Po pyesni veten se ku të shkoni për ecje në natyrë në Evropë? Ekspertët e udhëtimeve sugjerojnë 11 destinacionet më të mira për pushime – nga shëtitjet përgjatë bregdetit italian të Amalfit deri tek eksplorimi i ishujve grekë, rajoneve malore të Shqipërisë dhe aventurat nëpër fjordet norvegjeze, shkruan Mike MacEacheran në një artikull të botuar në të përditshmen britanike “Time”.
Ashtu si në këngën e famshme të Nancy Sinatra-s, “These Boots are Made for Walking”, duket se jo vetëm çizmet, por edhe trupi ynë është krijuar për të ecur.
Disa kilometra në këmbë janë të mjaftueshme për t’u çliruar, për të ndjerë qëllimin e udhëtimit dhe për të parë nga afër natyrën përreth.
Kjo përzgjedhje përfshin disa nga peizazhet më dramatike dhe magjepsëse të kontinentit – nga ishulli portugez i Madeiras dhe deri te majat madhështore të Dolomiteve dhe mrekullia e egër shqiptare, Bjeshkët e Nemuna.
Nivelet e vështirësisë së ngjitjeve ndryshojnë, duke iu përshtatur çdo aventurieri, ndërsa një gjumë i qetë në fund të ditës është pothuajse i garantuar.
Nga brigjet mesdhetare tek veriu i largët skandinav, këto shtigje premtojnë jo vetëm aktivitet fizik, por edhe një lidhje të thellë me natyrën dhe kulturën lokale.
Për turistët që kërkojnë pushime aktive, Evropa mbetet një hartë e hapur për t’u eksploruar – hap pas hapi.
Valbona, Shqipëri – një thesar i fshehur i Alpeve
Në listë spikat edhe Valbona, një nga destinacionet më mbresëlënëse të Evropës për ecje malore.
Shkëmbinjtë e zhveshur gëlqerorë dhe faqet e thepisura të maleve në Valbonë të kujtojnë peizazhet e Dolomiteve italiane.
Por, ndryshe nga Evropa Perëndimore, këtu natyra mbetet e paprekur dhe popullsia është e rrallë.
Zona tashmë mbrohet nga Parku Kombëtar i Alpeve të Shqipërisë, duke ruajtur infrastrukturën tradicionale dhe fshatrat e izoluara – që i japin aventurës një ndjesi autentike.
Një tur njëjavor i organizuar përfshin pesë ditë ecje intensive, me kulmin në kalimin e Qafës së Valbonës, në 1,795 metra mbi nivelin e detit.
Bagazhet transportohen me kuaj mali, ndërsa netët kalohen në hotele të vogla familjare dhe bujtina tradicionale.
Sipas së përditshmes britanike “Time”, 11 destinacionet më të mira për ecje në Evropë janë:
Valbona, Shqipëri
Savoja e Lartë, Francë
Cyclades, Greqi
Cumbria dhe Northumberland, Britani e Madhe
Kampania, Itali
Westland, Norvegji
Madeira, Portugali
Cornwall, Angli
La Gomera, Spanjë
Lapland, Suedi
Sardenja, Itali. /Atsh
















