Gazetari investigativ Artan Hoxha është shprehur se ish-kryeprokurori Adriatik Llalla nuk është arrestuar por është paraqitur me këmbët e tij në komisariat. I ftuar në studion e “Opinion”, Hoxha tha se pavarësisht se Shqipëria ka bërë kërkesë për ekstradim është e vështirë që të ndodhë diçka e tillë. Sipas Hoxhës në Itali nuk e kanë të detyrueshëm ekstradimin.
“Mua nuk më rezulton që Adriatik Llalla është arrestuar. Ai është paraqitur në datën 10, prandaj dhe ne e kemi pasur njoftimin një ditë me vonesë. Ai është paraqitur për të përfituar nga procedurat, mesa kam kontaktuar unë nga procedurat e azilit. Kjo pak rëndësi ka, për Shqipërinë si të jetë arrestuar, si të jetë paraqitur vetë, Shqipëria ka bërë kërkesën për ekstradim në Shqipëri. Gjykata do të marrë parasysh së pari kërkesën që do t’i shkojë nga Shqipëria për ekstradimin sepse Shqipëria ka kërkuar ekstradimin. Unë mesa di, në Itali për veprën që ka Llalla është pak e vështirë të ndodhë ekstradimi sepse në Itali nuk e kanë të detyrueshëm ekstradimin,”- shkruan Hoxha.
Ish-kryeprokurori Adriatik Llalla është vënë në pranga në Romë të Italisë dy muaj pasi u shpall në kërkim ndërkombëtar. Llalla qëndron në qelinë e vendit fqinj, në pritje të procedurave që do të bëjnë të mundur ekstradimin e tij drejt Shqipërisë, ndërkohë që ka kërkuar edhe azil. Llalla u dënua me vendim të formës së prerë nga Gjykata e Posaçme e Apelit me 2 vite burg për akuzën e fshehjes së pasurisë në 3 raste.



















