Janë dashur gjashtë vjet prej se për herë të parë shteti mori 23 monumente nën mbrojtje të përhershme që Listës t’i shtohen edhe 5 të tjera. E, dosjet e tyre qenë në shqyrtim një vit. Hamami i Madh në Prishtinë, Varrezat hebraike në Prishtinë, Shkolla e Muzikës (ish-Saraji i Mustafë Pashës) në Gjilan, Atik Xhamia në Gjilan dhe ish-hoteli “Jadran” në Mitrovicë, kanë fituar statusin e mbrojtjes së përhershme. Zhbllokim të procesit, e ka cilësuar ministri i Kulturës, Hajrulla Çeku këtë hap e së shpejti këtë status pritet ta marrin edhe astete të tjera.
Një vit pasi janë shqyrtuar dosjet, Këshilli i Kosovës për Trashëgimi Kulturore bashkë me Ministrinë e Kulturës kanë ardhur në përfundim se edhe pesë monumente duhet të gëzojnë statusin e mbrojtjes së përhershme. Kësisoj, 23 vjet pas luftës së fundit, Kosova mbron përhershëm 28 asete të trashëgimisë kulturore.
Këshilli i Kosovës për Trashëgimi Kulturore prej dhjetorit të vitit të kaluar kishte në shqyrtim 54 dosje të monumenteve. E tash do të vazhdojë me shqyrtimin e 49 prej tyre, pasi 5 i janë propozuar ministrit të Kulturës që të përfshihen në Listën e trashëgimisë kulturore nën mbrojtje të përhershme.
Hamami i Madh në Prishtinë, Varrezat hebraike në Prishtinë, Shkolla e Muzikës (ish-Saraji i Mustafë Pashës) në Gjilan, Atik Xhamia në Gjilan dhe ish-hoteli “Jadran” në Mitrovicë, kanë fituar statusin e mbrojtjes së përhershme.
Hamami i Madh i Prishtinës është prej shembujve më konkretë se si shteti ka dështuar në trajtimin e trashëgimisë kulturore. Në këtë monument të ndërtuar në shekujt XIV dhe XV gjatë viteve 2007-2009 ishte punuar hartimi i planit të konservimit dhe restaurimit – fazë kjo e financuar nga CHWB/Sida, duke angazhuar një ekip ekspertësh nga Turqia. Projekti i hartuar me ndihmën e ekspertëve turq konsiderohej se jo vetëm që nuk përkonte me vlerat autentike të monumentit, por edhe ishte një përkthim i keq prej turqishtes. Ishin shpenzuar 800 mijë euro. Kompania “Arda Rei” kishte nisur punët restauruese. Madje, përfaqësuesit e saj gjatë përgatitjes së monumentit për restaurimin në muret e brendshme kishin zbuluar një pikturë murale me përzierje të dy ngjyrave themelore – kaltër e verdhë.
“Pas përzgjedhjes së kompanisë fituese për zbatimin e këtij projekti është parë që kjo kompani nuk ka asnjë përvojë në punë konservuese/restauruese”, thuhej në një raport të datës 12 dhjetor të 2013-s, të Qendrës Rajonale të Trashëgimisë Kulturore në Prishtinë. Hamamit të Prishtinës autenticitetin ia humbi krejtësisht me ndërhyrjet e vrazhda kompania “Daja Rrah”, kur i betonoi muret e jashtme. Me urdhër të ish-ministrit të Kulturës, Memli Krasniqi, punimet në Hamam janë ndërprerë tri herë. Për herë të fundit në mars të vitit 2013 dhe nuk kanë rinisur më. Gjendja e tanishme e këtij objekti është e rëndë. E në prill të vitit 2021 u anulua një projekt i ri i restaurimit që monumentin e bënte “FATIH HAMAMI MÜZESİ” (Muzeu i Hamamit të Pushtuesit), i hartuar nga Agjencia Turke për Zhvillim dhe Rindërtim – TIKA.
Atik Xhamia në Gjilan, ndryshe e njohur si Xhamia e Medresesë, është ndërtuar në shekullin XVII. Është xhamia e parë e ndërtuar në qytet. Shënimet flasin për përfundimin e punimeve në vitin 1606, por hasen edhe shkrime që flasin për vitin 1609. E rëndësishme është se Atik Xhamia është ndërtuar në gjysmën e dytë të dhjetëvjetëshit të parë të shekullit XVII. Përballë Atik Xhamisë gjendet objekti i Shkollës së Muzikës, ish-Saraji i Mustafë Pashës. Ky objekt është ndërtuar në vitin 1887 nga Mustafë Pasha dhe ka shërbyer për banim. Para Luftës së Dytë Botërore është blerë nga Nuredin Maliq Aga dhe ka vazhduar të shfrytëzohej për banim. Pas Luftës së Dytë Botërore ndërtesa ka kaluar në pronësi të shtetit dhe shfrytëzohej si shkollë fillore, ndërsa sot është në pronësi të Komunës dhe kryen funksionin e Shkollës së Ulët të Muzikës. Kjo ndërtesë ka vlera historike dhe arkitektonike. Paraqet një shembull të ndërtesave publike të ndërtuara në fund të shekullit XIX në Gjilan.
Ndërtesa e ish-hotelit “Jadran” në Mitrovicë ndodhet në qendër të qytetit, në sheshin “Adem Jashari” në Mitrovicë. Kjo ndërtesë është e ndërtuar në vitin 1928. Objekti është investim i familjes pasanike Zharkoviq nga Mitrovica. Në fillim objekti ka funksionuar si hotel, pastaj si objekt administrativ i “N.T. LUX”, kurse më pas si bibliotekë e qytetit. Tash është privatizuar dhe përdhesja e objektit kryen funksion afarist. Ndërtesën e karakterizon stili secesionist, me planimetri në formë të shkronjës L. Dominon vëllimi qendror i fasadës së ndërtesës, e realizuar në vendtakimin e dy krahëve të ndërtesës, në formë harkore, dhe me realizim të kulmit në formë shatorri rrethor.
Varrezat hebraike në Prishtinë mbrohen nga shteti për rëndësinë historike që kanë. Sipas të dhënave, datojnë në shekujt XIX dhe XX.
Sipas Ligjit për trashëgiminë kulturore, asetet e trashëgimisë kulturore të propozuara për mbrojtje të përhershme duhet t’i paraqiten Këshillit të Kosovës për Trashëgimi Kulturore për rishikim, adaptim ose refuzim. Pas këtij procesi përcaktohet që vendimet e këtij institucioni të miratohen nga ministri i Kulturës.
“Vendimi për përfshirjen e objekteve nё Listën e trashёgimisё kulturore nёn mbrojtje tё përhershme tё përcaktuar nga Këshilli i Kosovës pёr Trashëgimi Kulturore nënshkruhet nga ministri, me ç’rast hyn nё fuqi mbrojtja e përhershme e tyre me kёtë ligj. Lista e trashëgimisë kulturore do tё jetë e hapur për publikun”, përcaktohet në nenin 4 të këtij ligji.
Sipas ministrit të Kulturës, Hajrulla Çeku, me futjen e pesë monumenteve, është zhbllokuar përfundimisht procesi i mbrojtjes së përhershme ligjore të trashëgimisë kulturore.
“Gjatë javëve dhe muajve në vijim pritet të miratohen propozime të tjera për shpallje asetesh në mbrojtje të përhershme nga kategori të ndryshme të trashëgimisë kulturore”, ka shkruar ministri Çeku në rrjete sociale.
Kryetarja e KKTK-së, Zanita Halimi, ka thënë se kanë filluar me këto pesë asete pasi për ato kanë pasur dosjet e kompletuara me perimetër të zonës së mbrojtur. Sipas saj, në fund të muajit i kanë në shqyrtim edhe pesë të tjera.
“Pastaj çdo muaj do të vazhdojmë që sa më shpesh të kemi informata sensibilizuese për trashëgiminë kulturore. Besoj që deri në mes të vitit të përfundojmë me të gjitha 54 propozimet dhe të presim propozimet e reja”, ka thënë ajo. Ka thënë se janë duke përgatitur edhe rekomandime për MKRS-në.
“Rëndësia e përfshirjes së aseteve në Listën e trashëgimisë kulturore nën mbrojte të përhershme është e madhe pasi u sigurohet status i përhershëm ligjor. Në vendim kemi përmendur që edhe plani i menaxhimit të bëhet brenda tre vjetëve, si dhe të bëhet shenjëzimi i aseteve”, ka thënë ajo.
Shteti vazhdon të mbrojë përkohshëm shumicën e aseteve të trashëgimisë kulturore. Janë 1633 asete në Listën e trashëgimisë kulturore nën mbrojtje të përkohshme.
Prej tetorit të vitit 2016, kur 23 asete të trashëgimisë kulturore janë pjesë e Listës së trashëgimisë kulturore nën mbrojte të përhershme, deri sivjet shteti nuk kishte arritur që asnjë monumenti tjetër t’ia jepte këtë status. Nuk ka arritur që as t’u përmbahet përcaktimeve ligjore që dalin pasi një aset ka marrë këtë status ligjor, siç janë planet e menaxhimit. Një prej shembujve është parku arkeologjik “Ulpiana”.
Deri në korrik të vitit 2021 – kur Kuvendi zgjodhi shtatë anëtarët e KKTK-së – Ministria e Kulturës nuk kishte as kujt t’i propozonte monumente për mbrojte të përhershme. Për tre vjet ky Këshill ishte jofunksional. Prej themelimit, më 2009, funksionoi vetëm nga viti 2015 deri më 2018, në pjesën tjetër nuk ishte plotësuar kurrë me të gjithë anëtarët.
Por mosfunksionaliteti i KKTK-së nuk ishte i vetmi hall.
Siç ka raportuar edhe më parë gazeta, ndonëse që prej verës së vitit 2018 nuk ka pasur anëtarë, Sekretariati i Këshillit të Kosovës për Trashëgimi Kulturore s’i ka ndalur shpenzimet as në vitin pandemik.
Për paga e punë, që përfshijnë edhe promovim të trashëgimisë kulturore në rrjete apo avancim dhe përditësim të ueb-faqes zyrtare, kishte shpenzuar 147 mijë e 263 euro. Janë 11 veta në staf e mesatarisht secili ka pagë mbi 500 euro. Ata supozohej se duhej të kryenin punë administrative për shtatëshen e anëtarëve që nuk është emëruar për tre vjet radhazi. Po ashtu, për “punë” jashtë orarit janë bërë pagesa deri në 400 euro në muaj. Prej shtatorit të vitit 2016, KKTK-ja është vendosur në kontejnerët afër ish-Pallatit të Shtypit.