Nga Elis Buba
Ndasia e rëndësishme mes Arbëreshë dhe Albanes
Ne jemi shqiptarë autoktonë, (n’tok tonë) shqipe si Pirro, si Kostandini dhe Justiniani …
Naimi ka shkruar: “Aleksandri qe shqipëtar, q’u tha i math e kordhëtar. /Pirrua ish nga Shqipëria, trim q’e lëvdon historia./ Skander Begu Kastrioti, q’u rrëfye aq’ i zoti, ishte burr’ i Shqipërisë. Ç’burra nxori shqipëria, që i shkruan historia. …”
…bota na ka njohur si Albanë, Arbanë, Arnautë, Arvanitë, Arbërorë, pasardhës të Ilirëve që siç e ka thënë me mjeshtëri Kuteli: “Nga njëri det, në tjatrin det ishin zot vetë”.
Në hartën e botës gjejmë disa vende të quajtura Albani, por që nuk kanë ndonjë lidhje të vërtetuar me Shqipërinë dhe trojet shqiptare. E megjithatë për hir të pretendimeve shoviniste dhe anti-shqiptare, sa herë është lakuar e famshmja Albania e Kaukazit, historianët demagogë e kanë lidhur me marifet atë me popullin e Shqipërisë së largët në Europën Juglindore.
Problemet historike, nëse lihen shumë në heshtje dhe injorim, nuk defaktorizohen dhe relativizohen vetë. Përvoja na dikton që me një problem duhet të përballemi dhe të gjejmë zgjidhjen e drejtë. Sidomos me një çështje delikate të kësaj natyre që prek, dëmton e denigron identitetin kombëtar.
Cilat referenca përdorin konkretisht shovinistët, ksenofobët dhe demagogët?
Kush janë ata që na kanë gjetur shtëpi në Kaukaz? Sigurisht fqinjët, sllavët që shkelën në trojet e Ilirëve në shek. 8, pas një dyndje masive, të njohur historikisht, filluar në shek.6. Dhe pas tyre flamurin e degjenerimit të identitetit tonë kombëtar e morën Pondiotët, Egjiptianë, Vllehët, Pomakët, Karamalintët, Sarakatsanët etj. që e quajnë veten grek për hir të fesë dhe shtetit të krijuar në 1830. Një pjesë e tyre erdhën nga anadolli në Janinë, Çamëri e More, pas Traktatit të njohur historikisht, të Lozanës, më 1923 i cili u zbatua pa kriter deri në 1926.
Shtatë burimet që mohuesit e autoktonësisë sonë i konsiderojnë si të pakundërshtueshme, e vendosin Albaninë (dhe jo logjikisht) Shqipërinë pranë detit Kaspik dhe Kaukazit në Dagestanit të sotëm.
- Straboni VI 211: Ai e përshkruan Albaninë si të vendosur në jug të luginës së lumit Kir i cili ka Kaspikun në Lindje dhe në Perëndim kufizohet me Iberinë, Gjeorgjinë e sotme. (Straboni 67 para Krishtit – 23 pas Krishtit)
Arriani “Aleksandër Anabasis”: “Dhe si një grup trupash u bënë me Darin, dhe të dy persët përkatësisht indianë dhe albanët dhe karianë, harkëtarët e pathyer dhe mardianët, karshi tij Aleksandri…”. Përkthimi i pështatur në periudhë moderne: “Në betejën e madhe kundër Gaugamelës dhe Arvilës, Dari, përveç persëve, kishte edhe luftëtarë nga popujt fqinjë si indianët, karianët, mardët dhe albanët që u rreshtuan kundër Aleksandrit dhe kalorësisë së tij mbretërore”.
Harta e Ptolemeut: Harta e njohur e lashtë e Ptolemeut tregon Albaninë në Kaukaz. (Sot në botë janë plotë 17 vende me emrin Albania!)
- Apiou Mithridates 103 Dion. Kas. 36:37: Një mbret i orizenit ose orisos në Albaninë e Kaukazit luftoi kundër gjeneralit romak Pompeut në një fushatë në Azi dhe të mundur prej tij, albanët u gjendën në një situatë primordiale, duke vënë në punë ende parmendat e drurit, duke kryer sakrifica njerëzore, duke mos numëruar më shumë se njëqind vetë jetuan si nomadë, u kthyen me djepin e tyre origjinal në djepin Kaukazian”
- Arriani në 134 m C.: “Kur ishte komandant në rajonin e Armenisë u sulmua nga albanët e Kaukazit.”
- Konstandin Porfirogenitus Perandori i Bizantit: Ai i quan albanët si: “një fis i Kaukazit”.
- Iakovos Thomopoulos “Pelasgika vëllimi 1 faqe xiii”: “Nga Kaukazi te albanët”.
Në po këtë tekst vijon në mënyrë tejet kontradiktore “…grekët arvanitas, pellazgët flisnin arvanitika në Iliri dhe Epir. …”
Kësaj klarinete llafollogjike, kretësisht të çartur e të paqartë në lidhjen e saj mes kaukazëve dhe shqiptarëve në Europë, i fryjnë shumë ata që mëtojnë të krijojnë një ndërlidhje mes grekëve dhe arvanitasve, duke i mëshuar me forcë autoktonisë së këtyre të fundit.
Siç e theksuam edhe më lartë, janë plotë 17 vende në botë me emrin Albania! A mos vallë duhet t’i konceptojmë këto si Shqipëri e vend shqiptarësh?! Albania gjendet në 3 shtete të botës. Në disa vende emërtimi mund të gjendet më shumë se një herë. Për shembull, Kolumbia ka numrin më të madh të vendeve të quajtura Albania, të shpërndara në 15 rajone. Kjo nuk na thotë asgjë në lidhje me shqiptarët në Europë dhe kushdo që fillon të bashkojë pikat imagjinare, për të gjeneruar një emërues të përashkët i ka hyrë një aventure pa krye.
Le të bëjmë një diferencim të qartë mbi konvencionin Albani dhe emrit tonë Arbëri me rrënjë të thella në këto troje
Ptolemeu shkroi shumë libra, traktate shkencore, studime, por shqiptarët e përmendin atë kryesisht për Gjeografinë e tij (rreth vitit 130), ku Ptolemeu sjell për herë të parë të dokumentuar emrin ‘Albanian’ me kryeqytet Albanopolis, sa kalon Durrësin, diku midis Tiranës dhe Krujës. (kjo faqe në librin e tij thuhet se ka humbur, më saktë është grisur, por kësaj faqe i janë referuar hulumtues të tjerë dhe të dhënat e saj kanë ardhur deri në ditët tona.)
Dhe kështu fillon rrugëtimi historik i një emri te njohur me shumë forma të përafërta; ‘Albania’ që u popullarizua nga Anna Komnena (1083-1146), bija e perandorit bizantin Aleks i parë, e cila shkroi në historinë e saj të famshme Alekseida, se njerëzit që banonin në zonën përtej Durrësit e quanin veten ‘Arbanez’ shqip. Arbëresh; në fillim të shekullit XII normanët në epikën e tyre në frëngjisht, ‘Këngët e Rolandit’ e quajtën ‘Albania’ rajonin nga Durrësi në Vlorë; në shekullin XIV, ata që ikën në Greqi nga këto troje e quajtën veten në dialektin gjuhësor ‘Arbanitë’ – ‘Arvanitë’; në shekullin XV ata që ikën në Italinë jugore e quanin atdheun e tyre ‘Arbana’ dhe veten ‘Arbëreshë’; Gjon Buzuku, një nga shkrimtarët e pare shqiptarë të shekullin XVI, i referohej vendit të vet ‘Arbën’;
Madje Buzuku ishte i pari që e quajti gjuhën e tij ‘Shqip’; ndërkohë bota vazhdon të përdorë emrin e vjetër ‘Albania’ (ndikuar nga Ptolemeu) dhe ‘Albanian’ për gjuhën që flitet, ndërsa vendasit mbështeten në fjalën ‘shqip’ (nga shpendi fisnik shqipinja, një symbol kombëtar shumë i lashtë) dhe ‘Shqipëri” dhe e quajnë veten e tyre ‘Shqiptarë’.
Kush ishin këta “Arbanez” Arbëreshë, që u quajtën Albanesë dhe Arvanitë. Cilat janë rrënjët e tyre në antikitet?
Popullsia e lashtë e kohës mikene dhe klasikët mburren duke thënë se ishin pasardhës të pellazgëve, Akili në Trojë në thirrjet e tij drejtuar Zeusit thotë: “Zea Dodonaeus Pelasgique..”.
Ky fis i lashtë i pellazgëve, i cili fillimisht banoi në gadishullin ilirik (Prefetura Illyricum), shtrihej nga Danubi në Kretë dhe nga Azia e Vogël dhe Qiproja në Adriatik dhe e gjithë kjo gjatë mijëvjeçarit të IV para Krishtit.
Thukididi thotë për pellazgët: “Ilirët janë një popull homogjen me helenët sepse të dy rrjedhin nga e njëjta rrënjë etnologjike e pellazgëve”.
Sakaq që për “popullsi greke” dhe shtet grek flitet shumë më vonë. Togfjalëshi krishtërimi helenë nuk ka kuptim, pikërisht për faktin e thjeshtë se helenizmi si lëvizje kulturore është një koncep parakristian. Riti grek i ortodokësisë është e vetmja gjë e përbashkët mes arbëreshëve (arvanirasve) në greqi dhe ortodoksëve të tjerë shumëetnikë që vetquhen grekë.
Dëshirojmë ta mbyllim me një citat nga një studiues shumë i respektuar arvaniras, i quajtur Aristidh Kola.
Sipas tij:
Rrugët më të rëndësishme të epokës së shpërnguljeve pellazgjike
“…Fakti që, nga Evropa e gjer në Indi, ndoshta edhe më gjërë, ekziston një bashkësi elementësh gjuhësorë, shpjegohet se ato kishin për djep Ballkanin veri-perëndimor, ku ekzistonin edhe qendra shumë të lashta të kulturës Pellazgjike e të kultit të Dodonës. Dodonët dhe mali Tomor përmenden që nga Epiri e gjer në Shqipëri qëndrore. Ndërkohë që një degë Pellazgjike (iliriane), Dardanët, kanë lënë gjurmë të forta të kalimit të tyre që nga Ballkani veri-perëndimor gjer në Indi e në Tibet. Aq më tepër që të njëjtën rrugë do të ndiqte pas shumë shekujsh edhe Aleksandri i Madh, kur në Indi priftërinjtë do t’i kallëzojnë atij për fushata të mëparëshme të bashkëatdhetarëve të vet n’atë vend. Historianët do t’i vënë në dyshim këto, por tashmë përkrahësit e teorive Indo-evropiane duket se janë gati të bindur se populli hipotetik indo- evropian nuk erdhi nga India në Evropë, por vajti nga Evropa në Indi. Kështu filloi “çorientimi” i hipotezës Indoevropiane, alegorikisht, metaforikisht dhe realisht. Në këtë hapësirë pra, në hapësirën malore të banuar të Ballkanit veri-perëndimor e të Arkadise, lindën (autoktonë nga Toka dhe jo nga perëndite) Pellazgët, dhe që këtu ata mbërritën gjer në të katër anët e botës, aq sa mund t’i quajmë edhe “popull i zgjedhur i racës njerëzore” që krijoi qytetërim këtu e 10.000 vjet më parë.” / usalbanianmediagroup
———————————————————————————————————————
Më poshtë do rradhisim fare pak argumente suplementare në mbështetje të çështjes së trajtuar më sipër: