
Nga Elis Buba
Nervi i qytetarisë nuk paska ngordhur, siç pandehnin shumë…! Ne ishim aty, mes qytetarisë së rizgjuar, nën flamuj kombëtarë të lidhur ndonjëherë në bishta të kuq fshesash.
Nën nurin e Tiranës që i është rikthyer një traditë që dikur ishte pjesë e zakonshme e mbrëmjeve verore. Bordura ovale e lulishtes në zemër të kryeqytetit, me granitin e saj të verdhë, nuk e rifitoi më kurrë statusin e privilegjuar që gëzonte në ato mbrëmje të buta tiranase të fundviteve ’70 dhe fillimit të viteve ’80. Megjithatë, në verën e vitit 2026, rinia e këtij metropoli po i rikthen qytetit një pjesë të shpirtit të humbur. Ajo po e zbukuron si rrallëherë gjatë tri dekadave të fundit jo vetëm sheshin nën hijen e Kastriotit, por edhe bulevardin që shtrihet pas tij.
Tashmë të gjithë ia njohin njëri-tjetrit orën e daljes. E dinë kur do të shfaqen mes njerëzve, përballë bardhësisë së Piramidës dhe godinës së Kryeministrisë. Ka shumë gjasa që aty të takosh njerëz që i kishe humbur prej vitesh nga sytë. Aty mund të ndeshësh këdo, edhe pa lënë takim.
Mbrëmë isha në marshim me familjen e një mikut tim. Edhe më herët kemi zgjedhur të protestojmë bashkë me familjet tona. Thërrisnim një parrullë që na pëlqente të gjithëve: “Rama në burg, Berisha në burg”. Ishte e thjeshtë dhe e çuditshme njëkohësisht, por pikërisht për këtë arsye funksiononte. Ky miku im qeshte dhe brohoriste thuajse në të njëjtën kohë — si një ironi e butë ndaj vetes dhe ndaj protestës, që dukej e pabesueshme dhe që nuk kishte nevojë të merrte veten shumë seriozisht për të qenë e vërtetë.
Disa prej nesh filluan të përmendnin Belindën në vend të Berishës: “Rama në burg, Belinda në burg!” …
Po e kalonim këtë moment me disa shkëmbime shikimesh të zhgënjyera dhe po përpiqeshim të dëgjonim çfarë kishte për të thënë Gent Bejko.
Sa herë dëgjoj fjali si: “Është hera e parë që dëgjoj për Gent Bejkon” fjalë që më erdhën nga të pranishmët, diku pas shpine, më duket sikur i përkas një kohe tjetër. Genti është një aktor me talent të lindur, me një brum artistik autentik. Por në “kosherën” e toksicitetit që shumë vetë e kanë quajtur Portokalli, ai u largua dhe nuk iu dha më mundësia të vazhdonte të kontribuonte me materialet e tij. Të tjerë mbetën. Ata që sot quhen, jo vetëm me ironi, “investitorë strategjikë”.
Mbi të gjitha, kjo protestë duhet vlerësuar për diçka shumë më të rëndësishme se çdo fjalim: solidaritetin qytetar. Për afrimin njerëzor që ka krijuar. Për ndjenjën e përkatësisë që po rikthen. Dhe për nderin që po i bëhet Shqipërisë, si në politikë, ashtu edhe në imazhin e saj publik.
Një botë e tërë po kupton se stereotipi i shqiptarit trafikant apo kriminel nuk është gjë tjetër veçse një klishe dashakeqe, e ngritur mbi kurrizin e një populli me shpirt shumë më të madh dhe më të bukur se sa është paraqitur shpesh.
Mos harroni këtë. As sot, as nesër.
“Rama në burg, Berisha në burg”, thërrasin shumë prej protestuesve, sepse i konsiderojnë të dy përgjegjës për dëmtimin e jetës së brezave të tërë shqiptarësh.
Genti zbriti nga foltorja e improvizuar dhe unë humba pjesën e mbetur të fjalës së tij. Shpresoj ta gjej diku online; dhjetëra kamera e regjistruan atë mbrëmje.
Por një fjali më mbeti në ndërgjegje:
“Ne jemi Europa. Jemi geni i saj…”
Nën postimet e shumta që mbështesin protestën, dita-ditës po lexojmë komente dashakeqe dhe fyese nga njerëz që duket qartë se kanë marrë përsipër detyrën për ta përbaltur këtë lëvizje qytetare.
Protestuesit i quajtën fillimisht grekë. Pastaj armiq të investimeve. Më pas iranianë. Më vonë njerëz të Erion Veliajt. Lista e etiketave ndryshon vazhdimisht, por logjika mbetet e njëjtë.
Emëruesi i përbashkët i gjithë këtyre Pinokëve të tastierës, që luajnë me fjalët nga qetësia e ekranit të telefonit apo kompjuterit, është pretendimi se Shqipëria po humbet një mundësi të artë për investime ndërkombëtare me miliarda dollarë.
“Shqipëria po humbet shansin të bëhet Maldive!”
Miti i Maldiveve dhe çmimi i tij real
Propaganda e ditëve të fundit ka një refren të vazhdueshëm: “Shqipëria po humbet mundësinë për t’u shndërruar në Maldive.”
Ka raste kur të flasësh qartë është detyrim moral. Ky argument nuk është as liberal dhe as konservator. Është thjesht i rremë.
Modeli i Maldiveve, që shumë gjeografë dhe ekonomistë e përshkruajnë si anën e errët të turizmit enklavë, funksionon si dy botë paralele: resorte luksoze të izoluara pothuajse krejtësisht nga jeta e popullsisë vendase. Një pjesë e madhe e të ardhurave që gjeneron turizmi largohet menjëherë jashtë vendit, duke krijuar pak lidhje reale me ekonominë lokale.
Pas imazhit të rërës së bardhë dhe ujërave të kristalta fshihet edhe një realitet tjetër. Kryeqyteti Malé është një nga hapësirat urbane më të mbingarkuara në planet: një masë e dendur betoni, ku presioni demografik dhe kufizimet territoriale janë bërë pjesë e përditshmërisë.
Nëse për dikë Maldivet përfaqësojnë një ëndërr të përsosur, ia vlen të shihet edhe kostoja e saj.
Çfarë kërkon ky moment
Lëvizjet qytetare pa strukture dhe krye, kanë dy fate të zakonshme: ose shpërbëhen, ose kapen.
Prandaj disa gjëra duhen thënë qartë.
Kjo protestë është para së gjithash kundër një sistemi të vjetër politik, jo kundër vetë politikës. Sistemet nuk përmbysen me thirrje në megafon; ato përmbysen me ide, me organizim dhe me alternativa të qarta.
Retorika anti-politike, sado e kuptueshme emocionalisht, shpesh i shërben më shumë status quo-së sesa ndryshimit. Retorika anti-hajdutëri dhe abuzim pushteti, do të qe më e shëndetshme.
Duhet një front më i gjerë qytetar e politik, ku forcat e reja dhe shoqëria civile të arrijnë të artikulojnë kërkesa të qarta dhe objektiva konkrete. Dhe nga ky front duhet të dalë një lidership i ri: jo vetëm intelektualë me autoritet moral, por edhe figura tribune, njerëz që dinë të flasin me pasion dhe që besojnë thellësisht në atë që thonë.
Kam respekt të thellë për brezin që po përmbys paradigmën e vjetër se shqiptarët nuk ngrihen. Por historia na mëson diçka të thjeshtë: ngritja është vetëm fillimi. E vështira nis më pas — kur euforia shuhet, kur turmat pakësohen dhe kur fillon puna e vërtetë.
Ky është një moment historik. Dhe momentet historike kërkojnë veprime historike.
Mos e harroni këtë!
Nervi i qytetarisë nuk paska ngordhur, por ndoshta për ca kohë ka qenë i përgjumur. Ne ishim aty mes qytetarisë që rizgjohej, nën flamuj kombëtarë të lidhur ndonjëherë në bishta të kuq fshesash. Por ndiheshim të gjithë bashkë si mbi një piedestal të këtij monumenti të përbashket, shpresojmë historik, për të cilin kemi përgjegjësi të gjithë.

















