Në 31 mars Agjencia e Blerjeve të Përqendruara ka hapur një tender 14 milionë euro për blerjen e karburantit. Tenderi është i ndarë në pesë lote. Afati i kontratës është për tre dhe katër vite në varësi të lëndës djegëse.
Por këtë periudhë nuk është vetëm Agjencia e Blerjeve të Përqendruara që ka hapur procedura të tilla. Disa bashki dhe institucione në vend javën e fundit kanë hapur tenderët për të blerë rreth 1 milion euro karburant, shkruan Euronews.
Këta tenderë kryhen në një kohë kur çmimi i naftës është në nivelet e tij më të larta, ndërsa ekspertët parashikojnë që çmimi në bursë i naftës të bjerë.
Rreth dy muaj më parë Agjencia e Blerjeve të Përqendruara hapi një tjetër tender me vlerë 5 milionë euro për blerje karburanti.
Llogaritet që administrata shtetërore në Shqipëri të harxhojë rreth 35 milionë euro në vit vetëm për karburant.