More! Është një pasthirrmë?!… një vajzë e bukur?! Jo! More është Peloponezi i sotëm i Greqisë. Sipas një studimi të botuar në Itali në vitin 1886, nga filologu arbëresh Dhimitër Kamarda, More është një trevë e madhe, së cilës grekët i kanë ndryshuar emrin dhe e kanë kthyer në Peloponezi.
Kënga “O e bukura More” memorizon kujtesën e madhe të një atdheu të humbur.
Sipas filologut është një toponim i këtij vendi nga ku u larguan shumica e arbëreshëve të sotëm të Italisë.
Dhimitër Kamarda, cilëson se kënga e ka origjinën tek arbëreshët e Italisë, të cilët, sipas studimit të tij, u detyruan të largohen nga toka greke duke lënë trojet e tyre në vendin e quajtur More.
I vetmi dokument i kësaj kënge, është si material në librin e shkruar prej filologut, arbëresh Dhimitër Kamarda, i cili jetoi në vitet 1821-1882. Ai e ka botuar librin me titull: “Appendice al Saggio di Grammatologia Commprata sulla Lingua Albanese”, i publikuar nga shtëpia botuese “F. Albergueti E.C.” në vitin 1866.
Në këtë libër është publikuar për herë të parë, teksti i kësaj kënge i shkruar në shqip.
Po këtu sqarohet se teksti burimor popullor me ritëm tresh është i vetmi version dhe tekst origjinal i këngës “O e bukura More”. Kjo këngë këndohet prej 600 vjetësh dhe ka marrë më shumë përmasat e një kënge mërgimtarësh, e njohur dhe shumë e dashur jo vetëm për arbëreshët, por edhe për arvanitasit e Greqisë dhe shqiptarët e të gjitha trevave.
O E BUKURA MORE
Petkat e të mirat tona
Na i lam te Korona
Krishtin na kemi me ne
Oj e bukura More
Thell të plas, me lot ndër si
Na të lipisnjëm, Arbëri!
Petkat e të mirat tona
Na i lam te Korona
Shën Mërin kemi me ne
Oj e bukua More!
Thell të plas, me lot nder si
Na të lipisnjëm, Arbëri!
Petkat e të mirat tona
Na i lam te Korona
Papën na kemi me ne
Oj e bukura More!
Thell të plast, me lot ndër si
Na të lipisnjëm, Arbëri!
Malet tan me lis e driza
Të bukur sheshe me muriza
Të bukur kroje, të bukur gropa
Të bukur gjerdhe me fallopa!
Jemi e vemi ndë Itali
E më s’ju shomi me këta si!
Dherat të huaj hare s’kan
Se s’mbllin printët tan
Prindë, luftuat me thik më dor
Ndërpër shi e ndëpër bor
Ni ju lëm pa një qiri
E pa një vajim. Oj Arbëri!
Luajtim valle nd’atë More
Shtum kangjele ndë ato hje
Klisht e tona të bukuruara
Shpizit tona të nderuara!
Ni vjen Turku, Turku i zi
E tërpron klish e shpi
Qeti: Shihni jet e re,
Na tha Dorja, zoti Ndre,
Lipim qellnjëm ka do vemi
Se buartim mallin e s’e kemi
Me kët zemër, me këta si
Klajëm keq kët Arbëri!
Ndallandishe e ler e ler
Kur të vish ti njatër hjer
Vjen të vish ti te Korona
E s’gjën më shpit e tona!
Më së gjën trima hajdhjar
Po ngë një qen, çë kloft i vrar!
Kur u nistin gjith anit
E dherat tan iktin ka sit
Burrat gjith me një vajtim
Thirrtin grat me një vajtim,
Dil e hana ti, Stihji!
Oj More! Oj Arbëri!