Figura e Dhimitër Plaputa – Dimitrios Plapoutas (1786–1864) nuk përfaqëson thjesht një gjeneral të shquar të Kryengritjes të vitit 1821, por shërben si një laborator historik për të kuptuar kompleksitetin e identiteteve në Ballkanin para-nacionalist. Përmes dokumenteve bashkëkohore dhe dëshmive historiografike, Plapoutas na shfaqet si trashëgimtar i një kaste luftarake arbërore, i cili projektimin e tij politik e gjeti te liria e përbashkët ortodokse, duke sfiduar kështu kornizat e ngushta që historiografia e mëvonshme e shekullit XX u përpoq t’i impononte.
Gjenealogjia e “Ntredes-ve”: Rrënjët Arbërore të Triphylisë
Sipas të dhënave biografike, Dimitrios Plapoutas (lindur si Dimitrios Koliopoulos) ishte djali i dytë i kleft-armatollit të njohur Kol Plaputa – Nikola-Kolia Plapoutas. Burimet e kohës janë taksative sa i përket origjinës: Kolia Plapoutas lindi në vitin 1735 në fshatin Soulima të Triphylisë dhe rridhte nga fisi i njohur i Ntredes-ve (Ντρέδες).
Historiografia e identifikon këtë grup si një popullsi arbërore që migroi nga Epiri I populluar nga shqiptarë, drejt Moresë (Mesinisë Veriore) në shekullin e XIV, me ftesë të despotëve të Mistrës, Manuel Kantakouzenos dhe Theodhor Paleologut I. Qëllimi i këtij migrimi ishte ripopullimi i zonave të shpopulluara prej kohësh në atë që njihet sot si Greqi. Zona të pamata të goditura nga epidemitë dhe krijimi i një brezi mbrojtës ushtarak.
“Ntredes-it ishin të krishterë ortodoksë, ushtarë profesionistë dhe u shndërruan në kleftët më famëkëqij të Peloponezit.” — Fragment nga biografia e familjes Plapoutas.
Kjo origjinë shqiptare (siç cilësohet në disa enciklopedi ndërkombëtare, përfshirë shënimet e Wikipedia-s që citojnë burime greke) nuk ishte një pengesë, por një motor i lëvizjes çlirimtare. Për Plapoutas dhe të atin, identiteti arbëror ishte identiteti i tyre kulturor dhe gjuhësor, ndërsa ideali politik ishte ai i çlirimit nga zgjedha osmane.
Kol Plaputa: Luftëtari përtej etnicitetit modern
Një detaj tërheqës nga jeta e babait të Dhimitrit, Kola, hedh dritë mbi natyrën fluide të besnikërive të asaj kohe. Në vitin 1779, pas Kryengritjes së Orlovit, Kola mori pjesë — së bashku me forcat osmane (të Sulltanit) — në asgjësimin e bandave të shqiptarëve myslimanë që kishin mbetur në More dhe po plaçkitnin popullsinë vendase (si të krishterë, ashtu edhe myslimanë).
Ky fakt dëshmon se për familjen Plapoutas, lufta nuk ishte domosdoshmërisht një konflikt etnik “grek kundër shqiptarëve”, por një betejë për rend, siguri dhe mbi të gjitha, për mbijetesën e komunitetit të krishterë arbëror nën autoritetin e tyre. Kola, i cili në vitin 1821 ishte 85 vjeç, e shpalli revolucionin në fshatin Betsi, duke dëshmuar se ndjenja e lirisë ishte më e fortë se çdo llogari tjetër moshore apo politike.
Dimitrios Plapoutas dhe simbioza “arbëro-greke”
Në dokumentet historike greke të shekullit XIX, shpesh flitet për një “përzierje” (επιμιξία) të shqiptarëve (arbërorëve) dhe grekëve. Kjo simbiozë arriti kulmin në drejtimin e ministrive ushtarake dhe posteve administrative të shtetit të ri grek.
Emra si Koleti, Kundurioti, Boçari, Xhavella, Bubulina dhe Plaputa renditen si shtyllat e këtij realiteti të ri. Në këto dokumente, theksohet se:
- Arbërorët sollën “spiritus pugnax” (frymën luftarake).
- Grekët kontribuan me “ndjenjat fisnike të atdhedashurisë dhe dëshirën për dije”.
Dimitrios Plapoutas ishte njeriu i besuar i Teodor Çergjini-Bithgurit, Kollokotronit – Theodoros Kolokotronis. Ai nuk luftoi si “shqiptar” apo si “grek” në kuptimin modern ekskluziv të fjalës, por si një kapiten i krishterë i Moresë. Karriera e tij e mëvonshme si senator dhe adjutant nderi i Mbretit Otto tregon integrimin e plotë të kësaj elite arbërore në strukturat e shtetit modern grek, pa e mohuar kurrë prejardhjen nga “të frikshmit Ntredes”.
Liria përpos dogmave
Analiza e figurës së Dimitrios Plapoutas na fton të braktisim dogmat nacionaliste të shekullit XX, të cilat përpiqen t’i ndajnë heronjtë në “tanët” dhe “të tyret”. Plapoutas ishte:
- Arbëror nga gjaku, gjuha dhe tradita luftarake.
- Grek vetëm nga orientimi fetar dhe përkatësia shtetërore e mëvonshme.
Ai ishte mishërimi i asaj që historiografia serioze e quan “Nënshkrimi i Arbërorëve në Pavarësinë Greke”. Përpjekja për ta parë atë thjesht si një “tradhtar” të një etnie apo si një “grek të pastër” është një anakronizëm. Plapoutas luftoi për lirinë e njerëzve të tij, të farës dhe sojit të tij, nga një sistem që e shihte si të nënshtruar (raja), duke vërtetuar se liria nuk ka nevojë për pasaportë etnike për të qenë legjitime.
Trashëgimia e tij në fshatin Paloumba të Arkadisë mbetet një monument i gjallë i një kohe kur burrëria dhe besa arbërore u bënë guri i themelit të një kombi të ri. Përgatiti Elis Buba / usalbanianmediagroup.com




















