• Kreu
  • Aktualitet
    • Politika
    • Kronike
    • Ekonomia
  • Pikepamje
  • Rajoni
  • Bota
  • Diaspora
  • Sociale
  • Kultura
  • English
US Albania Media Group
  • Kreu
  • Aktualitet
    • Politika
    • Kronike
    • Ekonomia
  • Pikepamje
  • Rajoni
  • Bota
  • Diaspora
  • Sociale
  • Kultura
  • English
Asnjë Rezultat
Shikoni të Gjithë Rezultatet
  • Kreu
  • Aktualitet
    • Politika
    • Kronike
    • Ekonomia
  • Pikepamje
  • Rajoni
  • Bota
  • Diaspora
  • Sociale
  • Kultura
  • English
Asnjë Rezultat
Shikoni të Gjithë Rezultatet
US Albania Media Group
Asnjë Rezultat
Shikoni të Gjithë Rezultatet
Kreu Kultura Kreu

Bajroni dhe tradita kulturore shqiptare

US Albanian Media Group nga US Albanian Media Group
10 Shtator, 2026
Në Kreu, Kultura
0
Bajroni dhe tradita kulturore shqiptare
0
NDARJET
6
SHIKIMET
Share on FacebookShare on Twitter

ABDULLAH KARJAGDIU (postmortem)

Në mënyrën e tij të veçantë, emri i Bajronit ka zënë vendin e tij të merituar edhe në traditën e kulturës shqiptare.

Mjerisht, në letërsinë dhe kulturën shqiptare, interesimi për poezinë e Bajronit ka filluar më vonë se te popujt e Evropës dhe disi fill pas interesimit për të nga popujt fqinjë të Ballkanit.

Ndonëse me pak vonesë, poezia e Bajronit në Ballkan hasi në një truall mjaft të volitshëm si për lexim ashtu edhe për ndikime të llojllojshme. Natyrisht, pos shkaqeve dhe motiveve të thjeshta poetike, për popujt e Ballkanit kishte një rëndësi të posaçme si poet i lirisë, si luftëtar i sinqertë kundër shtypësit e tiranisë, si mbrojtës i të robëruarve e të shkelurve dhe bashkë­luftëtar i kryengritësve. Së këndejmi, vdekja e tij lavdiplotë në Mesolung bëri një jehonë të veçantë në mesin e disa popujve ballkanas.[1]

Mirëpo, nëse popujt e Ballkanit tregonin një entuziazëm të konside­rueshëm ndaj Bajronit, nga mesi i shekullit të kaluar, shqiptarët, nga ana e tyre, kishin përse të interesoheshin e t’i thurnin lëvdata poetit anglez. Bajroni e kishte vizituar Shqipërinë e Jugut, ai e kishte takuar luanin e Janinës, Ali Pashën, kishte shkruar letra me plote përplot mbresa të sinqerta mbi shqip­tarët, kishte kënduar për ta në “Çajld Haroldin” e tij, kishte shënuar disa këngë erotike shqipe e, tekefundit, edhe atëherë kur erdhi së dyti në Greqi, që në ditët e parë të prillit të vitit 1823, ai u pa sërish me shqipot të Sulit, nga e cila s’u nda deri në vdekje.

Gjatë Rilindjes kombëtare shqiptare u shfaqën edhe gjurmët e para të Bajronit në gjuhën shqipe. Në përpjekjet e tyre për të krijuar, kulturën e tyre kombëtare, si të kushtit të përshtatshëm në luftën për liri e pavarësi, poetë, publicistë dhe shkrimtarë të shquar shqiptarë, pos traditës kombëtare, zunë të mbështeten në vlerat ideore dhe artistike si dhe në idealet progresive të letërsisë e të kulturës evropiane.

Për këtë arsye rilindësit tanë filluan të përkthejnë, të shqipë­rojnë e të shkruajnë për poetë dhe shkrimtarë të njohur të letërsive të zhvilluara të Evropës, nga të cilët pëlqejnë të përkthejnë e të shkruajnë për Shekspirin, Ronsardin, Hajnen, Shilerin, Servantesin, Danten, Leopardin, Foskolon, Grosin, Shelin, Gëten, Ygon, Petefin dhe Bajronin. Me këtë rast, naty­risht një vend të veçantë në shënimet dhe përkthimet e tyre do të ketë Ronsari, i cili kishte ditur shqip, meqë kishte jetuar pesë vjet mes shqiptarëve, apo edhe Grosi, “Dallëndyshja shteg­tare” e të cilit do të shtegtojë prej një të përkohshme shqipe në tjetrën, prej Shirokës te Gurakuqi, dhe prej Gurakuqit te Shiroka, edhe pse për herë të parë e kishte frymëzuar romanti­kun arbëresh – Seremben.

Kështu, në saje të përpjekjeve të letrarëve, publicistëve dhe shqipëruesve të Rilindjes kombëtare, lexuesit shqiptarë të asaj kohe, ndonëse jo në rrethana normale arsimuese dhe kulturore, filluan të dëgjojnë e të lexojnë për të parën herë, qoftë me alfabetin e Stambollit, ose qoftë me atë të “Fjamurit të Arbërit”, qoftë me alfabetin e Bukureshtit apo të “Albanias” të Brukselit, për poetët dhe shkrimtarët më eminentë të letërsive evropiane, duke filluar që nga Homeri dhe Virgjili dhe duke arritur deri te shkrimtarët dhe poetët romantikë. Përkthimet, shënimet, arti­kujt dhe vështrimet mbi letrarët e shquar të botës, të shkruara nga rilindësit tanë, duhet të bëheshin pronë e ambientit të ri e të ndikonin në formimin e ndërgjegjes shoqërore dhe kulturore të shqiptarëve. Në të njëjtën kohë, përkthimet dhe shqipërimet e veprave, sidomos të poezisë së poetëve të huaj, francezë, italianë, gjermanë dhe anglezë, duhej nga një anë ta ngrehnin e ta kultivonin shijen estetike të lexuesve shqiptarë, kurse nga ana tjetër ta pasuronin gjuhën dhe kulturën shqiptare me mundësi të reja shprehjeje. Prandaj, s’është çudë se pse me shqipërime u morën pothuajse përfaqësuesit më të spikatur të Rilindjes sonë kombëtare, si N. Frashëri, K. Kristoforidhi, A. Z. Çajupi, Asdreni, H. Mosi, F. Shiroka, L. Gurakuqi, F. Konica, F. S. Noli e të tjerë.

Për personalitetin e Bajronit, vizitën e tij në Shqipëri, letrat dhe poezinë e tij ku përmendën shqiptarët, sipas të gjitha gjasave, ekzistoi interesimi si përtej Adriatikut, në mesin e arbëreshëve ashtu edhe në mesin e rilindësve shqiptarë.

Ndërkaq, për dallim nga letërsitë e tjera të Evropës, ku përkthimi i poezive dhe i poemave të Bajronit u priu shënimeve dhe artikujve për të dhe çeli shtegun e ndikimeve të ndryshme, në të përkohshmet dhe revistat shqiptare, të shpeshtën e herës, shënimi mbi Bajronin u dha tok me fragmentet e letrave të tij nga Shqipëria, ose herëve të tjera artikulli mbi të u dha bashkë me përkthimin e atyre strofave të “Çajld Haroldit” që këndojnë për Skënderbeun, Ali Pashën dhe shqiptarët. Rrallëherë pat edhe raste të botimit të ndonjë poezie të Bajronit pa farë shënimi ose sqarimi, por vështirë që mund të haset në ndonjë shënim për të në gjuhën shqipe, ku të mos bëhet fjalë për vizitën e Bajronit në viset e shqiptarëve dhe simpatinë e tij të madhe për ta. Albanologët e huaj, si dhe dashamirët e Bajronit e të shqiptarëve, u ndalën kryesisht në transkribimin, sqarimin dhe komentimin qoftë të këngëve popullore shqipe që e frymëzuan Bajronin gjatë shtegtimit të tij nëpër viset e shqiptarëve, qoftë të atyre këngëve erotike shqipe që i shënoi Bajroni në komentin e “Çajld Haroldit” të tij.

Me këtë rast do të përpiqemi të bëjmë fjalë për popullaritetin e Bajronit në traditën e Rilindjes kombëtare, pastaj do të bëjmë fjalë për artikujt e shkruar mbi Bajronin dhe për disa poezi të përkthyera në shqipe gjatë Independencës kurse, duke përcjellë famën e personalitetit dhe të veprës së tij pas Revolucionit popullor, do të orvatemi ta shpjegojmë arsyen e një respekti dhe dashurie kaq të lartë ndaj tij në kohën kur në vendlindjen e poetit kanë zënë ta harrojnë nga pak.

Prijatarit të letërsisë sonë artistike, romantikut të ri, De Radës, ndonëse Bajroni i dukej si një pasues i shkollës së poetit romak, Lukanit, i cili “nuk arrin të skalitë nga veprime dhe qëndrime figura të gjalla, po përpiqet të na i japë, duke për­shkruar dhe grumbulluar relieve mbi relieve”, megjithatë i bënte përshtypje për novitetin dhe sublimitetin e imazheve.[2]

Alberto Stratikoi, autor i historisë së parë të letërsisë shqipe, duke bërë fjalë për Buzukun, Bogdanin, Budin, Bardhin, De Radën, Serembën, De Mauron, Darën e të tjerë, i shmanget detyrës së vlerësimit të veprimtarisë përkthyese artistike në shqipe dhe, me atë rast, pohon se s’ka ndërmend “të bëjë fjalë as për përkthimin e kantos së parë të ‘Çajld Haroldit’ të Bajronit ose të varreve të Ygo Foskolos të bëra nga Luigji Petrasi da Çerteco”.[3] Në fund të historisë së tij, Stratikoi e përmend edhe njëherë këtë përkthim, duke thënë: “Nga Kolexhi italo-grek i Shën Adrianos ndër të tjerë, dolën edhe Luigji Petrasi, i cili, si u tha më parë, e përktheu në gjuhën shqipe kanton e parë të ‘Çajld Haroldit’”.[4] Sipas të gjitha gjasave, ky përkthim duhet të jetë bërë nga mesi i shekullit të kaluar. Në një dorëshkrim të arbëreshit Gavril Destefanso, të vitit 1860, të dy këngët popullore shqipe, të shënuara nga Bajroni, janë përkthyer në italishte nga Destefano së bashku me strofën e gjashtëdhjetë e pestë të këngës së dytë të “Çajl Haroldit”.[5] Në fund të përkthimit të tij në italishte, Destefano njofton se për të dyja këngët shqipe të shënuara nga Bajroni kishte qenë i interesuar edhe albanologu Ksilander, i cili paska botuar të dyja këngët erotike shqipe, të shënuara nga Bajroni, me disa sqarime, që në vitin 1835.Do të thotë, njëmbëdhjetë vjet pas vdekjes së Bajronit.[6] Edhe albanologu i shquar Gustav Majer që në vitin 1893 do të tregojë një interesim të konsi­derueshëm për këngët shqipe të shënuara nga Bajroni dhe, si u tha edhe më parë, do të bëjë përpjekje që t’i komentojë sa më mirë.[7]

Një ndër ideologët e parë të Rilindjes sonë, lërues i gjuhës, folklorist dhe letrar, Zef Jubani, në punimin e tij me vlerë “Kundrime mbi gjendjen morale e mbi kulturën intelektuale të popullit shqiptar”,[8] (botuar italisht), duke i njohur mirëfilli cilësitë e rralla të shqiptarëve dhe shumicën e veprave dhe të studimeve të albanologëve që u morën me shqipen e shekullit XIX, u shpreh me plot admirim dhe simpati për veçoritë e mira, psikologjike të popullit tonë.[9] Ai shënon që në fillim se punimet e të huajve janë me interes të favorshme, pse u shkruan në garë me njëri-tjetrin.[10] Veprat e të huajve mbi shqiptarët, sipas Jubanit, flasin mbi kushtet etnografike të popullit shqiptar, mbi gjuhën shqipe dhe mbi prejardhjen e shqiptarëve.[11] “Edhe ndër shqiptarët anas vetë, por sidomos ndër ata që në emigrim lindin në Itali, dijetarë shumë të dalluar, qitën vepra letrare e doktrinë të vërtetë, shumë të lartë, duke vënë në dukje, çka tjerët deri tash nuk e kanë bë, vjetërsinë e prejardhjes e të gjuhës sonë, e me komente përmbi shpirtin e këngëve popullore, mbi tipin e karakterin e popullit tonë, ata provuan fakte me fakte mendimin e Byron-ve, Dauglas-ve, Lamartinë-ve e tjerë të mëdhenjve që shkruan përmbi shqip­tarë, se këta kanë një popull heronjsh për të cilën lavdia është tipari zotërues që e dallon”.[12]

Do thënë se organit më të rëndësishëm letrar dhe kulturor të Rilindjes kombëtare, “Albanias” së Faik Konicës,[13] i ra hisja dhe fati që ta popullarizojë e ta përhapë zulmin e Bajronit e të poezisë së tij më shumë se çdo e përkohshme tjetër shqipe e asaj periudhe. Që në numrat e parë të kësaj reviste gjejmë një sërë shënimesh, anekdotash, artikujsh mbi Bajronin, madje edhe ndonjë strofë të përkthyer nga poezia e Bajronit. Kështu, fjala vjen, numri i parë i kësaj reviste, si moto të faqes së parë ka marrë në origjinal dy vargje të strofës së tridhjetë e tetë të këngës së dytë të “Çajld Haroldit”:

O Shqipëri ku lindi Iskanderi

Këngë e rinis’, fanar i t’urtëve.[14]

Në të njëjtin numër të kësaj reviste drejtori i saj, Faik Konica, boton një artikull mjaft interesant në frëngjishte me titullin: “Udhëtimi i Lordit Bajron në Shqipëri”.[15] Nën këtë titull janë edhe dy vargje të tjera të strofës së dyzet e tretë të “Çajld Haroldit”:

Po nisej për në trevë të panjohur

Shumëkush e mburr, pakkush guxon ta shohë.[16]

Duke i përkthyer këto vargje në frëngjishte, autori vazhdon: “Me vargje të këtilla, në kanton e dytë të ‘Çajld Haroldit’, fillojnë një sërë strofash të mrekullueshme të cilat do t’i bëjnë shqiptarët të pavdekshëm, sikur shqiptarët të kishin pasur nevojë për pavdekshmëri. Duhet patjetër të rilexohen këto faqe në mënyrë që ta ndiesh entuziazmin që ia frymëzuan Bajronit Shqipëria dhe shqiptarët”.[17] Paskëtaj autori vë në dukje se në vend të këngëve me frymëzim hyjnor, pëlqente t’i përkujtonte letrat, disponimin, shënimet dhe mbresat e Bajronit që dëshmojnë më se miri për gjendjen shpirtërore të lordit Bajron. Lidhur me njohjen e Bajronit me Ali Pashën një kohë dhe, po kështu, sjell disa fragmente nga letra e Bajronit, ku del në shesh opinioni i Bajronit për Ali Pashën. “Peizazhet e viseve shqiptare, – sipas autorit të artikullit, – e magjepsën aq fort Bajronin saqë ai i përshkroi ato me frymëzim në “Çajld Haroldin” e tij. Ndër të tjera, autori vë në dukje simpatinë e Bajronit ndaj dokeve, traditave dhe mënyrës së jetesës së shqiptarëve, nga një anë dhe admirimin e tij ndaj bukurisë madhështore të natyrës shqiptare, nga ana tjetër. Autori i këtij artikulli s’harron t’i citojë fjalët e njohura të Bajronit, të cilat i shkroi të ëmës, ku pohonte se i donte shumë shqiptarët,[18] dhe të shtonte se i donte edhe grekët, të cilët, sipas Bajronit, të zhgënjyer me gjendjen ku kishin pllakosur, (meqë s’u ngritën kundër sunduesit të huaj), “Janë hora të lezetshëm me veset e turqve, po pa trimërinë turke”.[19]

Në fund të këtij artikulli autori e trajton edhe pjesëmarrjen e Bajronit në kryengritje.[20] Në rubrikën e saj letrare, “Albania” e 25 majit të vitit 1897, boton një letër të panënshkruar nga Shqipëria.[21] Në këtë letër, ndër të tjerat, thuhet: “Për ne, të mjerët, shqiptarët, asnjë fjalë të ëmbël Evropa s’ka thënë… Edhe evropianët, duke mos pasur ndonjë fletore që të flasim për vetveten tonë, dëgjojnë vetëm frymë dhe besojnë gënje­shtrat e tyre. Vërtet ca njerëz të shquar edhe zemërbardhë, si Lordi Byron e të tjerë, që kanë udhëtuar nëpër Shqipëri dhe kanë vënë re mirë punët, kanë shkruar të vërtetën dhe kanë lëvduar Shqipërinë tok me shqiptarët, sa Evropa mund të çuditet kur shfaqen paskëtaj, sepse gjer tani kanë qenë të ‘fshehura’”.[22] Në numrin e 25 qershorit të të njëjtit vit, “Albania” përktheu katër strofa të “Çajld Haroldit”. Strofa e tridhjetë e tetë, dyzet e dytë, gjashtëdhjetë e pestë dhe gjashtëdhjetë e gjashtë.[23] Strofat janë përkthyer nga origjinali, ndonëse nuk figuron shqipëruesi. Përkthimit mjaft besnik për atë kohë i mungon petku poetik. Ka të ngjarë se shqipëruesi i këtyre vargjeve të ketë qenë Konica meqë, në shumicën e rasteve, përkthimet e poezisë e të prozës nga gjuhët e huaja në këtë revistë i bënte ai. Në datën e 30 prillit të të njëjtit vit, njëfarë Shaqir Zalzunasi, bën fjalë sërish për Bajronin në një artikull të shkurtër me titull “Bukuria e Shqypnisë”. Në këtë artikull, ndër të tjera, theksohet: “Afër Janinës, mi malin Zice ku gjendet një monastir i kallogjerëve, syni i njeriut shef një tub shkaminash, pyllesh, himesh plot me jetë, me lule dhe me gaz, qi asht deri ma i bukuri ven i dheut. I madhi vjershëtues inglis, Lord Bajron (Byron), i cili ka pas udhtue n’Shqypni me t’hymn t’këtij shekulli, thotë qi si Zica e Shqypnisë nuk pamun vend ma t’hieshëm”.[24]

Duke i ndjekur gjurmët e popullaritetit të Bajronit në traditën kulturore të Rilindjes sonë, hasëm në një artikull të shkurtër të “Kalendarit Kombiar” të vitit 1900. Në artikullin e titulluar “Ç’kanë thënë të huajt për ne”, autori vë në pah: “Bajroni, i madhi vjershëtar Ingiliz, i cili vatë në Greqi në kohë të përndërkryerjesë, dhe shëtiti pak në Shqipëri të jugës, me një libër lëvdon në gjuhë poetike vetijat tona”.[25] Pastaj nga versioni frëngjisht i Benzhamen Larosit i “Çajld Haroldit”, autori i artikullit përkthen në shqipe strofën e tridhjetë e tetë, të gjashtëdhjetë e pestë, të gjashtëdhjetë e gjashtë, të gjashtëdhjetë e shtatë dhe të gjashtëdhjetë e tetë të këngës së dytë të “Çajld Haroldit”.[26] Versioni shqip i këtyre strofave bajroniane nuk është bërë me kujdesin e duhur, por mund të thuhet është parafrazuar dhe përgjithësuar domethënia dhe porosia e numrit më të madh të strofave. Pos kësaj, versioni i shqipes është bërë në prozë.

Dy vjet më vonë, albanologjia austriake, baronesha Gjuzepina Knor, më parë në të përkohshmen “La Nacione Albaneze” e pastaj në një edicion të veçantë, e shkroi punimin e saj me titullin: “Lordi Bajron dhe shqiptarët”.[27] Në këtë punim mjaft të ngjeshur në italishte, gjenden tri pjesë kryesore:

  1. Lordi Bajron në Shqipëri; 2. Kantoja e dytë e “Çajld Haroldit”; dhe 3. Vdekja e Lordit Bajron.

Në pjesën e parë të këtij punimi autorja thotë: “Atdhetarët shqiptarë dhe miqtë e kauzës së Shqipërisë, në poemat dhe jetën e Lordit Bajron, do të gjejnë lëndë të begatshme studimi dhe frymëzimi që të dashurojnë gjithnjë më tepër këtë vend heroi dhe fatkeq”.[28]

Duke bërë fjalë për rëndësinë e vizitës të Bajronit në trevat shqiptare, ajo shton: “Kur lordi Bajron, akoma i ri, më 29 shtator të vitit 1809, zbarkoi në Prevezë, në udhëtimin e tij të parë drejt bregoreve që e frymëzuan me këngë të pavdekshme, Ali Pasha, në kulminacionin e famës së tij, sundonte në Shqipëri. Akoma s’është ndriçuar sa duhet figura e këtij njeriu të rreptë dhe despot, po me një famë të pamposhtur. Ambicia personale në të, ndoshta, e tejkalonte ndjenjën kombëtare dhe sunduesin muhamedan. Me Bajronin u miqësua dhe u soll jashtëzako­nisht mirë”.[29] Pas një hyrje të këtillë, autorja e përkthen tërë letrën e Bajronit në italishte të dërguar më 12 nëntor të vitit 1809 nga Preveza. Duke e komentuar këtë letër Guiseppina Knor vë në dukje se rrëfimi i Bajronit në këtë letër, pothuajse pas një shekulli, “nuk ka humbur asgjë nga gjallëria dhe nuk janë zhbërë as skenat dhe situatat e përshkruara magjepsëse”.[30] Në fund të kësaj pjese, Gjuzepina Knor u kumton lexuesve se si Bajronit i mbeti në zemër Shqipëria deri në vdekje.[31] Në pjesën e dytë të punimit, autorja thotë: “Pikërisht Shqipëria e frymëzoi në moshën e re lordin Bajron, poetin më sublim të shekullit të kaluar, në kanton e dytë, njërën prej poezive më të mira të tij, ‘Çajld Harold’-in. Këtu na këndon me vargje të pavdekshme, me atë zotësinë e tij të veçantë, atë që i rrëfente në prozë të ëmës: madhështinë e pallatit të Aliut, admirimin e tij ndaj racës shqiptare të cilën ai, gjysmëskocez, e krahason me skocezët; dhe atë që e thotë në kanton dhe në shënime do të mbetet përgjithmonë lëvdata më e bukur dhe unike bërë një kombi”.[32] Pastaj autorja e përkthen në italishte strofën e tridhjetë e tetë dhe strofën dyzet e pestë të këngës së dytë të “Çajld Haroldit” (në prozë) dhe pohon: “Që ta ndiesh magjinë e poezisë së Bajronit duhet ta lexosh origjinalin. Bëra përpjekje, gjithashtu, ta përkthej në vargje këngën luftarake shqiptare të cilën poeti i madh e përfshiu në poemë dhe e bëri të tijën. Jehojnë akoma edhe në ditët tona kushtrimet luftarake të këtyre vargjeve”.[33] (Me këtë rast, Gjyzepina Knor e boton këngën bajroniane, të njëmbëdhjetë strofat katrene që vijnë pas strofën shtatëdhjetë e dy). Në të njëjtën kohë autorja e reprodukon shënimin e Bajronit ku flitet mbi Shqipërinë, Skënderbeun, Ali Pashën, Piron, Lekën e Madh dhe mbi disa veçori të shqip­tarëve.[34] (Pasi kjo e jep edhe përkthimin në italisht të dy këngëve popullore shqipe të shënuara nga Bajroni), pjesën e dytë të punimit të saj ajo e përfundon me këto fjalë: “Çështja shqiptare është aktuale. Zëri i madh i Bajronit u flet pasar­dhësve, ndërsa në kohën tonë, patrioti i shquar dhe veterani i nderuar, Jeronim de Rada,ia zbuloi botës thesarin e këngëve popullore shqipe”.[35] Në pjesën e tretë të punimit të saj autorja bën fjalë për popullaritetin, miqësinë e Bajronit me Ali Pashën dhe suljotët dhe për ditët e fundit të jetës të Bajronit në Mesolung. “Pasi u kthye nga Shqipëria me të dy këngët e parë të ‘Çajld Haroldit’, – shkruan ajo, – Lordi Bajron arrit një famë të vrikëshme në Angli; tërë bota zuri ta dëgjonte zërin e tij, kurse Londra ishte gjunjëzuar para tij”.[36] Pastaj Gjuzepina Knor vijon: “Marrëdhëniet e tij me Aliun krenar, i cili e kishte pritur me aq përzemërsi në pallatin e tij, nuk u ndërprenë”.Për ta verifikuar këtë pohim, autorja reprodukon një letër të Bajronit të datës 8 shtator 1813, ku ai e përmend letrën që e kishte marrë nga Ali Pasha.[37] Pasi flet për pakënaqësinë, mos­marrëveshjet dhe zhgënjimin e Bajronit me shoqërinë angleze të asaj kohe, autorja vëren se Bajroni e braktisi vetë Anglinë përgjithmonë dhe u vendos në Itali. “Poszulmit të tij të poetit të pavdekshëm, – sqaron autorja, – ai kishte në vete ndjenja të larta fisnike, prandaj vendosi ta përkushtojë si pasurinë ashtu edhe jetën e vet për kauzën e Greqisë në luftën për pavarësi. Pa pikë dyshimi, kujtimi i kohëve të lumtura që i kishte kaluar në Shqipëri, ndikoi mjaft në këtë vendim”.[38] Kryesisht në këtë pjesë të punimit i kushton mjaft rreshta miqësisë së Bajronit me suljotët. Duke folur rreth interesimit të Bajronit për suljotët, Gjuzepina Knor shënon: “Sapo arriti në Mesolung… Formoi një kompani prej pesëqind suljotësh, të cilët, që të gjithë kishin luftuar nën Marko Boçarin e famshëm dhe nga të cilët disa kishin marrë pjesë në të tridhjetë fitoret e prijësit të pampo­shtur. Bajroni kishte ngrënë bukë e krip me suljotët, të cilët e respektonin me sinqeritet si kryeprijësin e tyre. Ai shpresonte se këta luftëtarë të paepur do ta përcjellin në sulmet kundër fortesave, të patrembur siç e kishin përcjellë Boçarisin në fushë­betejë. Donte t’u printe në sulmin kundër Lepantit. I stërviste dhe kujdesej ta fitonte besimin e tyre duke shtënë në shenjë me kobure së bashku me ta. Zgjodhi ndër ta një gardë trupore prej pesëdhjetë burrash, të cilën banonin në një barakë afër shtëpisë së tij”.[39] Dhe, po më në fund, autorja flet për sëmundjen e shkurtër, agoninë dhe vdekjen e Bajronit. Duke e mbyllur pjesën e fundit të punimit të saj me vlerë, Gjuzepina Knor, në fund konkludon: “Përqafimi i kauzës greke dhe kauzës së lirisë nga Bajroni është njëkohësisht meritë e Shqipërisë, të cilën e kishte ngritur në kupë të qiellit në vargjet e tij. Në të kishte zgjedhur gardën trupore dhe atë e kishte dashur tërë jetën e tij”.[40]

Ndërkaq, “Albania” e Konicës, në vitin 1903, boton sërish një koment të shkurtër para dy këngëve popullore shqipe të shënuara nga Bajroni.[41] Me këtë rast, ribotohen dy versione të dy këngëve tanimë të njohura, një version ashtu sikundër e kishte shënuar Bajroni dhe, një tjetër, prozë të parit, i korrigjuar ose, si thotë autori i panënshkruar, (i cili, sipas të gjitha gjasave, duhet të jetë Konica), “i ndërtuar”. Titulli i komentit është: “Dy këngë shqipe të mbledhura prej Lord Byron-it”.[42] Në të thuhet: “Lord Byron-i, në një nër udhëtimet e tij në Shqipërie, mblodhi disa këngë shqipe. Jo vetëm i mblodhi, po dinte edhe t’i këndojë”. Në jetën e tij mësojmë se, duke qenë një herë me disa miq, në të shëtitur në një anije mbi Rain të Gjermanisë, u tha miqve:”Daleni të ju këndoj një këngë shqipe. Të gjithë pushuan, – thotë shkruesi i jetës së tij, – e vjershëtori i dha një mënyrë ulërimit që i çuditi të gjithë (duke të ish ndonjë këngë vajtimtare e Toskërisë). Nga ato këngë që kish mbledhur Lord Byron-i shtypi vetëm në notat ç’i shtoi ‘Child Harold’-it. Por ato këngë janë aq ligsht të përshkruara sa s’i merr dot kush vesh, përveç ca fjalë tej e këtej. Na u duk pra punë për t’u vënë re të shtypim nga nj’anë këngët ashtu si i kish shtypun Byron-i, nga tjatër anë, të ndërtuara e të shkoqitura ashtu na duket që duhen”.[43] Në fund të dy versioneve të botuara të dy këngëve popullore shqipe jepen edhe disa sqarime mjaft të qëlluara.[44]

Në artikullin e tij me ton polemizues, shkruar greqisht me titullin “Përgjigje gazetës Pirros”, e të nënshkruar “Prej një ortodoksi”, Asdreni, duke polemizuar me grekomëdhenjtë, e thërret në ndihmë Bajronin, duke vënë në dukje, në fund të artikullit të tij, se “kanë kaluar kohërat kur shqiptari luftonte për fe. Sot lufta zhvillohet për komb, për atdhe. Feja e shqip­tarit është shqiptarizma”.[45]

Në numrin nëntë të “Albanias” të vitit 1905 është botuar një vështrim i titulluar “Shqipëria e gjykuar prej një zonje inglize”. Në të bëhet fjalë për vizitën e Mis Durhamit disa viseve shqiptare. Aty, mes të tjerash, thuhet: “Miss Durham-i i dha Tepelenit disa faqe të librit të saj. Dëfton se ç’gërmadha e ç’varfërie kanë zënë mbi këtë vend që një herë kish pasur aq shkëlqim. Vendësit i thanë se që nga shumë vjet as një i huaj s’kish shkuar andej. Besojmë edhe më tepër. Më 1809 Lord Byron-i kish vajtur në Tepelenë, e ç’ahere – në njëqind vjet e sipër- se shkeli aty njeri nga Inglia, përveç Miss Durham-it”.[46] Në të njëjtën revistë, më 1906, në rubrikën “gjepura nga kudo”, është një shënim i vogël në formën e anekdotës lidhur me një ves të Bajronit. “Lord Byron-i – thuhet në të – kur ish shtruar në tryezë nuk ngjattë kujt krip as merrte për vete të tij: dhe, në qoftë se ndonjë nga të ftuarit derdhte një pikë kripe, vjershëtori ngrihej në atë çast dhe ikënte”.[47]

Në vitin 1906, Luigj Gurakuqi, në një satirë të tij të mbushur me rezo­nanca dhe nuanca klasike, “i qan zemra për të metat e letërsisë amtare”. Sipas tij, poetët shqiptarë s’kanë nivel e shije të lartë artistike, meqë vargjet e tyre çalojnë vjershat e tyre të hartuara, në këmbë e në dorë, botojnë strofa, në e në dorë, botojnë strofa të pafrymëzuara dhe s’dinë as për letërsinë klasike.[48] “Në kohën kur Shqipëria kërkon Tirtej të rinjtë, ata s’dijnë, sipas Gurakuqit, për Tibul, Katul, Virgjil, Safo, ashtu siç s’dinte për ligjen e të mëdhenjëvet, për madhështinë klasike, prandaj me emrat e vjetërsisë përzien edhe romantikët Gëte, Shiler dhe Bajron”.[49] Vetë Gurakuqi, në lidhje me Bajronin, në një shënim të tij, në fund të vjershës “Deka e Zanave”, thotë: “Vjeshëtarët Shakespeare, Schiller, Byron njehen ndër ndjekësit më të mëdhaj e më të mirët të Dante Aliglierit, sa thohet se duelnë prej tij sikur ushtarët prej kalit në luftë të Trojës”.[50] Në poezinë e tij të lartpërmendur, Gurakuqi i qorton poetët shqiptarë, të cilët as emrin s’ia kishin dëgjuar Bajronit, të cilin e pagëzon me emrin “skyfter”.

“Oh, asht ket t’pvesim s’ia u kan ndije as zanin!…

E mjeft keq q’emnin mos t’i dijnë skyfterit,

Që t’i Tepelenit i pat këndue Luanin!”

Në një shënim të posaçëm jep edhe këtë shpjegim: “Byroni, në këngë të dytë të Childe Haroldit, flet për Ali Pashën e Tepelenit, vezirin e Janinës”.[51]

Sikundër dihet, popullariteti i Bajronit në Angli dhe në Evropë filloi mjaft herët. Fragmente, shprehje dhe fjali të shumta patën depërtuar edhe në të folurit e përditshëm të gjuhës angleze. Prandaj strofat dhe vargjet e tij citohen shpeshherë në anglishte.[52] Fjalori i citateve i Oksfordit, fjala vjen, jep 322 citate të popullarizuara e të përhapura nga veprat e Bajronit, nga të cilat 67 sish janë nga “Çajld Haroldi”.[53] Në numrin 1 të vitit 1909 “Albania”, në rubrikën e saj, “Mendime të zgjedhura”, jep një citat të Bajronit në anglishte dhe në përkthim. Citati është i këtillë: “I have found that a friend may profess, yet deceive” (Byron), kurse përkthimi është bërë kështu: “Kam gjetur se një mik mund të të mburret se është i besës, dhe në gjithë atë të të gënjej”.[54]

Në “Kalendarin Kombiar” të vitit 1913 është një artikull i shkruar një vjet më parë me titullin “Sulotët”.[55] Autori i artikullit, shkruar në formën e kujtimit gazetaresk, bën fjalë se si në afërsi të Stambollit, në një fshat ku ishte hapur një shkollë për çupat greke, kishte dëgjuar papritur këngën shqipe, të suljoteve, të cilat duke kënduar, hidhnin valle. Suljotet, thotë autori, nuk dinin greqisht, flisnin shqip. Ky rast e trazoi ima­gjinatën e autorit, i cili kridhet në kujtime të largëta historike, duke përkujtuar të kaluarën e lavdishme të suljoteve, të cilat kishin ditur të vdisnin për liri, krah për krah me burrat dhe duke sqaruar se: “Për vdekjen erotike të suliotkave vjershëtori dhe romancieri spanjoll, Gaspar Nunjez de Arse, ka një copë fort të bukur në veprën e tij fort të bukur: ‘Ultima lamenta­cion de Lord Byron’”.[56] Po aty autori pohon se “trimëri e tyre do t’inspirojë gjithnjë poetët e gjithë kombevet”.[57]

Në revistën e lartpërmendur, Kalendari Kombiar, më 1913, një vjet pas, botohet një artikull i panënshkruar me titullin “Bajroni në Shqipëri”.[58] Në të shkruan: “Përpara njëqind vjet, në motin 1809, vjershëtori anglez Bajron (Byron), shetite Sinisin e Ballkanit, nga e cila dërgonte letra t’interesaçme, shtëpisë dhe miqve të tij n’Angli. Këtu më poshtë po përkthejmë një letër të tij, të cilën vjershëtari i madh e ka dërguar nga Shqipëria dhe flet me simpati të madhe për Shqipërinë dhe për bijt’ e saj”.[59] Pastaj jepet në formën e shkurtuar letra e përkthyer sa e sa herë në shqipe e datës 13 shtator të vitit 1809, të cilën Bajroni e dërgoi nga Preveza.[60]

Gjatë periudhës së Independencës, rreth Bajronit u botuan në shqipe artikuj dhe shkrime më të gjata dhe më të argumentuara. Në dhjetëvjetëshin e dytë të shekullit tonë, në faqet e periodikut shqiptar, zunë të dalin artikuj e vështrime të gjata, nëpërmjet të cilave shënohet njëqindvjetori i vdekjes së Bajronit. Megjithatë, në shumicën e këtyre artikujve, jeta, vepra dhe fama e Bajronit, në një mënyrë ose në një tjetër, lidhen me vizitën e tij viseve shqiptare, dashurinë e tij ndaj shqiptarëve, pjesëma­rrjen e tij në kryengritjen greke etj.

Në revistën kulturore të Shkodrës, “Agimi”, në vitin 1919, Zef Harapi boton një artikull të gjatë që titullohet: “Gjergj Lord Byron”.[61] Në fillim të këtij artikulli thuhet: “N’a ka hije e e lyp arrsyeja, qi në shqyptarët, t’a kujtojmë ndër fletët të kësajë Përkohshme nji mik të ndreshëm të kombit t’onë, nji njeri letrar, klasik filozof dhe luftarë, shkurt, nji nieri ndër ma në za të kombit të permnendun Ingliz, mi të cilin shkelxen, me dije e holli mendjet ndër shkrime të veta e ky ashtu i madhi Gjergj Lord Byron. E n’kjoftë se n’Mesollongji të Greqisë nderohet edhe përmendorja e tinë, aj komb difton nji farë miradijet për Lord Byron-in, mikun e fjalëmirin e Shqypnisë e të Shqyp­tarëve, na të gjithë e kem me detyrë, me ja ditë edhe ma miradijen ati nierit t’arrsyeshëm e të drejtë për kombin shqyp­tar. Le të shohim, po i huaji e disa shqyptarë, se Shqypnija asht vërtet nji komb, me popull të vet, nji gjakut e nji gjuhet, sikuer na dëshmon nji Hingliz Lord Byroni, ardhë prej atdheut të vet, vetëm për me studjue si dijetar komet e të lumit, e pra pa kurrfarë interresjet”.[62] Pos kësaj, në artikullin e sipërpërmen­dur, autori shkruan për prejardhjen e stërgjyshave të Bajronit e të vet Bajronit, për miturinë, fëmijërinë, edukimin dhe shko­llimin e tij dhe për botimin e veprës së parë të tij, të cilin artikullshkruesi e përkthen si “Kohë Mërzijet”.[63]

Për jetën, veprimtarinë dhe sidomos vizitën e Bajronit në Shqipëri, Zef Harapi vazhdoi të shkruajë edhe më tutje në faqet e “Agimit”.[64] Në numrin dy të përkohshmes së njëjtë më 1921, Zef Harapi shkruan përsëri një artikull lidhur me vizitën e Bajronit bërë Shqipërisë.[65] Me këtë rast, autori, në të vërtetë, e botoi letrën e njohur të Bajronit të datës 12 tetor 1809, ku bëhet fjalë mbi përshtypjet, përsiatjet dhe përjetimet e poetit anglez nga Shqipëria. Në të thuhet: “Nga letrat e shuma të Lord Byronit qi i dërgou s’amës njena qi asht shkrue me datën 12 tetuer 1809 nga Preveza, intereson shqyptarët”.[66] Nga letra e përkthyer del në shesh simpatia, dashuria dhe mahnitja e Bajronit me shqiptarët.

Në numrin 9 të “Agimit”, të janarit të vitit 1922, Zef Harapi, me artikullin e gjatë të titulluar “Lord Gjer Byron në Shqypni”, i vazhdon shkrimet e tij mbi Bajronin që i kishte filluar disa vjet më parë në faqet e së njëjtës revistë. Shkrimet e Zef Harapit kanë të dhëna mbi jetën, karrierën e suksesshme poetike, zulmin dhe vizitën e Bajronit viseve të Shqipërisë së jugut. Shkrimet e tij ilustrohen, herë-herë, edhe me ndonjë varg shqipëruar lirisht nga poemat e Bajronit.[67] Në fund të artikullit të vitit 1922, Zef Harapi flet edhe për interesimin e Bajronit për këngët popullore shqipe, duke e përjashtuar skenën e shënuar edhe nga vetë Bajroni të dëgjimit të këngëve popullore kresh­nike dhe të përcjelljes së valles që e hidhnin suljotët. “Për gjith përcjelljes të kangës, u silleshin rrotull zjarmit, bishin në gjuj, ngreheshin në kamë, silleshin njëherë tjetër e përsëritshin përcjellësin, një herë tjetër e përsëritshin përcjellësin, kështu bashin në mbarim të setcillës strfoër”. Gjithë duke e përshkruar këtë skenë, autori vazhdon: “Gjama e valëve të detit, qi rrishin bregun, i nepte një farë harmonie kangës së tyre, e duka e errët e pyllës, e shkopijtë e grykës, e ftyrët e kërcimtarëve që shëndritë prej dritës, i nepshin hije atij kërcimi. Tuj vu orore ket punë burrash Byron-i, kti ju ndez dëshiri me shti në letër klasik të vetin “Udhtimi i Aroldit”, kangën shqyptare si këndo­het në krye të dytë, qi asht ndër ma të bukurat, e qi lexuesi së ka kur të ngim sa herë ta lexojë”.[68] Meqë kjo vepër i afron lexuesit kënaqësi të madhe, autori konkludon: “Me e përkthye në gjuhë shqype krejt veprën e ktij klasikut hingliz, kujtomë se së kshte me kenë mund i djerrun, tuj kenë se asht diçka qi i shtohet letratyrës s’onë nji, e dyta, pse kemi aty n’at vepër vjersha qi flasin e lavdojnë karakterin e shqyptarit të sot njëqind vjetve.

E dashtë zoti e dalët ndo’i mendë e këthelltë, e zoja, çka së mungon në kët vendin t’onë, q’i t’a përkthejë librin. ‘Udhtimi i Aroldit’, të Lord Byronit, e jemi sigure se ket përkthim se ka për ta lanë me u pluhnue, në sergji, bujaria e ndo’i tregtarit i cili ka me ia kurrsye vedit për disa dit mejhanen a ndo’i punë tjetër… E ka me ndimue me ato pare të shtypunit t’atij përkëthimi. Asht punë kjo, qi i djeg pak ndoçi pasanikut, por ma mirë do pare me ia dhanë komit se mejhanes, gjuhës e letratyrës, shifet hejri a dobija shum e shum ma tepër se kujit të rakis e ndo’i punës tjetër”.[69]

Në disa numra të tjerë të vitit të njëjtë të revistës “Agimi”,[70] Zef Harapi i vazhdon shkrimet e tij rreth udhëtimit të Bajronit nëpër Misolung, Athinë dhe Izmir. “Në këtë qytet, – vazhdon ai, – Bajroni i dha fund kangëvet të para t’Udhëtimit, qi kishte fillue në Janinë. Veprën ‘Udhtimi i Aroldit’ Byroni e kishte ba vetëm sa me kalue kohë e s’kishte mend me e botue, as nuk ia hate mendja se ajo vepër do t’ishte agimi i shkëlqye­shëm, i lumnis së ti”.[71] Më tutje në artikull autori bënte fjalë për shtegtimin e Bajronit në Stamboll, për kthimin e tij nëpër Athinë, Tripo­licë, Maltë dhe Angli: “Gjithmonë i mbajte ngiat vedi dy shërbëtorët shqyptarë e s’lote kamën pa ta, prandej kaq e doshin shoqi shojnë, sa të thuesh, ishin ba tre miq të dashtun. Njeni ndër dy shqyptarët ishte muhamedan e tjetri orthdokës. Dervish Tahiri, muhamedani, pat disa padina të lordi pse pruhej keq me vendasit e Athinës, Vasili, nderote, kishnat, por s’muntë me i pa me sy popat, pa të vështirë i thotë kujdo: kishnat t’ona janë shejte, popa t’onë, vjedhca; e mandej bate kryq. Ma i pari udhtim i Byron-it kje për Tripolicë ku do t’u shiftë me Veli Pashën, i biri i Alis, i cili e priti mirë e i fali nji kal shalet”.[72] Ndër të tjera, në këtë artikull parafrazohet edhe një përjetim i Bajronit mes shqiptarëve, me ç’rast ai i njohu më mirë miqtë e vet. Zef Harapi, me stilin e tij, e reprodukon rrëfenjën e Bajronit. “Tue kthye, – shkruan Harapi, – Byron-i u smue prej do etheve të forta e i u desht me u ndalë në Patras, ku u shndosh shpejt e shpejt prej Shqyptarve të vet: kta i thanë mjekut grek se po nuk n’a shndoshe për tri dit zotnin t’onë, t’a dish se t’a kena sharrue fytin. Nji herë besikët shqyptarë ia pshtuene jetën prej nji çetës së cubave të Mainotit, qi u duelne pra me pushkë në faqe, por kta kuer panë se, si Dervishi si Vasili ia kishin vu pushken në prazëm dy të parëve të tyne, u drodhën me krye nder kamë”.[73]

Në një numër të revistës shkodrane, “Hylli i Dritës”, të vitit 1924, shënohet një qindvjetori i vdekjes së poetit të shquar anglez, me një artikull mjaft të gjatë anonim.[74] Artikulli ka titullin “Lord Byron në Misolung, 1824-1924”. Artikulli në fjalë fillon kështu: “Me19 Prill të kësaj vjete, mushej qindvjetori i parë i dekës së vjerrshtarit ingliz Lord Byron, i cilli shty prej shkaqesh t’ndryshme, qi na ktu, tu i vu nji mloje jetës së ti, nuk po duem as me i çekë, desht me lidhë emnin e vet me histori të Ballkanave e sidomos ne historin e librimit të Greqis. E ne Shqyptarëve na intereson vehtja e kti shkrimtari ingliz sidomos pse na miqve të komit, atyne qi dhanë shejë sipmaptije për ne, nuk jemi mcue me jau harrue”.[75] Paskëtaj, mbi ndjenjat fisnike që Bajroni ushqeu ndaj shqiptarëve, autori anonim i këtij artikulli, pohon: “E se pat ket simpati për popull t’onë Lord Byron e dëshmojnë çiltas letrat private qi aj asokohe shkruete prej Greqijet, masi kishte pasë majft rase me u përpjekë me Shqyptarë e me i njoftë ma së miri e dëshmojnë sidomos veprat e pavdekshme të tijat, ndet të cilat kudo qi i ra rasa, foli mirë për popull të Shqypnis”.[76] Në këtë artikull bëhet fjalë edhe për gjendjen politiko- shoqërore në Greqinë e asaj kohe, për politikën johumane dhe të padrejtë të qeverisë greke kundrejt kombeve të tjera, e sidomos shqiptarëve. “Kta të prum, – konstaton autori anonim me plot indinjatë, – “asht nji pamira­dije e vrazhdë kundra njatyne qi, në një kryengritje fatosash kundra Mbretnis osmane, në vjet 1821, zhvillue neper veprime të para të Shqyptarit Ali Pashë Tepelenës, banë gjith sa mujten për librimin e Greqisë. E në këtë kryengritje historia na dësh­mon se kan marrë pjesë e edhe me gjith fuqi Suliotët e Hydriotët, me fis shqyptarë. Por, kjo punë nuk do të na çudis, masi, si shkruen Fallmayer, Shqyptarët edhe vllaznet e tyne të maleve të Lakonjës e t’Arkadjes kaluene n’anën e Islamit, përbajshin gjithnjë kund nja gjysën e popullsis së Mbretnis helenike. Sot gjuha e burrave, gjuha e Suljotve, asht gati në të shkimun. Kta kjenë edhe fatosat e Byron-it të cilvet u hidhte këngën: Up to battle! Sons of Suli! Pot Greqia e re desht me shpërblye keqas, u rrejte kush u rrejte”.[77]

Në revistën “Dituria”, më 1927, botohet një shkrim mjaft i gjatë mbi vizitën e Bajronit viseve të Shqipërisë së jugut.[78] Në artikullin për të cilin e kemi fjalën, që në fillim thuhet: “Nji udhëtim që ka bërë mbase më të madhen e bujave sado që nga pikëpamja shkencore s’pati no një fryt si eksplorim dhe zbulime për Shqipërinë – qe, padyshim ay i Lord Byronit, në Janinë dhe Tepelenë”.[79]Nga kjo vizitë, në vendin “ku djemtë janë të rebtë dhe t’egrë, po pa virtute”, poeti shton pjesën më të bukur në vjershat e “Çajld Haroldit”: “Haroldi këtu është Byroni vetë, dhe në dorëshkrim të parë kishte vënë, ‘Childe Burun’, forma e vjetër e emrit Byron.[80]

Në artikull, pos kësaj, flitet për parathënien e “Çajld Haroldit”, merren një sërë citatesh nga parathënia, pastaj thuhet: “Me këto fjalë si parathënie e fillon i madhi romantik perengrininë, dhe ky poemë është nisur të shkruhet në Shqipëri (“Byron po punon tani në një poem të gjatë, në stanca të Spenserit”, shënim i Lord Broughton-it, (XXXVIII- LXXIII) janë për vendin t’ënë, me një frymë të lartë, si gjithë vjershat e ti. Do të donja, që ato stanca të shqipërohen në një ditë në atë formë që kan n’origjnal”. Autori i artikullit[81] bën fjalë edhe për marshin e udhëtimit të Bajronit e të shoqëruesve të tij nëpër Shqipëri. Në këtë artikull, ndër të tjera, thuhet: “Përveç stancavet të bukura të Childe Haroldit, mbi udhëtim në Shqipëri, kemi edhe letrat, që Englezi i ri i shkron s’ëmës, me një përshtypje të kandëshme prej vendit piktoresk që vizitonte, dhe jo aq i pakënaqur prej njerëzvet ose prej sundimtarit të tyre. Ali Pasha, nga ana e tij, e priti mirë vizitorin fisnik, e bujti në pallat të tij (19 Tetor). Të pasnesërmen të dy udhëtarët u poqnë me vezirin dhe ky komplimentoj poetin e ti për veshët që i kishte të vegjël. ‘Shënjë fisnikësije së vjetre’ si ç’thoshte”.[82] Në këtë artikull mjaft të gjatë mësojmë se: “Bajroni pa edhe Suliotët dhe Himariotët, dhe mbase ky kujtim e bëri që të kthehet prapë në Greqi, më 1824, të formojë një batalion shqiptarësh në Misolungi dhe të mvishet si shqipëtar, me ata kostume që i përshkruan me aq simpati, me letrat datuar 12 nëntor 1809 adresuar s’ëmës”.[83]

Më 1928 doli nga shtypi, në Tiranë, libri i Alfred Rapaportit: “Rrjedhja e Punvet në Shqipni”.[84] Në njërën faqe të këtij libri: “Vjersha e Byronit, që thotë ‘Fierce are Albania’s children, yet they lack not virtues, were these virtues more mature” (“T’egjer janë bijt e Shqipnis, me gjith ket nuk u mungojnë virtutet, por sikur këto virtute t’ishin ma të pjekuna”) përkon me shpirtin e shqiptarit edhe njëqind vjet pas vizitës që ky vjershëtar i pat bam Ali Pashë Tepelenës”.[85]

E përkohshmja “Illyria”[86], në një numër të saj të vitit 1934, riboton një artikull të Zef Harapit, të botuar më parë në revistën “Agimi”, në gushtin e vitit 1921, me titull dhe nëntitull të njëjtë.[87] Në të vërtetë, me këtë rast botohet letra e dërguar prej Bajronit nga Preveza më 12 tetor të vitit 1809. Ndonëse nëntitulli figuron në artikull si: “Prej letrave të tij anekdotike në letër s’ka fare anekdota të panjohur, letra e përthyer është shkurtuar në disa vende.

Në vitin 1934, në një numër të së përkohshmes “Kuvendi Kombëtar”, që dilte në Rumani, Vllad Banatenau, shkruan në rumanishte shkurti­misht për Ali Pashë Tepelenën, i cili, sipas këtij autori, e favorizoi zgji­min kombëtar në Ballkan në periudhën e Luftërave të Napoleonit dhe “u bë me nam në saje të poemës së Bajronit, ‘Çajld Haroldi’.[88] Në këtë shënim artikullshkruesi vë në pah se Ali Pasha, me zanafillë nga Tepe­lena, ia doli mbanë të bëjë të pavarur Shqipërinë e mesme dhe të jugut dhe u dha përkrahje epirotasve shqiptarë dhe grekëve.[89]

Në vitin 1926, e përkohshmja “Illyria” e 15 prillit, boton një artikull të titulluar “Jeta shoqërore shqiptare përpara një shekulli”.[90] Artikulli fillon kështu: “Më 29 Vjeshtë 1809 një ani lufte angleze u-duk n’ujrat e Prevezës. Në të gjindeshin dy të rinj për të cilët e arthmja ishte plot lavdira: Vjershtari i famshëm, Lord Byron dhe politikani Hobhause… Që të dy do të dilnin në këtë liman dhe do të bënin një udhëtim në Shqipë­rinë jugore, e cila në atë kohë sundohej prej Ali Pashë Tepelenës”.[91] Më tutje, në artikullin në fjalë, flitet për njohjen e të dy udhëtarëve anglezë me shqiptarët, vizitën e tyre në Sallahorë, Shën Dhimitër, Janinë, Dodonë, Zicë, Qestoratë e Tepelenë. Në të bëhet fjalë për përshtypjet, përjetimet dhe takimet e të dy udhëtarëve anglezë me shqiptarët e disa viseve të Shqipërisë së jugut dhe të Greqisë së Veriut. Me këtë rast, gërshetohen shënimet dhe letrat e Bajronit me shënimet e shokut të tij Hobhauzit. Kështu, autori, duke shkruar për mbresat e përgjithshme të shtegtarëve anglezë, thotë: “Kur ndodheshin edhe mbi ani, u-poqën me një Englez që u kallzoi ngjarje të tmerëshme për vendin t’onë. U tha bile se përfaqësonjësi i Anglisë, pranë Oborrit t’Ali Pashës, po bëhej gati që të linte Shqipërinë, se nuk munt të duronte sjelljet e këqija të banorëvet. Por këta nuk u vunë veshin fjalëve të bashkatdhetarit të vet. E kishin ven­dosur që të vizitonin këtë vend të bukur dhe të panjohur, të cilin të gjithë e adhuronin po shum kishin frikë t’a shikonin”.[92] Sipas autorit të këtij artikulli, të dy shtegtarëve anglezë, shtegtimi nëpër trevat e shqiptarëve si dhe njohja e shoqërimi me ta, u la përshtypje të paharru­eshme, ndonëse atyre u ra në sy se vajzat e bukura shqiptare ishin në një gjendje të pabarabartë me djemtë, meqë ato kishin për detyrë, pos të tjerash, që t’i meremetonin edhe rrugët. Së këndejmi, autori pjesën e fundit të artikullit ia dedikon barazisë së vajzës shqiptare, rëndësisë së saj për një shoqëri përparim­tare dhe nevojën e emancipimit të saj. Artikulli, siç shihet nga referencat, është shkruar në saje të veprave, shënimeve e ditarëve të Bajrnit, Hobhauzit, Murit dhe Pukvillit.

Në revistën “Përpjekja shqiptare”, të prillit të vitit 1938, në më se dhjetë faqe i njëjti autor shënon, nëpërmjet një trajtese, njëqind e pesëdhjetëvjetorin e lindjes së Bajronit. Titulli i trajtesës është: “Lord Byron. Me rastin e 150-vjetorit të lindjes së tij”.[93] Autori i kësaj trajtese është i mendimit se “Shkrimtari angles më i njohur në Europë, pas Shakspearet-it, është Byron-i. Jo se veprat e tija qëndrojnë më lartë se të vjershëtarëve të tjerë anglezë, por sepse ishte i vetëm që çfaqi në vjershat e veta urrejtje për zgjedhën e huaj dhe dashuri për liri, në një kohë kur Europa e tërë pothua ishte nën sundimin e Napoleonit dhe Ballkani i gjithë rënkonte nën thundrat e Tyrkur”.[94] Autori vë në dukje se Bajroni jo vetëm që këndoi për liri, por mori pjesë edhe vetë në kryengritjen greke. “Jo vetëm që Byron-i doli si flamurtar i lirisë së popujve duke kënduar:

Po, Liri! flamuri yt, i copëtuar,

Por gjithnjë duke valuar,

Çan erën si një tufan.

Por, mori edhe pjesë në lëvizje kryengritëse për t’i parë mendimet e tij të zbatuara, siç bëri në kryengritjen greke. Kudo që u lintnë dëshira për pamvarësi, veprat e Byronit lexoheshin dhe adhuroheshin”.[95] Paskëtaj në këtë trajtesë bëhet fjalë për jetën, veprat, popullaritetin dhe suksesin e veprës së Byronit në përgjithësi dhe, në njëjtën kohë, në citim e sipër, jepet përkthimi i strofave 46, 62, dhe 65 të “Çajld Haroldit”, një pjesë e poezisë “Vashë e Athinës, lamtumirë”. Trajtesa mbështetet në letrat, shënimet dhe veprat e Bajronit, në kujtimet e Hobhauzit, në biografinë e Bajronit nga Andre Morea dhe në disa burime të tjera.

Në të njëjtën revistë, në të njëjtin numër të saj, botohet një përkthim nga kënga e dytë e “Çajld Haroldit”.[96] Është bërë në të vërtetë një shqipërim i shkurtuar (mungojnë gjysma e strofave) i këngës së suljotëve që vjen pas strofës shtatëdhjetë e dy të “Çajld Haroldit”. Përkthyesi Beqir Çela ka shqipëruar vetëm pesë strofa të “Këngës së suljotëve”, (nga të njëmbëdhjetë strofat) duke ua dhënë titullin e veçantë “Shqiptari”.[97]

Në vitin 1939 Skender Bardhi shkruan një artikull në faqet e “Diellit” të Bostonit me titullin “Lord Byron”. Në artikullin e tij, ndër të tjera, thuhet: “Kur kujtojmë veprat letrare të Lordi-it Byron, menjëherë na vete mendja tek ato vjersha të bukura që shkrojtur mbi shumë thema dhe vende. Në librin e tij me famë ‘Child Harold’s Pilgrimage’, Lor Byron-i ka bërë disa përshkrime të ngjethëshme mbi bukuritë e Shqipërisë dhe mbi karakterin e bukur të Shqiptarëve të kohës së tij”.[98] Pastaj autori i artikullit bën fjalë shkurtimisht mbi udhëtimin e Bajronit nëpër Shqipërinë e jugut, duke cituar pjesë nga letra e cituar sa e sa herë prej përkujtuesve shqiptarë të Bajronit. “Lord Byron-it, – shkruan artikullshkruesi, – i dërgoj s’ëmës disa peshqeshe të vyera nga Shqipëria, nga të cilat ishin edhe disa rroba të qëndisura të grave. Vendi, njerëzit, petkat, sjelljet, trimëria, hoborësia dhe vjetërit e Shqipërisë, i bënë përshtypje të thellë Lord-it Byron. Këto i shfaq në letrat që i shkroj s’ëmës dhe miqve si edhe në vjershat që përmblidhen në ‘Childe Harold’s Pilgrimage’, në të cilën përshkruan në hollësi të ngjethëshme trimërit’ e Suliotëve të Shqipërisë për të fituar independencën e Greqisë”.[99] Meqë Bajroni është një poet i tillë, artikullshkruesi përfundon: “Ai i ka dashur shqiptarët e kohës së tij dhe atë që shqiptarët e çdo kohe kanë adhuruar, ka qenë Lordi Byron, që quhej Geoge Gordon Noel Byron, shkrimet e të cili mbajnë atë ngjyrë letrare që lë pas ushqime të bukura për trurin dhe shpirtin”.[100]

Në të përkohshmen “Kombi” të datës 21 shtator 1943 u botua një artikull mbi Bajronin.[101] Artikulli fillon me përkthimin e njohur të strofës së gjashtëdhjetë e pesë të këngës së dytë të “Çajld Haroldit”, pastaj vazhdon: “Lord Byron-i, poet dhe trim, i frymëzuar nga historia e Greqisë së vjetër, la shtëpinë dhe gjithë të mirat dhe erdhi të marrë pjesë në luftën e Greqisë për liri. Dhe aty vdiq”.[102] Duke bërë fjalë për vizitën e Bajronit viseve të Shqipërisë së jugut si dhe për takimet që pati me ta, autori anonim i artikullit vëren: “Për ish koha e Ali Pashës, fytyra e të cilit e kish tërhequr vërejtjen e njerëzve të mëdhenj, që ai kohe luanin me fatet e gjithë botës. Kur erdhi në Janinë u ftua prej Ali Pashës t’i bëjë një vizitë në qytetin e tij të lindjes, Tepelenë, dhe aty ka ardhur në kontakt për të parën herë me shqiptarët. Në veprën e tij të njohur ‘Childe Harold’s Pilgrimage’, ka këto fjalë për shqiptarët: ‘Jam habitur, kur kam parë për të parën herë shqiptarët, nga shëmbëllimi i tyre me malësorët e Skocisë në veshje, shtat dhe në mënyrën e rojtjes”“.[103] Në fund të artikullit bëhet fjalë për letrën e Bajronit dërguar nga Shqipëria, për shoqëruesit shqiptarë të Bajronit, Dervishin e Vasilin, për miqësinë, sinqeritetin dhe besnikërinë e shoqëruesve shqiptarë dhe për bukurinë e shqiptarëve (në një mënyrë të përgjithshme).

Në mars të vitit 1944, në revistën kritike “Kritika”, u botua një shënim i vogël me titullin: “Byron, Shqipnija dhe shqip­tari”[104], shkruar nga Arshi Pipa. Në këtë shënim është dhënë edhe strofa e tridhjetë e tetë, e dyzet e dytë dhe gjashtëdhjetë e pestë e këngës së dytë të “Çajld Haroldit”. Në formën e një komenti të vogël, në këtë shënim flitet për shtegtimin e Çajld Haroldit, me ç’rast theksohet se Çajld Haroldi, në shtegtim e sipër, arriti në brigjet e Shqipërisë së jugut. “Pamja qi atij i paraqitet asht aq e bukur, aq kreshnike, sa shpërthen i dalldi­sun: ‘Tokë e Shqipnisë…’”[105], thuhet në shënim. Entuziazmi i poetit anglez me trevat që i viziton përshkruhet me fjalë të këtilla: “Malet e saja i duket se ja kalojnë Parnasit, luginat e saja, Tempës. Një jetë e re i shfaqet me tjera besime, me tjera zakone. Viziton brigjet e Sulit, i pritun fisnikërisht prej Suliotëve të rreptë. Mandej futet më thellë nëpër Vjosën, ma i bukuri i gjithë lumenjve të Ballkanit, i duken në një mbrëmje minaret e Tepelenës. Këtu rrinte Ali Pasha, princi i Epirit. Byron-i mbeti fort i knaqun nga pritja që i bani ‘Luani i Shqipnis’. Ndërmjet shentinash e vallesh, ndërmjet këngësh e lutjesh myezinësh (ishte atëherë moji Ramazanit), Byron-i kaloi do kohë të kanshme te Ali Pasha. Dhe i mbeti ç’atëherë nji dashuni e frotë për ‘vendin e Shqipevet’”.[106]

Pas revolucionit popullor, në mesin e shqiptarëve, fillon faza kulminante e popullaritetit të Bajronit. Në këtë fazë nuk shkruhen vetëm artikuj, vështrime dhe trajtesa më të argu­mentuara, më të gjata e më të mira por, në të njëjtën kohë, edhe veprat e Bajronit, pjesërisht më në fund, ua tërheqin vëmendjen përkthyesve tanë, më eminentë e më të mirë. Është kjo fazë kur poezia e Bajronit vërtet nuk ushtron ndonjë ndikim por, megjithatë, “Çajld Haroldi” i tij përkthehet në shqipe, jeta e vepra e Bajronit ndriçohen nga një aspekt i ri publicistik e historik, ndërsa fama e Bajronit në mes të shqiptarëve justifi­kohet me zërin e të dhënave dhe argumenteve. Njëherësh, poetët tanë bashkëkohës jo vetëm që citojnë vargje të tëra nga “Çajld Haroldi” i Bajronit (siç bënin dikur Mis Durham ose Xhezf Suajri në veprat e tyre mbi shqiptarët), por disa i kushtojnë kujtimit të Bajronit poezi të tëra.

Një meritë e veçantë, në këtë mes, i takon, pa pikë dyshimi, Skënder Luarasit.[107] Skëdner Luarasi jo vetëm që bëri përpjekje të pareshtura për ta pasuruar kulturën tonë me veprën letrare të Bajronit, por disa herë shkroi artikuj dhe punime mbi jetën dhe poezinë e Bajronit. Në këtë mënyrë, në këtë fazë të popu­llarizimit të Bajronit mes shqiptarëve, ai u bë një ndër popullarizuesit dhe përhapësit më të spikatur të porosive dhe të fjalës poetike të Bajronit ndër ne ngaqë, si atëherë kur e shqiptonte “Çajld Haroldin”, ashtu edhe atëherë kur shkruante për Bajronin, ai i qasej Bajronit me dashurinë e flaktë të një njohësi të poezisë bajroniane dhe shijen e një shqipëruesi dhe artisti erudit.

Në një numër të revistës “Nëndori”, të vitit 1955, Skënder Luarasi e përktheu dhe e botoi letrën tanimë të njohur të Bajronit për shqiptarët (dërguar nga Preveza, më 22 nëntor 1809). Mirëpo, Luarasi kësaj radhe e botonte letrën të tërë, pa farë shkurtimesh dhe, në të njëjtën kohë, shqipëron tridhjetë strofa spenseriane dhe katër strofa katër vargjesh me frymëzim në këngët popullore shqipe të këngës së dytë të “Çajld Haroldit”.[108] Natyrisht, Luarasi, tok me shqipërimet e tij, jep edhe një koment apo vështrim mjaft me vend mbi shtegtimin e Bajronit nëpër Shqipërinë e jugut, mbi letrat që i shkroi Bajroni nga Shqipëria, mbi botimin e “Çajld Haroldit” dhe suksesin që pat kjo vepër e Bajronit fill pas botimit etj. “Në qershor të vitit 1809, – shkruan Luarasi, – kur Europa kishte kohë që zjente nga luftrat e Napoleonit, Bajroni njëzet e një vjeçar u nis për udhëtimin e tij të famshëm drejt Orientit. Pasi vizitoi Portu­galinë e Spanjën jugore qëndroi me luftanije engleze nëpër Gibraltar për në Prevezë, Shqipëri, i shoqëruar nga Gam Hobhause. Të dy miqtë udhëtuan me kalë drejt kryeqytetit të Shqipërisë së Jugës, Janinës dhe, së këtejmi, për në Tepelenë, ku i priti Ali Pasha. Pas tri ditësh u kthyen po asaj udhe: nga Kanina për në Prevezë lundruan me një anije turke, sa s’u mbytën, zbritën në stere, me kalë, arritën në Prevezë dhe nën mbrojtjen e tridhjetë e pesë shqiptarëve, kaluan në Greqi”.[109] Gjatë udhëtimit të tij Bajroni u shkroi miqve disa letra mbi Shqipërinë. Luarasi jep pjesë edhe nga disa letra të tjera të Bajronit në të cilat bëhet fjalë për shqiptarët. “N’udhëtim e sipër, – vazhdon Luarasi, – sot në një pallat e nesër në kasolle lopësh, këtë ditë me një pasha e tjetrën me një bari, Bajroni u shkroi miqve shumë letra: pothuaj se në të gjitha përmend Shqipërinë e shqiptarët me dashuri të madhe”.[110] Më tutje, Luarasi shton: “Duke u larguar nga Shqipëria Bajroni përshkoi Akarnaninë, kapërxeu Aeolian, lumin Ahelos dhe më 21 nëntor arriu në Mesolonjë, ku 16 vjet më vonë do të jepte jetën për Greqinë. Atje ktheu për në shtëpi të tyre gjithë shqiptarët që e përcuall, vetë jo, Dervishin që mbeti me të sa kohë që poeti qëndroi n’Orient… Gjatë udhëtimit shkroi një ditar në vargje të cilin e pagëzoi me titullin ‘Shtegtimi i Çajld Haroldit’. S’kish ndër mend ta botonte, por shokët e tij të entuziazmuar ia rrëmbyen nga duart dhe e dërguan në shtyp. Këngët e para dhe e dyta duallën në dritë dhe u pritën me lëvdatë të madhe. Bajroni u zgjua atë mëngjes dhe pa se qe bërë i famshëm. ‘Çajld Haroldi’ e bëri dhe Shqipërinë tonë të njohur në gjithë botën e qytetëruar”.[111]

Në të njëjtin vit, në “Antologjinë e letërsisë së huaj”, të botuar në Prishtinë,[112] ka zënë vend një vështrim për Bajronin. Pas vështrimit të shkurtër, botohet letra e Bajronit nga Preveza. Është interesant se në fillim të këtij vështrimi thuhet: “Kushtet e mjerueshme të rrethit të vet e bënë Bajronin mizantrop dhe urrejtës të të gjithë atyne që e kishin zili për sukseset në letërsi. Luftërat individuale të rrethit të tij kanë ndikuar shumë në shpirtin e këtij shkrimtari shka ban që të shprehet me humor thërres kundra armiqve vetjakë”.[113] Pos kësaj, në këtë vështrim bëhet fjalë për fazat e ndryshme të krijimtarisë së Bajronit. Vështrimi përfundon me këto fjalë: “Në veprat e tij Bajroni shquhet për hovin dhe fuqinë satirike. Megjithëse janë çmue dhe dasht nga publiku anglez dhe i jashtëm dhe kanë ndikue me të madhe në letërsinë romantike të popujve të tjerë. Vdiq në Greqi tue ndihmue luftarët grekë në luftën e tyne për pamvarësi”.[114]

Në vitin 1956 del, për të parën herë nga shtypi, “Çajld Haroldi” i Bajronit në gjuhën shqipe.[115] Përkthyesi i kësaj vepre të Bajronit është Skënder Luarasi. Përkthimit i paraprin një hyrje mbi jetën dhe veprimtarinë e Bajronit. Me këtë rast, do të përpiqemi të shquajmë disa pjesë të rëndësishme të hyrjes së përkthimit që, marrë në tërësi është, në fakt, një punim interesant, i shkurtër mbi Bajronin. Në pjesën e parë të hyrjes bëhet fjalë për biografinë dhe veprimtarinë letrare të Bajronit në përgjithësi. Në pjesën e dytë të hyrjes, me titull “Çajld Haroldi”, Luarasi jep disa vlerësime të qëlluara mbi këtë vepër të Bajronit. “Jeta e Bajronit, – shkruan ai, – e këtij Prometheu të shekullit XIX, siç e ka quajtur Bjelinski, është lidhur ngushtë me krijimtarinë e tij, prandaj duhet edhe ta njohim mirë që t’i kuptojmë si duhet veprat e tija”.[116] Vërejtje mjaft me vend, meqë fare pak historianë të letërsisë e kritikë ia kanë dalë mbanë ta shqyrtojnë veprën bajroniane pa përmendur të dhëna nga jeta me përmbajtje mjaft e pasur e Bajronit. Paskëtaj, Luarasi vëren: “‘Shtegtimi i Çajld Haroldit’ është ndër punët letrare më të mëdha të Bajronit. Vetë autori thotë në dedikimin e këngës së katërt se është më e gjata, më e menduara dhe më e kuptuara nga hartimet e mia”.[117] Të tjerë studiues, ndërkaq, shprehin mendim tjetër. Luarasi, duke bërë fjalë për rëndësinë e poezisë së Bajronit, shënon: “‘Çajld Haroldi’ zë vend të posaçëm në veprat e Bajronit. Është një poemë me temë të gjerë shoqërore, nuk është vetëm një tregim mbi fatin e heroit romantik, po edhe një temë politike. Etja për liri politike, urrejtja kundër shoqërisë aristokratike-feudale, përbëjnë thelbin kryesor të poemës. ‘Çajld Haroldi’ u bë emër i përgjith­shëm i heroit romantik, i njeriut të ri të vetmuar, të pakënaqur me gjendjen aktuale, të deziluzionuar”.[118]

Sipas fjalëve të Luarasit, “Çajld Haroldi” në dy këngët e para, ka etje për liri[119] dhe, i zhgënjyer në botën e “pasurive dhe varfërisë së mjerë, ikë nga shoqëria e vet, ëndërron vetminë dhe merr arratinë në vise të tjera. Ikën nga njerëzit, – thotë Luarasi, – vete në male, kënaqet nga zhurma e dallgëve të detit, e mahnit stuhia e tërbuar. Vetëm njerëzit e thjeshtë, njerëzit trima liridashës, e tërheqin Çajld Haroldin. Me ç’zemër të ngrohtë i kujton bijtë e Shqipërisë..”.[120] Duke bërë fjalë për këngën e dytë të “Çajld Haroldit”, Luarasi thotë se në të këndohet për Shqipërinë dhe Greqinë e robëruar, që ka humbur madhështinë, lirinë dhe shkëlqimin e dikurshëm. Pastaj në të dy këngët e “Shtegtimit të Çajld Haroldit”, Bajroni përshëndet daljen në skenë të forcave përparimtare, ngritjen e masave popullore, mbrojtjen e lirisë.[121] Sa i përket vlerës së poemës, Luarasi thotë se poema në fjalë ka një stil të pasur mjaft të larmë dhe të dendur me metafora. Në të njëjtën kohë ai shpreh mendimin se trajtat e ngjeshura të shumë vargjeve të kësaj poeme e bëjnë pak të vështirë poemën për ta kuptuar.[122]

“Mirëpo, – vazhdon Luarasi, – tema interesante që përmban elemente nga gjithë degët e poezisë, e rrëmben me forcë të madhe lexuesin. Që në krye e gjer në fund, poema është epike në stil, ka përshkrime idilike të viseve, të jetës e të zakoneve, por ka edhe elemente lirike, kur poeti shpërthen me vrull në ndjenjat personale, pjesët retorike, mongolët, apostrofimi i personazheve të përmendur janë dramatike. Nga këngët, e para është melodramatike, e dyta poetike, e treta vë në dukje romantikën në natyrë, e katërta romantikën në histori dhe në art, ndonëse të gjitha përshkohen, pak a shumë, nga gjithë këta elemente”.[123] Luarasi, sipas asaj që pohon, si bazë për këtë shqipërim ka përdor “Çajld Haroldin” në edicionin e Tozerit, përkthimin në gjermanishte të Oto Gilde Majsterit dhe një version rusisht të vitit 1951 të “Çajld Haroldit”.

Në vitin 1959, me rastin e njëqind e pesëdhjetëvjetorit të vizitës së Bajronit disa viseve shqiptare, të përkohshmet shqipe botojnë një varg artikujsh dhe shënimesh mbi Bajronin. Kjo është një kaptinë e re e popullaritetit të poetit të madh romantik anglez në traditën tonë kulturore. Kështu, fjala vjen, e përdit­shmja “Zëri i popullit”, më 17 tetor boton një artikull me titullin “Bajroni në tokën shqiptare”. “Po mbushen 150 vjet, – fillon artikulli, – që kur poeti i madh anglez Lord Bajroni vizitoi Shqipërinë, Greqinë dhe Turqinë. Ai shkoi në Janinë dhe prej andej me kalë u nis për Tepelenë kur u prit nga Ali Pasha”.[124] Më tutje, në këtë artikull, thuhet: “Poeti i shquar romantik revolucionar i këndoi me dashuri natyrës së bukur shqiptare dhe virtyteve të larta burrërore dhe fisnike të shqiptarëve. Në konflikt me shoqërinë reaksionare angleze të kohës, Lord Bajroni ka folur me tallje për shtresat e larta të shoqërisë angleze. Me rastin e 150 vjetorit të ardhjes së Lord Bajronit në vendin tonë, ne po botojmë këtu disa fragmente të nxjerra nga ‘Çajld Haroldi’ dhe që kanë të bëjnë drejt për së drejti me Shqipërinë”.[125] Me këtë rast botohen dhjetë strofa nga kantoja e dytë e “Çajld Haroldit” shqipëruar nga Luarasi.

Po në këtë numër të “Zërit të Popullit” botohen edhe disa lajme dhe informata mbi Bajronin. Pothuaj një faqe e tërë e “Zërit të Popullit” është përplot me informata mbi Bajronin. Informata që ta mbërthen vëmendjen ka titullin: “Kujtimit të Bajronit”. Në të shkruan: “Tepelenë, 17 tetor. Sot, në muret e kështjellës historike të Tepelenës, u vendos një pllakë mermeri në kujtim të Bajronit, poetit të shquar englez, i cili 150 vjet më parë vizitoi vendin tonë, ku kaloi disa ditë si mysafir i Ali Pashë Tepelenës. Në krye të pllakës është skalitur fytyra e poetit të madh dhe më poshtë lexohen fjalët e tij në vargje për Shqipërinë: “Të rreptë bijtë e shqipes’ shkëmbijt e tyre s’janë më të patundur nga ata në çast rreziku dhe nevojë, kur besa e nderi i thërret të derdhin gjakun, si trima turren”.[126]

E nën pllakë shkruan: “150 vjet më parë, poeti i madh englez, Bajron, kaloi këtej dhe me dashuri të zjarrtë këndoi virtutet e popullit shqiptar dhe bukuritë e vendit tonë.

17 tetor 1959”.

Në të njëjtën informatë mësojmë se me rastin e inaugurimit të pllakës përkujtimore u mbajt një miting përkujtimor, në të cilin morën pjesë me qindra punonjës, banorë dhe nxënës, dhe me këtë rast shkrimtari Zihni Sako foli mbi jetën dhe aktivitetin letrar “të mikut të vjetër të popullit tonë, Bajronit”, ndërsa mysafiri amerikan, shkrimtari përparimtar, Arthur Kahn, ndër të tjera, kishte thënë: “Jam shumë i gëzuar që marrë pjesë në këtë miting përkujtimor. Unë kam një respekt të madh për Bajronin, jo vetëm sepse ai ka shkruar në gjuhën time, por edhe sepse ka qenë poet i shquar humanitar. Bajroni ka thënë në kohën e tij se liria nuk do të vijë vetë, ajo do të fitohet me luftë e përpjekje dhe do ta jetojnë fëmijët e fëmijëve tanë. Unë erdha në Shqipëri 150 vjet pas Bajronit, pikërisht kur jetojnë fëmijët e fëmijëve të tij. Bajroni zbuloi zemrat e shqiptarëve, aftësitë e popullit dhe i këndoi ato në veprat e tij..”.[127] Pas kësaj infor­mate në fjalë, na njofton se një grup çupash kishte vendosur lule pranë pllakës përkujtimore, ndërsa nxënësit e shkollës njëmbë­dhjetëvjeçare kanë recituar pjesë mbi Shqipërinë nga veprat e Bajronit. Në këtë faqe të “Zërit të Popullit” botohet edhe një informatë tjetër, me titullin “Mbledhje kushtuar poetit të madh englez Gj. Bajron”. Nga kjo informatë mësojmë se në Tiranë, në sallën e Klubit të Shkrimtarëve dhe Artistëve të Shqipërisë, qenka mbajtur një mbledhje përkujtimore kushtuar Bajronit, i cili “ka kënduar virtytet e popullit shqiptar”. Me këtë rast mbi jetën dhe veprat e Bajronit kishte folur shkrimtari Andrea Varfi, pastaj edhe mysafiri amerikan Arthur Kalin. Në fund është dhënë edhe një program letrar-artistik gjatë të cilit qenkan recituar pjesë nga poema “Çajld Harold”.[128]

Në të përditshmen tjetër të RP të Shqipërisë, “Bashkimi”, një faqe e tërë e gazetës i kushtohet njëqind e pesëdhjetë vjetorit të vizitës së Bajronit Shqipërisë. Në të gjendet edhe një portret i bukur i Bajronit, një lajm i Agjencisë ATSH, me titullin “Në muret e kështjellës së Tepelenës vendoset një pllakë përkujti­more kushtuar poetit përparimtar anglez Bajronit”.[129] Në këtë lajm flitet mbi vizitën e Bajronit mes shqiptarëve, mbi takimin e tij me Ali Pashë Tepelenën dhe mbi pllakën përkujtimore të venë në muret historike të kështjellës së Tepelenës. Në të njëjtin lajm flitet edhe për ceremonitë që u bënë me rastin e inau­gurimit të pllakës përkujtimore. Me këtë rast botohet strofa e dyzetë e dytë e këngës së dytë si dhe tri strofat, “Tamburxhi! Tamburxhi!” të këngës së dytë të “Çajld Haroldit”. Në një shënim tjetër të faqes së njëjtë me titullin “Mbledhje kushtuar poetit të madh anglez Bajron”, mësojmë për mbledhjen e organizuar nga Lidhja e Shkrimtarëve dhe Artistëve e Shqipë­risë në shenjë përkujtimi të vizitës së Bajronit Shqipërisë para njëqind e pesëdhjetë vjetësh.

Në një numër të “Nëndorit” të vitit 1959, në kronikën kulturore, botohet artikulli i titulluar “Kujtimit të Bajronit”.[130] Në këtë artikull thuhet: “Njëqind e pesëdhjetë vjet më parë poeti i madh englez, G. Bajron, vizitoi vendin tonë, e kaloi disa ditë mysafir i Ali Pashë Tepelenës. Bukurinë e vendit tonë dhe virtytet e shqiptarëve, që pa dhe i njohu n’ato ditë, poeti i përjetësoi në veprën e ‘Çajld Haroldit’ dhe në letrat që i dërgonte s’ëmës. Për ta përkujtuar këtë ngjarje më 17 tetor, në muret e kështjellës historike të Tepelenës, t’asaj kështjelle ku a ai kaloi ditët si mysafir, u vendos një pllakë përkujtimore”.[131] Në artikull bëhet fjalë për mitingun përkujtimor, për fjalën e rastit të Zihni Sakos dhe të shkrimtarit përparimtar amerikan Arthur Kalinit, për buqetat me lule të vendosura pranë pllakës përkujtimore dhe për mbrëmjen përkujtimore të mbajtur në Tiranë.

“Në vitet 1956, – shkruan Vandush Vinçani, në një artikull të tij mbi përkthimet e bëra në gjuhën shqipe deri më 1961, – tingëlluan për herë të parë në shqip vargjet e zjarrtë dhe të bukur të ‘Çajld Haroldit’, të poetit të madh anglez, Bajron. Tashmë janë bërë të paharrueshëm vargjet e ngrohtë me të cilat poeti flet për bijtë e bijat e Shqipërisë”.[132] Me këtë rast botohet strofa e gjashtëdhjetë e pestë e këngës së dytë të “Çajld Haroldit”, në shqipërimin e Skënder Luarasit.

Trajtesë me të vërtetë serioze dhe të thukët, ndërkaq, botoi në muajin maj të vitit 1963, në të përkohshmen “Mësuesi”, Kristo Frashëri.

Trajtesa e Kristo Frashërit titullohet: “Bajroni në Shqipëri dhe takimet e tij me Ali Pashën”.[133] Ky është një punim i argumentuar, i dendur dhe i ilustruar me korrespodencën e Bajronit, ditarin e Hobhauzit dhe burime të tjera. Vizita e Bajronit jepet në formën e një kronologjie. Punimi ka disa pjesë. Udhëtimi i Bajronit përcillet nga atdheu i tij e deri në Shqipëri. Në fillim flitet për udhëtimin e Bajronit nga Anglia nëpër Portugali, Spanjë dhe Mesdhe. Në pjesët e tjera kryesore bëhet fjalë për udhëtimin e Bajronit nëpër Shqipëri, pastaj për takimin e parë, të dytin dhe të tretin me Ali Pashë Tepelenën. Takimet e Bajronit me Ali Pashën janë për­shkruar hollësisht. Punimi fillon me këto fjalë: “Poeti i madh romantik anglez Xhorxh Gordon Lord Bajroni në këngën e dytë të poemës së vet të mrekullueshëm ‘Çajld Haroldi’ i kushton afërsisht 360 vargje Shqipërisë. Nga këto pothuajse 120 vargje kanë të bëjnë me Tepelenën dhe me Ali Pashën. Dihet se këto vargje janë një refleks poetik i përshtypjeve të poetit – shtegtuar nga udhëtimi që bëri në Shqipëri dhe nga takimet që pati buzë Vjosës me vezirin e fuqishëm, në vjeshtën e vitit 1809”.[134] Ky punim orvatet të bëjë edhe një lloj krahasimi mes mikut anglez – Bajronit dhe mikpritësit të tij shqiptar – Ali Pashë Tepelenës. Krahasimi i moshës, prirjeve, tipareve, sukseseve në jetë dhe pozitës së tyre shoqërore, është bërë me mjeshtëri nga Kristo Frashëri. Në fund të punimit të tij, Kristo Frashëri konstaton se udhëtimi i Bajronit në Shqipëri, qëndrimi i tij prej pak ditësh në Tepelenë, njohja me doket, mentalitetin dhe ambientin shqiptar, e sidomos takimet që pati me Ali Pashën, i lanë përshtypje të paharruara Bajronit.[135] Autori i këtij punimi shpreh mendimin se Bajroni, Shqipëria, edhe pse asokohe e prapa­mbetur, iu kishte dukur vend i bukur dhe trevë frymëzimesh. “Shqiptarët të rreptë, – thotë Frashëri, – por, jo të pabesë; me vese, por jo të ulëta dhe të poshtra. Fizikisht janë të fortë, është raca njerëzore më e bukur që ekziston, trima më të fortë se kështjellat e tyre”.[136] Frashëri shkruan se Bajronit i lanë përshtypje edhe mikpritja, sinqeriteti, sjelljet, nderi, çiltëria, individualizmi, krenaria dhe kostumet e shqiptarëve: “Dashuria që fitoi ai për shqiptarët, – e përfundon këtë punim të hollësishëm Frashëri, – u bë e njohur. Poetin anglez edhe shoku i tij, Shelly, e thërriste me emrin përkëdhelës ‘shqiptar’. Emri i Bajronit u bë me kohë i njohur edhe në Shqipëri. Me qindra prindër shqiptarë u vunë fëmijëve të tyre emrin Viron, emri i poetit të pavdekshëm, sipas leximit të emrit Byron me alfabetin greqisht”.[137]

Në “Miqësinë” e 3 marsit të vitit 1964 përkujtohet njëqind e dyzet vjetori i vdekjes së Bajronit. Me këtë rast botohet një portret i vogël i Bajronit, një artikull dhe tri poezi të përkthyera: “Dëshmorit”, “Kënga për suliotët” dhe një poezi nga përmbledhja “Melodi Ebreje”.[138] Në artikullin me titull “Xhorxh Bajron”, vihet në dukje se Bajroni është përfaqësuesi më i madh i poezisë romantike të shekullit të kaluar. Theksohet se poema e tij “Çajld Harold” u thurë lavdi virtyteve, burrërisë dhe cilësive shpirtërore të shqiptarëve, me të cilët kishte kaluar një pjesëz të jetës; citohet një përjetim i tij me rastin e ndarjes së tij nga një shoqërues shqiptar; urrejtja e tij ndaj lordëve dhe dashuria e tij e madhe ndaj popujve. Në fund, thuhet: “Ne sot përkujtojmë 140 vjetorin e vdekjes së këtij ‘Euforioni’ siç e ka quajtur Bajronin Getja dhe përulemi me respekt përpara veprës së tij të pavdekshme”.[139] Revista “Novaja Albanija”, në prillin e vitit 1964, boton në rusishte një artikull të shkrim­tarit bashkëkohës e të shquar, Ismail Kadaresë. Artikulli e ka titullin “Bajroni këndon mikpritjen e shqiptarëve”, ndërsa nëntitulli është “Me rastin e 140 vjetorit të vdekjes së tij”.[140]

Në këtë artikull interesant lexojmë: “Poeti i madh romantik kaloi nga këto anë duke u magjepsur me bukurinë e maleve shqiptare. Në çdo hap të udhëtimit të tij, poeti zbulonte një botë të re dhe të panjohur, të cilën ai e deshi dhe i bëri të pavdek­shme vargjet e veta”.[141]

Në këtë artikull Kadare shkruan edhe për takimin e Bajronit me Ali Pashën, për pllakën përkujtimore të vënë në muret e kështjellës së Tepelenës me rastin e 150-vjetorit të vizitës së Bajronit bërë Tepelenës. Lidhur me vizitën që Bajroni i bëri Ali Pashës, Kadare thotë: “Ali Pashë Tepelena, sundimtari i Shqipërisë së Jugut, e priti Bajronin me nderim të madh. Ky plak luftëtar, i cili ishte regjur me shpatë dhe armë, ky luftëtar analfabet, por i rysur, edhe pse s’dinte ç’është poezia, e priti Bajronin me aso farë respekti saqë ky i fundit u fascinua dhe fascinimin e vet e shprehu në korrespodencën që pat me t’ëmën dhe shokët e vet”.[142] Kadare pohon se Shqipëria, si dhe vendet e tjera të Mesdheut, e frymëzuan poetin Bajron, prandaj ai shkroi “Çajld Haroldin”. Duke vazhduar të shkruajë për Bajronin, Kadare flet për udhëtimin e Bajronit në jug të Shqipërisë, për kalimin e tij afër Gjirokastrës, për pasurimin e përvojës poetike të Bajronit me përshtypje të shumta të pashlyeshme, të cilat do t’i kujtohen Bajronit më vonë, në Anglinë me mjegull. Artikulli mbyllet me këto fjalë: “Tani Xhorxh Gordon Bajroni është mjaft i popullarizuar në vendin tonë. Veprat e tij po studiohen me një interesim të madh nga nxënësit e shkollave të mesme dhe studentët e shkollave të larta, si dhe nga punonjësit tanë. Krijimtarisë së Bajronit u janë dedikuar shumë faqe të librave shkollore”.[143] Në faqen e kësaj reviste, ku botohet ky artikull, janë edhe tri portrete të ndryshme të Bajronit. Në mesin e tyre shquhet portreti i bërë nga piktori italian Vinçence Kamuçini.

Në vitin 1966 Hasan Spahiu botoi një kompilim mjaft të gjatë me titullin “Bajroni në Shqipëri” dhe me nëntitullin “Shënime për Shqipërinë, shqiptarët dhe vdekjen e poetit”.[144] Spahiu vëren: “Poeti i shquar anglez Xhorxh Gordon Bajroni ka lënë një numër letrash dërguar farefisit, miqve dhe shokëve të tij, të cilat hedhin dritë mbi fëmijërinë e tij, mbi jetën në shkolla të ndryshme e më vonë në Universitetin e Kembrixhit. Këto vijnë e shtohen nga numri dhe rëndësia e tyre, kur ai në verën e vitit 1809, së bashku me shokun e ngushtë Xhon Kem Hobhauz, i shoqëruar nga katër vetë, u nis nga skela Falmauth e Anglisë për një udhëtim të gjatë në vise të huaja për ta vizituar kryesisht Orientin”.[145] Spahiu shkruan për udhëtimin e shtegtarëve anglezë nëpër vende të ndryshme, për itineraret e udhëtimit të tyre dhe arritjen e tyre deri në Prevezë. Pastaj shton: “Preveza, që atëherë ishte skela më e rëndësishme e Pashallëkut të Ali Pashë Tepelenës, si duket, pati një fuqi të madhe tërheqëse për të dy shtegtarët anglezë. Ajo i hapte dyert poetit të ri për të parë një botë aq të lashtë dhe të panjohur, siç ishte Shqipëria, dhe për të vizituar e, mundësisht, për të folur goja-gojës me një prijës trim e të zgjuar e të egër e dinak siç ishte Aliu”.[146] Pastaj, me ca shkurtime, Spahiu i përktheu në shqipe letrat e Bajronit që flasin mbi Shqipërinë dhe shqiptarët, të cilat Bajroni ia kishte dërguar të mëmës së tij, Xhon Hansonit, Habhauzit, Henri Drurit e të tjerëve. Pos kësaj, Spahiu përktheu edhe disa shënime në formë të ditarit, mbi çastet e fundit të jetës së Bajronit, ashtu siç kishte shënuar Pjetër Gamba.[147]

Në tregimin e tij “Ëndërrime para Rozafas”, Nonda Bulka citon vargje të strofës gjashtëdhjetë e pestë të këngës së dytë të “Çajld Haroldit”.[148] Vargjet që i citon janë:

Të rreptë janë bijtë e shqipes

Në rast rreziku dhe nevoje

Ata janë më të patundur edhe nga malet e tyre.

Në vitin 1968, në “Zanin e Rinisë”, që nga numri 13 i 30 marsit e deri në numrin e 20 të 11 majit, del në vazhdime një trajtesë e gjatë e titulluar: “Çajld Haroldi ndër shqiptarë”.[149] Në këtë trajtesë bëhet fjalë për jetën e veprimtarinë e Bajronit, për vizitën e tij bërë Shqipërisë, për takimet e tij me Ali Pashën, për përshtypjet tij nga Shqipëria dhe, me këtë rast, shtegtimi i tij nëpër Shqipëri ilustrohet me një sërë vargjesh nga kanto e dytë e “Çajld Haroldit”. Tok me trajtesën botohet edhe një portret i rinisë së Bajronit. “Për, ne, shqiptarët, – përfundon trajtesa, – Bajroni s’është vetëm poet me fjalë të fuqishme poetike, me pasion energjik, poet me famë botërore, por është edhe i pari që zbuloi në letërsi kombin tonë. Ai foli dhe këndoi me admirim për viset arbërore. Ai u frymëzua nga doket dhe jeta e shqiptarëve. Pos kësaj, Bajroni është edhe miku dhe mbrojtësi i madh i shqiptarëve të robëruar, pikërisht në kohën kur për të shkruheshin gjëra të pavërteta dhe të liga, dhe mohohej ekzistimi i kombit tonë. Bajroni ka lënë të dhëna të çmueshme për doket, cilësitë, karakteristikat, tiparet, folklorin dhe sjelljet e shqiptarëve. Këto të dhëna do t’i ndihmojnë Evropës së qytetëruar që ta kuptojë më mirë të kaluarën dhe karakterin e një populli të stërlashtë në pjesën juglindore të Evropës”.[150]

Në “Letërsinë e huaj për shkolla të mesme” një vend i posaçëm i dedikohet edhe Bajronit.[151] Në më se njëzet e pesë faqe flitet për epokën kur lindi Bajroni, jetën, veprën letrare, “Çajld Haroldin”, personazhin e “Çajld Haroldit”, tematikën dhe veçoritë artistike të kësaj poeme, pastaj bëhet fjalë edhe për “Don Zhuanin” e Bajronit, me ç’rast përkthehet “Kënga e tretë”, “Nisitë e Greqisë” e “Don Zhuanit”. Nga “Çajld Haroldi” i Bajronit, me këtë rast, përkthehen pesëdhjetë e dy strofa të ndryshme nga Kanto e parë dhe e dytë. Duke bërë fjalë për vendin e Bajronit në poezinë romantike, autorët e kësaj trajtese pohojnë: “Përfaqësuesit më të shquar të romantizmit përparimtar qenë Bajroni dhe Sheli. Bajroni në veprat e tija të bukura e tronditëse ngriti zërin për të protestuar kundra reaksionit anglez e evropian, poezia e tij zgjonte kudo frymën e revoltës”.[152] Ndërkaq, duke vlerësuar poezinë e Bajronit, auto­rët e trajtesës konstatojnë: “Poezia e Bajronit, poezi e fuqishme, lufta­rake, e zymtë dhe e pajisur me forma të reja poetike, i vuri vulën e saj letërsisë së mbarë vendeve të Evropës. Bajroni u bë ca kohë ‘zot i mendimeve të shoqërisë evropiane’, të një pjesë të shekullit XIX. Influencën e tij pak a shumë e kanë ndierë shkrimtarët francezë si Hygo, shkrimtarë gjermanë si Haine, shkrimtarë italianë si Leopardi etj. Nga shkrimtarët rusë ata që e kanë ndierë më tepër influencën e Bajronit kanë qenë Pushkini dhe Lermontovi”.[153] Edhe me këtë rast bëhet fjalë për temën shqiptare në “Çajld Haroldin” e tij, për përshtypjet nga Shqipëria dhe shqiptarët, për interesimin e tij për këngët popullore shqipe dhe kujtimet e tij nga Shqipëria”.[154] Poezitë e Bajronit i shqipëroi Skënder Luarasi.

Në një edicion të ri të vitit 1970 të “Letërsisë së huaj” Bajroni përsëri e zë vendin e merituar dhe me këtë rast, me mjaft ndryshime, autorët shkruajnë për Bajronin në afro tridhjetë e pesë faqe.[155] Në trajtesën në fjalë, trajtohet epoka, kushtet ekonomike, shoqërore dhe politike të kohës kur lindi Bajroni, pastaj jeta dhe veprimtaria letrare e tij. Në pjesë të veçanta analizohet “Çajld Haroldi”, tematika dhe veçoritë e saj artistike, pastaj komentohen shkurtimisht, “Poemat orientale”, “Shekulli i bronztë” dhe “Don Zhuani”, ndërsa në një kaptinë të veçantë, fare të shkurtër, bëhet fjalë për rëndësinë e Bajronit. Duke bërë fjalë për “Çajld Haroldin”, autorët pothuajse një faqe të tërë i kushtojnë vizitës së Bajronit bërë Shqipërisë dhe tematikës shqiptare në veprën e tij të sipërpërmendur “Çajld Haroldi”, shkruan në këtë trajtesë, “viziton në Shqipëri krahi­nat e jugut dhe takohet me Ali Pashën”. Një vend të mirë zë kështu në këngën e dytë tema e Shqipërisë. Në poemë i ngrehet himn natyrës shqiptare. Natyrën madhështore të Shqipërisë, jetën e saj të thjeshtë e të ashpër, figurën fisnike e të çiltër të burrave shqiptarë, poeti i vendos në një anti­tezë romantike me Anglinë aristokratike-borgjeze, me shpirtin e sa të fitimit e të hipokrizisë, me moralin e shthurur dhe egoizmin qarqeve zyrtare.[156] Më tutje, autorët theksojnë: “Për poetin Shqipëria është ‘atdheu i Skënderit’, ‘që i dërrmoi armiqtë me vepra trimërie të pashoqe’. Poetin e entuziazmojnë trimëria, burrëria, nder­shmëria, drejtësia dhe mikpritja e shqiptarëve. Në mënyrë të veçantë ai i çmon shqiptarët për shpirtin e tyre liridashës dhe për besnikërinë: ‘Ç’armik ua pa shpinën ndonjëherë? Kush e duron aq fort mundimin e luftës? Kalatë e vendit s’janë më të sigurta se vetë ata, në kohë turbullirash. Ç’armiq për vdekje? Po dhe miq besnikë…’”[157] Lidhur me tematikën shqiptare në “Çajld Haroldit”, autorët pohojnë: “Poeti dha një përshkrim poetik të zakoneve, të veshjeve, të këngëve e të valleve popullore shqiptare”.

Në poemë është futur edhe kënga luftarake “Tamburxhi, Tamburxhi”, e ndërtuar sipas motiveve të këngëve popullore shqiptare. Shumë interesante është figura e Ali Pashës, që është dhënë me tërë forcën dhe karakterin e ndërlikuar që kishte.[158] Edhe më interesant është vlerësimi përfundimtar i këtyre autorëve: “Kështu, nëpërmjet vargjeve të frymë­zuara dhe entuziaste të poemës, poeti ua bëri të njohur lexuesve evro­pianë disa prej pamjeve të jetës shqiptare dhe disa prej tipareve karakteristike pozitive të popullit tonë. Po këtu duket edhe kufizimi ideor i poemës, i protestës dhe i idealeve të poetit: duke e kundërvënë tablonë e jetës së shthurur aristokratike, borgjeze angleze, Bajroni nuk jep asnjë program konkret të luftës kundër vendit shfrytëzues të Anglisë dhe njëkohësisht idealizon zakonet dhe mënyrën e jetesës patriarkale-fisnore që pa në Shqipëri”.[159] Duke bërë fjalë për famën e Bajronit në letërsi, autorët konkludojnë: “Bajroni është një figurat më të shquara të letërsisë përparimtare angleze dhe botërore. Veprat e tij lidhen me lëvizjet demokratike e çlirimtare dhe me jetën e shumë popujve të Evropës: me atë të popullit anglez, spanjoll, italian, shqiptar, grek etj. Kjo, si dhe protesta e fuqishme e Bajronit ndaj shtypjes shoqërore e kombëtare, urrejtja ndaj reaksionit, thirrjet e zjarrta liridashëse, ndjenjat e mosnën­shtrimit ndaj shtypjeve, tallja ndaj dogmave fetare, besimi dhe respekti për popujt e ndryshëm, qenë arsyet kryesore të famës së madhe që gëzoi Bajroni në qarqet e gjëra demokratike evropiane. Ndikimi pozitiv i Bajronit vazhdon edhe më pas. Më 1845 Engelsi shkruante: “Sheli dhe Bajroni me ndjenjën e tyre të zjarrtë dhe satirën e hidhur ndaj shoqërisë bashkë­kohore, më të shumtën e lexuesve e kanë ndër punëtorët”.[160] Të pesëdhjetë e pesë strofat e ndryshme nga Kanto e parë dhe e dytë, në këtë edicion, janë shqipëruar nga Alqi Kristo.

Në librin “Letërsia e huaj”, të përpiluar nga N. Gami, Bajronit i dedikohen më se tridhjetë e tri faqe.[161] Gami flet për jetën, fillimet e krijimtarisë, pikëpamjet estetike, ndërsa më gjerësisht e analizon poemën “Shtegtimet e Çajld Haroldit”, më parë kanton e parë dhe të dytë, e pastaj kanton e tretë dhe të katërt. Më tutje, si e analizon figurën e Çajld Haroldit, flet për veçoritë artistike të poemës dhe më pas shkruan për “Poemat e Lindjes”, për periudhën e dytë të dramaturgjisë së Bajronit, për “Manfredin”, “Marino Faljerin”, “Kainin”, “Qiellin dhe Tokën”, “Vizionin e Gjyqit” dhe “Don Zhuanin”. Në fillim të këtij punimi Gami thekson: “Bajroni është përfaqësonjësi më tipik i romantizmit dhe një nga shkrimtarët më të denjë të shek. XIX. Vepra e tij luajti një rol të rëndësishëm në zhvillimin e romantizmit në të gjitha vendet e Evropës. Një popullaritet të gjerë gëzon termi ‘bajronizëm’, i krijuar nga fryma e veprave të tij të para, që shprehte gjendjen e deziluzionit dhe të brengës, lidhur me revoltën indivi­duale”.[162] Edhe në këtë punim përmend vargjet kushtuar Shqi­përisë si dhe tematikën shqiptare në “Çajld Haroldin” e Bajronit.[163] Çdo pjesë e këtij punimi përcillet me një sërë citatesh të shqipëruara nga veprat e ndryshme të Bajronit. Pos analizës dhe interpretimit bashkëkohës të poezisë bajroniane, Gami i kushton një vëmendje të madhe vënies në pah të porosive revolucionare të poezisë bajroniane. Në përfundim të punimit, Gami thotë: “Bajroni zë një vend nderi në letërsinë angleze së bashku me Shekspirin dhe Dikensin. Poezia e tij ishte pasqyrim i epokës në të cilën jetoi, i kontradiktave të saj, të papërmbajtshme drejt së ardhmes. Në poezinë e tij gjejmë paralajmërime profetike për të ardhmen e njerëzimit. Veprat e Bajronit dhe ato të Shelit, sidomos peshkoheshin drejtpërdrejt nga fryma e luftës politike, gëzonin një popullaritet të madh në rrethet e punëtorëve”.[164] Në fund të këtij punimi të gjerë dhe të thuktë, Gami bën këtë vërejtje: “Bajroni qe një luftëtar i madh i lirisë, por e kuptonte atë në një formë abstrakte romantike, duke e paraqitur si një stuhi të pazbutshme, si liri shpirtërore, si apoteozë e rebelimit individual, ose e veshi me petka mitike. Individualizmi përbën pikën më të dobët të botëkuptimit të shkrimtarit”.[165]

Refik Kadija, në studimin e tij në gjuhën angleze, “Historia e letërsisë angleze dhe amerikane”,[166] të botuar më 1971, në tridhjetë e pesë faqe shkruan për vendin e Bajronit në letërsinë botërore në përgjithësi dhe në atë angleze në veçanti, për rolin dhe popullaritetin e poezisë së Bajronit, për jetën dhe veprat e tij në tërësi, për fazën e parë të krijimtarisë së tij, për “Çajld Haroldin” e tij, për “Poemat orientale”, për fazën e dytë të krijimtarisë së Bajronit, për “Manifredin”, “Kainin”, “Të burgosurit e Shilonit”, “Vizionin e Kjametit”, “Epokën e bronxit”, “Don Zhuanin” dhe, më në fund, jep një konkluzë të posaçme. Edhe Kadija shkruan për përshtypjet, kujtimet dhe frymëzimet e Çajld Haroldit nga Shqipëria dhe shqiptarët. Me këtë rast, Kadija thekson mikpritjen, atdhedashurinë, lirida­shësinë dhe trimërinë e shqiptarëve që më së tepërmi i lanë përshtypje Bajronit gjatë shtegtimit të tij. [167] Që në fillim të punimit të tij Kadija e çmon lart Bajronin si poet, duke thënë: “Bajroni është njëri ndër kulminacionet poetike në letërsitë e të gjitha kohrave”.[168] Sa i përket ndikimit dhe popullaritetit të tij, ai pohon: “Ai qe ndër të parët i cili ndikoi në Evropë dhe ndikoi më së tepërmi në letërsi. Miqtë e lirisë, më mbarë botën e idealizon atë për pasionin e tij, stigmatizimin e tij të ‘hipo­krizisë politike, religjioze dhe morale’. Me të vetmin përjashtim të Shekspirit, Bajroni, nga të gjithë poetët anglezë, është ai të cilin lexuesit shqiptarë e njohin më së miri. Mirëpo, në vendin e tij, pozita e tij s’është e sigurt për shumë arsye”.[169] Duke e komentuar rolin e veprës poetike të Bajronit, Kadija thotë: “Vepra letrare e Bajronit luajti një rol jashtëzakonisht të madh në zhvillimin e romantizmit në të gjitha vendet evropiane. Pikërisht ai e përfaqëson më së miri në letërsinë angleze ‘pikëllimin e shekullit’, ndofta veçorinë me karakteristikë të romantizmit ndërkombëtar. Termi ‘bajronizëm’, i krijuar nga fryma e veprës së tij të hershme, gëzon një popullaritet të gjerë. Ai shpreh deziluzionimin dhe melankolinë romantike, të lidhur me protestën e individualizmit”.[170] Në konkluzën e punimit të tij, Kadija flet për motivet dhe porositë e veprës poetike të Bajronit. “Në veprat e tij, – thotë ai, – Bajroni profetizon të ardhshmen e njerëzimit, lufton pareshtur tiraninë dhe mbështet lirinë individuale dhe shoqërore. Poeti i madh e shtriu dorën e fuqishme të poezisë së tij turmave të gjëra të popullit, të cilat nga ana e tyre, e morën dhe e shtrënguan atë si miq dhe e përdorën ndihmën e tij fisnike sa herë që iu dha rasti”.[171] Qëndrimi kritik dhe bashkëkohor i Kadisë, spikatet në këto fjalë të konkluzës së tij: “Bajroni ishte një luftëtar i madh dhe i flaktë i lirisë, mirëpo ai e interpretoi atë në një mënyrë abstrakte dhe romantike duke e paraqitur atë si një shtrëngatë utopike, si një liri shpirtërore, si luftën e kryengritësit individual ose në formën e mitit”.[172]

S’ka dyshim se ky është një ndër punimet më serioze dhe më integrale për Bajronin të shkruar deri më tani nga njohësit shqiptarë të Bajronit. Mendimet, konstatimet dhe argumentet e Kadisë janë mjaft bindëse, por na thotë mendja se do të duhej të jepeshin edhe burimet ose referencat e burimeve në të cilat është mbështetur punimi në fjalë. Sidoqoftë, qasja e Kadisë bërë veprës së Bajronit, interpretimet dhe vlerësimet e tij, e pasurojnë edhe më tepër traditën që bëri ky poet roman­tik anglez në kulturën tonë.

Në përmbledhjen e poezive të tij “Feniksi”, të botuar më 1972, poeti Agim Vinca, duke dashur ta spikasë simbolikën e qëndresës së popullit shqiptar gjatë rrebesheve dhe furtunave të së kaluarës, merr si moto tri vargjet e strofës së gjashtëdhjetë e pestë të këngës së dytë të “Çajld Haroldit”, ku thuhet se shqiptarët janë të rreptë dhe, në rast rreziku, mund të bëhen më të patundur se malet.[173]

Me rastin e njëqind e pesëdhjetëvjetorit të vdekjes së Bajronit, më 1974, në Angli dhe në disa vende të tjera të Evropës, sidomos në ato vende ku jetoi dhe nëpër të cilat kaloi Bajroni, u botuan një sërë artikujsh e punimesh; u organizuan mbrëmje përkujtimore, seanca jubilare, semi­nare dhe simpoziume; u organizuan vizita në vendet që i kishte vizituar Bajroni dikur (Greqisë dhe Italisë), për të gjithë studiuesit e interesuar të Bajronit; u mbajtën një sërë koncertesh muzikore sipas lirikave të tij; u organizua një ekspozitë e gjërave që i deshi dhe i mblodhi dikur Bajroni dhe dolën dy numra të revistës “The Byron Journal”, ndërsa i treti doli në fillim të këtij viti.[174]

Edhe në kulturën shqiptare Bajronin e ringjallë interesimi i cili, si u pa deri më tani, i ka rrënjët e thella. Kësaj radhe Bajroni përkujtohet sërish mes shqiptarëve me artikuj, punime dhe shqipërime të ndryshme të poezive të tij. Kështu, në një numër të së përkohshmes “Drita”, shënohet njëqind e pesë­dhjetëvjetori i vdekjes së Bajronit.[175] Me titullin “150 vjetori i vdekjes së Bajronit”, Harallmab Qesko e përkujton poetin e madh anglez, me ç’rast boton edhe shqipërimin e qëlluar të “Prome­theut” të Bajronit. Qesko e fillon kështu artikullin e tij: “Kaluan një shekull e gjysmë që nga vdekja e Xhorxh Gordon Bajronit (1788-1824). Poet i shquar i kohës së vet, ai vjen deri në ditët tona me patosin e fortë për lirinë e popujve e për drejtësi shoqërore”.[176] Më pas, Qesko thotë: “I lidhur me lëvizjen çlirimtare të kohës, ai i këndoi luftës me armë në dorë kundër tiranisë dhe jo më kot reaksioni anglez e ndoqi dhe vazhdoi ta ndjekë edhe pas vdekjes. Por, ai mbeti dhe jetoi si një poet i shquar romantik përparimtar”.[177] Pasi citon mendi­min e Engelsit mbi popu­llaritetin e Bajronit mes punëtorëve, Qesko thotë: “Për lexuesin shqiptar, Bajroni është veçanërisht i afërt, sepse në vargjet e tij gjetën shprehje aspiratat e popullit tonë për liri e pavarësi, u pasqyruan tiparet fisnike e luftarake të tij”.[178]

Në të përkohshmen “Ylli”, të prillit të vitit 1974, Afrim Kragjozi shkruan një artikull me titullin: “Dashuria për Shqipërinë dhe shqiptarët” me nëntitullin: “150 vjetori i vdekjes së Xhorxh Bajronit”.[179] Në këtë artikull Karagjozi vë në dukje se Bajroni jo vetëm që e vizitoi Shqipërinë por, në njëjtën kohë, la edhe shënime lidhur me ta dhe i përmendi ata në letrat e veta që i dërgoi nga shtegtimi. Këto shënime të tij, sipas autorit të artikullit, janë me vlerë dhe e kanë rëndësinë e tyre. Karagjozi shkruan se nuk kishte të dhëna që të provojë se Bajronit i kishte shkuar në mendje ta vizitonte Shqipërinë, por “dimë vetëm që ai kishte lexuar mjaft gjëra për historinë dhe zakonet e shqiptarëve dhe veçanërisht për Skënderbeun dhe Ali Pashën”.[180] Më pas karagjozi e përmend letrën e gjatë të Bajronit, të dërguar nga Preveza dhe, duke bërë fjalë për përshtypjet e Bajronit, ai thotë: “Një përshtypje të veçantë i lanë Bajronit vallet dhe këngët shqiptare. Kuptohet, ai u njoh gjatë rrugës me këngën labe, me të kënduarin e saj të veçantë, aq shprehës. Disa prej tyre i shkroi dhe i mblodhi. Ngaqë i pëlqenin, disa prej tyre i kishte mësuar përmendsh dhe i këndonte shpesh, vite më pas, kur kishte mërguar në Zvicër, aq sa të afërmit e mbiquajtën ‘Shqiptari’”.[181] Pos kësaj, Karagjozi shkruan për atë se çfarë i pëlqeu Bajronit nga virtytet e shqiptarëve dhe konstaton: “Ndonëse kanë kaluar shumë vjet, ato që shkroi për ne Xhorxh Bajroni mbeten gjithmonë të bukura, të çmuara dhe frymëzuese sepse në to ne shikojmë virtytet tona, gjejmë thesaret e bukura të urtësisë së shqip­tarëve, trimërinë, guximin, të njohura në kohë lufte e në kohë paqeje. Bajroni pa tek populli ynë një komb të fortë dhe vital që e dashuronte lirinë. Kjo dashuri e madhe e poetit të shquar romantik anglez, ka bërë që kënga për Shqipërinë të dallohet si perlë në morinë e kapitujve të ‘Çajld Haroldit’, si një nga më të frymëzuarat dhe më të realizuarat, që ngjallë kurdoherë krenari dhe emocione”.[182]

Artikullin e tij Karagjozi e përfundon me citimin e strofës së tridhjetë e tetë të këngës së dytë të “Çajld Haroldit”.

Nexhip Gami, në numrin e prillit të revistës “Nëntori”, boton një punim shtatë faqesh me rastin e 150-vjetorit të vdekjes së Bajronit.[183] Punimi i tij: “Xhorxh Gordon Bajroni” fillon me vlerësimin e rëndësisë së Bajronit poet. “Bajroni është përfa­qësuesi më i shquar i romantizmit në Angli dhe një nga shkrimtarët më të mëdhenj të shekullit XIX”, pohon Gami dhe vijon: “Vepra e tij pasqyron hovin e lëvizjes çlirimtare në Angli dhe në Evropë, patosin revolucionar dhe kontradiktat e saj, shpresat për një fitore të afërt të çështjes së lirisë dhe dëshpë­rimin përpara triumfit të përkohshëm të forcave të reaksionit politik”.[184] Duke folur për Bajronin, si zërin e epokës roman­tike, Gami thotë: “Ndofta asnjeri nga shkrimtarët bashkëkohës nuk arriti të paraqes ashtu si Bajroni fizio­nominë e dridhshme të epokës së vet. Zigzaget karakteristike të periudhës kalimtare që çonte në vendosjen përfundimtare të marrëdhënieve kapita­liste në vendet më të zhvilluara të Evropës, në zëvendësimin e shtypjes së vjetër feudale (a feudo-borgjeze në një vend si Anglia) me një shtypje të re më të rafinuar, por jo më pak të rëndë e çnjerëzore. Prandaj ai ndikoi aq shumë në zhvillimin e mëtejshëm të romantizmit – veçanërisht të romantizmit përparimtar, në shumë vende të botës. Targën e poezisë së tij e dallojmë te Sheli e Hajneja, te Pushkini e Lermontovi, te shumë romantikë francezë e te poetët çartistë”.[185] Pos kësaj, në këtë punim Nexhip Gami bën fjalë mbi kohën kur jetoi Bajroni, kushtet ekonomike, politike dhe shoqërore të asaj kohe në mënyrë që, më pas, të shkruajë edhe për pakënaqësinë e Bajronit me realitetin ku jetonte, polemikat e tij, largimin e tij nga Anglia, shtegtimet e tij, përsiatjet e tij, përshtypjet e tij nga shtegtimi që bëri nëpër vise të ndryshme të Evropës. Motoja e Bajronit, sipas Gamit, ishte kjo:

Kush do lirinë, i thyen prangat vetë

Me krahun e djathtë e farkëton fitoren!

Duke bërë fjalë për temën “Shqiptarët – Bajroni”, Gami, ndër të tjera, thekson: “Një vend më vete në zemrën dhe në krijimtarinë e Bajronit zënë Shqipëria dhe shqiptarët. Për ta ai shkruan me admirim dhe respekt në poemë dhe në disa nga vjershat, në shënimet dhe në korrespodencën e vet”.[186] Pak më tutje frymëzimin e Bajronit me tematikën shqiptare, Gami e vlerëson në këtë mënyrë: “Ka studiues që mendojnë se edhe figura e ndonjërit nga heronjtë e ‘Poemave të Lindjes’, në thelbin e vet, është mbrujtur nga tipare të karakterit shqiptar. Te ‘Çajld Haroldi’ historia dhe e tanishmja, toka dhe njerëzit, shkrihen në një të tërë të harmonishme. Është bukuria e ashpër e këtij trualli-shkëmb, është historia e tij e mrekullueshme si një epope heroike, janë legjendat dhe jeta, – është Shqipëria. Dhe në këtë sfond sa fantastik aq edhe real, ngrihet në këmbë, me të gjithë shtatin, biri i tokës dhe i historisë, shqiptari i rreptë e fisnik, i përzemërt e krenar, armik për vdekje dhe mik deri në vdekje, i patundur dhe i madhërishëm. Është ideali i njeriut për Bajronin”.[187] Në faqet e tjera të këtij punimi, Gami shkruan për botëkuptimit dhe idetë e Bajronit, ndikimin që patën mbi të iluministët, pastaj bën fjalë për cilësitë më të rëndësishme të heronjve të “Poemave orientale”, për rrënjët e përkoh­shme shpirtërore e tij në disa periudha të krijimtarisë së tij, për dramat filozofike të Bajronit, për luhatjet dhe kontradiktat e thella të krijimtarisë së Bajronit, për pesimizmin dhe skeptici­zmin e poezisë së tij, por edhe për entuziazmin e Bajronit, për luftën që bënin popujt e shtypur kundër tiranisë dhe zgjedhës së huaj. Gami komenton edhe tragjedinë historike të Bajronit, të titulluar “Marino Faliero”, interpreton satirën politike të “Shekullit të bronxit” dhe të “Don Zhuanit”, ku Bajroni demaskon forcat e errëta të reaksionit evropian dhe ku brohorit se: “Vetëm revolucioni mund të shpëtojë botën nga fëlliqësia”. Më në fund, Gami i citon vlerësimet e Engelsit dhe të Gorkit për Bajronin, i komenton kontradiktat e kritikave angleze dhe të huaja mbi poezinë e Bajronit, vë në dukje se Bajroni, në përgjithësi, gjithherë ndodhej në anën e forcave progresive, herë duke i mbrojtur punëtorët në parlamentin anglez, herë duke i mbroj­tur irlandezët e shtypur, herë duke marrë pjesë në lëvizjen e karbonarëve, madje edhe duke shkruar në Greqi për të luftuar në anën e kryengri­tësve.[188] Së këndejmi, Gami përfundon se Bajroni mbetet deri në fund një luftëtar i papajtueshëm i çështjes së madhe të lirisë shoqërore e kombë­tare. Në fund, botohen shqipërimet e këtyre poezive të Bajronit, “Ti i dhe jetës fund, hero”, “Sonet Shilonit”, “Kënga e suliotëve”, “Llakin i Gar”, “Lamtumirë”, “Asnjë tjetër shëmbëlltyrë” dhe një fragment nga “Don Zhuani”, shqipëruar nga H. Qesko.[189]

Në vitin 1952 Rober Eskarpi, duke mbrojtur tezën e doktoratës “Lordi Bajron, një temperament letrar”, para një komisioni të profesorëve të Sorbonës, pos të tjerash, i theksoi këto fjalë: “Për Bajronin është bërë shumë më tepër fjalë kurse atë e kanë lexuar fare pak”.[190]

Një dukuri e ngjashme ka ngjarë edhe në kulturën tonë. Ndikimi i Bajronit zë fill me prijatarin e letërsisë sonë artistike, gjurma e tij vërehet në një sërë rilindësish tanë, kurse fama dhe zulmi i tij zënë vend në faqet e para të të përkohshmeve tona më të mira të Rilindjes sonë kombëtare, edhe pse vepra e tij, me sa duket, nuk u përhap dhe nuk u lexua sa duhet, meqë s’u përkthye me kohë.

Popullariteti i Bajronit në traditën tonë kulturore është me të vërtetë një rast i rrallë në historinë e bajronizmit. Ky popu­llaritet, natyrisht, i ka disa faza. Ndërsa në fazën e parë të pranisë së emrit, rolit dhe veprës së Bajronit, rilindësit tanë bëjnë përpjekje që të njihen, të informohen dhe ta përhapin famën e Bajronit si njeri dhe poet, në fazën e dytë, mes dy luftërave, hasim në përpjekje të glorifikimit, të mburrjes për simpatinë e Bajronit ndaj shqiptarëve dhe të dëshirës për të pasur vepra të shqipëruara nga opusi i Bajronit. Ndërkaq faza e cila mund të konsiderohet më brilante në përkrahjen e popullaritetit të Bajronit mes shqiptarëve, është faza e tretë, që fillon fill pas Revolucionit, në shoqërinë e re socialiste. Në këtë fazë të popullaritetit të Bajronit tanimë nuk merren me të vetëm entuziazistët, dashamirët e tij, fletoraret, po me temën bajro­niane dhe me shqipërimin e veprës së tij, merren historianë të letërsisë, kritikë, pedagogë, publicistë, shkrimtarë, shqipërues të dalluar, të cilët, kush më pak e kush më shumë, i kontri­buojnë jo vetëm glorifikimit të mitit mbi Bajronin mes shqip­tarëve, po edhe njohjes dhe interpretimit të një pjese të konsi­derueshme të poezisë së Bajronit.[191]

Njëkohësisht, në këtë fazë të popullaritetit të Bajronit në mesin tonë, autorët tanë orvaten të shkruajnë sa më dendur dhe sa më mirë për Bajronin. Kështu, shënohet njëqind e dyzet­vjetori i lindjes së poetit anglez, pastaj shënohet solemnisht njëqind e pesëdhjetëvjetori i vdekjes së Bajronit. Në të njëjtën kohë, pos “Çajld Haroldit”, shqipërohen edhe disa dhjetëra lirika të tjera të Bajronit nga përmbledhjet e ndryshme të tij.

Tanimë, për Bajronin, nuk mjaftojnë shënimet e shkurtra, artikujt jubilarë apo anekdotat e rastit. Në këtë fazë, nga aspekti bashkëkohës dhe progresiv, nga një sërë autorësh shqiptarë, bëhen përpjekje për ta ndriçuar sa më mirë jetën dhe veprën e Bajronit. Shkruhen trajtesa dhe punime, të cilat, edhe pse ngandonjëherë nuk mbështeten në argumente, megjithatë ia dalin mbanë ta vlerësojnë rolin, vendin, rëndësinë dhe famën e Bajronit e të poezisë së tij, në një mënyrë autentike.

Sidoqoftë, edhe në këtë fazë të pranisë së famës së Bajronit në mesin tonë, në artikujt, trajtesat dhe punimet e autorëve tanë, vazhdimisht shquhen disa çaste kryesore: 1. Dashuria e madhe e Bajronit ndaj shqiptarëve; 2. Mirënjohja e thellë për vizitën e bërë Shqipërisë dhe për përshtypjet e paharruara që pati në atë rast; 3. Krenaria sa këndoi me frymëzim për shqiptarët dhe i zbuloi si tematikë letrare.

Prandaj, s’është çudë që, edhe sot e kësaj dite, ndonëse vepra e tij, mbetet ende e pashqipëruar në përgjithësi, fama e tij erdhi duke u rritur në mesin tonë. Mirëfilli dihet se ai ishte një ndër poetët më të spikatur anglez gjatë shekullit të kaluar,[192] mirëpo disa historianë tanë të letërsisë angleze e konsiderojnë Bajronin gjithnjë si njërin ndër kulminacionet poetike në letërsitë e të gjitha kohëve.[193]

Në këtë mënyrë, në kulturën tonë letrare, në kohën kur bajronizmi ka perënduar qëmoti në letërsitë evropiane dhe në kohën që fama e tij është zbehur në disa vende, e sidomos në atdheun e tij, që në shekullin e kaluar, te ne, në njëfarë mënyre, u krijua, në dhjetëvjetëshat e fundit, një kult i veçantë i zulmit bajronian, apo një lloj legjende frymëzuese mbi Bajronin.

Një legjendë e tillë mbështetet, në radhë të parë, në persona­litetin e Bajronit dhe në famën e tij si poet, kurse fare pak mbështetet në fuqinë artistike të veprës së tij. Jeta, përjetimet e Bajronit, vizita e tij Shqipërisë, pjesëmarrja e tij në lëvizjet nacionale çlirimtare italiane dhe greke, simpatia e tij e mirënjohur ndaj shqiptarëve, inkurajimi i tij ndaj atyre që luftonin për liri, në sytë e një numri të konsiderueshëm të rilindësve tanë, e bënin Bajronin apostull të lirisë, të barazisë dhe të madhështisë. Mirëpo, siç tregon rasti i popullaritetit të Bajronit në shkrimet e shumë autorëve shqiptarë, tërë simpatia dhe admirimi ndaj tij kishin të bënin ose me personalitetin e tij të shquar, ose me parimet dhe idealet e tij e, pothuaj, aspak nuk kishin të bënin me poezinë e tij.

Tradita e kulturës sonë, ku më pak e ku më shumë, ende e kultivon famën e Bajronit si të një poeti të madh botëror, ndërsa stili, ideja dhe gjesti i Bajronit, së bashku me disa episode të jetës së tij, janë duke e zgjuar edhe sot e kësaj dite vëmendjen dhe interesimin e shqiptarëve. Së këndejmi, na mbetet të shpresojmë se pas një popullariteti aq të madh në kulturën tonë, shqipëruesit tanë s’do të ngurrojnë ta shqipërojnë edhe më tutje veprën poetike të Bajronit.

Vijon nga numri i kaluar i revistës “Akademia”.

Vazhdon në numrin e ardhshëm, në të 28-in.

[1] Jo vetëm ballkanas, por edhe evropian. Një qëndrim i tillë, megjithatë, la përshtypje të veçantë te romantikët e Ballkanit.

[2] Andrea Varfi, Jeronim de Rada, figurë e madhe e letërsisë shqipe, Nëndori, nr. 12, 1964, f. 68-69.

[3]Alberto Stratico, Manuale di Letteratura Albanese, Milano, 1897, f. 179

[4] Përkundër përpjekjeve tona, këtë përkthim s’e gjetëm dot

[5] Njy zzopy e konkesy e Baironit ccy kylluhet “Child Harold” e pierrury ka Gkavrili Destefano. Kytu fyllitet ka Arbereshyt.

[6] Po aty f. 4

[7] Gustav Majer, Die Albanischen Tanzlider in Byrons Childe Harold, Anglia, IV, 1893, f. 1-8.

[8] Zef Jubani, Vepra të zgjedhura, Tiranë, 1966, f. 65-68; Jup Kastrati, Pikëpamjet politike, ekonomike dhe shoqërore të Zef Jubanit, në: Z. Jubani, Vepra të zgjedhura, Tiranë, 1966, f. 27

[9] Aty f. 27

[10] Aty f. 27

[11] Aty f. 28

[12] Zef Jubani, Vepra të zgjedhura, f. 65

[13] Historia e letërsisë shqipe, I-II, Prishtinë, 1968, f. 283

[14] Albania, nr. 1, 1897

[15] Le Voyage de Lord Byro en Albanie, në Albania, nr. 1, 1897, f. 10-12

[16] Aty f. 10

[17] Aty f. 11

[18] Aty f. 11

[19] Aty f. 12

[20] Aty f. 12

[21] Albania, 25 maj, nr. 3, Bruxelles, 1897, f. 41

[22] Aty f. 41

[23] Albania, 25 qershor, nr. 4, Bruxelles, 1897, f. 49

[24] Albania, nr. 12, Bruxhelles, 1897, f. 207

[25] L. Skendo, Ç’kanë thënë të huajt për ne, në Ditërrëfyesi Kombiar, mot i katërt, Sofje, 1900, f. 67

[26] Aty f. 68

[27] Baronesa Guiseppina Knorr, Lord Byron e gli Albanesi, Catanzaro, 1902, f. 1-17

[28] Aty f. 1

[29] Po aty

[30] Po aty

[31] Aty f. 5

[32] Aty f. 7

[33] Aty f. 8

[34] Aty f. 10

[35] Aty f. 13

[36] Aty f. 15

[37] Aty f. 15

[38] Aty f. 16

[39] Aty f. 17

[40] Aty f. 19

[41] Albania, nr. 10, Bruxelles, 1903, f. 145-147

[42] Aty f. 145

[43] Aty f. 145

[44] Aty f. 146

[45] Asdren Shqiptari, Përgjigje gazetës Pirros, Drita, nr. 52, 1904, në Mendimi Politik e Shoqëror i Rilindjes Kombëtare Shqiptare, vëllimi I, Tiranë, 1971

[46] Albania, v. IX, 1905, f. 14

[47] Albania, v. X. 1906, f. 119

[48] Historia e letërsisë shqipe, f. 521

[49] Rexhep Qosja, Shkrimtarë dhe periudha, Prishtinë, Rilindja, 1975, f. 37

[50] Luigj Gurakuqi, Vepra të zgjedhura, Prishtinë, Rilindja, 1969, f. 63

[51] Aty f. 63

[52] Ivo Hergešić, Byron, bajronisti i bajronizam, në Byron, Childe Harold, preveo Danko Angjelinović, Zagreb, 1965, f. 257

[53] The Oxford Dictionary of Quotations (G. Cumberlege), London, New York, Toranto, 1953

[54] Albania, nr. 1, Bruxelles, 1909, f. 19

[55] Kalendari kombiar, Sofje, 1913, f. 51

[56] Aty f. 51

[57] Në radhë të parë Bajronin, në poezinë e tij Kënga për suliotët

[58] Kalendari Kombiar, Sofje, 1913, f. 51

[59] Aty f. 51

[60] Aty f. 52

[61] Agimi, nr. 3, korrik 1919, f. 41-42

[62] Aty f. 41

[63] Aty f. 42

[64] Shih Agimi, nr. 2, Shkodër, 1919, f. 28-29 dhe Agimi, nr. 4, gusht 1919, f. 58-60

[65] Agimi, nr. 2, Shkodër, 1921, f. 65-67

[66] Aty f. 65

[67] Agimi, nr. 9, kallnduer, 1922, f. 167-169

[68] Aty f. 169

[69] Aty f. 169

[70] Shih Agimi, nr. 11-12, 1922, f. 206-208

[71] Aty f. 207

[72] Aty f. 207

[73] Aty f. 208

[74] Hylli i Dritës, vjeta V, Shkodër, 1924, f. 115-120

[75] Aty f. 115

[76] Aty f. 116

[77] Aty f. 117

[78] Udhëtarët e huaj në Shqipëri, në Dituria, volumi i dytë, 1927, korrik, gusht, shtator, nr. 9, 10, 11, f. 321-328

[79] Aty f. 321

[80] Aty f. 321

[81] S’figuron fare se cili është ai .

[82] Aty f. 322

[83] Aty f. 323

[84] A. Rappaport, Rrjedhja e Punvet në Shqipni. Përkthyem shqip nga Karl Gurakuqi, Tiranë, 1928

[85] Aty f. 8.

[86] Illyria, viti I, nr. 15, Tiranë, 1934

[87] Fjala është për artikullin Lord Byroni në Toskni (Prej letrave të tij anekdotike)

[88] Vlad Banatenau, Albania Antica, në Kuvendi Kombëtar, viti I, nr. 25, 19 korrik 1934, f. 6

[89] Aty f. 6

[90] S. Skendi, Jeta shoqërore, shqiptare, përpara një shekulli – Byron dhe Hobhause në Shqipërinë e Ali Pashë Tepelenës, në Illyria, viti I, nr. 52, Tiranë, 1936

[91] Aty f. 7

[92] Aty f. 7

[93] Shih Përpjekja shqiptare, viti II, nr. 16, Tiranë, 1938, f. 207-216

[94] Aty f. 207

[95] Aty f. 208

[96] Shih Përpjekja shqiptare, viti II, nr. 16, Tiranë, 1938, f. 260

[97] Rreth këtij përkthimi shih kapitullin Bajroni dhe albanologjia të pjesës së dytë të librit “Shqiptarët dhe Bajroni” të Abdullah Karjagdiut.

[98] Dielli, nr. 5498, e enjte, 29, vjesht e par, Boston, 1939, f. 3

[99] Aty f. 4. Këtu autori është konfuz, meqë suljotët morën pjesë në kryengritjen greke më vonë, më 1821-1824.

[100] Aty f. 4

[101] Kombi, viti I, nr. 2, Tiranë, 21. IX. 1943, f. 1-2

[102] Aty f. 1

[103] Aty f. 2

[104] Kritika, I mars 1944, f. 31-32. Shënimi i A. P-së.

[105] Aty f. 31

[106] Aty f. 32

[107] Skënder Luarasi, letrar, publicist dhe shqipërues i dalluar, zë një vend të posaçëm në kulturën shqiptare. Njohës i disa gjuhëve botërore, erudit, stilist i shquar. S. Luarasi u afirmua qysh para Luftës së Dytë Botërore me shqipërimin e Sakuntales. Shqipëroi edhe kryeveprat e Gëtes, Shilerit, Vitmenit etj., më se 45 vepra.

[108] S. Luarasi, Xhorxh Bajron. Një letër, në Nëndori, nr. 1., 1955, f. 131-142

[109] Aty f. 131

[110] Aty f. 132

[111] Aty f. 134-135

[112] Atologji e letërsisë së huaj, mbledhi dhe redigjoi prof. Zekeria Rexha, Prishtinë, 1956, f. 182-185

[113] Aty f. 182

[114] Aty f. 183

[115] Bajron, Çajld Harold, Tiranë, 1956. Shqipëruar nga Skënder Luarasi. Më 1973 doli edicioni i dytë i këtij shqipërimi në Prishtinë, kurse edicioni i tretë i tij doli sërish më 1973 në Tiranë.

[116] Aty f. 8

[117] Po aty

[118] Po aty

[119] Po aty

[120] Aty f. 9

[121] Aty f. 11

[122] Aty f. 12

[123] Aty f. 13

[124] Zëri i Popullit, nr. 250, 17 tetor 1959

[125] Po aty

[126] Po aty

[127] Po aty

[128] Po aty

[129] Bashkimi, nr. 211, 18 tetor 1959

[130] Nëndori, nr. 11, tetor 1959, f. 253-254

[131] Aty f. 253

[132] V. Vinçani, Një panoramë në fushën e përkthimeve, në Nëndori, nr. 8, 1961, f. 161

[133] Kristo Frashëri, Bajroni në Shqipëri dhe takimet e tij me Ali Pashën, Mësuesi, nr. 19-20, 1963

[134] Kristo Frashër, Mësuesi, nr. 19, f. 4

[135] Aty nr. 19-20

[136] Aty nr. 20, f. 4

[137] Aty f. 4

[138] Miqësia, 3 mars 1964

[139] Aty

[140] Novaja Albanija, nr. 3, 1963

[141] Aty f. 6

[142] Po aty

[143] Po aty

[144] Enciklopedia e mësuesit. Gjuha, letërsia dhe historia në shkollë, Tiranë, 1966, f. 125 -137

[145] Aty f. 125

[146] Aty f. 125

[147] Aty f. 131-136

[148] Shih Nonda Bulka, Legjenda e një fisi, Tiranë, 1966, f. 17

[149] Abdullah Karjagdiu, Çajld Haroldi ndër shqiptarë, Zani i Rinisë, nr. 11-20, Prishtinë, 1968

[150] Zani i Rinisë, nr. 20, f. 18

[151] Mahir Domi, Sterjo Spase, Letërsia e huaj II, Prishtinë, botimi i dytë, f. 8-82

[152] Aty f. 9

[153] Aty f. 16

[154] Aty f. 15

[155] Letërsia e huaj, Tiranë, 1970, f. 140-174

[156] Aty f. 149

[157] Po aty

[158] Po aty

[159] Aty f. 150

[160] Aty f. 154

[161] Letërsia e huaj, shek. XIX, pjesa I, përpi., nga N. Gami, Tiranë, 1971, f. 15-48

[162] Aty f. 16

[163] Aty f. 21-23

[164] Aty f. 48

[165] Po aty.

[166] Refik Kadija, A History of English and American Literature, Tiranë, 1971, f. 126-160

[167] Aty f. 138-139

[168] Aty f. 126

[169] Aty f. 126

[170] Aty f. 126

[171] Aty f. 159-160

[172] Aty f. 160

[173] Agim Vinca, Feniksi, Shkup, 1972, f. 9-10

[174] The Byron Journal, nr. 1, London, 1973, The Byron Journal, nr. 2, London, 1974; dhe The Byron Journal, nr. 3, London, 1975

[175] Harallam Qesko, 150-vjetori i vdekjes së Bajronit, në Drita, nr. 16, Tiranë, 21 prill 1974, f. 16

[176] Aty f. 16

[177] Po aty

[178] Po aty

[179] Afrim Karagjozi, Dashuria për Shqipërinë dhe shqiptarët, në Ylli, nr. 162, Tiranë, prill 1974, f. 32

[180] Aty f. 32

[181] Aty f. 32

[182] Aty f. 32

[183] Nexhip Gami, 150-vjetori i vdekjes së Bajronit, Xhorxh Gordon Bajron, në Nëntori, nr. 4, Tiranë, prill 1974, f. 152-159

[184] Aty f. 152

[185] Aty f. 153

[186] Aty f. 154

[187] Aty f. 154

[188] Aty f. 158

[189] Aty f. 160-168

[190] Robert Escarpit, Misundestanding in France, në The Byron Journal, nr. 3, 1975, f. 65

[191] Megjithatë, kanë mbetur pa u shqipëruar Korsari, Gjauri, Nusja e Abidosit, Lara, Manfredi, Rrethimi i Korinthit, Parisina, Marino Falieri, Meloditë ebreje, Çastet e kotësisë, Don Zhuani etj. Pothuaj mbarë opusi letrar i Bajronit.

[192] N. J. Djankonova, Liriçeskaja Poezija Bajrona, Moskva, 1975, f. 4

[193] Refik Kadija, vep. e cit., f. 167

Etiketa: ABDULLAH KARJAGDIUbritanikkonsideratakulturalord byronshqiptare
Shkrimi Mëparshëm

Busti i Skënderbeut “zhduket” nga Londra, Mal Berisha ngre alarmin: Kush vendosi ta heqë?

Lini një Përgjigje Anuloje përgjigjen

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

  • Prirje
  • Komente
  • Të fundit

Legjenda e Rozafës, për t’u ngritur një kala, u flijua një grua

25 Qershor, 2021

Realizuar në vitin 1467, zbulohet portreti origjinal i Skënderbeut nga Gentile Belini

21 Mars, 2024

Populli vuante për bukë, shikoni si jetonte Enver Hoxha, gazetari anglez publikon fotot e pabesueshme

22 Dhjetor, 2020

E vërteta mbi historinë e xhaxhait të Vjosa Osmanit, që u varros i gjallë nga Enveri

18 Dhjetor, 2020

Shqiptarët në Udhëkryq!

0

Meditime NYC 2020…

0

Paradokset e ditës së parë të shkollës

0

Foto – “ 70% plagjaturë në artikullin shkencor”/ Studiuesi “nxjerr zbuluar” Ministren e re të Arsimit

0
Bajroni dhe tradita kulturore shqiptare

Bajroni dhe tradita kulturore shqiptare

10 Shtator, 2026
Busti i Skënderbeut “zhduket” nga Londra, Mal Berisha ngre alarmin: Kush vendosi ta heqë?

Busti i Skënderbeut “zhduket” nga Londra, Mal Berisha ngre alarmin: Kush vendosi ta heqë?

10 Shtator, 2026
Zef Krispi, studiuesi arbëresh që iu kushtua gjuhës, historisë dhe kulturës shqiptare

Zef Krispi, studiuesi arbëresh që iu kushtua gjuhës, historisë dhe kulturës shqiptare

10 Shtator, 2026
PISA 2025 / Shqipëria ngre pikët, por 1 në 2 nxënës ende nuk kupton atë që lexon

PISA 2025 / Shqipëria ngre pikët, por 1 në 2 nxënës ende nuk kupton atë që lexon

9 Shtator, 2026
Bajroni dhe tradita kulturore shqiptare

Bajroni dhe tradita kulturore shqiptare

10 Shtator, 2026
Busti i Skënderbeut “zhduket” nga Londra, Mal Berisha ngre alarmin: Kush vendosi ta heqë?

Busti i Skënderbeut “zhduket” nga Londra, Mal Berisha ngre alarmin: Kush vendosi ta heqë?

10 Shtator, 2026
Zef Krispi, studiuesi arbëresh që iu kushtua gjuhës, historisë dhe kulturës shqiptare

Zef Krispi, studiuesi arbëresh që iu kushtua gjuhës, historisë dhe kulturës shqiptare

10 Shtator, 2026
PISA 2025 / Shqipëria ngre pikët, por 1 në 2 nxënës ende nuk kupton atë që lexon

PISA 2025 / Shqipëria ngre pikët, por 1 në 2 nxënës ende nuk kupton atë që lexon

9 Shtator, 2026
Kur varri ruan Homerin, një fragment i “Iliadës” gjendet brenda një mumjeje egjiptiane

Kur varri ruan Homerin, një fragment i “Iliadës” gjendet brenda një mumjeje egjiptiane

9 Shtator, 2026
Shqiptarët e Luginës së Preshevës: Përjashtim institucional dhe nga e drejta e të qenit në shtëpi

Shqiptarët e Luginës së Preshevës: Përjashtim institucional dhe nga e drejta e të qenit në shtëpi

8 Shtator, 2026
  • Home
  • Kreu

© 2026 JNews - Premium WordPress news & magazine theme by Jegtheme.

Mirë se Erdhe!

Hyni në llogarinë tuaj më poshtë

Harruat Fjalëkalimin?

Merrni Fjalëkalimin

Ju lutemi shkruani emrin e përdoruesit ose adresën e emailit për të rivendosur fjalëkalimin tuaj.

Identifikohu

Add New Playlist

Asnjë Rezultat
Shikoni të Gjithë Rezultatet
  • Kreu
  • Aktualitet
    • Politika
    • Kronike
    • Ekonomia
  • Pikepamje
  • Rajoni
  • Bota
  • Diaspora
  • Sociale
  • Kultura
  • English

© 2026 JNews - Premium WordPress news & magazine theme by Jegtheme.