Përse ishte Shkodra e para, që u bë djepi i artit realist shqiptar? Përse Kolë Idromeno u bë artisti i parë realist shqiptar dhe përse do ishin të rinjtë shkodranë të parët ndër shqiptarët, që nisën të ëndërronin të bëheshin piktorë?
Rreth këtyre pyetjeve interesante u zhvillua takimi me studiuesen Eleni Laperi në Muzeun Kombëtar të Fotografisë “Marubi”. Studiuesja në fushën e arteve pamore dhe autore e librit “Kolë Idromeo, themeluesi i artit realist shqiptar” u foli të pranishmëve mbi jetën e një artisti si Kolë Idromeno.
Takimi “Kur të rinjtë shkodranë nisën të ëndërrojnë të bëhen piktorë”, u zhvillua në kuadër të aktiviteteve me rastin e Ditëve Evropiane të Trashëgimisë, duke u mbështetur nga Ministria e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit. Muzeu “Marubi” shkroi në faqen e tij se, “kur nis të punosh për të njohur jetën e një artisti si Kolë Idromeno, kupton se sa e rëndësishme është të saktësosh faktet, të dish të ndash legjendën nga realiteti historik, të shpëtosh nga prirja për ta zbukuruar realitetin. Madje, edhe legjendave të duhet t’u gjesh shkaqet historike, që i krijuan”. Këto janë pika kyç që shënjojnë procesin e njohjes, të dokumentimit të zhvillimeve historike, gjeopolitike, ekonomike e kulturore, të cilat krijuan kushtet, që në Shkodër të hapej e para studio e fotografisë dhe e para atelie e artit realist shqiptar. Muzeu “Marubi”, ashtu si edhe institucione të tjera kulturore në vend, ka organizuar disa aktivitete në kuadër të Ditëve Evropiane të Trashëgimisë Kulturore.
PREJARDHJA
Idromenot kishin prejardhjen nga Parga, asokohe në Vilajetin e Janinës, prej ku u larguan në kohën e Ali pashë Tepelenës për t’u vendosur në Korfuz. Popi Andrea Idromeno ishte mësues në Korfuz, ku përpiloi dhe botoi historinë e Pargës dhe të Sulit, e gjithashtu ndihmoi Grigor Gjirokastritin në përkthimin e Ungjillit sipas Matheut dhe Dhjatës së Re në gjuhën shqipe me alfabet grek.
Pop Andrea kishte dy djem, Mihalin që ishte jurist dhe Arsenin, që kishte lindur në Korfuz. Më 1856 u shpërngul në Shkodër, ku ushtroi zanatin e tij të marangozit e drugdhendësit si dhe projektuesit autodidakt e zbatuesit të ndërtimeve private në qytet, si shtëpitë e familjes Lukaj tek Arra Madhe, Rokacollëve në Serreq, ndërtesa e Kryqit të Kuq, liceu “Illyricum” dhe shtëpia e vet në Gjuhadol. Dy vite më pas Arseni u martua me një vajzë shkodrane, Dranden ose Rozen e Filip Saraçit, më 5 dhjetor 1858. U lind në Shkodër më 15 gusht 1860, një vit pas së motrës, Tones.
I vendosin dy emra të dytë: Rrok (si ditë emri) dhe Spiridon. Nisi shkollën fillore më 1867 në njërën prej shkollave qytetëse, ku mësim mund t’i kenë dhënë dy italianët Andrea Skanjeti dhe Marco Rebeschini. Ndër bashkënxënësit e tij në këtë shkollë ishte edhe poeti i ardhshëm Filip Shiroka, me të cilin do të kishte miqësi të gjatë e letërkëmbim të vazhdueshëm. Përpos klerit, vizatim i dha Pietro Marubbi. Kohës kur ende nuk kishte mbaruar klasën e katërt i përkasin vizatimet e hershme “Krye fëmije”, “Malësorja” dhe “Gomari n’udhë”. Në vitet 1871-1875 iu përkushtua akuarelave të para “E vorfna”, “Baresha”, “Fshatarja”, kompozimi i tij i parë mendohet të jetë “Pusija”, më pas “Netë kazanash” dhe “Dymdhetë luftarë të Pargës në Lundër”. Marubbi ndikoi tek Arseni që ta niste në Akademinë e Arteve në Venedik më 1875, ndërsa Mati Kodheli studionte për fotografi në Trieste. Duke mos duruar mësimdhënien formale të akademisë, hoqi dorë pas gjashtë muajsh dhe nisi punë në studion e një piktori venecian. Pasi u kthyen në vendlindje më 1878, me Matinë iu bashkuan Daulles së Palokë Kurtit, ku Idromeno ishte trombist dhe hynë çirakë te “Dritëshkronja” e Marubit.
Miku dhe kolegu i tij ndërroi jetë më 1881, vendin e tij si çirak e zuri i vëllai, Keli. Më 1883 hapi studion e vet të fotografisë me kamera të importuara nga kompania “Pathé” në Francë, emërtuar “Dritëshkronja Idromeno”. Më 1884 Idromeno u martua me Gjyzepinën e Gaspër Muzhanit, në llasë e quajtur Cina. Më 20 korrik 1886 u lindi një djalë, Zefi, i cili vetëm pas dy vjetëve më 15 korrik 1888, ndërroi jetë. Pas dy vjetëve do t’i ndërronte jetë edhe e motra, Tonja, dhe Idromenoja mori në përkujdesje vajzën e saj të mitur, Orsolinën. Gjatë viteve 1902-1906 si mësues në shkollën italiane të artizanatit, pikasi e afroi në rrethin e vet të pikturës dhe përkrahu piktorin e ardhshëm, Simon Rrota. Më 1904 ndihmoi në pajimin e shkollës së Mati Logorecit. Më 1911 hartoi programin e karnavaleve të organizuar nga klubi “Gjuha shqipe”. Në gusht të 1912 nënshkroi një kontratë me kompaninë austro-hungareze “Joseph Stauber” për të importuar pajisje kinematografike dhe u bë njeriu i parë që hapi kinemanë e parë rudimentare, ku u shfaqën pamjet e para filmike. Gjatë viteve 1912-1920, pasi përshtati një mjedis poshtë shtëpisë së tij në Gjuhadol, një sallë për shfaqje filmash, hapi atë që atëkohë si në vendet e tjera, quhej kinemaja, një theatër elektrik.
ARTI
Me hapjen e “Dritëshkronjës” së tij më 1885, Idromeno në Salnamenë (vjetarin) e vilajetit ishte regjistruar si fotograf, duke zënë një vend mes Marubit, Kodhelit, Kristo Shulit, Petro Korçarit etj.. Në botimet ndërkombëtare emri dhe puna e tij u shquan e bënë të ishte fotografin e parë, duke u përmendur para mjeshtrit të vet Marubit. Pas vizatimeve dhe akuareleve të para, Idromeno kur ishte vetëm 23 vjeç punoi portretin e së motrës, që është edhe vepra më përfaqësuese e tij, “Motra Tone”.
Kjo është edhe e para pikturë realiste e tij dhe kryevepra e artit figurativ shqiptar, portret të cilin do ta riprodhonte me të njëjtën pozë, drejtim të syve, të njëjtat dritëhije më 1922-‘23, të veshur allafranga. Më 1898 u ftua në një ekspozitë ndërkombëtare në Budapest. Më 1904 punoi portretin e Ndoc Xhuxhës, njëri prej anëtarëve themelues të Shoqërisë së të Shtypurit Shkronja Shqip. Si skenograf punoi siparin e parë me dekor, një grup fëmijësh duke u argëtuar me lojën popullore të boçave. Më 1902 skenën e një pylli nga natyra e alpeve. Të mëvonshme janë skenat “Limani i Durrësit”, “Dhoma me qoshk”, “Dhomë shkodrane” etj.. Përgatiti po ashtu mjaft objekte butaforie për teatrin amator të kohës, si armë zjarri, shpata, heshta, përkrenare, mburoja, punoi edhe shtatore me aftësitë e tij si skulptor.
Njëvjetorin e shpalljes së pavarësisë në Vlorë punoi dekorin skenik “Festa e vetëqeverimit të Shqipnisë” për një shfaqje që u dha në qytet. Bazat e inxhinierisë dhe arkitekturës i mori nga i ati dhe Marubi, të dy autodidaktë. Më 1907 Idromeno bën projektin për një fabrikë, ndërsa më 1912 e nënshkruan një dokument me titullin e inxhinierit. Mendohet se planet e para të zbatuara prej tij nisën që pas tërmetit të 1905, që e dëmtoi shumë qytetin. Më 1908 ndërtoi shtëpinë e familjes Mazi, ku në mjedisin e poshtëm projektoi një sallon mbledhjesh e shfaqesh të klubit “Gjuha shqipe” dhe në katin e epërm për banim. Më 1925-1926 iu ngarkua zbatimi i planit për ndërtimin e vilës së Presidentit të Republikës, Ahmet Zogu, në Shirokë. Më pas projektoi një fabrikë lëkurësh, të cilën e zbatoi më 1927. Më 1928 bashkëprojektoi dhe zbatoi centralin elektrik që ndërtoi shoqëria italiane ‘SESA’. Në vitet ’30 projektoi dhe zbatoi planin e ndërtesës së Bankës së Shtetit me disa modifikime të mëvonshme, kafen “Adriatik” më 1932, kafe “Park” më 1935 dhe po këtë vit zbatoi edhe planin e kinemasë “Rozafat”./ Panorama