145 vjet më parë u nda nga jeta astronomi, matematikani e filozofi shqiptar Hoxhë Hasan Tahsini.
Ai lindi në fshatin e Ninatit, pranë Konispolit. Studimet e para i ndoqi në Stamboll. Kur ishte ende i ri u caktua si mësues pranë shkollës osmane në Paris, ku gjatë kësaj kohe ndoqi edhe studimet për matematikë dhe shkenca natyrore pranë Universitetit të Parisit.
Më 1870 u emërua rektori i parë i të porsathemeluarit Universitet të Stambollit ku dha leksione fizike, astronomie dhe psikologjie.
Tahsini shkroi gjatë jetës së tij disa vepra të rëndësishme shkencore në astronomi dhe psikologji. Shkroi të parin traktat psikologjie në osmanisht të titulluar Psikologjia ose Shkenca e Shpirtit, një vepër e frymëzuar nga modernizmi. Shkroi gjithashtu të parin libër për astronominë moderne, duke qenë edhe libri i parë i shkencës popullore në osmanisht.
Ndërthurja e besimit fetar me shkencën, ishte e papranueshme për botëkuptimin fetar të shtetit osman. Kjo bëri që ta largojnë nga Universiteti i Stambollit duke mos i lejuar më mësimdhënien.
Hasan Tahsini ishte njëri nga themeluesit e Komitetit Qendror për Mbrojtjen e të Drejtave të Kombësisë Shqiptare. Bashkëpunoi me rilindasin tjetër Sami Frashëri me të cilin u përpoq të krijonte dhe një alfabet shqip. Tahsini punoi për alfabetin shqip duke shpikur edhe një alfabet të vetin.
Ai konsiderohet si njëri nga mendimtarët më të mëdhenj të Perandorisë Osmane në shekullin e 19-te./ATSH

















