Studiuesi Pjetër Logoreci ka risjellë në një botim të ri fotoalbumin “Histori shkodrane në fotografi”, këtë herë me fotografitë me ngjyra. Albumi përmban pamje të rralla të Shkodrës të viteve 1908–1916.
Botimi i parë doli në vitin 2020, pas gjashtë vitesh kërkime të Logorecit në arkivat e Vjenës, ku ai zbuloi fotografi të panjohura që dëshmojnë historinë dhe jetën e qytetit në fillim të shekullit XX.
“Qysh se e kam bërë, e kam bërë me mendimin që me i përket çdo shtëpie shkodranë, çdo biblioteke e shkodranëve, sepse është historiku i Shkodrës me radhë. Ka qenë I suksesshëm dhe u pa nevoja edhe për një ribotim”, tha ai.
Përmes ngjyrave, fotografitë historike marrin një pamje tjetër dhe sjellin më pranë publikut Shkodrën e më shumë se 100 viteve më parë.
“I kemi bërë me ngjyra. Ne jemi europianë. Shkodranët janë europianë”, tha ai
Prej vitesh Logoreci jeton në Austri, por lidhjen me Shkodrën e ka ruajtur edhe përmes kërkimeve të tij. Ai vijon të gjurmojë në arkivat austriake fotografi dhe dokumente që lidhen me historinë e qytetit.

















