Në vazhdim po sjell dy fragmente që kam përkthyer nga vepra “The History of Greece”, e George Finlay, e cila mund të konsultohet lirisht në Google. Autori (1799-1875) ishte një historian skocez, mik i George Byron-it, dashamirës i grekëve dhe përkrahës entuziast i luftës së tyre për pavarësi. Për historianët profesionistë materiali në vijim duhet të jetë më se i njohur; por shpresoj se lexues të tjerë të blogut do ta gjejnë me interes, veçanërisht përballë gënjeshtrave të propagandës grekomadhe, të cilat jo rrallë e gjejnë rrugën deri në komentet e kolegëve në listë [theksimet janë të miat].
Në shekullin XIV, [arbërorët] kishin shtënë në dorë një pjesë të madhe të territorit të Akarnanisë, Epirit, Thesalisë dhe Maqedonisë, dhe po fillonin të konsolidonin ngulimet e tyre në Peloponez. Për herë të parë, [arbërorët] u shfaqën në gadishull [Peloponez] si trupa mercenarësh në shërbim të despotëve grekë të Misitrës, dhe pak kohë më pas shumë prej tyre u vendosën si kolonistë në tokat e hapëta të provincës. Gjatë gjysmë shekullit që i parapriu pushtimit të Moresë [Peloponezit] prej turqve, arbërorët atje më shumë se një herë luajtën rol të dorës së parë në punët publike dhe, në një rast, u bënë edhe gati për t’i dëbuar krejt grekët nga Moreja [f. 38].
[…]
Despotët që sundonin Morenë [gjatë shek. XV] nuk ishin asgjë më tepër sesa mëkëmbës të perandorit në Kostandinopojë, vetëm se rrethanat e veçanta në të cilat gjendej perandoria i kishin shndërruar, për një kohë të gjatë, në sovranë absolutë dhe të pavarur. […]
Kur Mehmeti II po bëhej gati të sulmonte Kostandinopojën, e pa të udhës t’u hapte dy despotëve të Moresë [Thomait dhe Dhimitrit, që ishin vëllezër] aq shumë telashe në vendin e tyre, që këtyre të mos u shkonte mendja t’i dërgonin ndonjë ndihmë vëllait të tyre Kostandin në kryeqytetin e perandorisë. […] Rënia e Kostandinopojës dhe bindja se shumica e banorëve të Peloponezit i druheshin më shumë grykësisë bizantine sesa mizorisë turke, i detyroi despotët t’i kërkojnë Mehmetit II paqe me çdo kusht. Sulltani i pranoi si vasalë të Portës, përkundrejt premtimit të tyre për t’i paguar një tribut të përvitshëm prej 12 mijë dukatesh […].
Gjatë kësaj periudhe të pafat për historinë e kombit grek, populli, i shtypur prej sundimtarësh që ishin krejt të huaj për të nga pikëpamja morale dhe politike, filloi të humbi krejt dëshirën për të mbrojtur pavarësinë kombëtare; ndërsa kolonët arbërorë në More ishin shtuar kaq shumë në numër dhe kishin vënë kaq shumë pasuri sa po aspironin tani liri të plotë politike. Tokat që ishin lënë djerrë për shkak të shkatërrimeve të turqve ishin të mjaftueshme për ta lejuar popullsinë arbërore të shtohej shumë, meqë ata i përdornin tokat e shkretuara si kullota për bagëtinë e tyre. Lajmet që mbërrinin çdo ditë në More për fitoret e mëdha të bashkatdhetarit të tyre Skënderbeut i frymëzuan arbërorët me dëshirën për liri; dhe ideja e tyre për lirinë ishte të bëheshin zotër absolutë të tokës ku jetonin dhe të refuzonin t’u paguanin feudalëve grekë rentën për të drejtën e shfrytëzimit të tokave si kullota. Arbërorët jetonin në kushte kaq të ashpra, saqë bollëku që zotëronin i ndihmoi për t’u shtuar në numër, pikërisht kur çdo klasë tjetër e popullsisë së Moresë po e vuante së tepërmi shkretimin e përgjithshëm. Grekët, nga ana tjetër, ishin tepër të qytetëruar dhe të mësuar me nevoja tepër artificiale, për të qenë në gjendje të riprodhonin popullsinë e tyre në atë situatë privacionesh ku ndodheshin. Fshatarësia, e grumbulluar në qytetet, po vdisnin për bukë; artizanët dhe tregtarët, të privuar nga puna, po emigronin drejt vendesh të tjera. Mirëpo arkondët e Moresë dhe zyrtarët bizantinë zgjodhën pikërisht këtë moment kaq të papërshtatshëm, për t’u kërkuar arbërorëve një shtesë në rentën që paguanin për tokat ku jetonin. Kjo i ngriti arbërorët në këmbë, dhe udhëheqësit e tyre, që e gjykuan momentin si të përshtatshëm për një kryengritje të përgjithshme, e shpallën haptazi projektin e tyre për t’i dëbuar grekët nga Moreja. Kjo përbënte për grekët në More një kërcënim edhe më të madh sesa rreziku i dikurshëm prej sllavëve, dhe vetëm ndërhyrja prej turqve nuk lejoi që gadishulli të shndërrohej në tokë arbërore. Një numër aventurierësh politikë të pakënaqur i dezertuan bashkatdhetarët e tyre grekë, për t’u bërë udhëheqës nga më aktivët në këtë revolucion – i cili i detyrohej më tepër grykësisë arbërore dhe intrigave greke, sesa ndonjë ambicjeje kombëtare ose ndjenje patriotike. Manuel Kantakuzeni, një bujar bizantin që kishte fituar ndikim të madh në malësorët gjysmë të pavarur të Tajgetit dhe të Manit, doli në ballë të lëvizjes kryengritëse. Duke e ndërruar emrin e vet në një emër arbëror, shpresonte që rebelët do të bindeshin për ta zgjedhur Princ të Moresë. Ashtu, e ndërroi emrin e vet Manuel për të adoptuar emrin arbëror Gjin; ndërsa gruaja e tij e la emrin Maria, për t’u quajtur Kuqja (Cuchia). Kryengritësit arbërorë, me Gjinin në krye, e rrethuan despotin Dhimitër në Misitra […]
Fati i Peloponezit mbetej në duart e sulltanit. Të dy palët ndërluftuese i dërguan njerëzit e tyre te Mehmeti, për t’i kërkuar mbështetje. Krerët arbërorë ofruan të paguanin të njëjtin tribut që paguanin më parë despotët grekë, duke iu lutur sulltanit që t’i linte të mbanin gjithë gadishullin si vasalë të portës. Nga ana tjetër, Matias Asani, që komandonte garnizonin grek në Korint […] i kërkoi ndihmë turqve për t’i nënshtruar rebelët arbërorë, të cilët, sipas tij, e kishin mendjen kryesisht për të plaçkitur. Urrejtja e sulltanit ndaj Skënderbeut e bëri që të mos ndiente asnjë simpati për arbërorët, të cilët kishin filluar tashmë të pushtonin tokat greke dhe t’i plaçkitnin… Për të parandaluar [disfatën e plotë të grekëve], Turakhani mori urdhër të marshonte në Peloponez dhe t’i çlironte despotët prej rrethimit arbëror. Vrrulli popullor i rebelimit, megjithatë, ishte pakësuar që para se të mbërrinte ushtria osmane në gadishull; meqë sapo aventurierët grekë futën hundët në komandën kryesore të ushtrisë kryengritëse, popullsia arbërore e pa se ishte përfshirë në luftë për llogari të sundimtarëve të rinj, jo në revolucion për të mirën e vet.
[f. 297-303]
Ardian Vehbiu/ Peizazhe të fjalës