Nga Elis Buba
Një dramë që s’do mbetet njeri për ta shkruar
Do të doja të mos të të shihja kështu… të rrahur, shpërfytyruar, të grisur, të leckosur, të përmbysur nga themelet, me gjinjtë e zhveshur e të shterrur nga mjelja e paskrupullt. Do të doja mos të të shihja kaq të këputur, kaq të gënjyer, kaq të zhvatur e të gjymtuar. Si gjithseji i rrëfimeve Orwelliane. Në prehërin tënd, mijëra metra kub beton ngulen ngrehurazi e pa mëshirë. As mjeshtra si Orwell nuk mund të parashikojnë këtë nivel makabriteti që zë vend në përditshmëri.
Burrneshë jam një ndër bijtë e bijëve të ty. Sytë s’po ti ndaj dot, teksa të tjerë zbaviten me ty mizorisht dhe ti hesht pa ndjenja.
Shqipëri vendi ynë, nënë kreshnikësh, ti je grua, s’ka ç’të jesh tjetër. Jam ndoshta i fundit që meritoj të mbaj flamurin e feminizmit, por ti e dashur je grua, zonjë, me një vetbesim të venitur. Betuar në virgjëri të plotë, qëkurëse burrat e tu të vërtetë dhanë jetën për ty. U betove për hakmarrje si nënë kreshnike kreshnikësh, por nuk je vetëm kaq. Nënë kreshnikësh moj kreshnike e madhe, por jo të gjithë bijtë e tu janë të tillë e të virtytshëm. Je nënë burrash dheu, që aromën ta kanë harruar, edhe pse nderin tënd e kanë pasur dhe e kanë aspiratë dhe detyrë. Por s’mund të mohohet se je edhe nënë kopilësh e kurvash të të dy gjinive. Nënë e të pashpresëve nënë e atyrë në udhëkryq mes varfërisë dhe mërgimit.
Burrneshë besshkelur me përdhunë. Hyjneshë që i jep emrin vendit ku rriten mërgimtarët e së ardhmes së afërt. Me ty su ngopën duke abuzuar fqinjët, e të huajt anembanë. Mbyllur mes brigjeve dhe maleve, në shtëpinë tënde, të Zotit dhe të mikut, ke ndezuer edhe epshet e bijëve të tu, që t’i panë hiret me lakmi e deshën të t’i abuzojnë e tregëtojnë. Sakaq që bijtë e ndershëm e të sinqertë ndaj teje, u trembën, u gjendën pa përkrahje, neveria i shtyu të largohen prej teje me tmerr e ti mbete vetëm. Fillikat mes mizorëve të paskrupullt, në sytë e të cilëve je plaçkë pa identitet tëndin, njëherazi identitet për vetë ata që tashmë nuk duan t’ia dinë për këtë gjë.
Ku ishim? Asgjëkund! Çfarë bëmë? Asgjësend!
Kjo Shqipëria jonë është grua. Vetëm një grua shqiptare mund të durojë kaq shumë, pasi është me shpatulla pas murit. Andej nga ka ardhur nuk e pranojnë dhe këtu ku është i dhimbsen fëmijët…
Sot qenka një nga ato netët e heshtjes, e poezisë me atë shkrimin e vrullshëm e të hakërryer që s’lexohet së dyti. Sterrësi e ndriçuar vetëm pak, sa për një gotë verë. Por jo, alkoolin se pranoj dot më. E as ju ndoshta nuk duhet. Gotat e njëpasnjëshme për të harruar realitetin, në fakt vetëm sa shmangin për fare pak kohë kthjelltësinë, krijojnë iluzionin e finteve ndaj përgjegjësisë, por zgjimi është si akulli në lëkurën e të përgjumurit.
Hape derën për atë pak rrëze shprese nëna ime, sepse sot qenka një nga ato nëtët kur Tiranën, vendin e tiranëve e jo të tiranasve, dua ta shoh në sy. Ky është kryevendi ku ne rrojmë, bashkë me dallaverexhinjtë që na vjedhin, bashkë me pleq të rroitur që ëndërrojnë lavdinë e PPSh-së së shqiptarit që dhunoi sistematikisht të tjerë shqiptarë. Shqiptari që brumosi në genet e këtij populli frikën, spiunllëkun, dhunën, vëllavrasjen, kanosjen pa mëshirë.
Dua të shoh në sy kryeqytetin, folenë e grabitqarëve dhe e të grabiturve. Kryevendi që i ka shtrirë këmbët përtej jorganit të tij.
Nga “Astiri” deri tek “Fresku”, nga Korpusi Universitar, tek 33 katëshi, pas 15 katëshit të hershëm e më tej tek Bulevardi Zogu i Parë, le të na mbulojë një jorgan me pupla thashethemesh, me avuj rakie, shije kafshatash qoftesh, mezesh, mishi e duhani njëherëash. Eja të kotemi nën jorganin e përçartjes tok! Eja të nisim të shpresojmë e ëndërrojmë fortë për rikthimin e Skënderbeut të ri. Pasi e kemi në krye tashme, është stërnipi që lufton armiqtë për të mirën e vendit! Faraoni, mbreti dhe perandori i adhuruar, mbi të cilin akuzat janë shpifje të përbindshme, anomali psikologjike kolektive dhe asgjë më tepër.
Eja të mbyllim fare pak sytë e veshët siç dëshiron partia e secilit dhe le të pajtohemi me iluzionin se këta pushtetare e raca politike e të verbuarve që i votojnë, kanë vërtetë halle si unë e ti.
Le të harrojmë për fare pak momente se kush e vulosi dhe e ktheu në normë pandëshkueshmërinë në këtë vend. Duke u siguruar pikë së pari pseudo-komunistëve të “bllokut të udhëheqjes” dhe familjarëve të tyre, një të ardhme të ndritur në politikë, biznes dhe gjithçka që dëshirojnë. Sot ky njeri që në vesh ka thirrjet e Shën Mëhillit e Shën Pjetrit për në botën tjetër, ende bret për pushtet e bret për të ardhmen, në të cilën ai përsonalisht nuk ka se si të jete.
Ky popull i ka humbur iluzionet, e ngritura me aq kujdes e finesë nga gënjeshtarët dhe është në kërkim të shtigjeve të ikjes. Vetëm sa publikisht hamendëson me pakëz bujari se e gjithë kjo rrëmujë e rrallë në historinë e vendit, po bëhet jo për pushtet, por për interesat, hallet dhe problemet e njerëzve. Të desiluzionuar supozojmë me bujari se politikanët punojnë vërtetë aq sa thonë e nuk shesin mjegull e tregtojnë të mira publike, për të arkëtuar paratë vetë. Sado dashamirësi e naivitet të shtirur në zemër të kesh, prap s’mund të mos e vësh re se si fatkeqësinë e tërmetit, kovidit e së fundmi luftën, ujqërit e kanë përdorur si mjegull për të vijuar me mosbërjen asgjë të dobishme e të qënësishme, teksa mandatet politike përcjellin njëri-tjetrin dhe gjithashtu shqiptarët përcillen përfundimisht me vendlindjen.
Cekësia e mendimit tek shumë prej bashkëkombasit e mi është shqetësuese. Në këtë rend vlerash njerëzit e mendimit dhe të dijes nuk e gjejnë veten, duke qenë plot herë madje të qeshur e tallur, qoftë edhe për fjalët e tyre…
I vetëm në Bulevardin Dëshmorët e Kombit, nën jorganin e madh të baticës së zbrazëtisë që po afron, përpiqem të arsyetoj luftrat e mëdha të bëra për këtë truall. Gjaku i “Dëshmorëve të kombit” u derdh që ky bulevard me emër të madh, të mbetet e vetmja shenjë dalluese e tashmë, metropolit. Pa lënë pas edhe Skënderbeun, piktakimin monumental të kahershëm.
I vetmi mes një dyzine me kushërinj që jeton ende këtu. Ende këtu, nën jorganin e idiotësisë, nën kollitjen e shtrenjtë të sekserëve. Jetoj për të dëshmuar se si nuk mundën të përçahen shqiptarët përmes fesë dhuratë nga Turqia e Greqia, dhunës e komunizmit dhuratë nga Serbia, por u përçanë të blerë për bukën e gojës nga politika shqiptare, nga njerëzit e tyre që i shohin si numër e hijë përllogaritjesh elektorale.
Jetoj për të dëshmuar se si prindërit e mi, pas kaq dekadash punë, do të marrin pas vetëm paratë e ilaçeve si pension.
Le t’i shtrijmë hamendësimet tona dashamirëse tej e tej, nga Vermoshi në Konispol, bashkë me këmbët përtej jorganit. Ama mbani mend se supozimet janë nëna e gjithë idiotësive. E vetmja shpresë, ajo e të pafuqishmit ndoshta, është se jemi të përkohshëm dhe sytë e tiranëve do të kyçen bashkë me sytë e të nënshtruarve. Shqipëria do të rrojë siç ka rrojtur, e do të përtypë nën dheun e saj trupat bashkë me turpet e tyre të patretshme.
Ti djal i ri, Gjon, që të quajnë Xhon, – Gjin, që të quajnë Jani e Joan, – Pal, që të quajnë Paolo, – Zef, që të quajne Xhuzepe, – Gjergj, që ta kanë shkruar prindërit emrin George, sepse që në të lerë kanë dashur të të ndajnë nga identiteti yt amësor, pasi kanë turp të jenë shqiptar, sepse kjo është damka e margjinalizimit të përjetshëm. Të lutem djal i ri, e ardhmja e re, mos ik i vetëm në Europe. Merre vendin tend pas!
Ky vend do dashuri o njerëz syzënë, sepse jetojmë bashkë në të. E nëse shëmtoni jetën tonë, shëmtoni edhe jetën tuaj. Nesë shembni të ardhmen tonë e shembni bashkë me tuajën. Ky vendi ynë i vogël e i rrallë, meriton të trajtohet me respekt e dashuri, kujdes e mençuri, si një zonjë e rëndë fisnike e jo si grua pa burrë e braktisur rrugëve. Kudo nëpër rrugët e qyteteve të Europës mund të spikasësh dashuri e përkujdesje, përkushtim dhe detaje që të mbushin me frymëzim. Le të shkojmë atje, por jo si mërgimtarë, por si shqiptarë, që shkojnë bashkë me Shqipërinë në Europë.