Gjuha serbe po studiohet krahas shqipes në Universitetin e Prishtinës në Kosovë për herë të parë që nga përfundimi i luftës në 1999 – pjesë e një programi të ri që synon të ndihmojë në kapërcimin e ndasive etnike.
Serbeze Haxhiaj | BIRN | Prishtinë
Është mëngjes e enjte dhe lektorja Lindita Rugova është e zënë me përgatitjet për “Ballkanistikë”, programi i sapolançuar i mësimdhënies në Fakultetin Filologjik të Universitetit të Prishtinës.
Më shumë se dy dekada pasi shqiptarët e Kosovës bënë një luftë për t’u shkëputur nga sundimi serb, gjuha serbe po studiohet sërish në Universitetin e Prishtinës, universiteti kryesor publik në Kosovë, si pjesë e programit “Ballkanistikë”.
Rugova, e cila është edhe dekane e Fakultetit Filologjik, ka punuar për më shumë se dy vjet për hartimin e programit, i cili u ofron studentëve një mundësi për të studiuar gjuhën shqipe dhe serbe, si dhe historinë e Ballkanit, në një përpjekje. për të kapërcyer barrierat gjuhësore.
“Ballkanistika fillimisht u krijua si një program dygjuhësh dhe përmbajtja e tij do të jetë unike. Nuk ka të bëjë vetëm me aspektet shkencore të gjuhëve në Ballkan, por edhe me aspektet kulturore, historike dhe letrare”, tha Rugova për BIRN.
Programi është i rëndësishëm sepse ndasitë gjuhësore në Kosovë janë zgjeruar gjatë disa dekadave dhe vazhdojnë të jenë endemike, duke reflektuar armiqësi të vazhdueshme ndëretnike.
Kur Kosova ishte krahinë e Serbisë në ish-Jugosllavi, gjuha shqipe përdorej në dokumentet dhe komunikimet zyrtare, krahas asaj që atëherë njihej si gjuha serbo-kroate. Kjo përfundoi në vitin 1989, kur qeveria e Sllobodan Millosheviçit hoqi autonominë provinciale të Kosovës.
Që nga ai moment, serbo-kroatishtja ishte e vetmja gjuhë zyrtare, edhe pse shqiptarët etnikë përbënin shumicën e popullsisë së Kosovës. Universitetet dhe shkollat e mesme ishin gjithashtu të mbyllura për shqiptarët etnikë, kështu që ata krijuan sistemin e tyre arsimor paralel, në të cilin nuk mësohej serbisht-kroatishtja. Kjo vazhdoi derisa Millosheviçi humbi kontrollin e Kosovës në luftën e viteve 1998-1999.
Të gjitha këto zhvillime e zgjeruan ndarjen gjuhësore, e cila ka vazhduar që nga përfundimi i luftës. Sot, Serbia ende ruan kontrollin mbi sistemin arsimor në zonat me shumicë serbe të Kosovës, ku shkollat përdorin kurrikulën mësimore shtetërore serbe, e cila nuk përfshin mësimin e gjuhës shqipe. Ndërkohë, nxënësit shqiptarë etnikë nuk mësojnë serbisht.
“E kaluara ka ende një ndikim të madh dhe do të duhet shumë kohë derisa tensionet të qetësohen. Bazuar në historinë e familjes sime, e cila vuajti persekutimin nga regjimi jugosllav, ka ende mbetje të së kaluarës së dhimbshme. Mirëpo, këto vija ndarëse dalëngadalë po shuhen”, tha Rugova.
Përballja me “krizën e përkthimit”

Bojan Stamenkoviç duke dhënë mësime të gjuhës shqipe në qytetin e Kamenicës në vitin 2019. Foto: BIRN.
Për më shumë se dy vjet, Bojan Stamenkoviç dha mësime të gjuhës shqipe për serbët, ndërsa punonte si nënkryetar i qytetit të Kamenicës në Kosovën lindore të përzier etnikisht.
Tani Stamenkoviç është i vetmi serb në mesin e 11 studentëve që do të ndjekë programin “Ballkanistikë” në Universitetin e Prishtinës.
“Mësimi i gjuhës së njëri-tjetrit do të ndihmonte shqiptarët dhe serbët të afroheshin më shumë me njëri-tjetrin”, tha ai për BIRN.
Programi ka edhe aplikime të tjera praktike. Zyra e Komisionerit të Gjuhëve, organi qeveritar që merret me çështjet e gjuhës në Kosovë, shpreson se programi do të ndihmojë në plotësimin e një nevoje të dëshpëruar për përkthyes profesionistë.
“Ne po përballemi me një krizë të përhershme sa i përket përkthyesve. Punuam shumë me Fakultetin Filologjik për hapjen e këtij programi dhe besojmë se ai do të na ndihmojë të ngushtojmë hendekun e madh përsa i takon përkthyesve”, tha për BIRN Arta Pllana, koordinatore e komunikimit në Zyrën e Komisionerit të Gjuhëve.
“Më shumë se tre dekada ndarjesh politike dhe etnike, lufte dhe ndryshimesh dramatike që kanë ndodhur me brezat e rinj, më pak prej të cilëve flasin serbisht, kanë sjellë këtë krizë sot”, shpjegoi ajo.
Pllana tha se gjatë dy viteve të para të studimit, studentët do të mund të arrijnë kompetencën e duhur në gjuhën serbe për punën e përkthimit.
Kapërcimi i barrierave gjuhësore

Armend Gecaj, një nga studentët në programin Ballkanistikë. Foto: Serbeze Haxhiaj/BIRN.
Që nga viti 2001, shqipja dhe serbishtja janë gjuhët zyrtare të Kosovës, ndërsa turqishtja dhe gjuhët e tjera janë gjithashtu në përdorim zyrtar në komuna të caktuara në të cilat jetojnë një numër i madh njerëzish nga këto komunitete.
Por Zyra e Komisionerit për Gjuhët paralajmëroi në raportin e saj të fundit se zbatimi i plotë i kuadrit ligjor që garanton përdorimin e barabartë të gjuhëve zyrtare në Kosovë është ende një sfidë.
“Ne kemi vërejtur se përkthimi i projektligjit dhe legjislacionit të miratuar mbetet i pakënaqshëm si në nivel qendror ashtu edhe në atë lokal”, tha Pllana.
Stamenkoviç tha gjithashtu se ai nuk është i kënaqur me “cilësinë e përkthimeve në serbisht të ofruara nga institucionet”.
Por ai është optimist për atë që mund të arrijë programi i ri: “Unë besoj se mësimi i gjuhës së fqinjëve kontribuon në reduktimin e hendekut midis komuniteteve”, tha ai. “Duke kapërcyer barrierat gjuhësore, ne krijojmë një themel të fortë në shoqëri dhe pajtim.”
Optimist është shprehur edhe njëri prej studentëve të tjerë, Armend Gecaj.
“Pavarësisht luftërave të përgjakshme mes vendeve të ish-Jugosllavisë, veçanërisht luftës midis Kosovës dhe Serbisë dhe tensioneve të vazhdueshme mes tyre, programi po ndihmon në afrimin e shqiptarëve dhe serbëve”, tha ai./Birn