Plani arrogant i një kryeministri, mbi të cilin nuk pyeti askënd— Trashëgimia e parealizuar arkitektonike e Edi Ramës
Bazuar në librin “The Albanian Files: Freedom and Architecture”, botim i Lars Müller Publishers, redaktuar nga Anneke Abhelakh, me parathënie të Edi Ramës, kryeministër i Shqipërisë
Kur një kryeministër shkruan parathënien e një libri arkitekture, kjo nuk është thjesht një gjest protokollar. Është deklaratë politike. Edi Rama e ka bërë këtë me The Albanian Files, një vëllim prej 800 faqesh i botuar nga Lars Müller Publishers — një nga shtëpitë botuese më prestigjioze të arkitekturës në botë — që dokumenton nënshkrimin e kontratave me mbi pesëdhjetë studio ndërkombëtare arkitekture, disa prej tyre ndër më të famshmet në planet, për projekte ndërtimesh nëpër territorin shqiptar. Libri paraqitet si dëshmi e një “eksperimenti demokratik”, e një “momenti të papërsëritshëm” të bashkëpunimit ndërkombëtar, e një Shqipërie që “tërheq arkitektët më vizionarë të botës jo me para, drita ose premtime, por me diçka shumë më të vështirë për t’u përcaktuar dhe të pamundur për t’u imituar.”
Mirëpo nën retorikën poetike të parathënies, nën kompozimet artistike dhe montimet fotografike mbresëlënëse, fshihet një realitet tjetër: një projekt i paprecedentë institucional ku kreu i ekzekutivit shqiptar ka funksionuar si klient, kurator dhe iniciator i një serie projektesh ndërtimore masive — resorte luksi, komplekse vilash, zhvillime turistike premium — kryesisht në zonat me vlera natyrore, kulturore dhe ekologjike të vendit, pa asnjë debat publik të rëndësishëm, pa transparencë procedurale dhe pa mbikëqyrje parlamentare adekuate.
The Albanian Files duhet lexuar si dokument politik dhe jo vetëm si katalog arkitekture.
I. “Dosjet” si metaforë e pushtetit
Rama e hap parathënien me një vërejtje të mprehtë: në Shqipëri, fjala dosje mbart “një kujtesë të gjatë dhe të dhimbshme.” Dosjet-skedarët nën diktaturë ishin instrumente frike, mjet survejimi, regjistrime të jetës private kundër dikujt. Rama e kthen metaforën: skedarët e rinj janë “instrumente parashikimi të të ardhmes së mundshme.” Ata nuk ndjekin njerëzit — ndjekin një histori.
Është një rikuadrim retorik i mençur. Por ai lë pa u adresuar një pyetje themelore: kush e shkruan historinë? Kush vendos se cilat “të ardhme të mundshme” meritohet të gjurmohen dhe cilat jo? Kush ka qenë bashkëbiseduesi i “arkitektëve më vizionarë” të botës?
Përgjigja, sipas vetë librit, është një: Edi Rama.
Editorja Anneke Abhelakh, në hyrjen e saj akademike, e pohon hapur: “Nën trajektoren e gjatë politike të Edi Ramës — nga ministër kulture te kryetar bashkie i Tiranës dhe tani kryeministër — transformimi i qytetit nuk ka qenë i ndarë nga qeverisja. Projektet urbane, hapësirat publike dhe komisionet arkitektonike nuk janë thjesht ndërhyrje në mjedisin e ndërtuar; ato janë mënyra të imagjinimit, përfytyrimit të dikujt se si njerëzit jetojnë së bashku, si një vend e paraqet veten dhe si dhe nga kë dëshiron të shihet.”
Ky vëzhgim akademik është, njëkohësisht, edhe akuza më e qartë.
II. Arkitektura si instrument personal i pushtetit
Studiot e listuara në The Albanian Files janë pa dyshim ndër emrat e mëdhenj të arkitekturës botërore: BIG (Bjarke Ingels Group), Herzog & de Meuron, OMA (Rem Koolhaas), Kengo Kuma, Steven Holl, Toyo Ito, MVRDV, Diller Scofidio + Renfro, Shigeru Ban — vetëm disa nga pesëdhjetë e ca emrat e listuar në tryezën e materialeve. Prezenca e tyre në Shqipëri do ishte e jashtëzakonshme edhe sikur të kishte ardhur nëpërmjet tenderësh ndërkombëtarë transparent, procesesh konkurruese me ekspertizë të pavarur dhe debat profesional.
Por ajo çka The Albanian Files dokumenton është diçka tjetër: një mënyrë operimi ku kryeministri vetë ka inicuar, drejtuar dhe miratuar projektet. Studioja belge 51N4E, e cila figuron si partneri ndërkombëtar i parë e më shumëvjeçar i qeverisë shqiptare — me projekte si sheshi Skënderbej dhe kulla TID — e përshkruan dinamikën me çiltërsi të paarritshme: “Bashkëpunimi me iRI u realizua falë cilësisë së njerëzve të përfshirë dhe masës kritike të projekteve që ndihmuan të absorbohet paparashikueshmëria e procesit të projektimit.”
Kjo “paparashikueshmëri” — kjo mungesë procesesh institucionale të stabilizuara — nuk është rastësi. Ajo është kushti që lejon të funksionojë sistemi: një sistem ku arkitektët ndërkombëtarë i nënshtrohen vizionit estetik dhe politik të një njeriu.
Studioja 51N4E e pohon vetë: “Si arkitektë ndërkombëtarë, duhet të pranojmë se roli ynë shpesh përdoret për të justifikuar këtë dendësi të rritur ndërtimi.” Ky pranim, fshehur mes fjalëve teknike të një tabele formati pyetje-përgjigje, është rrëfim i asaj që ka ndodhur në terren: emri i madh i studios ndërkombëtare ka shërbyer si legjitimim i vendimeve politike tashmë të marra.
III. Gjeografia e ambicies: ku janë projektet?
Analiza e projekteve të katalogut zbulon një model të qartë gjeografik: zonat bregdetare të Jonit dhe Adriatikut, luginat malore, shtresat arkeologjike dhe natyrore të vendit janë vendndodhjet prioritare.
Zverneci — ishulli historik me manastir mesjetar në gojën e lumit Vjosë, njëri prej ekosistemeve më të rralla të Mesdheut — është projekti i diskutuar më gjerësisht brenda rretheve arkitekturore dhe mjedisore shqiptare. Ky projekt, sipas burimeve të dokumentuara nga gazetarë investigativë shqiptarë dhe burime institucionale, i është lënë për zhvillim kompanisë Kastrati — një ndër konglomerateve më të mëdha private shqiptare, pronë e Shefqet Kastratit — dhe jo kompanive ndërkombëtare të diskutuara shpesh në kontekstin e investimeve në rajon.
Ky detaj nuk figuron në faqet e Albanian Files. Libri nuk e zbulon as procedurën e selektimit të kompanive zhvilluese as relacionin mes studiosve të zgjedhura dhe interesave ekonomike të palëve private që do të ndërtonin projektet e konceptuara.
Ky boshllëk është strukturor, jo rastësor. Libri është bërë për të treguar vizionin, jo procesin. Estetikën, jo ekonominë politike.
IV. Modeli i “arkitekturës si diplomaci personale”
Çfarë e dallon modelin e Ramës nga modeli i zakonshëm i komisionimit publik? Dy karakteristika strukturore.
E para: eliminimi i ndërmjetësimit institucional. Në shumicën e demokracive liberale, projektet e mëdha publike kalojnë nëpërmjet komisioneve teknike, këshillave arkitekturale, concurseve ndërkombëtare, raporteve të ndikimit mjedisor dhe debatit parlamentar. Asnjë nga këto mekanizma nuk figuron si aktor kryesor në narracionin e Albanian Files. Ndërmjetësi unik midis studiosve ndërkombëtare dhe territorit shqiptar është vetë kryeministri — si artist, si patron dhe si vendimmarrës.
E dyta: konfuzioni ndërmjet vizionit personal dhe interesit publik. Rama, si ish-piktor dhe artist i formuar, e trajton arkitekturën si shprehje estetike dhe jo si shërbim publik. Parathënia e tij e konfirmon: ai flet për “besim të përbashkët në realitetin e një ëndrre,” për diçka “të gjallë,” “të paperseritshme,” “ende të lirë nga rehati e mbytur e mbiregulimit.” Ky gjuhë nuk është gjuha e planifikimit urban — është gjuha e personazhit artistik.
Editorja Abhelakh, duke cituar Deyan Sudjic-in (The Edifice Complex: The Architecture of Power), e vendos saktë kuadrin teorik: “Arkitektura është mënyra nëpërmjet të cilës pushteti e bën veten të dukshëm.” Megjithëse ajo e sugjeron këtë si tension produktiv dhe jo si denoncim, formulimi mbetet i saktë: ndërtesat janë mjet të leximit të pushtetit.
V. “Shkolla e hapur e arkitekturës” — retorika kundër realitetit
Rama e paraqet Shqipërinë si “shkollën më të madhe të hapur të arkitekturës” — vend ku arkitektë të rinj shqiptarë punojnë si partnerë lokalë të studiosve të mëdha botërore dhe “mësojnë duke bërë.” Ky fragment është i qëllimshëm.
Ai prodhon dy efekte retorike të rëndësishme. Nga njëra anë, vendos arkitektët shqiptarë si përfitues dhe jo si të përjashtuar nga procesi — duke neutralizuar kritikat e mundshme nga brenda profesionit. Nga ana tjetër, e kthen Shqipërinë nga vend me nevoja specifike dhe kontekst historik kompleks në “laborator” gjeografik pa fytyrë — objekt eksperimentimi dhe jo subjekt i qeverisjes.
Ndërkohë, studioja 51N4E e pranon hapur tension real: “Balanca ndërmjet cilësisë dhe densitetit në Shqipëri është një përgjegjësi e ndarë ndërmjet vendimmarrësve, klientëve dhe dizajnerëve. Në një kontekst të paqëndrueshëm ku si projektet ashtu edhe politikat evoluojnë, debati i vazhdueshëm është thelbësor për të shmangur shfrytëzimin ose rezultatet e ngurta.”
Kjo thirrje për “debat të vazhdueshëm” — e formuluar me kujdes diplomatik — është në thelb rrëfim i mungesës së tij.
VI. Çfarë mungon: debati publik, tokat dhe pasojat ekologjike
The Albanian Files është një libër i bukur. Fotografia është e shkëlqyer, e montuar me elegancë grafike. Vizualizimet e projekteve janë ambicioze. Kontributet e studiosve janë të sinqerta dhe herë-herë kritike ndaj kontekstit.
Por libri nuk përmban asnjë kontribut nga komunitet lokale. Asnjë zë fshatar nga bregu i Jonit apo lugina malore ku projektet planifikohen. Asnjë ekspert i pavarur mjedisor. Asnjë ekonomist i politikave publike. Asnjë jurist i tokës dhe pronës. Asnjë avokat i trashëgimisë.
Kjo mungesë nuk është e rastit. Ajo reflekton strukturën e vendimmarrjes që libri dokumenton: në qendër është vizioni i kryeministrit; rreth tij, studio ndërkombëtare të selektuara nga ai; jashtë rrethit, qytetarët e zakonshëm, bashkësitë vendore dhe institucionet e pavarura.
Ndërkohë, zonat e synuara nga projektet — Vjosa, zona bregdetare jonike, lugina e Përmetit, ishulli i Zvernecit — janë ekosisteme me vlera shkencore, ekologjike dhe kulturore që shkojnë shumë përtej interesit turistik. Zhvillimi i tyre si resorte luksi dhe komplekse vilash është, sipas ekspertëve mjedisorë dhe organizatave si EcoAlbania dhe Riverwatch, potencialisht i pakthyeshëm.
Shqipëria ka 427 km bregdet, shumicën ende relativisht të pazhvilluar. Ka lumenjtë e fundit të lirë të Evropës. Ka lugina pa rrugë asfaltike, ku qetësia është burim i rrallë. Ky kapital natyror i takon kolektivisht qytetarëve shqiptarë — dhe jo peizazhit estetik të një kryeministri, pa marrë parasysh sa vizionar mund të jetë ai.
VII. Konflikti i interesave si sistem, jo si rast
Lidhja ndërmjet studiosve arkitekturore të kontraktuara nga qeveria dhe grupeve private ndërtimore që do të zhvillonin projektet e konceptuara prej tyre është pyetja e zhurmshme që Albanian Files nuk e ngre.
Kur kompania Kastrati — njëra nga ndërmarrjet private më të fuqishme shqiptare — fiton të drejtën e zhvillimit të Zvernecit, dhe kur ky fakt bashkëekziston me kontrata të mëdha publike infrastrukturore që e njëjta kompani i ka me shtetin shqiptar nën qeverisjen e Ramës, lind pyetja e pashmangshme: cilës logjike i bindet ky sistem — logjikës estetike që Rama e shpall apo logjikës ekonomike-politike që mbetet e padokumentuar?
Gazetaria shqiptare investigative — ndonëse e kufizuar nga mjedisi rregullator dhe presioni institucional — ka ngritur raste të shumta të tensionit ndërmjet politikave të zhvillimit dhe interesave private me lidhje politike. The Albanian Files nuk i njeh këto tensione. Libri flet gjuhën e Davosit dhe jo gjuhën e Vlorës.
Letra që thotë gjithçka: “Rama qëndro diktator i përjetshëm “
Reinier de Graaf — partner i OMA (Rem Koolhaas) — i shkruan Ramës nga Roterdami, më 3 mars 2025, duke e falënderuar për mundësinë e punës në Shqipëri. Pastaj, në paragrafin e rrethuar, shkon këtu:
“I would even go a step further. Given Albania’s enduring status as an enlightened architectural patron, our profession would benefit greatly if the country never had another election again, and if you, after your fifth consecutive term as prime minister, would just continue as president for life — maybe even King… may we have one benevolent autocrat with taste?”
Në shqip: “Do të shkoja edhe një hap më tej. Duke marrë parasysh statusin e qëndrueshëm të Shqipërisë si patron arkitektonik i ndritur, profesioni ynë do të përfitonte shumë nëse vendi nuk do të kishte kurrë më zgjedhje, dhe nëse ju, pas mandatit tuaj të pestë radhazi si kryeministër, do të vazhdontit thjesht si president i përjetshëm — ndoshta edhe si Mbret… Në një botë autokracish, a mund të kemi një autokrat të mirëdashëm me shije?”
Ky është dinamiti i vërtetë i cili permes librit i përcillet ideologjikisht Shqipërisë. Një arkitekt i famshëm ndërkombëtar — me projekte aktive në Shqipëri — i propozon hapur kryeministrit të mbetet diktator i përjetshëm, duke e justifikuar me interesin… e profesionit të arkitekturës. Guximi për ta sfiduar hapur demokracinë dhe arroganca e publikimit të kësaj korespondence, është e nivelit vullkanik.
Kjo nuk është letër private. Është shkruar si “letër e hapur.” Faqja ku gjendet — 550 — i takon vetë librit The Albanian Files. Kjo do të thotë se redaktorja Anneke Abhelakh dhe botuesi Lars Müller Publishers kanë zgjedhur ta përfshijnë dhe ta botojnë. Ky vendim editorial — të botosh propozimin për abolicimin/përmbysjen e demokracisë shqiptare — është në vetvete çështje etike e rëndë.
VIII. Libri si monumen dhe si dëshmi
The Albanian Files është njëkohësisht dy gjëra të kundërta: një arritje editoriale dhe kulturore e pamohueshme, dhe një dokument i pushtetit pa llogaridhënie.
Libri konfirmon se Edi Rama ka bërë diçka të rrallë: ka sjellë emrat më të mëdhenj të arkitekturës botërore në një vend të Ballkanit, kryesisht nëpërmjet karizës dhe bindshmërisë personale. Kjo nuk është pak. Disa nga projektet — siç është rimodelimi i sheshit Skënderbej nga 51N4E — janë realizuar dhe kanë pasur ndikim pozitiv real në hapësirën publike tiranase.
Por ambicia estetike nuk mund të zëvendësojë llogaridhënien demokratike. Vizioni nuk mund të jetë alternativë e transparencës procedurale. Dhe projektimi personal — qoftë edhe i ndritur — nuk mund të pretendojë të jetë planifikim urban në emër të qytetarëve.
Shqipëria është sot vend i tranzicionit të vonë demokratik. Shteti i të drejtës mbetet i brishtë. Institucionet e pavarura janë të dobëta. Media është e fragmentuar dhe e cënuar. Në këtë kontekst, koncentrimi i vendimeve të mëdha arkitektonike dhe territoriale në duart e një njeriu — pa transparencë proceduriale, pa kontroll parlamentar, pa konsultim publik domethënës — është shenjë alarmi dhe jo shenjë lavdërimi.
The Albanian Files do të mbetet si dëshmi. Por ajo që dëshmon nuk është vetëm madhështia e vizionit — është gjithashtu mënyra se si pushteti, edhe kur fshihet pas estetikës, gdhend gjeografinë e një vendi sipas shijes së tij dhe jo sipas dëshirës së njerëzve që jetojnë në të. Përgatiti Elis Buba / usalbanianmediagroup.com
Sipas librit “The Albanian Files: Freedom and Architecture” (Lars Müller Publishers, 2026)


















