Shqipëria i ka përmbushur të gjitha kushtet për çeljen e negociatave për anëtarësim në Bashkimin Evropian dhe ato duhet të fillojnë sa më shpejt që është e mundur, ka thënë të premten në Tiranë presidenti i Këshillit Evropian, Charles Michel.
Sipas tij, pas situatës së krijuar nga lufta në Ukrainë, Bashkimi Evropian po shikon mundësi për ta përshpejtuar këtë proces, transmeton REL.
“Duhet t’i japim energji të reja procesit të integrimit për të krijuar stimuj të rinj për reforma dhe për të përshpejtuar procesin e integrimit. Po punojmë që të japim rezultate konkrete. Po bëjmë përshpejtimin e integrimit”, tha ai në një konferencë të përbashkët me kryeministrin e Shqipërisë Edi Rama.
Ai u ndal edhe te ideja e një unioni të ri politik të propozuar nga presidenti i Francës, Emmanuel Macron dhe e mbështetur zotit Michel, për të cilën tha se ka për objektiv që t’i japë energji të reja procesit të integrimit të rajonit të Ballkanit Perëndimor.
Macron propozoi krijimin e një organizate të re politike, për të bashkuar vendet e kontinentit që ndajnë vlerat e BE-së, por që nuk janë pjesë e bllokut.
“Ne mendojmë që është gjë e mirë që të diskutojmë me miqtë tanë për këtë ide, jo që të gjejmë një justifikim tjetër, por t’i japim një shtysë më të madhe kësaj”, u shpreh Michel.
Kryeministri Edi Rama tha se mbështet këtë vizion dhe se kjo do të ishte “një gjë fantastike”.
“Ideja e anëtarit të asociuar të BE-së është një ide që po merr më shumë mbështetje. Nuk e dimë se si dhe kur do materializohet, por e kam ndjekur dhe e mbështes plotësisht vizionin e Presidentit të Francës”, u shpreh Rama.
Rama përsëriti se për momentin Shqipëria nuk ndahet nga Maqedonia e Veriut në rrugëtimin e përbashkët për hapje të negociatave, porse do të kërkojë ndarje nga ky vend nëse procesi nuk vazhdon në qershor.
Michel tha se e kupton këtë qëndrim.
“Natyrisht që në Shqipëri ka padurim për të nisur negociatat sa më shpejt të jetë e mundur. Unë jam i angazhuar plotësisht për të zgjidhur vështirësitë. Ne do ta bëjmë vlerësimin në muajin qershor. Nëse kjo nuk ndodh, duhet ta rishikojmë situatën. Pozita e kryeministrit është plotësisht e arsyeshme dhe e përligjur”, tha Michel.
Presidenti i Këshillit Evropian bashkë me kryeministrin diskutuan edhe iniciativën për bashkëpunim rajonal Ballkani i Hapur. Michel tha se e përkrahë këtë iniciativë.
“Kjo [nismë] do ta lehtësojë edhe afrimin e Ballkanit Perëndimor me Bashkimin Europian”, tha Michel.
Vizita e zotit Michel në Tiranë vjen një ditë pasi Parlamenti Evropian miratoi dy raportet për procesin e aderimit të Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut në Bashkimin Evropian.
Raporti vlerësoi përparimin e Shqipërisë në rrugën drejt anëtarësimit në BE, ndërsa Parlamenti Evropian i kërkon Këshillit të nisë zyrtarisht negociatat e pranimit, duke vënë në dukje kontekstin gjeostrategjik të marrëdhënieve me Rusinë dhe agresionin e saj ndaj Ukrainës.
Shqipëria është anëtare e NATO-s që nga viti 2009. Asaj i është dhënë statusi i kandidatit për Bashkimin Evropian në vitin 2014 prej asaj kohe është duke pritur vendimin e vendeve anëtare të BE-së për të nisur negociatat për anëtarësim.