të orvatjeve për rivendosjen e marrëdhënieve diplomatike mes dy vendeve luajtën rol një sërë faktorësh si; fuqitë e mëdha, aktorët rajonal, por edhe çështjet dypalëshe si Ligji i Luftës, Çështja Çame, “Vorio Epiri”, minoriteti grek në Shqipëri, kufiri shtetëror, ushtarët grek që mbaheshin ende në Shqipëri që nga Lufta Civile greke, anëtarësimi i Shqipërisë në OKB ku pala greke votoi kundër dhe më pas pozicioni i Shqipërisë për çështjen qipriote, apo edhe përgatitja e opinionit publik respektiv për këtë akt. Porcesi i normalizimit tejkaloj çdo limit të mundshëm për dy fqinj që ndajnë vijë kufitare tokësore ku përpjekjet ishin gati të pabesueshme dhe shpesh absurde, pasi përveç rolit të dy vendeve u angazhuan dhe diplomacitë e fuqive të mëdha për të bërë të mundur afrimin, por ky proces nuk mund të shihet i shkëputur nga situata ndërkombëtare dhe loja për ndikim në rajon nga fuqitë e mëdha të kohës.
Për palën greke gjatë viteve 50-60 rivendosja e marrëdhënieve diplomatike fillimisht shihej e lidhur me kalimin e kësaj rruge nga një forum ndërkombëtar si OKB, si një rrugë që do ti jepte Athinës mundësinë që të parashtronte atje pretendimin e saj për aneksimin e Shqipërisë së Jugut. Këtë pretendim pala greke e argumentonte me ekzistencën e gjendjes e luftës me Shqipërinë si dhe nevoja që nëpërmjet këtyre rivendikimeve të forcohej aspekti i sigurisë territoriale të Greqisë nga veriu. Gjithashtu pjesë e qëndrimit grek ishte edhe trajimi nga ana e Tiranës e minoritetit grek ku Athina shprehej se kishin ndodhur “akte të palejuara dhe armiqësore” të qeverisë shqiptare që po persekutonte popullsinë greke të Epirit të Veriut. Për palën shqiptare rruga për vendosjen e marrëdhënieve diplomatike kalonte nga njohja e tërësisë territoriale dhe sovranitetit të shtetit shqiptar dhe konfirmimit të kufirit shtetëror nëpëmjet rindërtimit të piramidave kufitare të kërkuara që në 12 nëntor 1953. Po në kuadër të qasjes për njohjen e kufijve shtetëror pala shqiptare e vuri theksin në arritjen e një marrëveshje me Greqinë për pastrimin e Kanalit të Korfuzit nga minat e mbetura prej Luftës II Botërore. Për palën greke procesi i mirëmbajtjes së piramidave kufitare duhet të ishte një proces i karakterit më tepër teknik sesa politik dhe për këtë arsye Athina ngarkoi Shtabin e Përgjithshëm të Ushtrisë Greke për të kryer këtë proces me palën shqiptare. Ndërkohë që për Tiranën ky proces duhet të ishte së pari politik, pra mes dy Ministrive të Punëve të Jashtme dhe jo një proces në nivel teknik ushtarak.
Procesi i rivendosjes së marrëdhënieve diplomatike do të paraprihej nga një sërë marrëveshjesh ekonomike të cilat do të intensifikonin kontaktet në vitet 50-60 dhe do të rrisnin përpjekjet drejtë hapit final. Gjithashtu një rëndësi e vaçantë në këtë kohë pati ndërmarrja e disa veprimeve me karakter propagandistik si nxitja e shkrimeve pozitive në shtyp, shkëmbimet në fushën e kulturës, shkencës, arkivave, radiotelevizionit, dhe vendosjes së lidhjeve postë-telegrafike. Në prill të vitit 1967 Greqia kaloi një krizë të rëndë në jetën politike me vendosjen e juntës ushtarake, pas një grushti shteti e cila pati efekt të menjëhershëm në politikën e jashtme të vendit. Komuniteti Evropian mbajti një qëndrim të ashpër ndaj juntës duke e dënuar dhe vendosur në karantinë diplomatike regjimin e kolonelëve. Greqia u dëbua nga Këshilli i Evropës më 12 dhjetor 1969 dhe ngriu marrëdhëniet me Komunitetin Ekonomik Evropian. Pas krizës në Qipro junta u gjend në një pozitë të vështirë brenda vendit dhe nuk mund të përballonin dhe një politikë konfrontuese me jashtë, pasi nuk donin që të izoloheshin dhe më tej. Një ngjarje tjetër në sferën ndërkombëtare që pati ndikim ishte dhe pushtimi i Cekosllovakisë dhe denoncimi i Traktatit të Varshavës nga Shqipëria që i dhanë një impuls të fuqishëm përpjekjeve për normalizimin e marrëdhënieve mes dy vendeve. Junta mbajti një qëndrim të ashpër ndaj agresionit sovjetik, e dënoi atë dhe bëri thirrje për një bashkim më të fortë të vendeve të NATO-s. Qeveria greke filloi të shqetësohej nga forcimi i Flotës Sovjetike në Mesdhe dhe i trëmbej ridaljes së tyre në Shqipëri. Në rrethet drejtuese të juntës ishte forcuar rryma e kryesuar nga diplomati i lartë Panajotis Pipinelis, e cila përkrahte normalizimin e marrëdhënieve me Shqipërinë, duke lënë mënjanë pretendimet për aneksimin e Shqipërisë së Jugut. Ata mendonin se, interesat e Greqisë kërkonin “më mirë një Shqipëri në gjendjen aktuale se sa me sovjetikët brenda” sepse, në qoftë se Shqipëria do të futej serish nën kontrollin sovjetik, do të fillonin presionet për të përkrahur Bullgarinë për pretendime ndaj Maqedonisë Greke.
Në fillim të viteve 1970 palët nënshkruan disa marrëveshje siç ishte ajo për tregëtinë mës Dhomave të Tregëtisë dhe marrëveshja për PTT. Në këtë fazë del dhe propozimi grek për zhvillimin e marrëdhënieve me faza, që përfshinte; hapjen e përfaqësive tregëtare, vendosjen e marrëdhënieve konsullore, përfundimin e një marrëveshje postare, hapjen e pikave doganore për transportin tokësor. Gjithashtu pala greke sugjeronte dhënien e vizava në kufi me fletë të veçanta, por ky propozim nuk u pranua nga pala shqiptare e cila kërkonte që vizat të vendoseshin në pasaporta si dëshmi e njohjes së shtetit. Qeveria shqiptare e kohës e kundërshtoi kategorikisht konceptin e zhvillimit të marrëdhënieve me faza, pasi e argumentonte me faktin se Shqipëria është një vend me sovranitet të plotë, i njohur ndërkombëtarisht dhe me subjektivitet të plotë juridiko-ndërkombëtar ndaj duhet të ndërvepronin si palë të barabarta.
Në mars 1971, Jorgos Papadhopulos, kreu i juntës ushtarake greke, vendosi që të ulë tensionet brenda dhe jashtë Greqisë. Së brendshmi, ai inicioi politikën e tij të liberalizmit të limituar, nëpërmjet së cilës të mund të shtonte radhët e mbështetësve, që më vonë u pasua me dhënien e lejeve për rikthimin në Greqi të komunistëve grekë në mërgim, si dhe duke vendosur në përgjithësi një raport më tolerant ndaj regjimeve komuniste fqinje. Imazhi i regjimit të juntës greke ishte tepër i keq në botë dhe kolonelët ishin në një pozitë jokomode, e cila nuk u linte shumë hapësirë për manovra në politikën e jashtme.
Pas një periudhe 30-vjeçare ndërprerjeje të marrëdhënieve diplomatike dypalëshe, që prej fillimit të luftës italo-greke në 1940, Greqia dhe Shqipëria rivendosën marrëdhëniet diplomatike më 6 maj 1971. Në kushtet e një marrëdhënieje inekzistente dhe tepër problematike, rivendosja e marrëdhënieve diplomatike, duke hapur përfaqësitë respektive në nivel ambasade, duhej të ishte një akt i barasvlershëm ipso-jure dhe ipso-fakte me heqjen e ligjit të luftës mes dy vendeve. Rivendosja e marrëdhënieve diplomatike mes dy shteteve erdhi në një moment specifik për Greqinë, e juntës ushtarake të kolonelëve dhe Tirana nën regjimin komunist të Hoxhës. Si rezultat i tensionimeve Greqi-Turqi për çështjen qipriote, e cila ishte në fazën e vet më problematike në vitet 1970, vendimmarrja politike në Athinë vendosi që të përmirësonte marrëdhëniet me Tiranën.
Për Greqinë, Shqipëria komuniste ishte vija e takimit të Bllokut Perëndimor me atë Lindor, për më tepër që një dekadë më parë ishte pika e takimit të dy blloqeve ushtarake më të mëdha të kohës. Në aspektin e sigurisë, rivendosja e marrëdhënieve me Shqipërinë, e cila për nga pikëpamja e kapaciteteve ushtarake në vitet ’70 jetonte momentet e saj më të mira, përbënte një siguresë më tepër për Greqinë, e cila ndryshonte gjendjen e gatishmërisë ushtarake aktive në kufirin verior. Lëvizja e juntës për të rivendosur marrëdhënie me Tiranën mund të shihet dhe si dëshmi e izolimit, në të cilën kishte hyrë udhëheqja ushtarako-politike greke në atë periudhë dhe si një qasje solidarizuese mes dy vendesh, relativisht me miq të pakët të vërtetë në arenën ndërkombëtare të kohës. Në këtë periudhë sapo kishte filluar diplomacia e pingpongut SHBA-Kinë, ku kjo e fundit ishte aleatja më e madhe e Hoxhës. Kjo e bëri Hoxhën të kuptojë, që produkti i saj nuk do të ishte vetëm një marrëdhënie diplomatike tipike, por një eveniment politik ndërkombëtar. Në kushtet e pasigurisë së krijuar dhe për regjimin e Tiranës, ulja e tensioneve me Athinën duhej parë në një optikë më të gjerë.
Për të mundësuar rivendosjen e marrëdhënieve dypalëshe u zgjodh që të shtohej komunikimi mes përfaqësuesve të të dy vendeve në OKB, Sami Baholli dhe Dimitris Bitsiotis, në janar 1971, ku palët ranë dakord që të rivendosin marrëdhënie diplomatike dhe të shkëmbejnë ambasadorët. Në hapat e fundit para arritjes së marrëveshjes për rivendosjen e marrëdhënieve diplomatike u zhvillua një proces i mundimshëm llogaritjesh, propozimesh e kundërpropozimesh, lëshimesh e tërheqjesh taktike nga palët ku mund të evidentojmë se: Pala greke pranoi të heq dorë nga kalimi nëpërmjet një forumi ndërkombëtar për të kërkuar rivendikime territoriale me Shqipërinë para se të rivendoste marrëdhënie diplomatike, apo pasjen e një pozite të veçantë për minoritetin grek në Shqipëri, çështja e “Epirit të Veriut” do të lihej “të flinte” të paktën për momentin. Pala shqiptare hoqi dorë nga Çështja Çame duke ja lënë atë historisë, u tërhoq nga kërkesa drejtuar Greqisë që të deklaronte mosekzistencën e Ligjit të Luftës, mosinsistimi për njohjen e vlefshërisë së kufijve shqiptaro-grekë nga Greqia, apo lënien në heshtje të ekzistencës së shqiptarëve në Greqi. Me heqjen dorë nga pala shqiptare të Çështjes Çame dhe lënien në heshtje të ekzistencës së shqiptarëve në Greqi u krijua një disbalancë politike çka i jepte mundësinë Greqisë që të shtonte presionin për trajtimin e minoritetit grek në Shqipërinë e Jugut. Një orvatje e gjatë politike dhe diplomatike u zhvillua nga 8 janari deri në 6 maj 1971 për teksin e deklaratës së përbashkët që do të komunikohej në organet respektive të shtypit të kohës në të njëjtën orë në të dy vendet për vendosjen e marrëdhënieve diplomatike. Në fund u ra dakord për këtë tekst të propozuar nga pala shqiptare: “Qeveria e RPSH dhe Qeveria e Mbretërisë së Greqisë ranë dakord që, midis dy vendeve të vendosen marrëdhënie diplomatike dhe të shkëmbejnë përfaqësues diplomatik në rang ambasadorësh”.
Por në Athinë, rivendosja e marrëdhënieve nuk kaloi pa presion ndaj qeverisë, aq sa Palamasi (sekretar Shtetëror për Politikën e Jashtme në qeverinë greke), doli në konferencë për shtyp dhe deklaroi: “Në lidhje me Shqipërinë nuk ka ndodhur asnjë ndryshim pozicioni nga pala greke, vetëm se mungesa është zëvendësuar me prezencën, indiferenca me interesin dhe heshtja me dialogun”. Për Greqinë, rivendosja e marrëdhënieve mund të shihet në terma më praktikë, si hapja e kufirit, që ishte mbyllur që prej vitit 1938. Për palën greke vendosja e marrëdhënieve diplomatike ishte dhe një mundësi e mirë për grekët e Shqipërisë që do të kishin kënaqësinë që të kishin një prezencë zyrtare të qeverisë greke në këtë vend. Pala shqiptare pranoi vendosjen e marrëdhënieve diplomatike edhe në këto kushte, pasi ishte më pozitive se sa vazhdimi i situatës 30 vjeçare, e cila nuk kishte sjell gjë tjetër përveçse izolim, tension, armiqësi, e madje dhe gjak. Palët prakitikisht ranë dakord që pretendimet reciproke të mbeten të pa prekura duke i vënë në konservim në interes të normalizimit të marrëdhënieve.
Rivendosja e marrëdhënieve mes Shqipërisë komuniste dhe Greqisë së udhëhequr nga junta e kolonelëve, kishte një domethënie të fortë edhe për vetë rajonin. Shkëmbimet tregtare mes dy vendeve njohën një rritje shumë të madhe në vitet e para të rivendosjes së marrëdhënieve diplomatike, aq sa në vitin 1974 Shqipëria eksportonte 26 herë më shumë në Greqi se në vitin 1971. Rivendosja e marrëdhenieve diplomatike mes Greqisë dhe Shqipërisë pati efekt pozitiv dhe në vendosjen e marrëdhënieve diplomatike mes Shqipërisë dhe Qipros, pasi Qipro në korrik të vitit 1972 i kërkoi palës shqiptare vendosjen e marrëdhënive diplomatike. Diplamacia greke gjithashtu u investua që pas rivendosjes së marrëdhënieve diplomatike me Shqipërinë të merrte “ekskluzivitetin” si kanali më i sigurtë i komunikimit mes Tiranës me SHBA, NATO dhe perëndimit në përgjithësi. Në situatën e re pozitive, që ishte krijuar midis të dy vendeve Athina bëri dhe ndonjë përpjekje të ndrojtur për të tërhequr Shqipërinë në Procesin e Helsinkit.
Hapi i cili duhet të shënonte në fakt çeljen reale të një stadi të avancuar të marrëdhënieve dypalëshe duke sheshuar njëherë e mirë llogaritë e vjetra, nuk arriti që të shënjonte një histori suksesi, por pala shqiptare u mjaftua me disa element që i konsideroi jetik ndonëse nuk arriti dot që të hiqte nga rruga pengesat historike të cilat vijojnë të kenë efekt edhe sot 50 vite më pas. Ndërkohë që pala greke pranoi të heq dorë nga kalimi nëpërmjet një forumi ndërkombëtar për të kërkuar rivendikime territoriale me Shqipërinë para se të rivendoste marrëdhënie diplomatike, apo pasjen e një pozite të veçantë për minoritetin grek në Shqipëri, çështja e “Epirit të Veriut” do të lihej “të flinte” të paktën për momentin. Pala shqiptare hoqi dorë nga Çështja Çame duke ja lënë atë historisë, u tërhoq nga kërkesa drejtuar Greqisë që të deklaronte mosekzistencën e Ligjit të Luftës dhe efekteve të tij për pronat, mosinsistimi për njohjen e vlefshërisë së kufijve shqiptaro-grekë nga Greqia, apo lënien në heshtje të ekzistencës së shqiptarëve në Greqi. Me heqjen dorë nga pala shqiptare të Çështjes Çame dhe lënien në heshtje të ekzistencës së shqiptarëve në Greqi, u krijua një disbalancë politike çka i jepte mundësinë Greqisë që të shtonte presionin për trajtimin e minoritetit grek në Shqipërinë e Jugut. Ndaj ky moment mund të konsiderohet pa rezervë si humbja e një mundësie tjetër të artë për të vendosur paqen historike dhe humbja e mundësisë për të hequr Ligjin e Luftës i cili juridikisht duhet të shkonte paralelisht me rivendosjen e marrëdhënieve diplomatike dhe që duhej shoqëruar me nënshkrimin e një traktati paqeje.
Ky moment gjithashtu la pa adresuar kërkesën për të finalizuar 2 marrëveshjet për kufijtë tokësor të cilat ishin kërkuar për herë të parë në vitin 1953, marrëveshje të cilat ende edhe sot janë të pa përfunduara. Pala shqiptare e shkëmbeu rivendosjen e marrëdhënieve diplomatike praktikisht me mos kalimin nga një forum ndërkombëtar për rivendikime territoriale për rivendosjen e marrëdhënieve diplomatike, lënien pas të Çështjes Çame, Ligjin e Luftës, shqiptarëve që jetonin në Greqi dhe të 2 marrëveshjeve për kufirin tokësor. Për fat të keq kjo ishte mundësi e dytë e humbur pas njohjes së shtetit shqiptar dhe vendosjes për herë të parë të marrëdhënieve diplomatike në 4 janar 1923, por që do të pasohet dhe me mundësi të tjera të humbura gjatë këtij rrugëtimi diplomatik dypalësh të vështirë.
Sot, 50 vite më pas, është mëse e vërtet që mungesa është zëvendësuar me prezencën, indiferenca me interesin dhe heshtja me dialogun, dy vendet tona janë anëtare të NATO-s, kultivojnë një marrëdhënie me rëndësi strategjike të rëndësisë jetike me një aktivitet politik, diplomatik, ekonomik e njerëzor të dëndur, ato janë në bashkërendim të ngushtë për rrugëtimin evropian, por shumë prej çështjeve që mahisin herë pas here tensionin dypalësh vijojnë të flenë të patrazuara. Listës së gjatë të çështjeve dypalëshe që nuk ju dha drejtim në vitin 1971 i shtohen dhe pakësohen hera herës çështje të reja, komisione të reja, negociata të reja, përpjekie të reja, por në thelb ato nuk po kalojnë dot përtej 6 majit 1971. Në 4 janar 2023 do të shënohet dhe 100 vjetori i vendosjes për hërë të parë i marrëdhënieve diplomatike dypalëshe, ndaj deri atëher të mbesim me shpresën që shekulli i dytë i kësaj marrëdhënie do të rezervoi një profil kuptimplotë të fqinjësisë evropiane me kurajon për ti shkuar përtej “vetëkënaqësisë” për të pasur marrëdhënie të mira dhe që i përgjigjet pritshmërive të dy popujve./Gazetasi