Shtëpia ku lindi Faik Konica, në Konicë të Greqisë, ndodhet në gjendje të rrënuar dhe të braktisur, mes thirrjeve për ta shpëtuar nga harresa. Një nga filantropët që mundësuan kthimin e eshtrave të Konicës në Shqipëri kërkojnë ndërhyrjen e institucioneve shqiptare për ta restauruar dhe shndërruar në muze, me mbështetjen financiare të komunitetit shqiptar në Shtetet e Bashkuara.
Kjo është shtëpia ku lindi Faik Bej Konica, në fshatin Konicë, që sot ndodhet në territorin e Greqisë.
Në vendlindjen e një prej figurave më të shquara të Rilindjes Kombëtare Shqiptare, sot mbizotërojnë rrënojat, shkurret dhe harresa.
Banesa është tërësisht e dëmtuar, e braktisur dhe në prag të shembjes.
Beqir Potka, një nga 17 filantropët shqiptarë që kontribuoi në rikthimin e eshtrave të Faik Konicës në atdhe, e cilëson gjendjen të dhimbshme dhe kërkon ndërhyrje për shpëtimin e saj.
Sipas tij, institucionet shqiptare duhet të nisin negociatat me autoritetet greke që kjo godinë të restaurohet e të kthehet në muze, ndërsa financimi mund të sigurohet nga komuniteti shqiptar në Shtetet e Bashkuara.
Mbetet për t’u parë nëse kjo shtëpi do të vazhdojë të mbetet një rrënojë e harruar, apo do të restaurohet për t’u shndërruar në një muze që ruan dhe nderon trashëgiminë e një prej figurave më të mëdha të historisë shqiptare.
















