• Kreu
  • Aktualitet
    • Politika
    • Kronike
    • Ekonomia
  • Pikepamje
  • Rajoni
  • Bota
  • Diaspora
  • Sociale
  • Kultura
  • English
US Albania Media Group
  • Kreu
  • Aktualitet
    • Politika
    • Kronike
    • Ekonomia
  • Pikepamje
  • Rajoni
  • Bota
  • Diaspora
  • Sociale
  • Kultura
  • English
Asnjë Rezultat
Shikoni të Gjithë Rezultatet
  • Kreu
  • Aktualitet
    • Politika
    • Kronike
    • Ekonomia
  • Pikepamje
  • Rajoni
  • Bota
  • Diaspora
  • Sociale
  • Kultura
  • English
Asnjë Rezultat
Shikoni të Gjithë Rezultatet
US Albania Media Group
Asnjë Rezultat
Shikoni të Gjithë Rezultatet
Kreu Kultura Kreu

Revolucioni i vitit 1821 dhe rëndësia rrënjësore e shqiptarëve: Historia që tekstet shkollore nuk na mësuan

US Albanian Media Group nga US Albanian Media Group
7 Gusht, 2026
Në Kreu, Kultura
0
Revolucioni i vitit 1821 dhe rëndësia rrënjësore e shqiptarëve: Historia që tekstet shkollore nuk na mësuan
0
NDARJET
21
SHIKIMET
Share on FacebookShare on Twitter

Është vështirë të mendosh për ndonjë ngjarje historike që është përvetësuar dhe thjeshtëzuar me më shumë dashuri nga ideologjia kombëtare sesa “Revolucioni Grek” i vitit 1821. Në tekstet shkollore greke, por edhe në ndërgjegjësimin e gjerë evropian, kjo ngjarje paraqitet si epopeja e pastër e një populli të lashtë — trashëgimtarët e Perikliut dhe Sokratit — që ngrihet kundër barbarisë osmane dhe fiton lirinë e merituar. Hellasit kundër Turqit. Civilizimi kundër despotizmit. Krishterimi kundër Islamit.

Por historia, siç e di çdo njeri që merr kohë ta lexojë me vëmendje, ka shprehjen e vet të pakëndshme për mitet kombëtare. Mark Mazower, profesor i historisë në Universitetin Columbia dhe ndër historianët më autoritarë të Ballkanit, ka shkruar një vepër monumentale — The Greek Revolution: 1821 and the Making of Modern Europe — që çmonton me durim dhe kompetencë të madhe çdo shtresë të kësaj narrative të thjeshtëzuar. Dhe ajo çka zbulohet pas çmontimit është një histori shumë më e pasur, shumë më e ndërlikuar — dhe, për lexuesin shqiptar, shumë më e afërt nga sa mund ta kishim imagjinuar.

Sepse, nëse ka një argument qendror që shtrihet si fije e kuqe nëpër të gjithë librin e Mazower, ai është ky: Revolucioni Grek i vitit 1821 nuk ishte aspak lufta dypalëshe greko-turke që na paraqitën. Ishte, në shumë aspekte vendimtare, edhe lufta e shqiptarëve.

Çfarë do të thotë “Grek” dhe çfarë do të thotë “Turk”

Para se të kuptojmë rolin e shqiptarëve, duhet të kuptojmë se sa rrënjësisht problematike ishin vetë kategoritë bazë të këtij konflikti.

Termi “Grek” — Hellenas siç shquhet sot — nuk ekzistonte në kuptimin e tij aktual në fillimet e shekullit XIX. Fjalori i zakonshëm me të cilin fshatarët ortodoksë të Peloponezit i referoheshin vetes ishte Romioi — domethënë “Romakët” — jo greke të lashtë, por thjesht krishterë ortodoksë. Vetëidentifikimi i tyre nuk kishte baza etnike, por fetare dhe perandorake: ata ishin trashëgimtarët e Romës Lindore, Bizantit.

Ëndrra e madhe politike e tyre quhej romeïko — restaurimi i krishterimit nën Kostandinopojë, shëmbja e Sulltanit dhe ringjallja e perandorisë. Ishte një ëndërr fetare dhe eskatologjike, jo kombëtare në kuptimin modern të fjalës. “Le të bëhet romeïko, të marrë fund tirania” — kjo ishte kënga e fshatarëve, jo himni kombëtar i një populli të vetëdijshëm për lashtësinë e tij.

Transformimi i termit “Hellenas” — nga referim ekskluziv ndaj të lashtëve paganë në emërtim të krishterëve modernë — ndodhi gjatë luftës vetë dhe falë revolucionarëve të rinj të arsimuar që hartuan qindra dekrete dhe proklamata te qeverive të përkohshme. Ata importuan nga Evropa romantike idenë e kombit të lashtë të ringjallur dhe ia ngjiten kryengritjes një gjuhë që fshatarët që luftonin nuk e njihnin e as nuk e kishin zgjedhur. “Ju grekët keni diçka të madhe në mendje,” thuhet t’u ketë thënë Pasha i gjithëpushtetshëm i Janinës, Aliu, krishterëve në shërbim të tij. “Ju nuk i pagëzoni më fëmijët tuaj Joan, Petros dhe Kostas, por Leonida, Themistokli dhe Aristid! Midis meje e jush diçka po gatuhet.”

Nëse “Greku” ishte një kategori në ndërtim e sipër, “Turku” ishte edhe më problematik. Myslimanët brenda Perandorisë Osmane rrallë i referoheshin vetes si “turq” — termi erdhi nga leksiku evropian dhe grek. Forcat osmane që luftuan kundër kryengritjes greke përfshinin egjiptianë, boshnjakë, kazakë zaporizianë nga Danubi, luftëtarë katolikë nga malësitë shqiptare dhe krishterë të rekrutuar nga Epiri. Madje edhe disa grekë luftuan për anën osmane. Komandanti i parë i forcave perandorake në Morea, Khurshid Pasha, ishte një ish-skllav gjeorgjian. Njeriu që ai mposhti — Ali Pashë Tepelena — ishte shqiptar.

Ky konfuzion kategorish nuk është anakronizëm i historiografisë moderne. Ishte realiteti i perceptuar nga vetë pjesëmarrësit. Kur disa grek apo Rumeli ndeshën ushtarë nga Anatolia, kjo u duk atyre e çuditshme dhe e shënueshme — “turqit e lindjes,” si i quajti njëri. Ndërkohë, populli i Peloponezit kishte termat e veta nënçmuese për këta të huaj — chaldoupides, doudoumides dhe kaklamanous — gjuhë që i veçonte si të jashtëm, jo si armiq të njohur.

Shqiptarët: Aktorët e anashkaluar të historisë

Tani mund të hyjmë në thelb të asaj që libri i Mazower na zbulon me aq saktësi dhe guxim intelektual.

“Mbase gjëja më e rëndësishme për t’u kuptuar rreth luftës së vitit 1821,” shkruan Mazower, “është se ajo nuk ishte me të vërtetë një përplasje e thjeshtë dyanshme greko-turke: nëse diçka ishte tërësisht e qartë në atë kohë, ishte roli jashtëzakonisht i madh dhe shpesh vendimtar që luajtën në këtë konflikt shqiptarët, si të krishterët ashtu edhe myslimanët.”

Kjo nuk është thënie periferike. Është teza e librit aplikuar direkt mbi episodin themeluese të Greqisë moderne.

Gjuha shqipe flitej “në një brez të gjerë territori malor nga Mali i Zi e deri poshtë në Peloponez” — nga katolikët, ortodoksët dhe myslimanët njësoj. Kjo shtrirje territorial e gjuhës shqipe jepte shumë prej atyre që historikisht shënoheshin si “Grekë” dhe “Turq” jo vetëm një mjet të përbashkët komunikimi, por edhe një ndjenjë solidariteti të ndërtuar mbi dekadat e njëjta të sundimit të Ali Pashës.

Lord Bajroni, i cili vizitoi Ali Pashën gjatë dimrit të vitit 1809, e formuloi saktë dy tiparet thelbësore: “Rëndësia relative e pakët e fesë në përcaktimin e besnikërisë së tyre; dhe reputacionin e tyre si luftëtarë.” Bajroni kishte dëgjuar dhe shikuar mjaftueshëm për të kuptuar se shqiptarët funksionin sipas logjikës së vet — jo sipas axhendave fetare ose kombëtare që u ngritën që jashtë.

Pas vrasjes së Ali Pashës në vitin 1822 — dhe roli i tij si faktor ndjellëtar i revolucionit është një temë e veçantë e merituar — shqiptarët u ndanë sipas interesave dhe lidhjeve të tyre personale: disa zgjodhën t’i shërbenin Sulltanit, të tjerë shkuan me grekët. Kjo ndarje nuk ishte kaoike — ajo pasqyronte logjikën koherente të besnikërive të kalibrave dhe klaneve, jo kalimin kolektiv të një populli nga njëri kamp në tjetrin.

Suljotët dhe detarët e Hidrës: Shqiptarët si protagonistë

Dy grupe shqiptarësh luajtën role absolutisht thelbësore në anën greke të luftës — aq thelbësore sa pa ta, historia e kryengritjes do të kishte qenë krejtësisht e ndryshme.

Grupi i parë ishin Suljotët — çeta shqiptarësh të krishterë, luftëtarë malesh të kalitur, të organizuar rreth krerëve të farefisnisë. Ishin njerëz të cilët kishin duruar shekuj nën presionin e perandorive të ndryshme dhe kishin zhvilluar kulturën e vet unike të rezistencës dhe mbijetesës. Ata u integruan gradualisht në përpjekjen kombëtare greke, duke sjellë një kompetencë luftarake që forcat greke thellë e nevojisnin. Mazower e bën krejtësisht të qartë se identiteti kombëtar grek ishte krejtësisht i huaj për Suljotët — aq sa guxuan t’i dërgonin Carit rus — në një mesazh konfidencial ku kërkonin ndihmë — fjalët tronditëse: “ne nuk kemi asgjë të përbashkët me grekët e tjerë.” Logjikisht dhe historikisht, ata ndjeheshin më afër shqiptarëve myslimanë sesa grekëve.

E megjithatë luftuan. Jo për Hellasin, por për tokën e paraardhësve të tyre.

Grupi i dytë ishin detarët shqipfolës të Hidrës dhe Spetseve — dhe kontributi i tyre tejkalon edhe atë të Suljotëve në rëndësi strategjike. Ata siguruan jo vetëm bërthamën e flotës greke, por edhe anëtarët drejtues të vetë qeverisë greke — duke përfshirë një president ne kohe lufte. Mazower shënon detajin e mahnitshëm: këta liderë “herë pas here përdornin shqipen mes tyre për të parandaluar të tjerët në anën e tyre nga leximi i korrespondencës së tyre.” Shqipja shërbente si gjuhë sekrete e qeverisë greke.

Ali Pashë Tepelena: Baba i pashkruar i revolucionit?

Asnjë diskutim për rolin shqiptar në Revolucionin Grek nuk mund të jetë i plotë pa trajtuar figurën qendrore të Ali Pashë Tepelenës — personazhit të cilit Mazower i kushton një kapitull të tërë veçantë me titull “Regjimi i Ali Pashës.”

Aliu ishte shqiptar nga rrethi i Tepelenës — i lindur nga rrethana modeste në malet e Shqipërisë së Jugut dhe i ngritur me durim, dinakëri dhe brutalitet në majën e pushtetit në Ballkan perëndimor. Ai sundoi mbi miliona njerëz — myslimanë dhe krishterë njësoj — dhe marrëdhënia e tij me Sulltanin ishte gjithnjë e tensionuar nga synimet autonomiste.

Paradoksi më i mahnitshëm historik: vrasja e planifikuar e Ali Pashës nga Sulltan Mahmudi II dhe nevojshmëria për të koncentruar forcat osmane rreth Janinës — kilometra larg Peloponezit — ishin ndër kushtet kryesore që bënë të mundur mbijetesën e kryengritjes greke në fazat kritike fillestare. Khurshid Pasha, komandant osman me kompetencë reale, u tërhoq nga Morea pikërisht për të marrë drejtimin e operacioneve kundër Aliut. Nëse ai kishte mbetur në Peloponez ca muaj më gjatë, kryengritja greke ka shumë gjasa të ishte shuar me zjarr e gjakderdhje para se të kishte kohë të konsolidohej.

Kjo nuk ishte aksidentale. Filiki Eteria — organizata sekrete greke — kishte marrëdhënie me Ali Pashën dhe shpresonte ta shfrytëzonte si distractor. Aliu vetë, duke kuptuar se i leverdiste çdo aleance kundër Sulltanit, i kishte hapur dyert krishterëve dhe kishte lejuar flamujt me kryq të valëviteshin mbi kështjellat e tij. Disa krishterë të rajonit ishin sinqerisht të prirur ta mbështetnin — ndërkohë që Mazower citon me humor therës mendimin e një greku të ri kur dëgjoi komshinjtë e tij të shprehnin dëshirën që Ali Pasha të fitonte dhe t’i çlironte: “Ai! Ali Pasha tirani, të ndihmojë çështjen e Greqisë… ky njeri, nëse do kishte dalë fitimtar, nuk do na kishte lënë as vrimat e hundëve për të marrë frymë!”

Bota parakombëtare dhe fluiditeti i besnikërive

Çfarë na tregon gjithë kjo? Na tregon se dy të tretat e shekullit XIX ishin ende shumë larg botës kombëtare të cilën e njohim sot. Ishte bota e identiteteve të lëngshme, e besnikërive komplekse, e njerëzve që kalonin nga njëra anë te tjetra sipas logjikës së familjes, klanit, interesit dhe rrethanave.

Mazower e thekson këtë me bukurinë e gjuhës shumëkulturore të vetë luftës. Greqishtja detare e kohës ishte e mbushur me fjalë italiane — terma të huazuara nga shekujt e sundimit venecian. Gjuha ushtarake ishte e mbushur me fjalë turke — pasqyrim i traditës ushtarake osmane. Titulli “Milord” dhe “Prince” shfaqen mes titujve të oficerëve grekë — kujtesë e ndikimeve angleze dhe franceze. Dhe ndër gjitha këto, shqipja shërbente si lingua franca e atij brezi malor — mjet komunikimi i krishterëve dhe myslimanëve, “turqve” dhe “grekëve” njësoj.

Luftëtari revolucionar osman Yusuf el-Moravi — i cili shkroi një rrëfim bashkëkohor të detajuar të kryengritjes — nuk e përmend asnjëherë fjalën “turk.” Pse? Sepse ajo fjalë nuk i përshkruante realitetin ashtu siç e jetonte ai.

Nga romeïko te kombi: Transformimi ideologjik i luftës

Një nga kontributet intellektuale më të rëndësishme të librit të Mazower është analiza e transformimit ideologjik që ndodhi gjatë vetë luftës — mënyrën se si kryengritja e fshatarëve që “bënin romeïko-n” u kthye në “luftën e pavarësisë së kombit helen.”

Fshatarët luftuan me besimin se fuqitë e jashtme kishin marrë anën e tyre — posaçërisht Rusia e Carit. “Francia mbështet romeïko-n” — deklaronte një fletushkë dy ditë pas fillimit të kryengritjes. Letra u dërguan drejtuesve të komuniteteve duke i siguruar se “mbretërit kanë vendosur të bëjnë romeïko-n.” Ishte besim i rremë — Cari kishte refuzuar të mbështeste kryengritjen — por ishte besim i fuqishëm mjaftueshëm për të mobilizuar popullin.

Ndërkohë, në Paris dhe Vjenë, intelektualët e diasporës greke — nën ndikimin e romantizmit evropian dhe admirimit perëndimor të Greqisë antike — po kurdisnin narrativën tjetër: jo fitore e krishterimit, por ringjallje e kombit helen. Terma si “Hellenas” dhe “Greqi” filluan të zënë vend në proklamatat dhe dekretet zyrtare, duke ia dhënë luftës fytyrën e një projekti kombëtar.

Ironikisht, ky transformim ideologjik ishte thelbësor për suksesin final — sepse atraktiviteti ndërkombëtar i Greqisë antike sillte dashamirshmëri dhe fonde nga filohelenistët e Evropës dhe Amerikës, pa të cilët kryengritja nuk do kishte mbijetuar. Por çmimi ishte fshirja graduale e kompleksitetit real të luftës dhe imponimi i kategorive kombëtare mbi realitetet para-kombëtare.

Revolucioni si çarje e botëkuptimeve

Mazower nënvizon diçka tjetër thelbësore: kjo nuk ishte thjesht lufta e Greqisë. Ishte çasti i parë historik ku parimi i vetëvendosjes kombëtare — ideja se popujt e kanë të drejtën të qeverisin veten në shtetet e tyre — fitoi formë konkrete shtetërore në Evropë dhe u shndërrua në model.

Është kjo arsyeja pse italianët, polakët, gjermanët dhe anëtarë të popujve të tjerë të shtypur erdhën të luftonin krah për krah me grekët. Ata shihnin në fitoren greke premtimin e të ardhmes së tyre. Dhe kishin të drejtë — shekulli XIX u kalua kryesisht duke zbatuar këtë parim, deri sa gjeografia politike e Evropës u rimodelua rrënjësisht.

Revolucioni Grek ishte gjithashtu momenti i lindjes i sistemit ndërkombëtar si e kuptojmë sot. Konferencat diplomatike që vendosën pavarësinë greke — sipas historianit Leonard Woolf, shkruar në 1916 — ishin “pika qendrore e një sistemi ndërkombëtar të ri, sado rudimentar”. Ky sistem — me shtetin-komb si njësinë bazë dhe me organizatat ndërkombëtare si rregullator — vazhdon të jetë arkitektura themelore e rendit global.

Çfarë na mësojnë shqiptarët e vitit 1821

Kthehemi te pyetja fillestare: pse rëndësia e shqiptarëve ka mbetur kaq sistematikisht e anashkaluar?

Shpjegimi ka të bëjë me dinamikën e ndërtimit kombëtar. Greqia e pavarur, duke u ndërtuar si shtet-komb homogjen, kishte nevojë për një narrative themelore të pastër. Heterogjenia shqiptaro-greke, fluiditeti i besnikërive, roli vendimtar i njerëzve që nuk ishin as “grekë” as “turq” sipas kategorive nacionale — të gjitha këto ishin të vështira për t’u inkorporuar pa ndërlikuar narrativën.

Nga ana tjetër, historia shqiptare e periudhës osmane kishte kompleksitetin e vet. Shqiptarët nuk qenë thjesht viktima të padrejtesive të historisë, por aktorë të fuqishëm — disa në anën e Sulltanit, disa në anën e krishterëve. Ky kompleksitet reziston çdo përpjekje për ta shndërruar në epope të pastër kombëtare.

Por historia e vërtetë — ajo që Mazower e tregon me disiplinë shkencore dhe saktësi dokumentare — është shumë më interesante. Ajo tregon se Revolucioni Grek ishte në shumë aspekte edhe revolucion shqiptar, edhe nëse asnjëri nga pjesëmarrësit shqiptarë nuk do ta kishte quajtur kështu. Ajo tregon se identitetet kombëtare nuk ekzistonin si gjëra të gatshme, por u shpikën, u formuan dhe u aplikuan mbi realitete shumë më komplekse. Dhe tregon se solidariteti ndërkombëtar — si ai i filohelenistëve të Evropës — mund të jetë fuqi reale politike, ndoshta para moderne. 

Çfarë mbetet për t’u thënë

Revolucioni i vitit 1821 u vendos si gur themeli i Greqisë moderne dhe, sipas Mazower, si ngjarje themeluese e Evropës moderne. Por historia e plotë e tij — me shqiptarët e saj, me myslimanët e saj, me grupe të shumta dhe besnikëri fluide — është ende duke pritur të tregohet plotësisht.

Kjo nuk nënkupton se fitorja greke ishte e pamerituar apo e panjoheshme. Ishte arritja kolektive e njerëzve të shumë gjuhëve, feve dhe besnikërive, shumica e të cilëve nuk kuptuan se çfarë ishin duke bërë historikisht — por e bënë megjithatë.

Libri i Mazower është akt i restaurimit historik. Ai e kthen historinë te kompleksiteti i saj i vërtete, duke demontuar mitet kombëtare jo me armiqësi, por me dashurinë e vërtetë të historianit ndaj të vërtetës. Çdo lexues — shqiptar, grek, apo tjetër — do ta mbyllë leximin me ndjesinë se ka njohur nje realitet të ri: njerëzit realë të vitit 1821, shumë larg figurave monokrome të teksteve shkollore.

Përgatiti Elis Buba / usalbanianmediagroup.com

Burime:


Mark Mazower, “The Greek Revolution: 1821 and the Making of Modern Europe” (2021)

Etiketa: greekluftetaremark mazowerrevolutionshqiptaret
Shkrimi Mëparshëm

“Shqipëria e gjykuar prej një zonje angleze”/ Faik Konica përshkruan udhëtimin e Edith Durhamit në Shqipëri

Shkrimi Vijues

Mandrica, fshati shqiptar në Bullgari që ruan gjuhën dhe traditat prej katër shekujsh

Shkrimi Vijues
Mandrica, fshati shqiptar në Bullgari që ruan gjuhën dhe traditat prej katër shekujsh

Mandrica, fshati shqiptar në Bullgari që ruan gjuhën dhe traditat prej katër shekujsh

Lini një Përgjigje Anuloje përgjigjen

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

  • Prirje
  • Komente
  • Të fundit

Legjenda e Rozafës, për t’u ngritur një kala, u flijua një grua

25 Qershor, 2021

Realizuar në vitin 1467, zbulohet portreti origjinal i Skënderbeut nga Gentile Belini

21 Mars, 2024

Populli vuante për bukë, shikoni si jetonte Enver Hoxha, gazetari anglez publikon fotot e pabesueshme

22 Dhjetor, 2020

E vërteta mbi historinë e xhaxhait të Vjosa Osmanit, që u varros i gjallë nga Enveri

18 Dhjetor, 2020

Shqiptarët në Udhëkryq!

0

Meditime NYC 2020…

0

Paradokset e ditës së parë të shkollës

0

Foto – “ 70% plagjaturë në artikullin shkencor”/ Studiuesi “nxjerr zbuluar” Ministren e re të Arsimit

0
Festivali i 44-t i Këngës Arbëreshe sjell muzikë, histori dhe traditë

Festivali i 44-t i Këngës Arbëreshe sjell muzikë, histori dhe traditë

7 Gusht, 2026
Marubët dhe Gjon Mili bashkohen në Shkodër, një udhëtim në historinë e fotografisë

Marubët dhe Gjon Mili bashkohen në Shkodër, një udhëtim në historinë e fotografisë

7 Gusht, 2026
Mandrica, fshati shqiptar në Bullgari që ruan gjuhën dhe traditat prej katër shekujsh

Mandrica, fshati shqiptar në Bullgari që ruan gjuhën dhe traditat prej katër shekujsh

7 Gusht, 2026
Revolucioni i vitit 1821 dhe rëndësia rrënjësore e shqiptarëve: Historia që tekstet shkollore nuk na mësuan

Revolucioni i vitit 1821 dhe rëndësia rrënjësore e shqiptarëve: Historia që tekstet shkollore nuk na mësuan

7 Gusht, 2026
Festivali i 44-t i Këngës Arbëreshe sjell muzikë, histori dhe traditë

Festivali i 44-t i Këngës Arbëreshe sjell muzikë, histori dhe traditë

7 Gusht, 2026
Marubët dhe Gjon Mili bashkohen në Shkodër, një udhëtim në historinë e fotografisë

Marubët dhe Gjon Mili bashkohen në Shkodër, një udhëtim në historinë e fotografisë

7 Gusht, 2026
Mandrica, fshati shqiptar në Bullgari që ruan gjuhën dhe traditat prej katër shekujsh

Mandrica, fshati shqiptar në Bullgari që ruan gjuhën dhe traditat prej katër shekujsh

7 Gusht, 2026
Revolucioni i vitit 1821 dhe rëndësia rrënjësore e shqiptarëve: Historia që tekstet shkollore nuk na mësuan

Revolucioni i vitit 1821 dhe rëndësia rrënjësore e shqiptarëve: Historia që tekstet shkollore nuk na mësuan

7 Gusht, 2026
“Shqipëria e gjykuar prej një zonje angleze”/ Faik Konica përshkruan udhëtimin e Edith Durhamit në Shqipëri

“Shqipëria e gjykuar prej një zonje angleze”/ Faik Konica përshkruan udhëtimin e Edith Durhamit në Shqipëri

6 Gusht, 2026
Stavri Shkurti, mjeshtri i detajit, trashëgimia e pashlyeshme e një aktori të madh në artin tonë skenik

Stavri Shkurti, mjeshtri i detajit, trashëgimia e pashlyeshme e një aktori të madh në artin tonë skenik

6 Gusht, 2026
  • Home
  • Kreu

© 2026 JNews - Premium WordPress news & magazine theme by Jegtheme.

Mirë se Erdhe!

Hyni në llogarinë tuaj më poshtë

Harruat Fjalëkalimin?

Merrni Fjalëkalimin

Ju lutemi shkruani emrin e përdoruesit ose adresën e emailit për të rivendosur fjalëkalimin tuaj.

Identifikohu

Add New Playlist

Asnjë Rezultat
Shikoni të Gjithë Rezultatet
  • Kreu
  • Aktualitet
    • Politika
    • Kronike
    • Ekonomia
  • Pikepamje
  • Rajoni
  • Bota
  • Diaspora
  • Sociale
  • Kultura
  • English

© 2026 JNews - Premium WordPress news & magazine theme by Jegtheme.