Nëntor 1908: katër batalione osmane nuk arrijnë ta mposhtin Isa Boletinin!
Më 25 nëntor 1908 konsulli austrohungarez nga Mitrovica, Adolf Ritter von Zambaur, e njoftonte ministrin e jashtëm Aehrenthal mbi një aksion të forcave osmane kundër Isa Boletinit.
Konsulli raportonte se është domethënëse për rrethanat e këtushme në përgjithësi dhe për vlerën e trupave turke në veçanti, se edhe nën regjimin e ri, 4 batalione (një me këmbësori, dy me nizamë dhe një batalion i kombinuar nga Novi Pazari) me disa topa, nuk ishin në gjendje ta mposhtnin Isa Beun, i cili ishte i ngujuar në kullën e tij në Boletin me vetëm 10 deri 15 shqiptarë.
Pas një shkëmbimi zjarri që zgjati 24 orë, ky grup i vogël arriti të çajë rrethimin dhe të ikte natën e 22-të në 23-të të këtij muaji, duke lënë pas 3 të vdekur.
Ushtria pati 7 të vrarë dhe 5 të plagosur. Dy batalione filluan ndjekjen e Isait drejt Selacës në veri i Mitrovicës, por pa sukses. Thuhej se kishte ikur në drejtim të kundërt, te miqtë e tij në rrethin e Pejës.
*****
Burimi: Politika dhe shoqëria në Vilajetin e Kosovës dhe në Kosovën e sunduar nga serbët. Raporte të konsujve austro-hungarezë nga Ballkani qendror (1870-1914), botoi Akademia Austriake e Shkencave, Vjenë 2020. Edituar nga Oliver Jens Schmitt dhe Eva Anne Frantz. (Tekstet janë botuar në origjinal në gjuhët që kanë shkruar konsujt, gjermanisht dhe herë-herë frëngjisht).
(Përktheu dhe përgatiti: Enver Robelli)






















