Një shtatore kushtuar Sali Butkës, një prej personaliteteve më të mëdha të Kolonjës është ngritur në qendër të qytetit për të nderuar figurën e tij. “Për Lirinë, për Lirinë, lum kush vdes për Shqipërinë”. Është ky shkrimi që u përjetësua së bashku me këtë monument madhështor për kontribuuesin dhe patriotin kolonjar.
Ishte viti 1857 kur në fshatin Butkë të Kolonjës lindi Sali Butka emri i të cilit u bë i njohur në fillim të shekullit të 20-të nga çetat e ngritura kundër Turqisë. Kulmi i veprimtarisë së tij në periudhën e rilindjes ishte formimi i çetës së madhe në vitet 1911-1912 ku në krye të forcave të bashkuara kryengritëse, Sali Butka çliroi Ersekën dhe më pas, bashkë me çetat e tjera në gushtin e vitit 1912, ata çliruan Korçën.
Nisur nga kontributi dhe fama e madhe që mori Sali Butka gjatë viteve të Luftës së Parë Botërore, në 1920 ai mori pjesë si delegat i Kolonjës dhe i Korçës në Kongresin e Lushnjës dhe u bashkua me burrat e mëdhenj të kombit, atje ku po hidheshin themelet e shtetit të pavarur shqiptar.
Ky kongres e futi vendin në zhvillimet demokratike e në këtë kohë Sali Butkës iu duk sikur e kishte përmbushur qëllimin e jetës së tij, por zhvillimet dhe rreziku që i kanosej Shqipërisë e bënë Sali Butkën të ishte i paplotësuar.
Në rrëfimin e tij nipi i Sali Butkës, Urani tregon se Saliu bashkëpunoi për shumë kohë me Petro Nini Luarasin, duke e ndihmuar atë për ngritjen e shkollës së parë shqipe në Kolonjë. Gjithashtu ai e mori në mbrojtje Petro Ninin nga armiqtë e kundërshtarët që e kërcënonin vazhdimisht me jetën dhe që në atë kohë përpos detyrës së tij ai filloi të pëlqejë dhe më pas të shkruajë e të botojë poezi me tema patriotike.
Dhëndri i familjes, Shkëlqim Hajdari risjell në vëmendje kontributet e Sali Butkës dhe bashkëpunëtorit të tij Themistokli Germenji.
Përpos familjarëve, janë historianët edhe analistët që e vlerësojnë faktin që shtatorja e Butkës arriti të ngrihej me sukses në qytet për të lartësuar figurën e tij, por as nuk mohojnë faktin që ky vlerësim ishte shumë i vonuar për të.
Një pune e palodhshme ishte për skulptorin Agim Rada realizimi i kësaj shtatoreje të cilën e përkufizon si një gur të çmuar mes krijimtarinë e tij.
Mbas largimit nga jeta të “Plakut legjendar të Butkës” së Kolonjës në 20 tetor të vitit 1938 jeta e pinjollëve të kësaj shtëpie eci sipas traditës së krijuar, me angazhim në punët e atdheut. Gjatë periudhave të ndryshme Sali Butka është vlerësuar me dekorata si me urdhrin e Skënderbeut, të flamurit kombëtar dhe urdhrin e lirisë ndërsa do të mbahet mend 23 korriku i vitit 2021,data kur Sali Butka u përjetësua në një shtatore në qytezën e juglindjes së vendit, në Kolonjë aty ku prehet edhe trupi i tij.