Kur e njëjta enciklopedi — Encyclopædia Britannica, ndër më autoritativet në botë — trajtoi dy shtete fqinje ballkanike, ajo nuk bëri të njëjtën gjë. Për Greqinë, ajo regjistroi një doktrinë shtetërore të vazhdimësisë direkte me helenizmin e lashtë, ndërkohë që vuri re se kjo doktrinë është pikërisht e ketille: ideologji, jo fakt historik i padiskutueshëm. Për Shqipërinë, ajo ofroi një zinxhir origjinash me rezerva, por me minoritete të emërtuara dhe të njohura. Diferenca nuk është e vogël. Ajo zbulon dy qasje krejtësisht të ndryshme ndaj historisë: njëra e ndërtuar mbi politikën shtetërore, tjetra — megjithëse jo pa probleme — mbi pluralizmin dokumentar.
I. Çfarë thotë Britannica për Greqinë: Ideologjia si histori zyrtare
Në seksionin People – Ethnic Groups të artikullit të saj për Greqinë, Britannica shpjegon se popullata e Greqisë, sidomos ajo e Greqisë së Veriut, “ka qenë gjithmonë e karakterizuar nga një shumëllojshmëri e madhe etnike, fetare dhe gjuhësore.” Ajo rendit faktorët që e kanë formësuar: “Migracionet, pushtimet, pushtetet imperiale dhe luftërat e shekullit të 20-të.”
Ky konstatim i kujdesshëm është vetëm fillimi. Britannica vazhdon të dokumentojë se shkëmbimet e popullsisë ndërmjet Greqisë dhe Bullgarisë në 1919, dhe ndërmjet Greqisë dhe Turqisë në 1923, kanë ndryshuar ndjeshëm demografinë. Dhe pastaj shton diçka të jashtëzakonshme për një shtet anëtar të NATO-s dhe BE-së: politikat afatgjata të asimilimit të shtetit, të cilat Britannica i emërton shprehimisht si Hellenizim, kishin si qëllim për të deklaruar që “të gjithë njerëzit e Greqisë janë, ose duhet të jenë, Grekë.”
Rrjedhoja logjike e kësaj politike? Sipas Britannica, pozita zyrtare e qeverisë greke është se “nuk ka minoritete etnike apo nacionale në vend dhe se praktikisht e gjithë popullsia është greke.” Minoranca e vetme e njohur zyrtarisht është ajo fetare — muslimane — në Thrakë.
Kjo është një formulim mjaft i rëndë. Britannica nuk po thotë se Greqia është homogjene. Ajo po thotë se homogjeniteti është doktrine shtetërore — dhe e dallon qartë këtë doktrinë nga realiteti historik që vetë ajo dokumenton disa fjali më lart.
II. Fallmerayer dhe debati akademik: Provokimi që zgjat dy shekuj
Rrënja akademike e këtij tensioni midis ideologjisë dhe historisë shtrihet deri në vitin 1830, kur studiuesi austro-bavarez Jakob Philipp Fallmerayer botoi tezën e tij shpërthyese. Bazuar në kronika bizantine dhe analiza filologjike, ai argumentoi se pushtimi sllav ndërmjet shekujve 6-9 e kishte ndryshuar rrënjësisht përbërjen demografike të Greqisë, duke përfshirë Peloponezin dhe pjesë të Attikës.
Siç raporton Balkan Academia, Fallmerayer pyeste drejtpërdrejt: si mund të pretendonte historiografia, pas të gjitha këtyre tronditjeve, “se ndërmjet një Perikliu dhe një Kolokotroni në Greqi… mund të ekzistonte një vazhdimësi etnike direkte dhe e pandërprerë?” Sipas studimeve akademike të cituara nga Academia.edu, teza e Fallmerayer-it “sfidoi rrënjësisht identitetin kombëtar grek duke mohuar lidhjen me helenizmin e lashtë” dhe “galvanizoi studiuesit grekë të viteve 1840-të, duke nxitur përpjekje të ashpra për të vendosur një narracion kombëtar vazhdues.”
Fallmerayer nuk i’u shmang polemikës. Sipas The New Criterion, ai argumentoi se sllavët dhe shqiptarët kishin pushtuar efektivisht jo vetëm rajonet veriore të Greqisë, por edhe të gjithë Peloponezin dhe pjesë të Attikës — duke i bazuar këto pretendime te burime historike bizantine dhe komparatistikë gjuhësore.
Debati nuk u mbyll kurrë plotësisht. Megjithëse studimet gjenetike të viteve të fundit kanë treguar një qëndrueshmëri më të madhe të popullsisë në disa zona sesa kishte pretenduar Fallmerayer, ato njëkohësisht konfirmojnë shtresat e shumta demografike — dhe asnjë studim serioz nuk ka prodhuar argumente bindëse për prejardhje direkte biologjike të panderprere nga helenizmi antik. Çështja e vazhdimësisë kulturore mbetet e ndryshme nga çështja e vazhdimësisë gjenetike ose etnike — dhe kydallim i rëndësishëm shpesh zhdukej nga diskursi zyrtar grek.
III. Hellenizimi: Kur politika shet histori
Termi “Hellenizim” ka dy kuptime: në kontekstin e lashtësisë, ai i referohet përhapjes vullnetare ose të imponuar të kulturës helene në territoret e pushtuara nga Aleksandri i Madh. Në kontekstin e Greqisë moderne, ai ka marrë një kuptim krejt tjetër.
Sipas burimeve të cituara nga Hellenica World, Hellenizimi modern përfshin “harmonizimin kulturor dhe arsimimin e minoriteteve gjuhësore brenda shtetit grek modern.” Ky proces ka marre forma konkrete: ndërrimi sistematik i toponimeve jo-greke, ndalimi i gjuhëve minoritare në publik dhe në arsim, ushtrimi i presionit asimilues mbi komunitetet arvanite, vllehe, maqedonase sllave dhe muslimane.
Studiuesit e cituar nga Academia.edu kanë vënë re se “gjuhëtarët, historianët dhe etnologët grekë të shekullit 20-të kanë tentuar të demonstrojnë se folësit e gjuhëve aromune, shqipe dhe sllave që jetojnë në toka të pretenduara si greke janë thelbësisht Helenë.” Metodologjia? Sipas të njëjtave studime, “të dhënat gjuhësore janë keqinterpretuar ose shtrembëruar për të provuar rastin nationalist grek.”
Efekti i fundit është pikërisht ai që Britannica dokumenton: sot, zyrtarisht, nuk ka minoritete kombëtare në Greqi. Ky pohim bie ndesh me raportet e Këshillit të Europës, me vendimet e Gjykatës Europiane të të Drejtave të Njeriut, dhe me studimet demografike ndërkombëtare.
IV. Pa Shqiptarët, nuk do të kishte Greqi moderne
Ndoshta paradoksi më i madh i ideologjisë helenike qëndron këtu: ata që u angazhuan më fuqishëm për krijimin e shtetit modern grek flisnin shqip.
Arvanitët — një komunitet i krishterë ortodoks me origjinë shqiptare, të vendosur në Greqi ndërmjet shekujve 13-16 — ishin boshti ushtarak dhe detar i Luftës Greke të Pavarësisë (1821-1829). Albanian Registry dokumenton: “Flota revolucionare greke fliste kryesisht arvanitisht — një dialekt i shqipes.” Shumica e marinarëve të flotës revolucionare vinin nga ishujt me shqipfoles: Hydra, Spetse dhe Salamis.
Figurat kryesore? Sipas Albanian Registry dhe Greek City Times:
- Andrea Miauli (1765-1835): Admirali i flotës revolucionare greke, lindur në Hydra nga familje arvanite. “Rrugët dhe sheshet nëpër të gjithë Greqinë mbajnë emrin e tij, dhe Marina Helene ka emërtuar anije pas tij që nga vitet 1800.”
- Laskarina Bubulina: Komandante detare dhe financuese e fushatave detare kundër forcave osmane, me prejardhje arvanite.
- Theodor Kollokotroni-Vithguri: Shpesh i konsideruar si figura qendrore e luftës greke, me rrënjë arvanite.
- Gjergj Kundurioti: Kontribues financiar dhe strategjik i lëvizjes.
- Marko Boçari dhe familja Boçari: Legjendë për guximin e tyre.
- Gjergj Karaiskaj: Simbol kombëtar grek, me prejardhje arvanite.
Sipas studimit akademik Arvanites – The Founders of Modern Greece të botuar në Academia.edu, “kontributi i tyre në revolucionin e 1821-shit ishte jashtë çdo proporcioni me numrin e tyre.”
Megjithatë, pas pavarësisë, shteti grek nuk i njohu Arvanitët si minoritet. Gjuha arvanitishte — një dialekt i toskërishtes — u shtyp sistematikisht. Sipas Albanian Registry, ajo “tani është e rrezikuar dhe flitet rrjedhshëm nga pak njerëz.” Themeluesit u kthyen në “Helenë” me mish e shpirt retroaktivisht, ndërkohë që identiteti i tyre gjuhësor dhe etnik u anatemua nga narrativat zyrtare.
V. Perandoria Bizantine: E themeluar mbi themele ilire
Britannica, në artikullin e saj për Shqipërinë, paraqet një fakt historik të rëndësishëm që shpesh neglizhohet: “Tre nga perandorët që formësuan historinë e hershme të Bizantit (që mbretëruan nga 491 deri në 565) ishin me origjinë ilire: Anastasi I, Justini I, dhe — i nderuari më i madh i perandorëve bizantine — Justiniani I.”
Ky konstatim nuk është spekulativ. Britannica, duke cituar burimin kryesor, konfirmon: “Justiniani ishte ilir me gjuhë latine dhe lindi nga stok fshatarësh.” Prokopi i Qezares, kronisti bizantin, shënoi me saktësi se Justiniani vinte nga fshati Tauresium në provincën Dardani — territor i ilirëve jugorë që korrespondon me Maqedoninë e Veriut moderne, afër Shkupit.
Gjetjet arkeologjike në Kosovë, të raportuara gjeresisht ne media dhe analizuara nga Albanian Registry, kanë konfirmuar: “mbishkrimi monumental i emërtimit të Justinianit si të lindur dardanian konfirmon çfarë burimet e lashtësisë së vonë tashmë tregonin.”
Sipas Albanian Registry: “Dy nga perandorët më të rëndësishëm romakë dhe bizantinë — Konstandini i Madh dhe Justiniani I — lindën brenda territorit të ish-mbretërisë dardane.” Ky fakt — i pranuar nga historia akademike ndërkombëtare — mbetet në periferinë e diskursit të gjerë publik.
Justiniani i Madh kodifikoi ligjin romak, ndërtoi Kishën e Shën Sofisë, dhe e zgjeroi Perandorinë e Lindjes në mënyrë të paparë. Nëse vazhdimësia etnike do të ishte kriteri kyç i pretendimeve historike — siç praktikon ideologjia helenike — atëherë trashëgimia e Perandorisë Bizantine do të ndahej ndryshe nga sa narrativat zyrtare tentojnë të sugjerojnë.
VI. Britannica për Shqipërinë: Një zinxhir origjinash me rezerva, por me minoritete
Britannica paraqet origjinën shqiptare si një vazhdimësi me të metë, por me transparencë: Ilirët → Perandoria Romake dhe Bizantine → presioni sllav i shekujve 6-8, të cilin jugu i reziston → tranzicioni në popullsinë shqiptare dhe emrin Albanoi/Albania.
Britannica vë re se sllavët, ndërmjet shekujve 6 dhe 8, “u vendosën në territoret ilire dhe u angazhuan për të asimiluar fiset ilire në shumë nga ato që sot janë Sllovenia, Kroacia, Bosnja dhe Hercegovina dhe Serbia. Fiset e Ilirisë jugore, megjithatë — përfshirë Shqipërinë moderne — shmangën asimilimin dhe ruajtën gjuhën e tyre amtare.”
Ky formulim është akademikisht i kujdesshëm: ai nuk pretendon vazhdimësi direkte, biologjike dhe absolute, por dokumenton rezistencën kulturore dhe gjuhësore të popullsisë jugore ilire ndaj presioneve sllave. Është krejt ndryshe nga narrativat nacionaliste ekstreme, por gjithashtu krejt ndryshe nga mohimi.
Për kontrast me Greqinë, Britannica emëron minoritetet shqiptare: ato ekzistojnë, janë të dokumentuara, dhe nuk zhduken nga fjalori statistikor shtetëror.
Çfarë na mëson ky kontrast?
Ideologjia e vazhdimësisë direkte me helenizmin antik është, sipas Britannica dhe sipas historianëve seriozë, ideologji shtetërore — jo konstatim historik. Ky dallim ka pasoja praktike: ka legjitimatizuar nënshtrimin e gjuhëve dhe identiteteve minoritare; ka ndikuar mbi vendimet e politikës territoriale ballkanike; dhe vazhdon të formësojë debatin mbi të drejtat e pakicave në rajon.
Faktet historike flasin ndryshe: popullsia greke moderne është formësuar nga migracionet sllave të shekujve 6-8, nga prezenca arvanite që filloi në shekullin 14, nga shkëmbimet e popullsisë të viteve 1919 dhe 1923, dhe nga politikat shtetërore të Hellenizimit. Kjo nuk do të thotë se Greqia nuk ka lidhje me helenizmin e lashtë — lidhje kulturore, gjuhësore dhe institucionale patjetër ekzistojnë. Por ajo nuk është e njëjta gjë me prejardhjen biologjike direkte dhe të pandërprerë nga grekët e Perikliut — pretendim ky që edhe Britannica nuk e vërteton.
Ndërkohë, ironitë historike mbeten të forta: ata që luftuan për të krijuar shtetin modern grek flisnin shqip; ata që formuan kulmin e Perandorisë Bizantine kishin rrënjë ilire në Dardani. Historia, shpesh, nuk respekton kufijtë dhe narrativat që shtetet dëshirojnë t’i imponojnë. Përgatiti Elis Buba / usalbanianmediagroup.com
Burimet kryesore të citiara: Encyclopædia Britannica (artikujt “Albania”, “Greece – People – Ethnic Groups”); Fallmerayer, J.P., Geschichte der Halbinsel Morea (1830); Balkan Academia; Academia.edu – “Debating Continuity” dhe “Hellenism and the Making of Modern Greece”; Albanian Registry; Greek City Times; The New Criterion; Britannica Kids – “Justinian I”; Koha.net; Albanian Contribution in the Greek War of Independence (OCNAL, 2024).
















