Kur kanë kaluar pothuajse 11 vite nga masakra në bulevard, përballë kryeministrisë, më 21 janar 2011, ish-ministri i mbrojtjes në atë kohë, Arben Imami, të gjithë përgjegjësinë ia ka hedhur Lulzim Bashës, ish-ministër i Brendshëm në atë kohë, duke thënë se ai ka dhënë urdhrin për vrasjen e protestuesve dhe jo Berisha.
Imami ka zbuluar ish-kryeministri ka qenë në zyrë së bashku me të dhe ministrat e tjerë të kabinetit qeveritar, me përjashtim të Lulzim Bashës. Ky i fundit, mungonte në këtë mbledhje të rëndësishme, tha ai, e ndërsa e akuzon se Basha si ministër i Brendshëm dha “ok” për vrasjen e protestuesve duke i marrë jetën Aleks Nikës, Ziver Veizit, Hekuran Dedës dhe Faik Myrtajt. Madje Imami shton se Basha dhe Rama kanë bashkëpunuar, e sipas tij kjo e vërteton fakti që pas 21 janarit Basha u bë kryetar i partisë dhe Rama kryeministër.
“21 janari ka qenë grusht shtetit, se cilët janë aktorët e grushtit të shtetit merret vesh pjesë pjesë. Deklarimi i Bashës është i qartë, kush përfitoi dhe humbi nga 21 janari, përfitoi Basha që u bë kryetar i partisë dhe Rama kryeministër, ishte përfshirë ish-prokurori, kryeministri, dhe kanë ardhur dhe deklarohen, është vetë deklarim për klubin e 21 janarit, ia kam thënë Berishës, këtu një mendje djallëzore ka arritur të organizojë këto figura, ndryshe nuk mund të bëjë. Berisha ka qenë në zyrë unë e di, ka qenë me njerëz, ky s’ka qenë aty, urdhrat i jep ministri, ka ardhur Berisha pas 21 janarit në Ministrinë e Mbrojtjes dhe i kam thënë, 1 ushtria nuk del jashtë kazermave dhe nuk i jep asnjë njeri në botë ushtarakëve në kundërshtim me ligjin, por i thashë që askush nuk hyn në kazerma, i gjallë jo, është përgjegjësi e qartë se e kujt është, një grusht shteti, është një plan”, tha Imami.