Frank Shkreli
Jemi mësuar ta konsiderojmë Prizrenin si kryeqytetin shpirtëror të shqiptarëve. Jo për shkak të institucioneve, jo për shkak të pushtetit politik, por për shkak të peshës së historisë që ai mbart. Në këtë qytet Lidhja Shqiptare e Prizrenit ka hedhur themelet e vetëdijes kombëtare, në këtë qytet historia nuk është thjesht e kaluara — është identitet. https://telegraf.al/opinion/frank-shkreli-lidhja-e-prizrenit-nje-kthese-vendimtare-per-kombin/
Dhe pikërisht për këtë arsye, çdo zhvillim në Prizren nuk është i zakonshëm. Nuk mund të jetë. Kur në një hapësirë të tillë zhvillohen aktivitete me simbolikë të diskutueshme historike, reagimi nuk është thjesht emocional — është reagim ndaj një ndjenje se po lëkundet diçka më e thellë, në këtë mes. Sepse, për të gjithë ata që jetojnë aty ose kanë vizituar atë vend, Prizreni nuk është vetëm një qytet i bukur me kalldrëme dhe monumente. Ai është një pikë referimi për atë çfarë shqiptarët kanë qenë dhe çfarë pretendojnë të jenë.
Në qendër të Prizrenit, aty ku historia shqiptare ka marrë një nga kthesat më vendimtare të saj kombëtare, zhvillimi i një parade me simbole osmane para disa ditësh, me të drejtë ka shkaktuar reagime të forta, por edhe të ndara në opinionin publik. Për shumë qytetarë, kjo nuk është thjesht një shfaqje folklorike apo turistike, por një fyerje ndaj kujtesës historike të Kombit Shqiptar. Problemi nuk qëndron vetëm te një paradë apo një aktivitet i caktuar. Problemi është mungesa e një vije të qartë dhe standarde nga institucionet e dy shteteve shqiptare: çfarë përfaqëson sot Prizreni për shqiptarët? A është ai një skenë, ku përfaqsuesit e pushtuesve të çdo periudhë historike, mund të shfaqet pa dallim, apo një hapësirë që kërkon një filtër më të fortë të dukurive të tilla, për shkak të simbolikës që mbart?
Një qytet si Prizreni pra, kërkon përgjegjësi më të madhe nga institucionet shtetërore në Kosovë dhe në Shqipëri. Kërkon vetëdije. Kërkon kujdes. Nuk mjafton të thuash “është kulturë” apo “është trashëgimi”. Pyetja e vërtetë është: çfarë mesazhi po japin shqiptarët në të dy anët e kufirit shqiptaro-shqiptar kur zgjedhin të shfaqin, pikërisht, këtë pjesë të historisë, pikërisht, në këtë qytet dhe në këtë kohë? Nëse Prizreni është “kryeqytet shpirtëror simbolik”, siç e konsiderojnë shumica e shqiptarëve, atëherë ai duhet të trajtohet si i tillë e jo si një hapësirë neutrale ku gjithçka është e barabartë dhe e pranueshme, pa reflektim historik. Sepse në fund të fundit, një komb nuk humb historinë brenda natës. Ai e humb atë ngadalë — duke mos ditur më dhe më me shumë kujdes — se çfarë duhet të ruajë nga influencat dhe pretendimet e pushtuesve të huaj shekullorë në trojet e sotëme iliro-arbërore.
Nuk bëhet fjalë, pra, për një qytet të zakonshëm. Sepse, Prizreni është vendi ku më 1878 u themelua Lidhja Shqiptare e Prizrenit — një moment themelor në artikulimin e vetëdijes kombëtare shqiptare dhe në përpjekjet për mbrojtjen e trojeve shqiptare, pa dallim qyteti a krahine. Prandaj, çdo aktivitet publik në këtë hapësirë nuk është thjesht spektakël; ai mbartë domethënie historike identitare pë shqiptarët. Pikërisht për këtë arsye, një pjesë e opinionit publik i sheh këto nisma, jo vetëm problematike, por edhe ofenduese ndaj identitetit kombëtar të shqiptarëve. Argumenti është i thjeshtë: historia nuk është neutrale. Ajo as nuk paraqitet në vakum, por në kontekste konkrete, me simbolikë dhe mesazhe që ndikojnë në mënyrën se si një komb e kupton vetveten dhe të kaluarën e vet.
Po nga ana tjetër, mbështetsit e këtyre aktiviteteve theksojnë se periudha osmane është pjesë e pandashme e historisë së qytetit dhe ka lënë gjurmë të dukshme në arkitekturë, kulturë dhe traditë. Sipas kësaj logjike, rikrijimet historike apo eventet tematike nuk janë glorifikim, por një mënyrë për të promovuar trashëgiminë dhe për të tërhequr turizëm. Por dilema nuk zgjidhet kaq lehtë. Sepse problemi nuk është vetëm çfarë shfaqet, por edhe ku dhe si shfaqet. Një aktivitet që mund të ishte i pranueshëm në një kontekst tjetër, merr një kuptim krejt tjetër kur zhvillohet në një hapësirë me ngarkesë të fortë simbolike kombëtare, siç është Prizreni, për të gjithë shqiptarët, kudo. Nëqoftse dikujt i nevojitet një kujtesë se prizreni është i të gjithë shqiptarëve, dëgjoni njëherë këngën popullore “Thërret Prizereni mori Shkodër”. Muzikën e këngës e ka punuar si kompozitor Hamëz Llapqeva, ndërsa autor i tekstit rezulton të jetë Sylë Bajrami, të dy shqiptarë nga Kosova Mix – Aurela Gace – Therret Prizreni (Kenge Moj).
Prandaj, në këtë mes, hyn në lojë një tjetër dimension i debatit e që është roli i institucioneve, si ruajtës të historisë, kulturës dhe të identitetit kombëtar shqiptar.
Si Tirana ashtu edhe Prishtina janë përballur shpesh me kritika për mungesë qëndrimi të qartë në raste të tilla, si dhe për rrezikun e influencave të huaja në trojet shqiptare. https://telegraf.al/opinion-2/frank-shkreli-edhe-nje-here-per-rrezikun-ruso-turk-ne-shqiperi-dhe-ne-kosove/ Në emër të “hapjes”, “diversitetit kulturor” apo “promovimit turistik”, vendimet në lidhje me dukuri të tilla, lihen të pa-artikuluara e pa standard, ndërsa publiku detyrohet t’i interpretojë vetë. Kjo heshtje zyrtare, natyrisht, krijon një boshllëk. Dhe në këtë boshllëk lindin përplasjet: njëra palë sheh në këto aktivitete një formë normalizimi dhe justifikimi të së kaluarës së pushtimeve të tokave shqiptare nga të huajt, ndërsa pala tjetër i konsideron si shprehje të një identiteti të shumëfishtë kulturor. Pa një kornizë të qartë institucionale, çdo ngjarje e tillë kthehet në krizë sado të vogël, publike.
Kjo është arsyeja pse kërkohet një qasje më e matur zyrtare. Jo mohimi i historisë, por kornizimi i saj me përgjegjësi. Për këtë janë fajtorë si Tirana ashtu edhe Prishtina. https://telegraf.al/politike/bashkia-tirane-ngre-monument-per-viktimat-e-grushtit-te-deshtuar-te-shtetit-kunder-erdoganit/ Një shtet që respekton veten nuk e fshin asnjë periudhë historike, por as nuk i trajton të gjitha njësoj. Ai vendos kufij të qartë për hapësirat simbolike në haopësirat publike, për mënyrën e përfaqësimit dhe për mesazhet që përcillen në publik. Sepse në fund të fundit, çështja nuk është vetëm për një paradë apo një aktivitet kulturor. Është për mënyrën se si një shoqëri zgjedh të kujtojë historinë e vet. Është për vijën ndarëse mes kujtesës dhe harresës. Ka momente kur një shoqëri duhet të ndalet dhe të pyesë veten: çfarë po festojmë në të vërtetë? Sepse jo çdo “aktivitet kulturor” është i pafajshëm dhe jo çdo rikrijim historik është i shkëputur nga domethënia që mbart. Dhe mbi të gjitha, mbeten pa përgjigje zyrtare, pyetjet thelbësore: a po e ruajnë shqiptarët historinë e vet, apo ata po mësohen ta relativizojnë atë, pak nga pak? Ku mbaron trashëgimia kulturore dhe ku fillon glorifikimi politik i pushtuesve historik të trojeve shqiptare?
Zhillimi i “Paradës ushtarake osmane” në Prizren këto ditë, kërkon shpjegim dhe përgjigje nga autoritetet vendore dhe qendrore të Republikës së Kosovës. Sepse pa busull historike nga autoritetet shtetërore e sidomos kur Tirana dhe Prishtina zyrtare heshtin për zhvillime të tilla në dy shtetet shqiptare atëherë, natyrisht, do vendosin të tjerët. Kur institucionet nuk flasin qartë, hapësira publike mbushet me zëra të tjerë. Dhe shpesh, këta zëra nuk udhëhiqen nga kujtesa historike as nga interest kombëtare por nga interesa të momentit — kulturore, turistike apo edhe politike.
Rasti i fundit në Prizren nuk është një incident i izoluar. Ai është simptomë e një problemi më të thellë: mungesa e një politike të qartë shtetërore për trajtimin e historisë në hapësirat publike, anë e mbanë trojeve shqiptare në Ballkanin
Perëndimor. Në një qytet ku u themelua Lidhja Shqiptare e Prizrenit, çdo aktivitet me simbolikë historike nuk mund të trajtohet si argëtim i zakonshëm. Sepse këtu nuk bëhet fjalë për ndalimin e historisë — por për kornizimin e saj me përgjegjësi.
Në mungesë të kësaj busulle, çdo debat bëhet emocional, çdo reagim bëhet i ashpër, dhe çdo vendim duket pastak si kompromis. Dhe atëherë lind pyetja që nuk mund të shmanget më: A po drejtohen Kosova dhe Shqipëria nga një vizion i qartë për historinë kombëtare, apo nga rrethanat politike të ditës dhe nga interesat personale dhe partiake të rastit? Sepse historia nuk është dekor. Ajo është themel. Dhe kur themeli lihet pa mbrojtje, çdo ndikim — i brendshëm apo i jashtëm – dalngadal, gjen vend për t’u bërë normë. Në fund të fundit, përgjegjësia është e atyre në Tiranë e Prishtinë të cilët do duhej të kishin vendosur me kohë këto standarde, por që për fat të keq, autoritetetet shqiptare, zgjedhin të mos vendosin standard as mos të marrin përgjegjësi.
















