Edmond Malaj
Shën Gjon Vladimiri, njohur në Shqipëri edhe me emrin Shën Joan Vladimiri, ka jetuar midis shekujve X dhe XI (rreth viteve 990-1016) dhe ka qenë princ i Zetës (vend që ndodhet sot në Malin e Zi). Në burimet mesjetare ai ka lënë pak gjurmë, megjithatë figura e tij nderohet në të gjithë Ballkanin, sidomos në lokalitete të Shqipërisë së sotme, të Bullgarisë, Maqedonisë dhe të Serbisë. Ai është një figurë e rëndësishme religjioze në spiritualitetin ortodoks.
Shën Gjon Vladimiri nderohet sot edhe tek shqiptarët në veri dhe në jug, jo vetëm tek besimtarët ortodoksë, por edhe tek ata katolikë; madje nëpër vendet kultike që kanë lidhje me Shën Gjon Vladimirin janë të pranishëm shpeshherë edhe shqiptarë të besimit mysliman, të cilët vijnë në këto vende për të kërkuar “derman”.
Përsa i përket kultit të Shën Vladimirit në Veri, ai ekziston në trevat e Krajës në Mal të Zi. Në Ostros ndodhen rrënojat e kishës “Zonja e Bekuar e Krajës” (fig. 3), e cila tek sllavët njihet me emrin “Preista Krajinska” (apo “Precista Bogorodica Krajinska”), e cila mbahet si vendvarrimi i parë i Shën Gjon Vladimirit. Në këtë vend duhet të ketë ekzistuar diku edhe pallati ku ka banuar vetë shenjti.

Përpunimi i parë tregimtar i përdorur në një vepër historike u bë nga Mauro Orbini në vitin 1601, në veprën e tij “Mbretëria e Slavëve” (Regni de li Slavi), të dhënat e së cilës bazohen tek Prifti i Dioklesë dhe kanë një natyrë hagiografike.
Në lidhje me këtë vepër, në të cilën flitet për të gjithë botën sllave, duhet të hapim një parantezë dhe të theksojmë se aty hasim shumë të dhëna edhe për trojet shqiptare — nga Veriu deri në Jug — si dhe për figura të ndryshme të historisë sonë, si p.sh. Skënderbeu, Karl Topia, Balshajt, të cilëve u kushton një kapitull të tërë, duke dhënë aty edhe stemën dhe një gjenealogji të shkurtër të tyre.
Në lidhje me këtë vendvarrim në Krajë, sipas një legjende që sjell Hahn-i, Vladimiri ishte martuar me Kosarën, të bijën e mbretit bullgar Samuil, por, ngaqë dëshironte të qëndronte i virgjër për arsye religjioze, nuk e konsumoi martesën. Si rrjedhim, Kosara u zemërua dhe duhet të jetë ankuar te i vëllai, i cili u mundua të vriste Gjonin me shpatë, por sapo shpata prekte trupin e shenjtorit, zbutjej porsi dylli. Kështu, Shenjtori i dha të birit të mbretit shpatën e vet, me të cilën ky i preu kokën. Kështu Gjoni, me kokën e vet në duar, erdhi e u varros në Krajë, te Kisha e Virgjëreshës së Krajës. Presbiteri Diokleas na sjell një histori tjetër në lidhje me këtë ngjarje, duke paraqitur një histori dashurie midis Vladimirit dhe Kosarës, të bijës së car Samuelit, e cila, sipas Jireçekut, në burime njihet edhe me emrin Teodora.
Presbiteri Diokleas e tregon këtë histori të bukur si më poshtë:
“Kosara u gjallërua dhe u frymëzua nga ky shpirt i bekuar. Ajo iu afrua babait të saj dhe iu lut atij që ta lejonte të shkonte me shërbëtoret e saj poshtë, në bodrumet e burgut, me qëllim që të lante kokat dhe këmbët e robërve të lidhur me zinxhirë.
I ati ia plotësoi dëshirën dhe kështu ajo zbriti dhe kreu punën e saj të mirë. Kur vuri re Vladimirin midis të burgosurve, ajo u mahnit nga pamja e tij e bukur, përulësia e tij, thjeshtësia dhe mirësjellja e tij, si edhe nga fakti që ai ishte plot dituri dhe njohuri për Zotin.
Ajo ndaloi së foluri me të, dhe e folura e tij iu duk asaj më e ëmbël se mjalti dhe hojet e mjaltit.”
Megjithatë, kjo ndodhi jo në mënyrë epshore, por nga afeksioni i thellë i shkaktuar nga rinia dhe bukuria e tij. Dhe pastaj, kur ajo dëgjoi se ai ishte mbret, me gjak mbretëror, ajo e dëshiroi atë. Pasi i tha atij lamtumirën, ajo i vuri qëllim vetes lirimin e tij nga robëria.
Ajo iu afrua perandorit, iu hodh tek këmbët dhe iu drejtua me këto fjalë:
“Ati im, padroni im, unë e di që doni të më bëni të lumtur me një bashkëshort, ashtu siç e do zakoni. E tash, nëse i pëlqen Shkëlqesisë Suaj, unë do të doja të mjepni për burrë mbretin Vladimir, të cilin ju e mbani në zinxhirë. Ju duhet të dini që unë më parë vdes, sesa marr një burrë tjetër.”
Perandori qe shumë i lumtur kur dëgjoi këto fjalë dhe e miratoi kërkesën e saj, sepse ai e donte bijën e tij jashtëzakonisht dhe e dinte që Vladimiri ishte i linje mbretërore. Ai dha urdhër menjëherë që ta sillnin atë para tij dhe ta lanin e ta vishnin siç ishte zakoni për një mbret. Pastaj, pasi e vështroi dhe e puthi përpara fisnikëve të mbretërisë së tij, i dha atij bijën e vet për bashkëshorte.

Sipas Presbiterit Diokleas, Gjon Vladimiri u vra me tradhti nga Vladislavi, Perandori Bullgar, në Prespë. Kjo vrasje ndodhi pikërisht tek dera e një kishe. Sipas legjendës, ai erdhi në Krajë duke mbajtur në duar kokën e vet të prerë dhe u varros në Kishën e Shën Mërisë Virgjëreshë të Krajës.
Sipas Presbiterit Diokleas, personi që solli nga Prespa në Krajë trupin e pajetë të shenjtorit ishte pikërisht Kosara, gruaja e tij, me lejen e Vladislavit, i cili pa mrekullitë e bëra nëpërmjet shenjtorit, ndër të cilat ishte edhe një dritë që dilte nga varri i shenjtorit, të cilën Vladislavi e shihte natën. Kosara nuk u martua më, por jetoi si murgeshë deri në fund të jetës së saj dhe u varros tek këmbët e Shën Gjon Vladimirit. Pra, duhet të fiksojmë këtu që eshtrat e tij u zhvendosën nga Prespa në Krajë, nga Krajë në Durrës dhe si përfundim nga Durrësi në Bradashesh të Elbasanit.
Ekzekutimi i tij me vdekje nga Vladislavi kishte qenë një hakmarrje familjare, pasi vjehrri i Vladimirit, perandori Samuel, kishte vrarë Aronin, të vëllanë e tij, i cili ishte babai i Vladislavit. Dhe kështu Vladislavi vrau kushëririn e tij, Rodomirin (të pagëzuar me emrin Gabriel), i mori fronin, por nuk u kënaq me kaq. Ai donte të shuante nga faqja e dheut të gjithë familjarët e Rodomirit. Ndër këta kishte mbetur akoma edhe bashkëshorti i Kosarës, motrës së Rodomirit, princi serb Gjon Vladimiri, të cilin Vladislavi e ftoi miqësisht në Prespë me anë të një kryepeshkopi të tij, ku pastaj pabesisht e ekzekutoi.

Arqipeshkvia Katolike e Krajës:
Më vonë, Kisha Katolike e shënon këtë vend si Arqipeshkvia e Krajes, e cila ka edhe një seri arqipeshkëvësh. Ndër ta është i njohur edhe Arqipeshkvi i Krajës (Archeipiscopus Crainensis) Pale Dushi (apo Palë Dushmani) (Paulus Dussius †1457), i cili më parë kishte qenë Ipeshkëv i Shasit (Episcopus Suaciensis) gjatë periudhës 1440-1445 dhe i Drishtit (Episcopus Drivastensis) (1446-1452) dhe që nga viti 1455 figuron si Arqipeshkëv Katolik i Krajës.
Meqë ai kishte qenë më parë ipeshkëv në dy dioqeza, në atë të Shasit dhe të Drishtit, që nuk janë larg Krajes, dhe për më tepër njihte mirë krahinat, njerëzit, traditat dhe kishat, ai duhet të ketë njohur edhe historitë dhe legjendat që silleshin përreth Shën Gjon Vladimirit, dhe sigurisht edhe rëndësinë politike kishtare që kishte kjo figurë në këtë kohë. Ne jemi të mendimit që duhet të ketë qenë pikërisht ky klerik shqiptar që ka luajtur një rol të rëndësishëm me qëllim që figura e Shën Gjon Vladimirit të nderohet edhe nga shqiptarët katolikë të Krahinës së Krajës.
Një person tjetër që duhet të ketë luajtur po ashtu një rol të rëndësishëm në këtë drejtim ka qenë edhe kardinali i famshëm nga Raguza, dominikani Johann Stojkovi? (†1443), i cili ishte një teolog i rëndësishëm i gjysmës së parë të shekullit XV, dhe figuron edhe si kreu i Koncilit të Bazelit dhe si i dërguar në Kostandinopojë.
Kështu u krijua tek shqiptarët e Krajës një procesion për nder të Shën Gjon Vladimirit dhe të Kryqit të Krajës, i cili duhet të ketë Filluar që në kohërat e hershme (mbase diku në shekujt XII-XIII), por që fillesat e tij nuk mund t’i saktësojmë ende me një datë të sigurtë. Ky procesion bëhet duke iu ngjitur Malit të Rumijes.
Këtu, tek shqiptarët e Krajës, nuk zhvillohet një procesion si dikur, por besimtarët ngrihen herët në mëngjes dhe i ngjiten majës së Rumijes, rreth 1595 m mbi nivelin e detit. Në këtë procesion marrin pjesë jo vetëm shqiptarët katolikë, por edhe ata myslimanë nga trevat e Krajës, Shestanit, Tivarit dhe të Ulqinit.

Procesioni zhvillohet edhe nga ana sllave; ai bëhet duke mbajtur Kryqin e Shën Gjon Vladimirit, dhe nisja bëhet nga fshati Veljo Mikuliqi, kjo traditë zbatohet nga sllavët.
Pra, ka dy procesione: njëri nga shqiptarët që përdorin një rrugë tjetër, dhe tjetri nga sllavët. Procesioni zhvillohet çdo vit më 22 maj, ditën e Rreshajve. Një objekt tjetër i rëndësishëm i procesionit është edhe kryqi, i cili mbahet si “Kryqi i Shën Gjon Vladimirit” (monteneg. Krajinski krst). Sipas një legjende, këtë kryq ia hodhi shenjtorit një skifter i madh e i bardhë, dhe kjo ishte një shenjë për ndërtimin e Kishës së Virgjërreshës së Shenjtë.
Kryqi është ruajtur në një fshat midis Ulqinit dhe Tivarit, tek një familje shqiptare. Ky ishte kryqi i Kishës, ndërsa kishte edhe një kryq tjetër të madh, i cili mbahej nga besimtarët gjatë ngjitjes në malin e Rumijes.
Pjesë e procesionit është edhe marrja dhe vendosja e një guri nga besimtarët në atë vend. Aty ka shumë gurë që janë sjellë nga besimtarët në rrjedhën e 10 shekujve. Këta gurë përdoren për të formuar një bazament, me qëllim që të vendosej një kishë e bërë prej llamarine, e cila u vendos në majë me ndihmën e helikopterëve të Ushtrisë së Serbisë dhe të Malit të Zi. Kjo kishë llamarine u inaugurua nga përfaqësues të Kishës Ortodokse Serbe (SPC).
Kundër këtij akti reaguan jo vetëm besimtarë katolikë, por edhe ortodoksë dhe nga kampi politik i Malit të Zi. “Shumë nga liderët politikë malazezë që ishin të linjës për pavarësi të Malit të Zi thanë se Kisha Serbe Pravo-Sllave (SPC) është duke keqpërdorur fenë për synime politike, ngagë është duke ngritur një kishë mbi Malin e Rumijes, një mal që ka rëndësi njësoj si për ortodoksët, ashtu edhe për myslimanët e Malit të Zi.”
Lideri politik shqiptar Mehmet Bardhi tha në Podgoricë se dedikimi i Kishës në Malin Rumije “është provokimi më i madh ndaj shqiptarëve tash 50 vjet”, duke shtuar se ky veprim “është duke përgatitur terrenin për veprime të tjera të mëtejshme”, pa i specifikuar më tej ato.
Kulti i Shën Gjon Vladimirit tek shqiptarët, përveçse në Krajë, ka ekzistuar edhe në lokalitete të tjera dhe lidhet edhe me një mal tjetër, për të cilin do të flas më poshtë.
Mali i Oblikës në Shkodër:
Pra, siç e përmenda edhe më sipër, një vend tjetër që të kujton këtë shenjtor është edhe Mali Oblikë (Oblich, Obliquus), 5-6 km në perëndim të Shkodrës. Në këtë mal kishin vend gjarpërinjtë e zjarrtë (igniti serpentes), të cilët, sipas legjendës së Shën Vladimirit — legjendë e krijuar në gjysmën e parë të shek. XI — si rrjedhojë e lutjeve të princit të përshtatshëm serb, bëheshin të pa-dëmshëm. Këta gjarpërinj ishin të frikshëm njësoj për shqiptarët dhe për sllavët, ashtu siç nderohen njëlloj edhe mbetjet materiale të kësaj legjende, që është “Kryqi i Krajës”.
Legjenda, sipas Presbiterit Diokleas, thotë se gjarpërinjtë helmues shkaktonin vdekjen, qoftë të banorëve, qoftë të bagëtive të tyre, dhe Shën Gjon Vladimiri, i cili për momentin ndodhej aty me ushtrinë e tij, iu lut Zotit. Zoti e dëgjoi lutjen e shërbëtorit të Tij, dhe si rrjedhojë, që nga ajo ditë gjarpërinjtë e Oblikës nuk patën më helm, dhe banorët e këtij lokaliteti shpëtuan.
Oblika, në lidhje me historinë e Vladimirit, ka edhe një rëndësi tjetër. Pikërisht në Oblikë, i tradhtuar nga zhupani i vendit, duhet të jenë zënë rob shenjtori nga forcat e Samuelit, i cili në fillim pati rrethuar edhe Ulqinin pa sukses.
Kulti i Shën Gjon Vladimirit në Durrës:
Kulti i Shën Gjon Vladimirit ka ekzistuar edhe në Durrës (Shqipëria e Mesme), ku më parë ndodheshin eshtrat e shenjtorit. Sipas Jireçekut, reliket e Gjon Vladimirit duhet të jenë çuar aty nga epirotët në vitin 1205, në kohën kur Shkodra u pushtua nga Stefani, i biri i Nemanjës.
Sipas Robert Elsiet, eshtrat u morën nga Krajë në vitin 1215 nga Teodor Engjëll Komneni dhe u vendosën në një kishë të këtij qyteti, e cila edhe sot e kësaj dite ka mbetur enigmë. Eshtrat aty u nderuan nga besimtarë të të dyja Kishave, të asaj perëndimore dhe të asaj lindore.
Nderimi bëhej më datë 22 maj, dhe gjatë kësaj kohe zhvilloheshin aty panaire të mëdha, ngagë shenjtorit nderohej atëherë si “Patron i qytetit të Durrësit.”
Kulti i Shën Gjon Vladimirit në Elbasan (Manastiri i Shën Gjon Vladimirit):
Më vonë, eshtrat u hoqën nga Durrësi dhe u vendosën në Shijon të Bradasheshit në Elbasan nga princi Karl Topia, në vendin ku ndodhet Manastiri i Shën Gjon Vladimirit, i ndërtuar nga vetë Topia në vitin 1381 për nder të këtij shenjti.
Lind pyetja: pse pikërisht në atë vend? Sipas një legjende, aty Shën Gjon Vladimirit i ishte shfaqur një shqiponjë, një ditë kur ai po gjuante, dhe shenjtorit i ishte inspiruar të ndërtonte fillimisht një kishë të vogël, ku ai lutej shtatë herë në ditë. Kjo kishë i qe dedikuar, sipas disa gojëdhënave, Shën Mërisë, dhe sipas disa të tjerave, Shën Trinisë. Kjo kishë duhet të jetë shkatërruar nga një tërmet dhe nuk dihet se deri kur ka ekzistuar.
Sipas një legjende tjetër, ky vend ishte edhe vendvarrimi i parë i shenjtorit, pasi ai, pasi iu pre koka, erdhi aty me kokë të prerë duke e mbajtur në dorë dhe aty e varrosën në shekullin XI. Pra, ajo çfarë pretendohet në legjendën e Krajës thuhet në një version tjetër për Bradasheshin.
Kisha e re e manastirit që u ndërtua ishte katër herë më e madhe se ajo ekzistuese, e shkatërruar nga tërmeti, në mesin e shekullit XIX. Ky manastir, i ndërtuar nga një princ katolik në një mjedis me shumicë ortodokse, por jo shumë larg edhe me katolikë dhe uniatë (katolikë bizantin), u bë një qendër e rëndësishme e kultit dhe mori një rëndësi akoma më të madhe pas rënies së Voskopojës, ngagë shumë klerikë voskopojarë erdhën dhe u vendosën në këtë manastir.

Manastiri gjatë historisë së tij të vështirë ka pësuar shumë grabitje. Një grabitje që ndodhi në shekullin XIX e përmend edhe Hahn-i; kjo ndodhi në vitin 1829 nga matjanët dhe dibranët, të cilët ishin ngritur në kryengritje kundër një serasqeri turk me emrin Qose Pasha (Kiosse Pascha) të Manastirit. Kryengritësit, përveç plaçkitjeve të tjera, prekën edhe sarkofagun prej muri ku ndodhej arkivoli me eshtrat e shenjtorit. Ata morën stolinë prej argjendi që ndodhej te kafka e shenjtorit, por nuk e dëmtuan dhe ua kthyen elbasanasve sërish kundrejt një shpërblimi prej 700 piastrash.
Kisha e sotme i përket rindërtimit të bërë në fillim të shekullit XX, nga Mitropoliti i Durrësit, Prokopi, nën kujdesin e Epitropit Spiridhon Xhufka (mars 1901). Shënjtori nderohet sot në këtë vend dhe në nderimin e tij marrin pjesë mijëra besimtarë nga i gjithë vendi. Litania zhvillohet duke u sjellë tri herë rreth kishës së manastirit. Pastaj hapet arka ku ndodhet lipsani dhe ndërrohet pambuku. Mbi këtë pambuk janë vendosur eshtrat e shenjtorit. Kjo bëhet një herë në vit, nga data 4 deri më 5 qershor, kur bëhet edhe festa dhe procesioni i lipsanit.
Një nga kutitë ku ruheshin lipsanet ka ekzistuar edhe në lagjen Kala të Elbasanit, në kishën e Shën Mërisë. Kjo kuti sot ruhet në Muzeun Kombëtar të Shqipërisë, dhe përsa i përket punimit artistik të saj, ajo është e punuar me stil post-bizantin me influencë të madhe të stilit barok. Pjesë e kultit ishte edhe panairi, i cili që prej vitit 1964 u ndalua, gjoja për të parandaluar sëmundjen e Brucelozës, por në të vërtetë fajtorë për këtë ishin autoritetet komuniste, jo sëmundja.
Në lidhje me ndërrimin e pambukut, eshtrat vihen në një pambuk të ri dhe ai Eshtrat e shenjtorit i vjetri futet nëpër qeska dhe u shpërndahen besimtarëve dhe të ardhurve në procesion, por edhe më vonë, me qëllim që ta mbrojë besimtarin nga sëmundjet, syri i keq dhe nga fatkeqësitë e jetës, dhe që t’i dhurojë mbarësi.
Sipas Atë Irene Gegës, një nga murgjit e Manastirit, nganjëherë lipsani bëhet kaq i rëndë sa burrat që e sjellin rreth kishës mezi e mbajnë, ndërsa herë të tjera është shumë i lehtë dhe nuk ka problem që ta mbajnë.
Në lidhje me eshtrat, sipas një gojëdhëne, 16 francezë u munduan t’i vidhnin këto relike dhe e ngarkuan lipsanin mbi një mushkë, por mushka ngordhi në vend. Ata e hodhën arkën në lumin Shkumbin, por arka e rëndë nuk u fundos; lundroi nëpër ujërat e Shkumbinit dhe të Kushës (lumit që ndodhet në afërsi të Manastirit) dhe erdhi vetë deri tek manastiri.





















