Ludwig Ross, mbreti Otto dhe një faqe e shënuar e historisë shqiptare të Greqisë së Jugut
Në vitin 1832 ra ankora në Nauplion mbërriti një gjerman 26-vjeçar me ide romantike për Greqinë. Ishte Ludwig Ross (1806-1859), arkeolog nga Holshtajni, që mbërriti me regjencën bavareze të mbretit të ri Otto. Ai do të bëhej konservator i antikiteteve të shtetit të ri grek dhe profesori i parë i arkeologjisë në Universitetin e Athinës. Ndërmori gërmimet në Akropol dhe rindërtimin e tempullit të Nikës Apteros. Ndër figurat që e formësuan arkeologjinë greke, ai ishte një prej më të rëndësishmëve.
Ross, si shumë filhelenë të kohës, priste të gjente në tokën e Perikliut pasardhësit e drejtpërdrejtë të Helenëve të lashtë. Ajo që pa ishte tjetër, dhe e shënoi me ndershmëri shkencore në kujtimet e tij Erinnerungen und Mittheilungen aus Griechenland (Berlin, 1863, botuar pas vdekjes së tij).
Çfarë shkruan saktësisht Ross
Pasi vizitoi në Hidra Lazaros Kunduriotin, Ross bën një pyetje retorike në faqen 9: a isha vërtet tashmë në tokë greke, mes Grekëve? Përgjigjja e tij është: “Eigentlich nicht”, pra “në fakt jo”. Më tej shpjegon pse. Shkëmbi i zhveshur i Hidrës, ishujt Spetsa dhe Poros (Kalauria), si dhe qytezat Kastri (Hermioni) dhe Kranidi, përballë tyre në bregun jugor të gadishullit të Argolidës, janë, si shumë pika të tjera të Greqisë, të mbipopulluara që nga shekujt XIV-XV nga shqiptarët ose “Shkypetarët” nga Epiri dhe Iliria.
Ai shton diçka që shpesh harrohet. Shqiptarët e ruajtën veçantinë e tyre në gjuhë, në veshjen e grave dhe në shumë tipare të tjera, ndërsa numri i tyre më i vogël, gjuha e kishës greke dhe mungesa e një alfabeti shqiptar nuk mjaftuan për t’i shkrirë dhe helenizuar nën sundimin turk. Në fund të faqes ai citon Peloponnesos (I, 99) të Ernst Curtius, që tregon se vëzhgimi i tij mbështetej edhe në literaturën shkencore të kohës.
Konteksti historik: nga stradiotët te Morea
Dëshmia e Rossit nuk është një rast i izoluar. Ajo përputhet me atë që historiografia e ka dokumentuar gjerësisht.
- Shekulli XIV. Pas shpërbërjes së Epirit dhe krizës së Bizantit, grupe shqiptare nisën të zbrisnin në jug, shpesh si ushtarë mercenarë (stradiotë). Harta me poshte, e tipit të punimeve të N. G. L. Hammond për migrimet në Ballkan, i shënon këto lëvizje me shigjeta. Ato nisen nga Epiri, kalojnë në Tesali dhe Beoti, arrijnë Atikën (1402) dhe Argolidën (1400) dhe zbresin deri në Monemvasia. Vija e ndërprerë tregon edhe udhëtimet detare, kryesisht të shekujve XVI-XVII drejt ishujve.
- Despotati i Moresë. Perandorët bizantinë i ftuan shqiptarët të mbushnin zonat e boshatisura nga luftërat dhe murtaja, dhe t’i mbronin kufijtë. Kështu u formuan kolonitë e mëdha të Peloponezit, të Atikës dhe të Beotisë.
- Ishujt. Hidra, Spetsa dhe Poros u populluan kryesisht nga arvanitë, dhe pikërisht këta ishuj do të bëheshin shtylla e flotës greke në 1821.
Pesha e arvanitëve në themelimin e shtetit grek
Kjo pjesë e historisë mbetet shpesh në hije. Familje si Kunduriotët (nga Kranidi/Hidra), Boçarët, Xhavellasit, Miauli dhe Kanari, së bashku me Suljotët, ishin arvanitë ose me prejardhje shqiptare. Në Revolucionin e vitit 1821 shqipfolësit ortodoksë ishin një forcë themelore, si në det ashtu edhe në tokë. Vetë Ross e vë re këtë në fjalinë që pason: lufta e përbashkët e lirisë kundër turqve i lidhi ata me Grekët jo aq me lidhjen e kombësisë sa me atë të gjeografisë.
Ky është vëzhgim i mprehtë. Ai tregon se identiteti i arvanitëve u formua përmes besimit ortodoks dhe përmes luftës së përbashkët, jo përmes një vazhdimësie “të pastër” me antikitetin.
Pohimet e Rossit nuk janë “armë” në luftën e nacionalizmave. Është dëshmi se Greqia e shekullit XIX ishte shumë më e larmishme se miti i vazhdimësisë së pastër antike. Për shqiptarët ajo ka vlerë të veçantë: konfirmon, nga një burim jo shqiptar dhe jo i interesuar, praninë e hershme, të përhapur dhe të gjallë të shqiptarëve në Greqinë e Jugut, gjuhën, veshjen dhe kulturën e tyre. Nuk ishin të ardhur të djeshëm, por një komponent themelor i vendit që ndihmuan ta lindin. Përgatiti Elis Buba / usalbanianmediagroup.com




















