Figure 1 Faksimile e vendimit të themelimit të Prefekturës së Kosovës
Një pjesë e madhe e të shpërngulurve shqiptarë në Shqipëri ishin vendosur në zonat e Veriut me shpresën që kur të krijohen kushtet të kthehen në Kosovë, në vatrat e tyre. Në këtë mënyrë vendosja e të gjithë të shpërngulurve në Shqipëri ishte e përkohshme, kudo ku u vendosën ata si në fshatrat e Shkodrës, Krujës, Durrësit, Lushnjës, Fierit etj., pavarësisht se ishin më larg kufirit, por një numër i madh u vendosën në zonat kufitare, në fshatrat e Tropojës, Hasit e Lumës e në veçanti në Krumë.
Një pjesë e madhe e familjeve shqiptare kalonin përmes Krumës, që ishte urë lidhëse e Kosovës me Shqipërinë. Aq më shumë kur Kruma nga Këshilli i Ministrave u shpall qendër e shqiptarëve të shpërngulur nga Kosova dhe në janar të viti 1922 u shpall prefekturë me emrin Prefektura e Kosovës me dy nënprefektura në Bicaj dhe në Bujan të Tropojës. Prefekt i parë i Prefekturës së Kosovës u emërua Bedri Pejani, njëri ndër aktivistët më të shquar të Komitetit “Mbrojtja Kombëtare e Kosovës” me seli në Shkodër. Administrata e Prefekturës Kosova, pothuajse 90 % të tyre ishin nga Kosova, pjesa më e madhe që ishin shkolluar në Shqipëri, por edhe jashtë. Duhet theksuar se kjo prefekturë ishte krijuar me qëllim të mbrojtjes dhe kujdesit për shqiptarët e shpërngulur nga qytete e Kosovës dhe për shkollimin e fëmijëve të tyre. Por, meqë Kruma si qendër e Prefekturës ishte shumë afër me Kosovën në njërën anë dhe në anën tjetër duke qenë se territori i Hasit ishte shpallur zonë neutrale për shkak të bisedimeve në lidhje me përcaktimin e kufijve me Jugosllavinë, Kruma qe shndërruar në një qendër të shqiptarëve të Kosovës, përmes së cilës merreshin e jepeshin të dhëna të ndërsjella.
Shkolla e Krumës vend i preferuar për nxënësit nga Kosova
Interesimi për mësim në gjuhën shqipe në fshatrat e Hasit ka nisur shumë më herët, e në veçanti gjatë luftërave për liri në vitet e para të shekullit XX (1903 – 1908), ku kishte nisur të mësohej gjuha shqipe në male, nëpër shtëpi e kasolle të hasjanëve. Në shkollën e fshatit Golaj, sipas dëshmive të kohës, shkrim lexim ka mësuar edhe Shotë Galica, e cila gjatë qëndrimit të saj në Golaj të Hasit, sa herë që takohej me bashkëluftëtarë u thoshte atyre: ”Jeta pa dije është si lufta pa armë”. Andaj, ajo gjatë vitit 1922/23, kur luftëtarët shqiptarë, po përgatiteshin për një kryengritje të fuqishme kombëtare, iu bashkua bashkëluftëtarëve për të mësuar shkrim – leximin e gjuhës shqipe, përkatësisht alfabetin e gjuhës shqipe.” Pra, pas themelimit të Prefekturës së Kosovës, që siç theksuam nuk e kishte vetëm emrin “Kosova”, por ishte paraparë që angazhimi i kësaj prefekture t’i kushtohej Kosovës martire.
Njëra ndër shkollat shqipe në Shqipëri, që dha kontribut të madh për shkollimin e të rinjve shqiptarë nga Kosova është shkolla fillore e Krumës, e cila për herë të parë u hap në vitin 1913 për t’u mbyllur përkohësisht në vitin 1918 deri më 1921 e për t’u rihapur më 12 tetor 1922 me kërkesë të Bajram Currit, ku në vitin shkollor 1922/23 numëronte 30 nxënës, prej të cilëve 18 ishin nga Kosova. Mësimi realizohej në shtëpia private të ndryshme, në xhami ose në natyrë në pamundësi për të zotëruar një ndërtesë. Shkolla e Krumës në vitin 1923 shënoi dy hapa të rëndësishëm të zhvillimit arsimor: 1.) Krijimin e Shoqërisë Arsimore ‘‘Shkëlzeni’’ dhe 2.) Hapja e shkollës së mbrëmjes për të rinj e të rritur, ku numri më i madh ishte i shqiptarëve nga Kosova të strehuar në Shqipëri.
Përfshirja e të rriturve në shkollat e mbrëmjes, në radhë të parë u mundësoi shqiptarëve të shpërngulur që të gjenin më lehtë punë në institucionet shtetërore dhe angazhimi i tyre në jetën tregtare. Kështu në këtë mënyrë” Shkolla e natës” në Krumë u shndërrua edhe në një qendër stërvitore për mbrojtjen dhe çlirimin e atdheut të okupuar.
Pavarësisht përpjekjeve, që bënin nxënësit shqiptarë nga Kosova të shkonin në qytete të thella të Shqipërisë për t’i ndjekur mësimet, ata përsëri udhëzoheshin që mësimet t’i ndiqnin në shkollën e Krumës e më pas në Konviktin “Kosova”. Në kuadër të Prefekturës së Kosovës, shoqëria “Shkëlzeni” prej themelimit ishte e interesuar për ngritjen e një godine të re shkollore, nga se fillimisht mësimi zhvillohej në shtëpi private e më pas edhe në lokalet e xhamisë së Krumës. Mirëpo, me kalimin e kohës, përkatësisht me rritjen e numrit të nxënësve, nevoja për ngritjen e një godine shkollore ishte e domosdoshme. Këtu duhet përmendim se në vitin shkollor 1923/24 në shkollën e Krumës kishte në të klasat ekzistuese vetëm 51 nxënës. Prandaj, me kontributin e banorëve hasjanë brenda vitit 1924 u ndërtua shkolla me katër dhoma mësimi dhe dy salla përcjellëse. Për shkak të rritjes së numrit të nxënësve nga Kosova nga viti në vit, më 21 nëntor 1922, në Krumë hapet konvikti “Kosova”. Detyrë parësore ishte përfshirja e nxënësve të shtresave të gjera në shkollë dhe strehimi i tyre në konvikt. Pas ngritjes së godinës shkollore, në një telegram dërguar Ministrisë së Arsimit, kërkohej që nga buxheti i kësaj ministrie të mobilohet shkolla, sepse siç thuhej në telegram: ”Populli i Hasit është i varfër dhe nuk ka mundësi, që t’i blejë edhe orenditë e nevojshme për shkollën.” Mirëpo, sipas dokumentacionit të shkollës së Krumës, edhe pse mësuesit e atëhershëm e kishin njoftuar me kohë Ministrinë e Arsimit, ajo nuk ishte treguar e gatshme për ta ndihmuar këtë shkollë dhe kështu, populli ishte mobilizuar edhe një herë dhe me vetkontribut i kishin blerë orenditë shkollore, në qytetin e Gjakovës.
Sylejman Nevrezin nga Prizreni, i cili ishte nisë për Elbasan, por e kishin udhëzuar që ai të shkonte në Krumë, ku e edhe e kreu shkollën fillore 5 klasëshe, në vitet 1923-1927. Me pak fjalë nxënësit nga Kosova shkollën fillore, pothuaj se të gjithë udhëzoheshin ta kryenin në zonat kufitare, përkatësisht në territorin e Prefekturës së Kosovës, e cila prefekturë edhe kishte marrë përsipër shkollimin e të rinjve kosovarë.
Ndërsa në kujtimet e veta Ali Rexha, e përshkruan mjaftë mirë udhëtimin e tij për t’u shkolluar. Ai në kujtimet e tija në mes tjerash ka theksuar: “Më 1934 nga Gjakova, me leje kalimi dhjetëditëshe u nisa kah Prizreni, Kukësi, Bicaj, Peshkopia, Elbasani e mbërrina në Tiranë. Ishte shtator, mirëpo edhe pse shkollat filluan në shtator, unë mbeta tue prit bursën. Mbaroi shtatori dhe nga mbarimi i tetorit më doli bursa. Mirëpo më duhej të shkojsha në konviktin fillor të Krumës.”
Të rinjtë kosovarë edhe pse nuk e kishin moshën e përshtatshme për t’i ndjekur mësimet në shkollën fillore, ishin më të rritur dhe ata në të shumtën e raste pranoheshin në shkollat e kësaj prefekture, vetëm e vetëm që të mos mbeteshin pa mësime. Sipas kujtimeve të Ali Rexhës, që ishte nxënës në Krumë në vitet 1934 – 1937, kryemësuesi Beqir Kastrati edhe pse ishte i urtë, ua kërciste ndonjë shuplakë ose grusht nxënësve, që pinin duhan, apo nuk silleshin mirë, edhe pse në mesin e nxënësve kishte të rritur me mustaqe deri në moshën njëzetepesëvjeçare. Siç kujton Ismet Shqariri: “Atë vit shkollor e mbaruan shkollën fillore Xhevdet Hamza, Ymer Pula, Qemajl Bakia, Hysen Mërseli, Osman Arifi, Ismet Mula, Vehbi Lama, Mazllam Këpuska, Beqir Ndou, e të tjerë.”
Sipas të dhënave statistikore në vitin 1934 /35 në Qarkun e Prefekturës së Kosovës kishte 20 shkolla fillore, në të cilat punon 34 mësues prej të cilëve 18 ishin kosovarë dhe i ndiqnin mësimet gjithsej 1647 nxënës, ku prej këtij numri 213 ishin nxënës kosovarë, që nënkupton faktin se edhe fëmijët kosovarë ishin mjaftë të përfshirë në sistemin arsimor në shkollat e kësaj prefekture, duke marrë parasysh se në numrin e përgjithshëm të shkollave përfshihen shkollat e të gjitha lokaliteteve, pasi që në shkollën e Krumës pothuajse numri i nxënësve ishte përgjysmë me nxënës nga Kosova. Ndërkaq në vitin shkollor 1936 /37 numri i nxënësve u shtua nga 1647 në 1902, dhe numri i nxënësve nga Kosova arriti në 300 nxënës.
Nga Kosova në shkollën e Krumës mësimet e para i morën shumë nxënës të cilët më vonë drejtuan luftën e Dytë Botërore, pastaj themeluan shumë institucione administrative e kulturore në Kosovë. Në mesin e këtyre nxënësve ishin: Abdurrahman Shala, Gazmend Zajmi, Fadil Hoxha, Xhavit Nimani, Osman Vokshi, Ilmi Zajmi, Ibrahim Spahiu, Hajdar Dushi, Xheladin Hana, Mazllam Këpuska, Qemail Bakalli, Shpend Thaçi, Sylejman Vrenezi, Salajdin Ngucati e qindra nxënës tjerë, të cilët krejt deri në fillim të Luftës së Dytë Botërore shpërndanë libra në gjithë Kosovën, dhe kështu shkolla e Krumës e mori epitetin “Universitet i Kosovës”.
Themelimi i Shoqërisë arsimore – shkollore “Shkelzeni”
Hapja e konviktit në njërën anë dhe në anën tjetër, themelimi e degës së “Bashkimit” në Krumë ishin një nxitje e madhe për aktivitet atdhetare të mësuesve e nxënësve nga Kosova. Në këtë mobilizim një rol të rëndësishëm luajti prefekti i parë i Prefekturës së Kosovës Bedri Pejani, i cili, që kur ishte emëruar inspektor i federatës “Atdheu” e cila përbëhej nga 25 shoqëri të kohës, ku Avni Rustemi pas shpalljes i pafajshëm për vrasjen e Esat Pashë Topatnit (19 dhjetor 1920), dhe më pas Avni Rustemi i përkrahur nga atdhetarët kosovarë në Tiranë, më 13 tetor 1922 themeloi shoqërinë “Bashkimi”, ku pas disa javës u themelua dega e kësaj shoqërie edhe në Krumë. Duke e parë se nga dita në ditë numri i nxënësve nga Kosova po shtohej, u shtuan edhe kërkesat dhe nevojat e organizimit të të rinjve.
Po në fund të vitit 1922, përkatësisht pas themelimit të degës së “Bashkimit” në Krumë u themelua Shoqëria Arsimore “Shkëlzeni” në Krumë. Në lidhje me datën e saktë të themelimit të kësaj shoqërie arsimore e kulturore, ndonëse nuk dihet saktësisht, sepse nuk kemi asnjë dokument që saktësojnë aktin e themelimit, për shkak se në pranverë të vitit 1925, objekti ku funksiononte kjo shoqëri u sulmua barbarisht nga Qeveria e Ahmet Zogut dhe i shkatërruan dëshmitë. Në këtë mënyrë, në lidhje me kohën e themelimit të kësaj shoqërie, ka dy mendime. Në vjeshtën e vonë të vitit 1922, për të cilën në shënimet e tyre flasin mësuesit kosovarë: Ibrahim Kolçi, Beqir Kastrati, Niman Ferizi, Ibrahim Fehmiu etj dhe fillimi i vitit 1923 që si dëshmi është vula e kësaj shoqërie, e cila e mban vitin e regjistrimit zyrtar si Shoqëria Arsimore “Shkëlzeni”.
Qëllimi kryesor i themelimit të kësaj shoqërie ishte bashkimi i inteligjencës shqiptare e në veçanti i atyre shqiptarëve që kishin qenë të detyruar të shpërnguleshin nga vatrat e tyre nga Kosova dhe Maqedonia. Statusi i shoqërisë i jepte një vend të veçantë degës muzikore dhe kështu brenda një kohe të shkurtër u themelua banda muzikore nën drejtimin e Niman Ferizit në fillim e më pas të Ibrahim Fehmiut. Duke qenë se Kruma, konsiderohej si qendër kosovare, kësaj shoqërie i erdhën ndihma nga të gjitha anët, nga Shkodra, nga Vlora, nga Gjirokastra, nga Elbasani dhe për këtë një kontribut të madh dha Avni Rustemi, i cili në zgjedhjet e 27 dhjetorit 1923, fitoi ulësen në Kuvendin shqiptar, duke qenë kandidat i Prefekturës së Kosovës së bashku me Hoxha Kadriu, Dr. Fariu dhe Niman Ferizi. Zgjedhja e deputetit demokrat Avni Rrustemi, si përfaqësues i prefekturës Kosova, i keqësoi edhe më shumë marrëdhëniet me qeverinë shqiptare, që e kryesonte Ahmet Zogu, nga se ai me këtë rast u bind edhe më shumë se atdhetarët kosovarë, që vepronin në kuadër të prefekturës Kosova, nuk i mbështesnin veprimet e tija politike.
Pasojat e ndjekjes së atdhetarëve hasjanë përkrahës të revolucionit dhe të patriotëve tjera nga Kosova, nga ana e regjimit të Zogut, ndikuan që për vite me radhë numri i nxënësve në shkollën e Krumës të zvogëlohet dukshëm. Madje në bazë të asaj që u tha më lartë, numri i përgjithshëm i nxënësve në shkollë, në vitin 1927, në të gjitha klasat (që sipas statistikave të Ministrisë së Arsimit ishte kështu: në klasën e parë kishte 25 nxënës, në klasën e dytë 22, në të tretën 12 dhe në të katërtën vetëm 5 nxënës), nuk arrinte numrin e nxënësve vetëm në klasën e parë sa kishte në vitin 1924. Dhe për këtë arsye edhe shoqëria “Shkëlzeni” për dy vite 1925 – 1927, pati një pengesë serioze në prezantimin e vlerave muzikore të nxënësve e mësuesve nga Kosova në disa qytete të Shqipërisë, për të rifilluar më pas nga viti 1928 me koncerte në shumë vende të Shqipërisë.
Sipas kujtimeve të mësuesve shqiptarë nga Kosova në botime e shkrime për ta, këta mësues jo vetëm se i ushtruan e i përgatitën nxënësit që të jenë instrumentist të mirë, por i shoqëruan ata kudo me programet e tyre, duke prezantuar pjesët e Kosovës kudo në Shqipëri. Sipas shënimeve të shkollës dhe internatit nga viti 1923 – 1939 Shoqëria «Shkëlzeni» ka dhënë në gjithë Shqipërinë 112 programe muzikore, pa u llogaritur programet që jepeshin për çdo vit nga shtete deri në nëntë herë në Krumë.
Në internatin “Kosova” shumica e nxënësve ishin nga Kosova, ku dominonin nxënësit nga Gjakova. Edhe arsimtarët ishin kosovarë. Punohej shumë. Nxënësit ishin të rritur. Mund të bisedohej me ta mjaft lirshëm. Edhe ata interesoheshin shumë, jo vetëm për mësime, por edhe për çështje të ndryshme shoqërore, në veçanti në aktivitete kulturore.
Prefektura e Kosovës në masë të madhe ka qenë e interesuar për mbrojtjen e popullit shqiptare në të dy anët e kufirit të caktuara nga ana e Konferencës së Ambasadorëve. Shoqëria arsimore “Shkëlzeni”, që u bë jo vetëm një vatër e ndezur frymëzimi për përhapjen e arsimit të brezit të ri, por mori masa konkrete në ngritjen e ndërtesave shkollore. Në këtë shoqëri u tubuan patriotë të shumë të viseve nga mbarë Shqipëria e Veriut dhe fuqimisht e përkrahën anëtarët e Komitetit Kombëtar të Kosovës, ndër të cilët shquhet sekretari i Bajram Currit dhe shok idealesh i Avni Rrustemit, Niman Ferizi. Një punë të madhe në këtë drejtim, përkatësisht në përgatitjen e rinisë patriotike edhe atdhetari Ali Kelemendi, i cili që nga viti 1922 e deri në vitin 1924 jetoi në Krumë të Hasit dhe së bashku me Bjram Currin, Riza Cerovën e shumë atdhetarë të tjerë përgatiteshin për një kryengritje të madhe kundër feudalëve shqiptarë, që ndihmonin shovinistet sllavë për ta robëruar edhe më shumë Kosovën, pas largimit të tyre nga territori i Shqipërisë së Pavarur.
Aktiviteti i kësaj shoqërie solli edhe fillimin e Revolucionit të Qershorit të vitit 1924, që filloi më 5 maj të po këtij viti, përmes mitingjeve e më vonë edhe me armë në dorë u hodhën në revolucion, që u përkrah dhe u përhap përveç në Has edhe në të gjitha krahinat e Shqipërisë. Shoqëria “Shkëlzeni” në Krumë, e cila udhëhiqej nga patriotët e shumtë të lëvizjes kombëtare dhe ndjente më rëndë ndarjen e kombit përgjysmë. Fryma e një kolektiviteti shembullor dhe e një organizimi mësimdhënës për të tërë kohët, karakterizoi punën e shoqërive artistike, e po këtë fat e pati edhe shoqëria “Shkëlzeni”, në kuadër të secilës pos arsimit funksionuan edhe grupet e muzikës, grupit dramatik dhe grupit të valleve.
Shoqëria “Shkëlzeni” prej themelimit pati një bashkëpunim të shkëlqyeshëm me shoqëritë si motra, por në veçanti pati bashkëpunim me shoqëritë e Shkodrës, Elbasanit, Korçës dhe Vlorës, me të cilat pati edhe shkëmbim përvojash dhe shumë herë, mori pjesë në programet e tre me disa pika ë veçanta, për ta prezantuar sa më mirë Kosovën, që kishte mbetur e ndarë dhe e okupuar nën Serbi.
Pajisja me vegla muzikore dhe aktivitet e shoqërisë “Shkelzeni” deri më 1939
Që në fillim të themelimit të shoqërisë “Shkëlzeni” veprimtarët atdhetarë ndikuan që kjo shoqëri të pajiset me vegla muzikore dhe kështu të ketë në dispozicion të gjitha veglat, që i posedonin shoqëritë si motra në Shqipëri. Meqë kjo shoqëri konsiderohej prezantuese e jetës muzikore së Kosovës, ajo u përkrah nga shumë qytete të Shqipërisë. Një kontribut të madh luajti Bajram Curri dhe Avni Rustemi, të cilët kudo që shkonin ata interesoheshin për ta pajisur këtë shoqëri me çdo gjë që kishte nevojë, sepse dëshironin që Kosova të jetë e pranishme në jetën kulturore kudo në Shqipëri. Siç ka kujtuar Ragib Gjylbegaj, anëtar i shoqërisë “Drita” në Shkodër më 1924, orkestra kishte uniformën e vet dhe çdo kush interesohej që shoqëria e Kosovës të jetë më e privilegjuar se të tjerat dhe përkrahej më shumë nga shoqëritë tjera.
Në hapat e parë të aktiviteteve të saja të shoqërisë “Shkëlzeni” pos atdhetarëve Bajram Curri e Avni Rustemi, një rol të madh në aktivitetin e Shoqërisë Arsimore “Shkëlzeni” e luajti kryeinspektori i arsimit në Prefekturën e Kosovës Kel Vila, i cili lindi në Prizren dhe në Prizren ku i kishte marrë mësimet e para e më pas shkoi në studime në Vjenë, prej nga pastaj u kthye në Shqipëri dhe nisi jetën në Shkodër. Kel Vila, si kryeinspektor ndikoi shumë në pajisjen e kësaj shoqërie me vegla muzikore, duke gëzuar përkrahje të madhe edhe nga At Shtjefën Gjeçovi e Martin Gjoka, që ky i fundit me insistimin e Gjeçovit dhe Kel Vilës, kishte marrë përsipër kësaj shoqërie t’ua mësojë Himnin e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit të kompozuar nga Palok Kurti. Gjeçovi pos lidhjes Niman Ferizit me Martin Gjokën, kishte marrë përsipër edhe blerjen e disa veglave muzikore dhe dërgimin në Krumë përmes Kel Vilës. Në pajisjen e shoqërisë “Shkelzeni” me vegla muzikore e ndihmuan edhe tregtarët kosovarë, që ishin me dyqanet e tyre në Krumë, ndër të cilët mund t’i veçojmë: Halim Spahia, Demush Baraku, Shaban Çitaku, Sadri e Xhafer Mani, Asllan Mici, Hashë Maloku, Haki Prizreni, Hajdar Bajra, Rasim Bunjaku (fotograf) Mehmet Haxhia, Shyqeri Lluhani etj.
Aktivitetet e para muzikore të kësaj shoqërie i zhvilluan mësuesit e shkollës së Krumës, që pjesa më e madhe ishin nga Kosova. Në këtë shoqëri arsimore e muzikore aktivitetin e tyre e zhvilluan fillimisht Sali Morina, Ibrahim Kolçi, Luigj Koci, Ilijaz Prishtina, Qazim Bakalli, Ferid Imami, Osman Shqiri, Mehmet Rrotulla, që të gjithë nga qytet e Kosovës. Edhe pse nuk kemi të dhëna të sakta për datën e themelimit të bandës muzikore të shoqërisë “Shkëlzeni”, ajo që dihet është se më 28 Nëntor të vitit 1922, me rastin e përvjetorit jubilar të shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë, u mbajt një program i begatë muzikor nga nxënësit e mësuesit e shkollës së Krumës. Orkestra e kësaj bande përbëhej nga mësuesit e shkollës, por kishte edhe anëtarë të bandës edhe nga mjedisi i zanatlinjve, që kryesisht ishin nga Gjakova dhe nga nxënësit më të rritur të shkollës, që gjithashtu ishin nga Kosova. Ky program, që ka mundur të jetë edhe vetëm i shkollës, konsiderohet si nismë e rrugëtimit të shoqërisë “Shkëlzeni”, që më pas në vitin 1923 pasi dha disa programe në Krumë, Golaj e Kolgecaj, ku kishte numër të konsiderueshëm të të shpërngulurve, me ftesën e Kryesisë së Komitit “Mbrojtja Kombëtare e Kosovës” në Shkodër, në pranverën e vitit 1923, kjo shoqëri jep programin e parë kulturor para shumë shqiptarëve të shpërngulur nga Kosova. Programi ishte përcjellë me duartrokitje të gjata. Në këtë program, ku kishin marrë pjesë edhe personalitete të kulturës siç ishte Shtjefën Gjeçvi, Martin Gjoka, Kel Vila. Martin Gjoka, në këtë kohë e kishte formuar orkestrën e tij me nxënës të liceut “Iliricum”, që t’ua mësojë Himin e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, siç njihej Himni “Bashkimi i Shqipërisë” kompozuar nga Pal Kuriti e me të cilin himn shkonin në luftë ushtarët e LSHP. Me këtë rast Martin Gjoka, për tre ditë i kishte ushtruar mësuesit dhe nxënësit, anëtarë të bandës që ta interpretonin këtë himn, të cilin shoqëria “Shkëlzeni” më pas kudo që shkoi e kishte siç të thuash pjesë të pandarë të programit, kudo që shkonte dhe e interpretonte karshi Himnit Kombëtar.
Nga ky programi i suksesshëm i shoqërisë “Shkëlzeni” në Shkodër, bëri të mundur që kjo shoqëri të përkrahet materialisht edhe nga Komiteti “Mbrojtja Kombëtare e Kosovës”, pasi një pjesë e anëtarëve të këtij komiteti ishin pjesë e kësaj shoqërie më në krye me birin e Hasit Niman Ferizin, i cili “…punoi pa lodhur për të ngritur nivelin kulturo-arsimor të qytetarëve e malësorëve tjerë të shumëvuajtur.” Me ç’rast nga Shkodra shoqëria në Krumë u kthye edhe me disa vegla muzikore që i mungonin. Disa prej këtyre veglave muzikore më pas kryeinspektori Kel Vila ua dërgoi dhe kështu kjo shoqëri u bë zëri i të shpërngulurve shqiptarë nga Kosova në Shqipëri. Pos programit muzikor, pas vitit 1934, në kuadër të Shoqërisë “Shkëlzeni” nisi punën edhe grupi dramatik, karshi grupit muzikor. Ishin përgatitur për publikun lokal dramat “Cubat” e Shilerit, “Filja” e Kërnerit , përshtatur nga Hilë Mosi e ndonjë komedi, në cilët i hodhën hapat e parë artistët shqiptarë, që më pas i ngritën institucionet kulturore në Kosovën e pas Luftës së Dytë Botërore.
Me rastin e varrimit të atdhetarit Avni Rustemi më 29 prill 1924, morën pjesë disa mësues të shkollës së Krumës, por kishte edhe anëtarë të “Bashkimit” e të “Shkëlzenit” në Vlorë, ku disa nxënës të rritur ishin të veshur me veshje kombëtare.
Në aktivitetet e shoqërisë “Shkëlzeni” qoftë si innstrumetalistë, valltarë, këngëtarë, aktorë të vegjë defiluan edhe këta ish nëxnës të shkollës së Krumës: Xheladin Beqiri, Hajdar Dushi, Xheladin Hana, Mazllum Këpuska, Qemal Bakia, Sali Morina, Qamil Hoxha, Ibush Vokshi, Idriz Mulosmani, Osman Vokshi, Ilmi Zajmi, Demlush Thaçi, Fadil Hoxha, Xhevdet Hamza, Arsim Kolçi, Abdurrahman Shala, Ymer Pula, Hysen Murseli, Osman Arifi, Ismet Mula, Vehbi Lama, Beqir Ndou, Sylejman Vernezi, Shefqet Musliu, Veli Deva, Ali Jaha, Hasan Berisha, Hysen Shita, Zeqrija Kadriqeli dhe shumë e shumë të tjerë. Shumë nga këta emra, pasi u kthyen në Kosovë, nisën jetën kulturore në veçanti atë muzikore , duke kontribuar që muzika në Kosovë të lulëzoj dhe të bashkudhëtojë me të tjerët, duke dëshmuar se ka traditë, talente edhe për këtë fushë të jetës kulturore.
Përfundimi
Shkolla e Krumës e më vonë Internati “Kosova” për mësuesit shqiptarë nga Kosova ishte mundësia më e mirë e tyre për të kontribuar për Kosovën. Në anën tjetër edhe për të rinjtë që dëshironin t’i ndjekin mësimet e që nuk kishin kushte për t’i hequr shpenzimet, Kruma ishte i vetmi vend ku nxënësit nuk paguanin asgjë dhe kujdeseshin mësuesit e tregtarët si për fëmijët e tyre. Kruma, përkatësisht shkolla e Krumës qe shndërruar edhe si vendstrehimi më i sigurtë i fëmijëve të atdhetarëve që ndiqeshin nga regjimi serb. Pra, nga viti 1922 deri në vitin 1939 me qindra të rinj nga Kosova i ndoqën mësimet në këtë shkollë dhe i morën hapat e parë të aktiviteteve të jetës muzikore. Me dhjetëra nxënës të shkollës së Krumës, pasi u kthyen në Kosovë si instrumentistë të shquar, por edhe interpretues të Himnit Kombëtar, njohës të valleve, aktorë të vegjël, për ta vazhduar jetën kulturore në kushte të rënda. Shumë prej këtyre nxënësve me t’i përfunduar mësimet pai u kthyen në Kosovë, nisën iniciativat që t’i themelojnë shoqëritë e para muzikore në Kosovë, siç është rasti me Prizrenin, Pejën dhe Gjakovën, ku themelues të shoqërive të para Luftës së Dytë Botërore ishin pikërisht nxënësit e shkollës së Krumës. Nxënësit e Krumës, ishin po të parët që i formuan dhe më pas i forcuan edhe institucionet tjera të kulturës në Kosovë siç është rasti me Abduharram Shalën e shumë të tjerë.
Duke, parë shoqërinë “Shkëlzeni” si para shkollë muzikore të institucioneve të muzikës në Kosovë, mendoj se kjo shoqëri arsimore e kulturore, duhet të përfshihet në historikun e institucioneve muzikore e të kulturave tjera të Kosovës, pasi një numër i madh i nxënësve të kësaj shkolle, kontribut të madh kanë luajtur edhe mësimin e gjeneratave të para, duke qenë njohës të mirë të muzikës, ata i mësuan nxënësit e tyre për veglat muzikore dhe për muzikën në përgjithësi. Vetëm gjatë viteve 1941- 1944, këta nxënës kishin organizuar me dhjetëra programe muzikore kombëtare në shumë qytete të Kosovës, e që mjerisht as sot nuk përmenden. Të kujtojmë se nxënësit e kësaj shkolle ishin ata që e interpretuan Himnin kombëtar në Radio Prizren gjatë viteve 1941 – 44. Në një studim më të plotë do të sjell emrat e të gjithë muzikantëve që dolën nga kjo shkollë, përkatësisht nga shoqëria “Shkëlzeni”, që ishte abc-ja e jetës muzikore në Ksovë.
Nga Dr. Nexhat Çoçaj (nexhat.cocaj@ubt-uni.net)