Prokuroria e Tiranës pritet të ndryshojë akuzën nga vrasje e kryer me kapërcim të kufijve të mbrojtjes së nevojshme në vrasje me dashje për efektivin e shqiponjave, Nevaldo Hajdaraj, i cili qëlloi Klodian Rashën.
Riklasifikimi i veprës pritet të ndërmerret pas analizimit në tërësi të provave, ndërsa fillimisht do t’i komunikohet të pandehurit dhe më pas familjarëve të viktimës.
Zbërthimi i disa kamerave të sigurisë, serveri i të cilave ishte dëmtuar, i ka dhënë grupit hetimor që po heton ngjarjen ku mbeti i vrarë Klodian Rasha, një tablo më të qartë të veprimeve të efektivit të shqiponjave, Nevaldo Hajdaraj.
Në pamje, thonë burime nga prokuroria e Tiranës është siguruar prova kryesore ku qartësohet momenti i goditjes me armë nga punonjësi i policisë.
Po sipas të dhënave, filmimi tregon se polici ka qëlluar nga një pozicion i shtrirë, drejt Klodian Rashës dhe këndi i goditjes është në gjatësine e trupit të viktimës.
Filmimi po ashtu ka zbuluar se Klodian Rasha, është qëlluar nga polici dy herë, teksa ishte duke u larguar me vrap në rrugicën që të çon drejt banesës së viktimës.
Klodian Rasha mori vetëm një plumb në pjesën e pasme të trupit çka rezultoi fatale për jetën e tij ndërsa rianalizimi i provave ka shtyrë hetuesit të riklasifikojnë veprën penale nga vrasje e kryer me kapërcim të kufijve të mbrojtjes së nevojshme në vrasje me dashje, akuzë për të cilën në kodin penal parashikohet dënimi nga 10 deri në 20 vite burg.
Po sipas burimeve nga akuza e kryeqytetit pistoleta e gjetur ne pellgun e ujit, shumë larg trupit të viktimës mbetet ende e paidentifikuar megjithëse është administruar akti i ekspertimit balistik.
Hetime për këtë po zhvillohen edhe për mënyrën dhe rrethanat si u gjet kjo armë pas ngjarjes.