Fan Nolin luajti një rol të rëndësishëm për pranimin e Shqipërisë në Lidhjen e Kombeve.
Më 17 dhjetor 1920 – Shqipëria pranohet anëtare e Lidhjes së Kombeve.
Kërkesa fillimisht hasi në kundërshtime nga Jugosllavia, Greqia dhe Franca.
Përfundimisht, kërkesa u miratua me 35 vota në favor dhe asnjë kundër, me kusht që Shqipëria të zotohej për të drejtat e pakicave, veçanërisht në fushën e fesë dhe arsimit.
Në emër të shtetit shqiptar, kjo pjese e marrëveshjes u nënshkrua nga Fan Noli, atëherë kryepeshkop i Durrësit, i cili ndodhej në Gjenevë në krye të delegacionit shqiptar.
Noli edhe pse nuk ishte ministër i Jashtëm në atë kohë, u dërgua nga Zogu mbi aftësitë e tij të jashtëzakonshme si orator dhe njohës i gjuhëve të huaja dhe i politikës ndërkombëtare.
Me shaka, Noli tha më vonë se pasi u pranua Shqipëria në Lidhjen e Kombeve, ai mbeti pa para për t’u kthyer nga Zvicra. Kjo pasi sipas Nolit qeveria e Zogut kishte menduar vetëm për ta larguar nga Shqipëria, dhe pas përfundimit të misionit, për të mos u kthyer më. Patriotët shqiptarë nga të gjithë anët mblodhën paratë dhe mundësuan rikthimin e Nolit në Tiranë.
Muzeu Historik Kombëtar, faqja zyrtare, në një shënim të publikuar në rrjetet sociale jep detaje rreth kësaj ngjarjeje historike.
Shqipëria u bë pjesë e Lidhjes së Kombeve (17 dhjetor 1920)
Me propozimin e përfaqësuesve të dy shteteve autonome të Perandorisë Britanike të Afrikës së Jugut e të Kanadasë, Asambleja e Përgjithshme e Lidhjes së Kombeve, më 17 dhjetor 1920, e pranoi Shqipërinë si anëtare të Lidhjes me të drejta të plota.
Këto zotërime të Britanisë së Madhe, mbështesnin fort idenë e Presidentit Uilson, se kombet e vogla kishin të drejtë të ekzistonin si shtete sovrane.
Ky pranim kishte rëndësi të dyfishtë për vendin.
Së pari, u rikonfirmua njohja ndërkombëtare e shtetit shqiptar, për të cilën ai kishte shumë nevojë në rrethanat e reja të pasluftës. Këto rrethana, kishin të bënin me pretendendimet e Fuqive të Mëdha dhe vendeve fqinje në lidhje me kufijtë e Shqipërisë.
Së dyti, pranimi përbënte në fakt një akt njohjeje kolektive edhe të qeverisë së Tiranës. Pranimi në Lidhjen e Kombeve krijonte gjithashtu mundësi për shqyrtimin nga ky forum ndërkombëtar të çështjeve të mbetura pezull midis Shqipërisë dhe shteteve fqinje.
Megjithatë, çështja e kufijve të Shqipërisë mbeti e hapur. Fan Noli si kryetar i delegacionit shqiptar, argumentoi me të drejtë se gjatë Luftës I Botërore, Shqipëria nuk kishte qenë shtet ndërluftues (por asnjëanës), dhe si rrjedhim kufijtë e saj nuk mund të shqyrtoheshin nga Konferenca e Ambasadorëve.
Pavarësisht kësaj, Këshilli i Lidhjes së Kombeve, me vendimin e tij të 26 qershorit 1922, ia kaloi për diskutim kërkesën e qeverisë shqiptare Konferencës së Ambasadorëve.






















