Një projekt i qeverisë shqiptare për rigjenerimin e sheshit historik të Flamurit në qytetin e Vlorës nisi pa leje dhe në mungesë të monitorimit arkeologjik, duke sjellë sipas Drejtorisë së Monumenteve të Kulturës dëmtim të mureve antike dhe nënshtresave arkeologjike në zonat A dhe B të qytetit.
———-
Më 4 janar 2021, kryeministri Edi Rama, deputeti Damian Gjiknuri dhe kryebashkiaku Dritan Leli çanë përmes pengesave të ngritura në Sheshin e Flamurit në qytetin e Vlorës dhe vizatuan me dorë se si do ta ndryshonin atë.
Një video e publikuar në faqen e kryeministrit në Facebook tregon fillimisht kryebashkiakun Leli që shpjegon projektin dhe më pas Ramën që ndërhyn me një ide të re.
“Ka të drejtë Damiani aty, nëqoftëse hiqet pjesa e atyre godinave, marketi dhe ajo tjetra që do t’i bëjmë një shpronësim dhe ata do të jenë dakord, zgjerojmë shkallaren dhe lidhim Pavarësinë me Luftën përmes Sheshit të Flamurit,” tha kryeministri.
Gjiknuri ndërhyn duke miratuar: “Të bësh dhe një ndriçim të bukur aty. Ajo bëhet një gjë madhështore”.
Projekti i sheshit të Flamurit i kishte kaluar ndërkohë disa faza; Fondi Shqiptar i Zhvillimit sapo kishte shpallur fituese të tenderit me vlerë 698 milionë lekë kompaninë Gener 2, ndërsa Këshilli Bashkiak i Vlorës kishte miratuar një kontratë me vlerë 893 milionë leke për blerjen e një ngrehine 15 katëshe prej betoni në mes të sheshit.
Ndonëse sheshi i Flamurit shtrihet në zonat arkeologjike A dhe B të qytetit të Vlorës, pakkush mendoi për pasuritë nëntokësore.
Të dhënat e siguruara nga BIRN përmes kërkesave për të drejtë informimi tregojnë se punimet në sheshin e Flamurit nisën pa leje të Këshillit Kombëtar të Trashëgimisë Kulturore dhe Materiale si dhe pa mbikëqyrje arkeologjike, çka bie në kundërshtim me ligjin “për trashëgiminë kulturore dhe muzetë”.
Sipas një dokumenti të Drejtorisë Rajonale të Monumenteve të Kulturës në Vlorë, punimet e pamiratuara shkaktuan gjithashtu dëmtime në muret dhe shtresat arkeologjike në zonën A dhe B.
Kjo nuk është hera e parë që investimet publike shpërfillin rregullat e vendosura nga vetë qeveria për të ruajtur pasuritë arkeologjike të vendit, ku rasti më i debatueshëm është projekti i ashtuquajtur “Veliera” në qytetin e Durrësit.
E pyetur nga BIRN për dëmet e konstuara nga drejtoria e vartëse në Vlorë, Ministria e Kulturës në një përgjigje zyrtare iu shmang pyetjeve për dëmin, por pretendoi se punimet ishin pezulluar menjëherë dhe kishin rifilluar vetëm pas dhënies së lejes dhe angazhimit të monitoruesit arkeologjik.
Kompania “Gener 2”, e cila po kryen punimet në sheshin e Flamurit i tha BIRN se ‘kishte pasur gjithë dokumentacionin e nevojshëm për punimet”.
“Gener 2 është vetëm palë ekzekutive në këtë projekt,” tha Albi Greva, drejtor i Marketingut dhe Marrëdhënieve me Publikun i kompanisë.
Ndërkohë, Fondi Shqiptar i Zhvillimit si investitor nuk iu përgjigj pyetjeve edhe pse në një komunikim me e-mail i kërkoi BIRN dokumentin e DRMK-së për të verifikuar shqetësimin.
Punimet pa leje
———-
Projekti i rehabilitimit të Sheshit të Flamurit u prezantua fillimisht gjatë tubimit përmbyllës të fushatës elektorale të Partisë Socialiste në Vlorë në zgjedhjet e vitit 2019 nga kryeministri Edi Rama.
Projekti është pjesë e një serie investimesh publike që përfshin Lungomaren dhe rehabilitimin e një pjese të zonës historike të qytetit të Vlorës. Ndonëse kryeministri Rama e vizitoi sheshin në fillim të janarit, punimet nisën verën e vitit 2021.
Ergys Alushi, historian dhe ish-përgjegjës i Muzeut Etnografik në Vlorë i tha BIRN se në fillim të punimeve kishte shkuar çdo ditë në shesh, i shqetësuar për ndërhyrjen.
“Punimet janë kryer pa mbikëqyrje arkeologjike, deri sa raportuan Monumentet e Kulturës (DRMK) për gërmimet pa kriter. Kam shkuar çdo ditë të shihja punimet sepse situata ishte shqetësuese,”tha Alushi.
Dokumentet e siguruara nga BIRN tregojnë se Drejtoria Rajonale e Monumenteve të Kulturës, DRMK, i vëzhgoi punimet më 16 gusht 2021. Raporti i përpiluar dhe i dërguar Këshillit Kombëtar të Trashëgimisë Kulturore dhe Materiale si dhënie mendimi në datën 17 gusht 2021, tregon se ndërhyrja kishte shkaktuar tashmë dëmtime në shtresat arkeologjike dhe alarmon se ndërhyrjet ishin bërë pa monitorim, edhe pse preknin zonën “A” në të cilën gërmimi është i ndaluar.
Në raport theksohej gjithashtu se punimet për zbatimin e këtij projekti kishin nisur pa miratimin e Këshillit Kombëtar të Trashëgimisë Kulturore e Materiale.
Arkeologët e DRMK thonë ndër të tjera se gjatë vëzhgimeve kishin vënë re se punimet kishin nxjerrë në sipërfaqe pjesë “të një muri të ndërtuar me muraturë guri, llaç dhe tulla, që duken si vijim i murit juglindor të kastrumit antik”.
“Nga punimet e pamiratuara kanë dalë në sipërfaqe pjesë muresh të dëmtuar, kanë dalë materiale arkeologjike, si dhe është dëmtuar një pjesë e konsiderueshme e kanalit të ujërave të shek.XIX,” thuhet në raport.
Zyrtarët lokalë rekomanduan pezullim të punimeve dhe rifillim të tyre vetëm pas lejes dhe pas kontraktimit të një arkeologu që do të bënte vëzhgim të përditshëm. Ata sugjerojnë gjithashtu gërmime shpëtimi në pjesën që ata i referohen si “stacion autobusi”.
Më 18 gusht 2021, ndërsa ishte vënë në dijeni të dëmeve të shkaktuara, Këshilli Kombëtar i Trashëgimisë Kulturore e Materiale mori vendim për “miratim në parim të projektit”.
Në vendim thuhet se projekti duhej të rishikohej nga një “projektues i licencuar në ndërhyrje në pasuri kulturore materiale, në kategorinë përkatëse”. Po ashtu i kërkohet kompanisë të lidhë marrëveshje me kompani të monitorimit arkeologjik dhe të ndërpresë punimet deri në plotësimin e kushteve.
Ndryshe nga sa thuhet në këtë vendim, Ministria e Kulturës e minimizoi problemin në një përgjigje për BIRN, ndërsa tha se Bashkia e Vlorës kishte aplikuar për leje pranë KKTKM një ditë përpara fillimit të punimeve.
Ministria pretendoi gjithashtu se punimet në terren kishin nisur “2 ditë para vendimarrjes së KKTKM”, ndonëse fotot e realizuara më 16 gusht nga DRMK tregojnë se punimet kishin avancuar në një pjesë të madhe të sheshit.
Avokati Armando Cakrani, i cili kundërshton ndërhyrjet në sheshin e Flamurit, thotë se personat që kanë toleruar ndërtimin pa leje duhet të mbajnë përgjegjësi penale.
“Pra, jemi ne kushtet që kemi të bëjmë me një vepër penale të konsumuar nga organi që ka lejuar punime pa leje,” thotë ai, duke bërë përgjegjëse ministrinë e Kulturës.
Ministria e Kulturës i tha BIRN përmes një përgjigje me shkrim se projekti i ishte nënshtruar disa ndryshimeve ‘për të ruajtur nëntokën’.
“Pas kontraktimit të arkeologes Iris Pojani janë eleminuar disa ndërhyrje të parashikuara në pjesën nëntokësore, të cilat do të kishin ndikim në pjesën e nëntokës,” tha Ministria.
E pyetur nga BIRN për situatën që gjeti në sheshin e punimeve dhe nëse kishte konstatuar dëm, arkeologia Iris Pojani tha se nuk mund të komentonte për shkak të kontratës që kishte me ndërtuesin.
Një arkeolog lokal, i cili foli me BIRN në kushtet e anonimatit i konsideroi shkeljet flagrante.
“Muret antike që u zbuluan nga gërmimet në krah të monumentit u mbuluan me beton, po ashtu edhe gjurmë të sarajeve të Vlorajve, ku dhe u shpall Pavarësia si dhe mbetje të një ujësjellësi të shekullit 19,” tha ai.
“Edhe në luftë të ishim, kjo pjesë e trashëgimisë kulturore e kategorisë A, do ishte ruajtur me patjetër,” shtoi ai.
Humbje identiteti?
—————-
Problemet me dëmtimin e zonave arkeologjike nuk janë të vetmet që shoqëruan projektin e rigjenerimit urban të sheshit të Flamurit. Projekti është kundërshtuar gjithashtu për dëmtimin e historisë dhe sheshit identitar të Vlorës.
Përgjatë muajit prill, qytetarë dhe përfaqësues të shoqërisë civile protestuan me flamuj kombëtarë pranë monumentit të Pavarësisë në Vlorë, duke i konsideruar ndërhyrjet në këtë shesh si të gabuara.
Kundërshtimet vijnë kryesisht për shkak të ruajtjes së një godine 15-katëshe si dhe ndërtimit të një platforme, që protestuesit i referohen si ‘stacion autobusësh’.
Në projektet fillestare parashikohej shkurtimi i kullës 15-katëshe në një godinë 2-3 katëshe, por planet ndryshuan rrugës. Në vitin 2020, kryebashkiaku Dritan Leli i tha Këshillit Bashkiak se studioja projektuese i kishte propozuar bashkisë që pjesë e projektit “sheshi i Flamurit” të bëheshin edhe trualli si dhe sipërfaqet e godinës në pronësi të Sulo Shehit.
Me miratimin e Këshillit Bashkiak, godina që u ble prej bashkisë për mbi 7 milionë euro dhe mbeti pjesë e projektit të sheshit të Flamurit.
Sipas profesorit të arkitekturës, Vladimir Llakaj, ndërhyrja në tërësinë e saj e dëmtonte sheshin dhe motivet pse ai ishte ngritur. Llakaj thotë se pemët, shatërvani apo çdo gjë tjetër e planifikuar, i ndryshonte identitetin sheshit dhe i humbiste atij rëndësinë.
“Çdo gjë e vendosur rreth tij kinse për ta bërë më të bukur, më interaktiv apo çdo lloj ndërhyrje në ngushtimin e hapësirës së tij e deformalizon dhe e dëmton rëndë simbolikën që ka dhe për të cilën është ngritur,” tha Llakaj për BIRN.
Protestuesit kërkojnë prishjen e godinës 15-katëshe si ruajtjen të paprekur të pjesës tjetër të sheshit.
“Kjo dhe gjithë të tjerat e ngushtojnë, zvogëlojnë dhe minimizojnë monumentalitetin,” përfundoi Llakaj.
Burimi: BIRN