Nga Elis Buba
Virusi me dy këmbë
Për të kontrolluar të pakontrollueshmen dhe frenuar përhapjen e të pafrenueshmes në dukje, po veprohet sa politikisht aq edhe shqiptarçe në kuptimin e keq të fjalës. Virusi i vërtetë është ai me dy këmbë, me një gojë të madhe të papastër dhe shumë fytyra e ngjyra. Masat duhet të jenë të shpejta dhe efikase, nëse qëllimi është të mos infektohen të gjithë e më pas të mbijetojë kush të mundet. Jemi të prekur të gjithë, direkt dhe indirekt, pasi kush nuk përqafon shtratin, e ka punën pisk në thellësi të xhepit.
Së fundmi kam lexuar diçka mjaft të rëndë, që më bëri të dridhem një moment nga sikleti.
Mjeku i urgjencës Ilir Allkja, trumbetuar fort nga disa media si shkelës përsëritës i betimeve, i urdhërave të nxjerrë nga Ministria e Shëndetësisë, si vënës në rrezik i kolegëve të tij etj. etj… ka shkruar me tone mjaft serioze në lidhje me situatën nëpër spitalet e dedikuar Covid 19. Sakaq që lartë e poshtë kërkojnë të merren masa ndaj këtij mjeku, e jo vetëm nga QSUT, ai vijon të bëj mjaft bujë me deklarata si më poshtë.
“Në vendin tonë janë prekur zyrtarisht 22,721 njerëz, prej të cilëve janë shëruar 11,696 dhe kanë vdekur 543 të tjerë.
Këto shifra fatkeqësisht nesër do të jenë më të larta…
Unë si mjek i vijës së parë kam një lutje ndaj jush (…i drejtohet kjo thirrje Komitetit Teknik), dhe këtë po e shkruaj nga bordi i një ambulance, në pritje, para njërit prej spitaleve Covid të Tiranës për të hospitalizuar një të sëmurë me parametra kritikë për jetën.
Vend vakant për ta hospitalizuar nuk ka dhe unë me ekipin tim po i kalojmë orët e natës duke ndërruar bombolat e oksigjenit, në mënyrë që ta mbajmë gjallë para spitalit të sëmurin.
Në oborrin e spitalit ka edhe disa ambulanca të tjera nga Tirana por edhe nga rrethet, dhe ata presin me shpresë se mos del dikush i shëruar ose i vdekur për të hospitalizuar pacientin që mban në bord!
Pas këtij postimi, kanë vërshuar një seri e gjatë komentesh fyes, paragjykues, denigrues dhe diskreditues ndaj emrit dhe figurës së këtij mjeku. Të gjithë shkruanin pa u kursyer, sikur t’i referoheshin vetë koronavirusit. Qëndrimi tipik i njerëzve të pagdhendur, karshi fakteve. Pa dalë në avokati të askujt, dua të theksoj vetëm diçka. Le të harrojmë një moment Allkjan si person me kahje politike dhe te përqendrohemi tek faktet kokëforte. Jo ato që ka sjellë mjeku i lartpërmendur, sepse ai është laro i Bashës, sipas disave. Marrim në shqyrtim fakte të tjera.
Besoj keni lexuar së fundmi për rastin makabër të Lutfi Çekirit , 53-vjeçari nga Ndroqi që u sorollat në dyert e spitaleve për të marrë ndihmë mjekësore deri sa vdiq. Një ditë para se të ndërronte jetë, ai së bashku me bashkëshorten kishin kaluar ditën e natën pranë ambienteve të spitaleve, të dëshpëruar se dikush mund t’i shihte e ndihmonte.
Besoj keni mësuar së fundmi edhe për një rast të ngjashëm, kur një zotëri është shtrirë në trotuar në gjendje të rëndë, teksa e shoqja kërkonte ndihmë lartë e poshtë, nëpër spital derisa ja behën mediat aty dhe ajo me lotë në sy u tha se dyshonin se ishin të prekur na korona dhe nuk po i qas askush për ndihmë të specializuar.
Që të mos përfundojmë në skenarin e skëterrshëm, siç e theksoi edhe vetë ministrja Manastirliu: “ Nëse do kemi mbingarkim të spitaleve, do përballemi me zgjedhje se kush do të trajtohet i pari.”, duhen masa më rigoroze. Duhet një plan ku të mund të ndihet ndërhyrja e qeverisë. Kjo është pak por e sigurt. Përndryshe njerëzit do dergjen trotuarëve.
Barcaleta e tamponit
Jemi një vend i vogël, me kapacitete të pakëta, i varfër po, por jo aq sa i vjedhur. Mirëkuptimin e qytetarëve secili pushtetar do e ketë kur, të heqë dorë nga përpjekjet e shëmtuara për të mbuluar diellin me shoshë.
Edhe në periudhë pandemie jemi ne ata njerëz të zhvatur pa mëshirë, sidomos nëpërmjet tamponëve të famshëm. Po si qëndron puna me këtë barcaletën e tamponit?!
Një person mund të bëjë tamponin të Hënën, të qarkullojë të Martën e të infektohet, të marrë përgjigjen të Mërkurën, si negative, të lëvizë lirshëm mes miqve dhe të afërmve të Enjten, pasi është më i qetë nga përgjigja e mirë. Befas të Premten ndihet keq dhe shfaq shenjat e infeksionit, bën tampon tjetër, të Shtunën zë shtratin dhe të Dielën shtanget teksa rezulton pozitiv. Bën habi sa me veten aq edhe me sistemin, kur një test rezulton negativ e një pozitiv në fare pak ditë.
Kjo, në vija të përgjithshme, është rrëfenja e tamponit dhe virusit me dy këmbë. Njerëz të mirë, përqëndrohuni tek zgjidhja e jo tek problemi. Duhet kuptuar një herë e mirë se përpara se të na ndihmojnë të tjerët, të pushtetshmit, të huajt, fuqitë politike të brendëshme e të jashtme, duhet të ndihmojmë veten, duke gjetur pavarësinë, individualitetin si njerëz, mjaft me militantizma. Sepse po bëhemi virusi i vërtetë, ai me dy këmbë, një gojë të madhe të papastër dhe shumë fytyra e ngjyra.