Një pllakë balte, një transkriptim grek dhe një pyetje e vjetër: kush i detyrohet kujt?
Në rrjetet sociale qarkullon një pretendim i prerë: grekët “vodhën shpikjet babilonase dhe i botuan nën emrin e tyre”. Zakonisht i atribuohet Irving Finkelit, asiriologut të Muzeut Britanik. Por kur dëgjon çfarë thotë ai në fakt, historia është më e hollë dhe më interesante se sloganet.
Çfarë thotë Finkel
Në intervistën e përhapur në video, Finkel përshkruan një proces mësimi e me tej pervetësimi. Sipas tij, studiues nga Greqia erdhën në Babiloni, u takuan me homologët e tyre, disa prej tyre astronomë, dhe studiuan me ta. Arsyeja ishte e dhënat: Babilonia kishte pllaka me lista vëzhgimesh astronomike, me datat e dukshmërisë së parë dhe të fundit të fenomeneve, të renditura në kolona numrash. Grekët, thotë ai, ishin shumë të mirë në sintetizimin e të dhënave dhe i donin ato.
Ata mësuan aq kuneiform sa të kuptonin numrat, ditët e javës, dritën dhe errësirën, dhe i transkriptuan në shkrimin grek. Pjesa që është pretenduar si “vjedhje” ka një lexim shumë më të qetë në fjalët e tij: babilonasit nuk i thanë askujt “kjo është dija jonë, e drejtë autori”. Ata, sipas Finkelit, u hapën derën dhe e ndanë informacionin. Por megjithatë kjo flet qartë për burimin e dijes.
Provat materiale
Argumenti i tij mbështetet në objekte të gërmuara në Babiloni dhe të ruajtura në Muzeun Britanik: pllaka të vogla ushtrimesh për të mësuar gramatikën, me shenja babilonase në njërën anë dhe shkronja greke në anën tjetër. Idea është se transkriptimi shërbente për t’i mbajtur mend shenjat. Finkel e përmbledh kështu: mund t’i shohim grekët “në klasë” mbi këto copëza.
Këto objekte njihen në literaturë si Graeco-Babyloniaca dhe datohen nga periudha e vonë, rreth shekullit I para Krishtit deri në shekullin I pas Krishtit. Janë prova reale dhe të rralla të kontaktit gjuhësor mes dy botëve.
Ku mbaron fakti dhe ku fillon interpretimi
Debati shkencor nuk është i mbyllur:
“Vodhën” apo huazuan? Transkripti nuk përmban pretendim për vjedhje. Dhe në botën antike nuk ekzistonte ligj autorësie, as për grekët, as për babilonasit. Të flasësh për “pronësi intelektuale” është anakronizëm.
Njohja e burimit. Astronomët grekë të periudhës helenistike, si Hipparku, përdorën të dhëna babilonase dhe parametra të nxjerrë prej tyre, ndërsa Ptolemeu më vonë i ruajti ato në veprën e tij. Historianët e shkencës e shohin këtë si transmetim të hapur, jo si botim anonim.
Fjalët e Finkelit lënë të kuptohet një ide më e rëndësishme se akuza: dija lëvizte atëherë ndryshe nga sot. Ajo kalonte nga mësuesi te nxënësi, nga një gjuhë te tjetra, pa kontrata dhe pa patenta. Greqia nuk e shpiku astronominë matematikore nga zero, por as nuk e dërgoi Babiloninë në harresë. Ajo e sintetizoi, e modeloi dhe e zhvilloi tutje. Nuk është rastësi që, sipas fjalëve të vetë Finkelit, ky transmetim “vazhdoi historinë e tij të bukur në mendjen greke e më tej”.
Shumë “gjenialitete” të mëdha ndërtohen mbi punën e panjohur të të tjerëve. Një qytetërim që e ndan dijen e tij mund të jetojë në mijëra vjet të tjerë, nëse emri i tij nuk largohet nga arritjet gjeniale, zbehet, ose zëvendësohet.
















