Një intermezzo antiosmane e Venedikut (1499-1503): Skënderbeu i Ri në Shqipëri
Pëllumb Xhufi
Fillimi i vitit 1499 riktheu interesimin e Portës për frontin perëndimor. Verën e atij viti një ushtri e madhe me destinacion Korfuzin ose Puljen (destinacioni i fushatave të Sulltanit mbetej i paqartë deri në minutën e fundit) ishte nisur nga Kostandinopoli e prej andej kishte lënë prapa Filipopolin, Shkupin dhe atë çast ndodhej në Korçë. Në Senatin venecian mbërrinin lajme alarmante mbi përgatitjet e Turqve në Vlorë, ku pritej të grumbullohej një flotë e madhe e një ushtri prej 25 mijë vetësh, e cila së shpejti do të hidhej në Pulje nën komandën e sanxhakbeut, Mustafa Pashës, dhëndër i Sulltan Bajazitit II. Ky ishte shquar në luftimet e Otrantos më 1480, ku edhe kishte vrarë me dorën e tij një kont italian.
Gjithçka fliste për organizimin e një fushate të re kundër brigjeve italiane, si ajo e vitit 1480, gjë që, ndryshe nga atëherë, e shqetësoi seriozisht Republikën e Venedikut. Kësaj radhe i takonte asaj të angazhohej për të ndalur projeksionin e Turqve në Pulje. Në fakt, Venediku ishte shumë më tepër i interesuar dhe i shqetësuar nga një vendosje e osmanëve në brigjet e Italisë së Jugut, nga ç’ishte në kohën e ekspeditës së parë osmane të vitit 1480-1481. Nëse në 1480, prej një viti, mes Portës dhe Venedikut mbretëronte paqja dhe ekspedita e Ahmet Kurd Pashës drejtohej kundër një mbretërie rivale, siç ishte ajo e Napolit, tani në vitin 1500, nuk ishin më Mbretëria e Napolit e principatat e tjera italiane armiqtë e Republikës. Çprej një viti, armiku i Venedikut ishte pikërisht Perandoria Osmane, me të cilën Republika ndodhej në luftë prej vitit 1499. Turqit kishin filluar një sulm në shkallë të gjerë kundër zotërimeve veneciane, nga Istria e deri në Peloponez. Venecianët rrezikonin të humbnin Korfuzin, ishujt e tjerë të Jonit dhe zotërimet veneciane në bregdetin shqiptar, nga Ulqini, Durrësi, Butrinti e Parga, të cilat me siguri që do të përmbyteshin nga ushtritë dhe flota osmane335. Nga ana tjetër, inkursione osmane kishin filluar të ngacmonin zotërimet veneciane të Ulqinit, Tivarit, Budvës e Kotorrit. Nëse Osmanët do realizonin edhe objektivin tjetër, për të cilin po përgatiteshin ethshëm në bazën e tyre të Vlorës, d.m.th. nëse ata do të hidheshin me flotë në brigjet e Puljes, ato që do të rrezikoheshin të parat do të ishin qytete si Brindizi, Otranto e të tjera, të cilat ishin bërë zotërime veneciane pas dëbimit të ushtrive franceze të Karli VIII nga territoret e mbretërisë së Napolit (1498). Nëse marrja e Korfuzit më 1386 i kishte lejuar Venedikut të bëhej zot i pakontestuar i Kanalit të Korfuzit, marrja e këtyre qyteteve puljeze, i mundësoi atij të bëhej gjithashtu zot i dy anëve të Kanalit të Otrantos. Kështu, pushtimi i Puljes nga Turqit do të sillte një përmbysje të situatës, do të krijonte një diagonale të rrezikshme Vlorë-Brindizi, e cila thyente me dysh linjat e lundrimit vertikal të kontrolluara tradicionalisht nga Republika e Shën Markut. Kësaj radhe, pra, arsyet ishin të shumta e të forta, që Venediku të përpiqej të vriste që në embrion përpjekjet e Turqve për të nisur nga Vlora një ekspeditë të re kundër brigjeve të Puljes.
Ashtu si më 1480, kur sanxhakbej i Vlorës ishte i famshmi Ahmet Gedik Pasha, kësaj radhe një rol të rëndësishëm për organi zimin e fushatës italiane e kishte Mustafa Pasha, sanxhakbej tepër i fuqishëm i Vlorës edhe për faktin se ishte dhëndër i sulltan Bajazitit II. Por detyra kryesore që vetë Sulltani i kishte besuar Mustafa Pashës, ishte të nxirrte në det flotën e anijeve që ndërkohë ishin ndërtuar në rrjedhjen e poshtme të Vjosës. Prej kohësh, një flotë veneciane prej gjashtë galerash e komanduar nga Kapiteni i Gjirit ishte dislokuar në grykën e Vjosës, nga ku bombardonte kantierin e anijeve dhe trupat turke. Venecianët, gjithashtu, filluan të hedhin grumbuj gurësh në deltën e Vjosës për të penguar daljen e anijeve. Por, këeto masa nuk mund ta mbanin përjetësisht të bllokuar flotën turke. Në fakt, Turqit u munduan të kapërcejnë pengesën e krijuar nga grumbujt e gurëve, dhe në shtator 1500, filluan të ngulnin trungje në cekëtinat e derdhjes së Vjosës, gjë që do të sillte ngritjen e nivelit të ujit, duke mundësuar, kështu, daljen e anijeve në det të hapur 39. Në këto kushte, kur edhe mbërritja e flotës kryesore turke nga Lindja ishte e afërt, Venecianët hartuan një plan për të sulmuar nga toka e nga deti dhe për t’i djegur anijet në kantier. Ky do të ishte një operacion në kuadrin e një plani madhor, që parashikonte realizimin e një kryengritjeje të përgjithshme të popullsive shqiptare, e cila do të kishte si moment katalizues ardhjen në Shqipëri të nipit të Skënderbeut, Gjergjit 340. Në fakt, përpjekjet e para për të shfrytëzuar kthimin e krerëve shqiptarë për të provokuar një kryengritje të përgjithshme në Shqipëri, ishin bërë edhe më parë. Rastet e përmendura të kthimit të Simon Zenebishit, më 1455, dhe të vetë Gjon Kastriotit, më 1481, përfaqësojnë tentativat e para të inkurajuara nga Venediku apo nga Mbretëria e Napolit për të zmbrapsur osmanët nga pozicionet e avancuara të fituara në bregdetin shqiptar nëpërmjet kthimit të trashëgimtarëve legjitimë të atyre territoreve. Edhe në 10 shtator 1499, në Senatin venecian erdhi lajmi se Gjon Muzaka, kapiten i Francavillas dhe djalë i Muzak Arianitit, zot i dikurshëm i Myzeqesë, ishte ofruar të shkonte në Shqipëri për t’i shërbyer Sinjorisë me 300 kalorës “për të kryer vepra të mëdha”. Po në shtator 1499, një murg i urdhrit të Shën Françeskut, fra Francesco di Croja (nga Kruja), që kishte predikuar në Shqipëri vitin e fundit, informonte Senatin se rreth 20 mijë shqiptarë ishin gati të ngrinin krye, në rast se kthehej në Shqipëri nipi i Skënderbeut, d.m.th. djali i birit të vetëm të tij, Gjonit, i cili atë kohë, pas tentativës së vitit 1481, thuhej se kishte përfunduar i çmendur në një kështjellë në provincën e Otrantos. Duket se fjalët e murgut nga Kruja zunë vend, sepse pas pak ditësh Senati e nisi atë për të takuar Kastriotin e për t’i propozuar ndërmarrjen e re në Shqipëri. Murgu, me mbështetjen e së ëmës, e bindi Skënderbeun e ri, që atëherë ishte 23 vjeç, të shkonte në Venedik, edhe pse Mbreti i Napolit, që i paguante atij një provizion, ishte kundër një gjëje të tille³44. Duke pasur parasysh brishtësinë e marrëdhënieve me Napolin, Senati pati kujdesin që ky aksion të mos zhvillohej pa dijeninë e pa miratimin e Mbretit Ferdinand, që ishte edhe sovrani e mbrojtësi i familjes së Kastriotëve shqiptarë. Pas çdo gjase me kërkesë të vetë Gjergjit, Senati mori përsipër të ndërhynte pranë oborrit napolitan, në mënyrë që të merreshin nën kujdes familjarët e Skënderbeut në atë Mbretëri. Fjala, me sa duket, ishte që Skënderbeu i Ri mos të privohej nga pensioni që merrte nga mbreti i Napolit, i cili nuk e kishte me dëshirë këtë ndërmarrje. Gjithsesi, kësaj radhe, ishte Mbretëria e Napolit ajo që luajti rolin komod të asnjanësit. Në fakt, ajo nuk u përfshi drejtpërsëdrejti në ekspeditën e Skënderbeut të Ri, pikërisht ashtu siç Venediku nuk ishte përfshirë në ekspeditën etë jatit të Gjergjit, Gjon Kastriotit, në 1481. Madje, vetëm disa ditë përpara zbarkimit të Skënderbeut të Ri në Shqipëri, që ndodhi në mars të vitit 1501, një i dërguar i Mbretit të Napolit zbriti në Vlorë gjatë rrugës për Konstandinopojë, ku do t’i dorëzonte Sulltanit një dhuratë të çmuar të padronit të tij.
Punët po dukeshin se rridhnin mirë, dhe në shkurt të vitit 1500, Skënderbeu i Riu paraqit përpara Senatit në Venedik. Por, në mars të atij viti çështja e tij kaloi nga Këshilli i të Dhjetëve në shqyrtim të Senatit, dhe këtu fillon një odise e gjatë shtyrjesh e vonesash. Skenderbeu i Ri u paraqit para Senatit në 11 prill të vitit 1500, “i veshur bukur” (bel vestito) dhe i shoqëruar nga at Françesku. Aty u vendos nisja e tij për në Shqipëri, gjë për të cilën Skënderbeu u tregua shumë mirënjohës. Gati një muaj më parë, Proveditori i Flotës, Andrea Michiel, aso kohe i pozicionuar në ujërat e Currilave (Cuvrili) propozonte që, në rast të ardhjes së Skënderbeut, ai bashkë me të marshonte me tokë drejt Vjosës, ndërkohë që flota e tij do zbris me det, dhe me të mbërritur aty, do të digjnin flotën që po ndërtonin turqit aty. Projekti venecian qartazi shihte më tepër nga interesat gjeopolitike të Republikës, se sa nga ato të një lufte çlirimtare, për të cilën ishin të interesuar Shqiptarët. Venediku thjesht kërkonte të “pastronte” detin, jo tokën shqiptare nga prania turke.
Më në fund, në korrik të atij viti Senati mori vendim nisjen e ekspeditës së Skënderbeut të Ri, duke caktuar edhe një shumë prej 2500-3000 dukatë për t’u shpenzuar për këtë qëllim. Vendimi u mor me 106 vota pro dhe vetëm 12 kundër. Por ende në 6 tetor 1500 Skenderbeu i Ri vazhdonte të qëndronte në Venedik, ndërkohë që pritej mbërritja e tij në Shqipëri ku, ndër aksionet e para të drejtuara prej tij, duhet të ishte sulmi i arsenalit turk në grykën e Vjosës, djegia e anijeve osmane të ndërtuara aty (e si Schanderbecho fusse li, si vederia di brusar quella armata) 352. Nga ana e tyre, edhe Turqit nuk po arrinin të përfundonin ndërtimin e flotës dhe daljen e saj në det të hapur. Kështu, në 10 tetor në Venedik erdhi lajmi se anijet në fjalë ishin nxjerrë në stere dhe se pajisjet e tyre ishin çuar për ruajtje në Vlore 353. Me sa duket, afrimi i dimrit i kishte detyruar Turqit ta shtynin ekspeditën e Puljes për vitin tjetër. Nga ana e tyre, edhe në Senatin e Venedikut pati zëra për ta lënë mënjanë ekspeditën e Skënderbeut të Ri. Por tashmë, më në fund, gjithçka ishte gati. Në fillim të nëntorit, Skënderbeu i Ri u paraqit përpara Senatit për të kërkuar nisjen e menjëherëshme: trupat e tij prej 50 ditësh prisnin më kot të imbarkoheshin e ndërkohë ai kishte shpenzuar gjithë pasurinë e tij për t’i mbajtur e “nuk kishte me ç’të jetonte”. Nga ana tjetër, stratiotët e tij të papunë po shkaktonin trazira (disordini) në portin e Shën Nikollës 356. Kronisti venecian Marin Sanudo, na jep një element të ri kur thotë se gjendja në Shqipëri ishte shpërthyese e të gjithë prisnin me ankth mbërritjen e Skenderbeut të Ri. Por, vazhdon ai, përpjekja do rezultonte e kotë, në rast se Hungarezët nuk sulmonin në veri.
Venecianët kishin parashikuar që tentativa për të shkatërruar flotën osmane të dislokuar në portin e Vlorës dhe në derdhjen e lumit Vjosë, duhej kryer në sinkroni me mbërritjen e Skënderbeut të Ri në Shqipëri. Por, edhe pse vendimi për dërgimin e tij u mor nga Senati në 9 prill 1500, zbarkimi në Shqipëri i Skënderbeut të Ri u bë vetëm në mars të vitit 1501. Por edhe ashtu, aksioni i Skënderbeut rezultoi me intensitet të vogël. Ai mundi të marrë Ishullin e Lezhës, por nuk mundi të shtrihej më përtej. Raportet veneciane thonë se nipi i Kastriotit të madh nuk ngjalli entuziazmin që pritej mes Shqiptarëve dhe nga ana tjetër shoqërohej vetëm nga një grusht ushtarësh. Proveditori venecian në Shqipëri, Anton Boni, që ishte caktuar ta mbështeste aksionin e shqiptarëve, nuk mungonte të vinte në dukje mendjelehtësinë e këtij nipi të Gjergj Kastriotit të madh, i cili e kishte marrë aq gëzueshëm këtë fushatë, saqëe kishte sjellë me vete edhe të shoqen, për të cilën ishte gati të linte përgjysëm çdo bisedë të rëndësishme.
Kështu, Skënderbeu i Ri nuk luajti nga Ishull-Lezha, ku priste vazhdimisht “njerëz të papërshtatshëm e shumë të dyshimtë”, të cilët vinin më së shumti nga pronat e tij. Mes tyre, agjentët venecianë që e shoqëruan Skenderbeun në këtë aventurë, veçonin kontaktet e fshehta të tij me Sanxhakbeun e Krujës dhe me një farë Ali Beu, farefis i vet. Nga ana e tij, Bajliu venecian i Durrësit, shprehte dyshimin se me këta persona Skënderbeu i Ri kishte rënë në ujdi t’u dorëzonte Turqve qytetin e Durrësit, kundrejt kthimit të pronave të veta³6¹. Thuhej madje, se Skënderbeu frekuentonte edhe Sanxhakbeun e Shkodrës, Feris Beun, i cili e priste me gjithë të mirat³62. Madje, me Feris Beun Shkënderbeu paskësh gatuar një plan për t’u shkëputur Venecianëve Ishull-Lezhën. Dhe, ndërsa ia kalonte shumë mirë me Turqit, trashëgimtari i Kastriotëve grindej përditë me funksionarët venecianë. Madje, në një rast ishte grindur aq keq me Proveditorin venecian të Shqipërisë, Anton Bonin, saqë kishte përdorur edhe grushtet.
Në këtë mënyrë, shpresa e shprehur nga venecianët, se aksioni i Skënderbeut të Ri në Shqipëri do ndeshte në një mbështetje mbarëpopullore dhe se ardhja e tij do mundësonte edhe asgjësimin e flotës turke të Vjosës, nuk dha shenja suksesi. Ekspedita e tij, e nisur me aq bujë, ngeci në vend qysh në hapat e para dhe ajo çka mbetet prej saj janë këto raporte, sigurisht tendencioze e keqëdashëse, të funksionarëve dhe të agjentëve venecianë që paten të bënin me princin shqiptar.
——————–
Arbërit e Jonit, Prof. P.Xhufi faq.290-297
Përgatiti Elis Buba/usalvision
Foto; Gjon-Kastrioti II