Qëkur u botua “Historia e Skënderbeut” e Marin Barletit, më 1508, historianëve shqiptarë, duke filluar nga Frang Bardhi e deri në shekullin XX, u është dashur të luftojnë kundër tezave të disa historianëve të huaj, që përpiqeshin ta paraqisnin Gjergj Kastriotin me origjinë serbe apo greke. Dhe kur e vërteta mori dhenë, kur historiografia botërore e njohu origjinën shqiptare të Heroit tonë Kombëtar, dolën, çuditërisht, ca intelektualë shqiptarë, që u përpoqën “të bëjnë serbe” nënën e Gjergjit tonë të lavdishëm-Vojsavën.
Ka qenë kjo arsyeja që studiues a historianë të ndryshëm shqiptarë, veçanërisht këto kohët e fundit, kanë botuar shkrime, nëpërmjet të të cilave mbrojnë tezën mbi origjinën shqiptare të Vojsava Kastriotit, duke e paraqitur me gjak të pastër arbëror. Këtë, ata e kanë bërë duke u mbështetur, kryesisht mbi dy autorë, historianin e madh Marin Barleti dhe bashkëkohësin e tij Gjon Muzaka.
Ndaj, për ta pasur parasysh çështjen, po ritheksojmë se i pari që flet për Vojsava Kastriotin ka qenë Marin Barleti (1508), i cili, pasi tregon se Gjon Kastrioti ishte “ai që spikati për urtësi, rëndësi e shpirtmadhësi të paepur”, shton se “Gruaja e këtij e kish emrin Voisavë, të cilën e bënin jo të padenjë për atë burrë menjëanë i jati shumë fisnik, princi i tribalëvet, m`anë tjetër bukuria, sjellja dhe shpirti i saj i lartë përmbi natyrën e femrës”. (botim i vitit 1964, f. 50).
Nga sa shihet, historiani ynë nuk thotë asgjë për përkatësinë etnike të Vojsavës. Ai vetëm na thotë se i jati i saj ishte “shumë fisnik” dhe “princi i tribalëve”, emër i shkruar me shkronjë të vogël nga përkthyesi Stefan Prifti. Ai, siç shihet, nuk e përmend vendorigjinën e Vojsavës, nuk e përmend as Pollogun, për të cilin kanë folur e flasin shumë studiues pasardhës të historianit tonë të madh.
I dyti autor që ka folur për Vojsava Kastriotin konsiderohet Gjon Muzaka, bashkëkohës i Skënderbeut i cili, siç dihet, kishte lidhje miqësore të ndërsjella me familjen e Kastriotëve. Ky autor, në veprën “Memorada”, shkruan: “E ëma e të thenit zotit Skënderbeg, gruaja e të thenit zotit Gjon, pati emrin Vojsava Tribalda dhe vinte nga një derë e fisme”. Duket se edhe ky autor nuk shkon më larg se Marin Barleti, përveçse mbiemrin “Tribalda” e shënon me shkronjë të madhe.
Disa studiues e historianë, për të mbrojtur prejardhjen shqiptare të Vojsava Kastriotit, midis të cilëve edhe Kristo Frashëri, kanë shprehur mendimin se edhe Marin Barleti, edhe Gjon Muzaka nuk e kanë përmendur përkatësinë etnike të Vojsavës, sepse kjo përkatësi ka qenë e ditur prej bashkëkohësve e, në mënyrë të veçantë, prej pasardhësve të Gjon Muzakës. Një tezë e tillë, natyrisht, e mbron idenë e përkatësisë arbërore të Vojsava Kastriotit, por nuk i jep përgjigje përfundimtare pyetjes: Ku kishte lindur nëna e Gjergj Kastriotit?
Studiues të ndryshëm shqiptarë, në kërkim të vendlindjes së Vojsavës, mbështetën në pohimin e Gjon Muzakës për Vrana Kontin ose Kont Uranin. Sipas këtij pohimi, Vrana Konti ishte “Një princ shqiptar me titullin “Markez” i Tribalda, i cili jetonte në Itali pas vdekjes së Skënderbeut dhe kishte gjak prej të Muzakajve”. Por edhe ky pohim nuk i jep përgjigje pyetjes: Ku ka lindur Vojsava Kastrioti dhe cili është fisi i saj?
Pohimi i Gjon Muzakës nuk arrin t`i japë përgjigje kësaj pyetjeje edhe për faktin se edhe vendorigjina e Kont Uranit del si e papërcaktuar saktë në dokumente historike. Për këtë sikur mjafton të sjellim një shënim të Ali Harshovës, autor i librit “Bashkëluftëtarët e Skënderbeut”. Se ai, duke bërë fjalë për Kon Uranin, këtë bashkëkohës të Gjergj Kastriotit, shkruan: “Sipas Biemit, Uran Konti ishte nip i Simon Altisferit, që, “dikur, kish qenë kryezot i Shqipërisë”. Dhe ky autor sikur i lë përsëri në mjergull ca të dhëna për Vrana Kontin, kur shton: “Se, kur kish zotëruar ky Simon mbi Shqipërinë, s`dihet gjë, gjithashtu nuk dihet se ka qenë Urani nip i tij, nga motër apo nga vëllai”.
Dhe mjergulla për vendlindjen e Kont Uranit, që paska qenë, sipas Gjon Muzakës, nga “fisi Tribaldë”, bëhet më e padepërtueshme, kur Ali Harshova shton: “Nga sa thamë, del se Uran Konti nuk dihet me siguri nga ç`fis ka qenë; dihet vetëm se Boza, nëna e Lekë Zahari Altisferit, ish motra e tij”.
Sidoqoftë, historiani Fan S. Noli sikur e ndërlikon problemin kur shkruan se “…Dimë që një Alfons, stërnip i Vrana Kontit, që rronte në Itali më 1512-1544, mbante titullin Marchese di Tripalda, dhe,…Tripalda ishte llagapi i Voisavës, së ëmës së Skënderbeut”, duke shtuar: “…Vrana Koti, kumandar i dëgjuar i Krujës, ose ishte Altisfer nga i ati dhe Tripalda nga e ëma, ose ish i martuar me një princeshë Tripalda ai vetë. Barbarichu e nxjerr stërnip të Theodor Vranës, princit të Edernesë në kohë të Perandorit Isak Ëngjëll Komnenit”. (“Bashkëluftëtarë të Skënderbeut”, f. 30))
Mbështetur në këto dëshmi, disa autorë, si Anonimi, në veprën “Punët e ndritëshme të zotit Gjergj Kastriotit Skenderbeu” (1539), Francesko Sansovani (1568), Lavardini (1577) e të tjerë, kanë pohuar se Vojsava ishte e bija e princit të Pollogut, pa e përcaktuar vendin ku jetonte ky fis dhe pa e përmendur emrin e këtij princi. Sidoqoftë, nisur nga fakti se pas vdekjes së, Stefan Dushanit dhe shembjes së perandorisë së tij serbe, fisnikët e Arbërisë i rimorën territoret e tyre të humbura, studiues e historianë të ndryshëm kanë mbrojtur tezën se princi i Pollogut duhet të ishte arbër, pasi një princ serb nuk mund të ushtronte pushtetin e tij në një territor të rrethuar nga fisnikë arbër.
Pa tentuar për ta kundërshtuar këtë tezë parimisht të drejtë, çështja e territorit ku shtrihej fisi i Tribalëve ha diskutime. Dhe diskutimi për këtë çështje sikur merr zjarr kur njihemi me një pohim të përkthyesit të veprës së Marin Barletit-Stefan Prifti. Se ai, kur citon historianin tonë të madh, e përcakton emrin “Tribal”, edhe pse e shkruan me shkronjë të vogël si “emër i një fisi, i cili në kohë antike banonte në trevat e Maqedonisë dhe të Bullgarisë së sotme”, duke shtuar se “Me këtë emër Barleti, këtu dhe gjetkë, quan banorët sllave të këtyre vendeve”. (“Historia e Skënderbeut”, 1964, f, 50)
Por nuk është vetëm ky shënim me peshë i përkthyesit të talentuar të veprës së Barletit, Stefan Prifti, që i vë në mendime studiuesit dhe historianët, të cilët rreken të përcaktojnë territorin ku shtrihej fisi i Tribalëve. Se të çudit fakti që ndonjë studiues pohon se “Andrea Engjëll Flav Komneni e nxjerr Vojsava Kastriotin nga familja e Muzakajve”, siç të çudit edhe fakti tjetër që i ashtuquajturi “princ i Pollogut”, “baba i Vojsava Kastriotit”, tek studiues të ndryshëm na del me emra të ndryshëm:
Tek disa ai quhet “Gërguri” e tek ndonjë tjetër, si tek Konstandin Muzaka, djali Gjon Muzakës, Vojsava quhet si “bija e Momcinit, që u bë shoqja e Gjonit, të cilëve u lindi Gjergj Kastrioti”. Se, po të ishte Vojsava “nga familja e Muzakajve”, nuk do të mbante edhe mbiemrin “Tribalda”!
Kështu, sipas këtyre pohimeve, çështja sikur ndërlikohet edhe më shumë dhe kjo ndodh sepse “Tribalda”, sipas ndonjë studiuesi, nuk rezulton si emër fisi, por si mbiemër personal i Vojsavës. Për këtë na bën me dije edhe Prof. Boban Petrovski, nga Universiteti i Shkupit, i cili deklaron se ka vërtetuar, në bazë të burimeve historike, që “Tribalda” është mbiemri personal i Vojsavës e i familjes së saj dhe se ky mbiemër përcakton përkatësinë shtetërore dhe aristokrate të shteteve mesjetare dhe jo përkatësinë etnike, pra ai, nuk ka të bëjë me atë se Vojsava dhe babai i saj i kanë takuar fisit të Tribalëve (bullgarëve), të cilët kanë qenë trakas dhe se asnjëherë nuk kanë qenë të shtrirë në Pollog”.
Kanë qenë këto parashtrime disi kontradiktore e shumë të diskutueshme për përkatësinë etnike, po edhe për vendlindjen e Vojsava Kastriotit, që më kanë shtyrë, shumë vite më parë, të shtroj pyetjen: A ka ndonjë tezë tjetër për vendorigjinën e nënës së Gjergj Kastriotit? Dhe, kur jam njohur me një shënim autobiografik të poetit të Rilindjes Kombëtare-Gavril Dara i Riu, shënim që gjendet në hyrje të poemës madhore “Kënga e Sprasme e Balës”, kam shtruar pyetjen, të cilën ua drejtoj edhe sot studiuesve e historianëve shqiptarë: “Pse keni heshtur ndaj këtij shënimi me vlera të padiskutueshme”?!
Se ky poet, duke folur për njerëzit e fisit të tij, që zbriten në Palac Adriano të Italisë, më 1480, tregon se, ndër këta, “…Të parët ishin prindërit e mi, që emërtohen gjer më sot Mërkuri e Njani i Dharenjëve, gjërinj (gjini, fis, gjak-shënimi im) të Kastriotit nga ana e Vojsavës, së ëmës së tij, të biljës së Prenkut të Mirditëve, bijë e Tribalëve sipas Marin Barletit”, (“Kënga e Sprasme e Balës”, 1961, f. 20), pohim që, në një variant tjetër, Vojsava nuk cilësohet si “bija e Prenkut të Mirditëve”, por si “bijë e princit të Mirditës”. Dhe dëshmi të tilla nuk mund t`i anashkalojë një historian serioz!
Një dëshmi e tillë nuk mund të anashkalohet, para së gjithash, sepse na vjen nga një njeri i ditur, i përgjegjshëm jo vetëm për historinë e fisit të vet, por edhe për faqet më dritë të historisë së kombit të tij në epokën skënderbejane! Se, ndoshta, nuk duhet anashkaluar edhe një pohim i studiuesit vlonjat Luan Muhameti, i cili, kur është njohur me dëshminë e poetit Gavril Dara i Riu për lidhjet e gjakut me Kastriotët, në një koment, në gazetën “Dita”, ka shkruar: “Vojsava ishte bijë e Dukagjinëve, halla e Lekë Dukagjinit”. (“Dita”, 20.02.2015)
Në mbështetje të pohimeve të mësipërme për origjinën mirditore të Vojsava Kastriotit është edhe një hartë e fisit të Tribalëve, e titulluar në anglisht “MAP 15” dhe me titullin “Tribal Divisions in Northern Albania”, që mund të përkthehet në shqip “Pjesët (ose nëndarjet) e Tribalëve në Shqipërinë veriore”. Në këtë hartë duket se fisi i Tribalëve shfaqet si bashkësi fisesh dhe shtrihet gjatë gjithë Shqipërisë veriore. Pjesët a nënndarjet e Tribalëve duket se shtrihen nga Mirdita e Mati i sotëm, në jug, në Malësinë e Gjakovës, në veri dhe nga Lezha e Shkodra, në perëndim, deri në krahinat e Dibrës dhe të Lumës, në lindje.
Në këtë hartë, siç duket qartë, fisi i Tribalëve është i vendosur, si tërësi fisesh, brenda trojeve të Dukagjinëve të shekullit XV, në ato troje ku, sipas shumë dëshmive, (të cilat i kemi sjellë në librin “Trojet e Mirditës-vendorigjina e Dukagjinëve dhe e Kastriotëve”, ishin edhe Kastriotët legjendarë. Se “Prenku i Mirditëve”, a “princi i Mirditës”, për të cilin na dëshmon poeti i Rilindjes Kombëtare Gavril Dara i Riu, nuk mund të ishte një princ i importuar nga Pollogu, por vendas, Dukagjinas e, pse jo, nga Oroshi i Mirditës, i cili, siç pohonte historiani francez Zhan Klod Faverial, njihej si “kryeqytet i Mirditës”.
Nga Preng Cub LLESHI*
*Autor i 17 librave poetikë, publicistikë, historikë e gjuhësorë