Serbia po kryen një tjetër spastrim etnik të shqiptarëve, duke theksuar se këtë herë ky veprim po fshihet me veprime burokratike. Këto akuza vijnë nga Ministri në detyrë për Punët e Jashtme në Qeverinë e Shqipërisë, Gent Cakaj.
Cakaj tha se në një kohë kur Serbia do të mbajë vitin e ardhshëm të censusit kombëtar, ka nisur “zhdukja e adresave të shqiptarëve”.
“Është një proces i maskuar mirë. Ka vazhduar prej vitit 2011. Në emër të verifikimit të adresave nëse shqiptarët nuk rezultojnë në vendin banimin e deklaruar ata regjistrohen si të larguar. Në këtë moment pasivizohet adresa dhe si rrjedhojë i hiqet e drejta e votës”, tha ministri, për Euronews Albania.
Cakaj solli shembullin e Medvegjës ku tha se, në vitin 2015 shqiptarët e Luginës së Preshevës që jetojnë në Kosovë nuk u lejuan që të votonin pasi i mbyllën kufirin.
Me këto ritme ai tha se, rrezikohet që shqiptarët të arrijnë në më pak se 15% të popullsisë së Medvegjës dhe kështu gjuha shqipe nuk do të jetë më gjuhë zyrtare.
Ministri i Jashtëm i Shqipërisë tha se këto veprime të Serbisë janë një “spastrim etnik i maskuar me burokraci” të shtetit serb dhe “përpjekje shtetërore e mirë menduar për uljen e ndikimit politik të shqiptarëve”.
Cakaj tha se për këtë problem “duhet alarmuar faktori ndërkombëtar dhe duhet të reagojë Këshilli i Evropës si dhe kjo çështje duhet të vrasë dhe syrin e komisionit Evropian”.
Ministri i Jashtëm i Shqipërisë foli për herë të parë për një takim të anuluar me homologun e tij serb për shkak se shteti i Serbisë refuzon të japë lejen për hapjen e konsullatës shqiptare në Medvegjë.
“Komunikimi im me qeverinë dhe zyrtarë të qeveris së Serbisë është tepër i kufizuar për të mos hënë inekzisten. Unë asnjëherë nuk kam pasur takim dypalësh me ndonjë ministër të Jashtëm të Serbisë. Ka qenë një takim i planifikuar por për shkak të rrethanave u anulua dhe e kam anuluar unë. Thelbi i bisedimeve të atij takimi ishte hapja e konsullatës së përgjithshme në Bujanovcë, për të cilën ende Serbia nuk po përgjigjet pozitivisht dhe kjo tregon diçka edhe për vullnetin e saj sa i përket bashkimit rajonal dhe marrëdhënieve dypalëshe”, deklaroi Cakaj.
Ndryshe nga qëndrimet e kryeministrit, Edi Rama deri tani, ai tha se Serbia nuk ka treguar vullnet në bashkëpunimin dypalësh me Shqipërinë. Ministri i Jashtëm i Shqipërisë tha se, Serbia mbetet vendi me më shumë probleme dypalëshe në Ballkanin Perëndimor si dhe nuk është distancuar nga e kaluara. Madje ai akuzoi edhe BE në këtë pikë thënë se nuk ka dënuar krimet e ndodhura në Kosovë.
“Mendoj se problem kryesor në bashkëpunimin rajonal vazhdon të mbetet Serbia sepse është i vetmi vend që vazhdon të përzihen të punët e brendshme të së paku tre shteteve të Ballkanit Perëndimor, dhe qëllimisht po them të paktën tre. Vuçiq nuk është distancuar nga e kaluara në raport me shqiptarët dhe Kosovën. BE ka qenë disi symbyllur lidhur me trashëgiminë kriminale të Serbisë në Kosovë”, u shpreh Cakaj.