Një ekspozitë e veçantë Biblash është hapur për publikun në Bibliotekën Kombëtare të Shqipërisë.
Ekspozita “Koleksioni i Biblave” është një udhëtim i rrallë në botën e librave të shenjtë dhe dorëshkrimeve që kanë shënuar shekuj kulture.
Ekspozita sjell për herë të parë pranë publikut një numër mbresëlënës Biblash të rralla, mbi 100 të tilla, të shtypura në Itali, Francë, Gjermani, Holandë, Greqi e më gjerë, që u përkasin pesë shekujve, nga mesi i shekullit XV deri në shekullin XIX.
Nga përkthimet e Bibës qysh nga Buzuku, Budi e Bogdani, mandej rilindësve dhe figurave të mëdha si Kristoforidhi, Qiriazi, Fan Noli e Dom Simon Filipaj, deri te përpjekjet e Shoqërisë Biblike Angleze në shekullin XIX, ekspozita ndërthur historinë, kulturën dhe trashëgiminë e shkruar.
Ekspozita do të qëndrojë e hapur çdo ditë deri më datë 19 dhjetor 2025.





























