Nga Elis Buba
Nuk e di përse nuk mu shqit nga mendja mëngjesin e kthimit në Tiranë titulli i novelistit japonez Haruki Murakami “Në jug të kufirit në perëndim të diellit”, që mua më shëmbëllente me një titull alternativ, të shpikur nga unë, “Në jug të Shqipërisë e në perëndim të logjikës.”
Dëshiroj me gjithë zemër që një ditë të jem aq me fat, sa të mos jem i “detyruar” të qëndroj deri në mbrëmje buzë detit, për të marrë të gjitha momentet që mund të merren nga dashuria ime e madhe për brigjet e Jonit. Por kjo po më shndërrohet pas shpine në një dashuri abuzive, toksike sepse në mes kanë hyrë kaq shumë spekullantë që gati e prostituojnë këtë mrekulli e dhuratë të natyrës, në të cilën nuk kanë asnjë meritë, përveç shëmtimit.
“Fati ynë shpresë dhe marrëzi”.
Dy javët e fundit të korrikut, kanë qenë vërtet mbresëlënëse. Pushime që do i kujtoj gjatë, kjo falë tre bekimeve, së pari prania e familjes sime, së dyti, prania e miqve të mrekullueshëm dhe së fundmi rizgjimi i dashurisë së fjetur joniane. Dashuri tipike shqiptare, plot sherre e shamat, që të kujton gjithnjë vargjet e këngës së Aurelës “Fati ynë shpresë dhe marrëzi”. Në anën tjetër, tashmë gati nuk na bën asnjë përshtypje, por spekullimet dhe abuzimet me sa dhe ku të munden, na e kanë bërë lëkurën shollë. Megjithatë një përshtypje e mora nga kudo ku shkela, përshtypje jo e mirë, por që s’lejova të më prishte ditën. Kur vjen me pushime në Shqipëri, duhet të jesh me karakter mjaft të fortë, të kesh shqisën e gjashtë në gjendje alarmi dhe ndjeshmërinë ta kesh lënë në shtëpi. Ne për fatin tonë na ndodhi që thuajse kudo ku vajtëm u përpoqën pa sukses të na mashtronin ose vidhnin. Po të kishim qenë të huaj, padyshim do ia kishin dalë qëllimit.
– Pa e ngjitur Llogaranë, pra ende në Vlorë, në një restorant të famshëm mishi të pjekur, na servirën gjithçka përveç mishit, i cili mbërriti në tryezën tonë pas më shumë se treçerek ore. Dhe erdhi ende i gjakosur, pra i pagatuar mirë. Sigurisht e kthyem për ta ripjekur dhe marrë me vete.
–
– Me të mbërritur në hotelin tonë, në Potam, në dalje të Himarës, ku kishim rezervuar që prej dy javë e kusur, mësojmë se na kishin ndërruar dhomën, pasi dhomën tonë e kishin zënë një çift të moshuarësh që kishin mallëngjyer hotelxhiun, pasi i ishin lutur. Përtej kësaj mbiu justifikimi se kishte telefonuar në numrin tim një ditë më parë, rreth 3-4 herë, por pa marrë asnjë përgjigje. Në telefonin tim unë kisha vetëm komunikimet me mesazhe dhe asnjë thirrje, por aty, falë këmbënguljes sonë, u mësua se numri që ai disponontë nga unë, kishte një shifër të pasaktë.
–
– Në mbrëmje shkojmë për darkë në një restorant fare pranë hotelit. Porosisim dy pica, një “Sallam-proshut” dhe një “Katër stinën”. Pas një enjtje me pije dhe sallatë “greke” na serviren një picë “Kapricoza” dhe një “Katër stinët”. Pasi e vumë re, kamarieri na bëri ne me faj, sepse sipas tij i kishim dhënë gabim porosinë. Pastaj kërkoi ndjesë sepse mund të ishte ngatërruar.
–
– Të nesërmen në mëngjes shkojmë për plazh në një zonë mjaft piktoreske që quhet “Livadhet” dhe ndodhet në të dalë të Himarës. Pas përplasjes së brirëve, se kush do mbyllte pagesën e kafeve, unë apo një nga miqtë, u vendos që të paguantë ai, me kusht që unë të paguaja për pijet freskuese pak më vonë. Në kusurin e kamarierit vumë re 100 lek të reja mangët.
–
– Në mbrëmje vendosëm, gjatë një shëtitje, të freskoheshim me akullore. Porositëm që jashtë një lokali të këndshëm dhe na u tha se porosia dhe fatura do na vinte në tryezë, ku edhe po shkonim të uleshim. Kishim marrë pesë akullore dhe na u faturuan shtatë. Kamarieri fajësoi personin që kishte përgatitur akulloret, ndërsa ky i fundit na kërkoi ndjesë pasi sipas tij, ishte ngatërruar në punë e sipër.
–
– 13.000 lek të vjetra kg i fiqëve ose 8000 ai i qershive, nga tregtarët ambulantë, ishin qershia mbi tortën e çudive, por ky është problem për ata që s’u rezistojnë dot shpenzimeve të këtij niveli. Ndërsa për të tjerët si ne, mund të ndodhë që në një zonë ku akomodimi nën çadër, më parë kushtonte 1000 lek të reja, e më pas kushton 1500 lek të reja. Dhe pasi paguajmë me një 5000-she, na jepet kusur 2500 lek të reja. Ngatërresat nga lodhja mund t’i kuptoj në një ose dy raste, por kjo po ndodhte kudo dhe në secilin subjekt tregëtar. Çfardo që të më thoshte si shfajesim djali që u përpoq të më vidhte 1000 lek, mbi 500 e vjedhjes në shtrenjtimin e çmimit, më dukej fyese.
–
– Atë mbrëmje vendosëm të bëjmë disa furnizime në marketin më të madh të zonës, duke shpresuar tek serioziteti i këtij te fundit. Kur kontrolluam faturën, vumë re se na kishte faturuar edhe artikuj që s’i kishim fare në qese.
–
– Mbrëmjen pasuese, kishim vendosur të hapnim një shishe verë e të pinim për qejf, në breg, në perëndim të diellit, teksa diskutonim për një zonë shumë të bukur të “Livadhit” e cila do shndërrohej në një resort gjigand, të shtrenjtë aq sa edhe banorët e zonës nuk do mund të rreziteshin aty. Papritur ja behën pas nesh, pa folur fare, dy gra që na kërkuan llogari pse ishim ulur në pupat që sipas tyre ishin personale të tyret edhe pse pa asnjë shenjë dalluese nga të tjerat, lënë buzë detit dhe fjalët e tepërta e prishën thuajse deri në thartim shijen e verës që pinim dhe të perëndimit.
“Në jug të Shqipërisë e në perëndim të logjikës.”
Sa më sipër është gjithçka e vërtetë dhe sigurisht që jo një standard, por thjesht ajo që mua më ndodhi. Diskutoja mbi këto shëmtira të shërbimit në brigjet e jugut tonë, me një mik të afërt dhe ai më hapi sytë drejt një perspektive që s’e kisha marrë në konsideratë. Unë e cilësoja skemë secilin nga mashtrimet dhe përpjekjet për vjedhje të kamarierëve dhe punonjësve të tjerë. Sakaq që ai më dha një shembull kur stafi i shërbimit të një restoranti, kishin punuar 4 muaj, fillimisht me premtimin e marrjes së pagesës në fund të muajit, e më pas në fund të sezonit e më pas pagat disa prej tyre as nuk i kishin marrë, ndërsa të tjerët kanë pritur edhe dy apo tre muaj pas mbylljes së sezonit veror, për të marrë paratë e punës. Kjo është e trishtë, por nuk justifikon vjedhjen ose përpjekjen për të.
Atmosfera që krijohet në qytezën e Himarës, është ajo e një grumbullimi masiv njerëzish, në shëtitoren e qytetit, një tutje-tëhu pa orientim, të ngrëna e të pira thjesht për të shtyrë kohën me diçka dhe një etje e pashuar për zbavitje. Himara më kujton brigjet e Palasës, ku çadra kushtonte 20 mijë lek të vjetra dhe edhe pse në faturën e çadrës cilësoheshin dy pagure të vogla uji, ato s’të servireshin kurrë. Në atë shëtitoren e mbipopulluar mund të gjeje gjithçka përveç zbavitjes. Njerëzia silleshin si fëmijë të hutuar dhe shikimet e tyre pa një shënjestër më ngjallnin njëfarë keqardhje që lidhej ngushtë me kotësinë e aktivitetit mbrëmësor.
Në pikpamjen time modeste, bazuar në përvojat personale në qytete të ngjashmë me Himarën, por jashtë Shqipërisë, gjykoj se këtu mungojnë ambjentet e dedikuara, ose baret, apo lokalet me një temë të caktuar. Për shëmbull Rock baret, Lokalet e muzikës live (me orkestër, jo DJ) Karaoke bar etj, ku të pranishmit të mundet të ndërveprojnë deri diku. Shëtitorja përgjatë saj ka një rresht të gjatë ambjentesh që klonojnë njëri-tjetrin dhe ku mungesa e administrimit të bën t’i thuash vetes që s’do kthehesh më këtu.
Vendi ynë ka një turizëm adoleshent, që ka filluar të marrë trajtë pas viteve 2000, kur edhe të huajt filluar të tërhiqeshin e të vlerësonin brigjet e Shqipërisë, por jo edhe aq shërbimin shqiptar. Në këtë zonë, të banuar nga popullsi rurale, e pa një eksperiencë të vërtetë në shërbim klienti, padija ka lënë gjurmë të thella, aq sa edhe përpjekjet e mësymjet e grekofonëve që vetshpallen grek autokton, të gënjyer nga një pension nga fqinjët tanë, që as që duhet të lejohej, në opinionin tim. Pasi është një faktor minues në identitet dhe vetëdijen e këtyre njerëzve të thjeshtë e nevojtar. Arbërit e Jonit, të profesor Xhufit, sot mbajnë në majë të çatisë flamurin grek, pa e ditur se greqishtja e tyre është e importuar nga përtej detit bashkë me arkat me mallra, që shkonin e vinin prej shekujsh.
Kësisoj këta ustallarë të greqishtes moderne, që në dy shekujt e fundit është shndërruar rrënjësisht nja dy a tre herë si gjuhë, e pandehin veten grekë të vjetër, por fjalosin një greqishte fringo të re dhe shërbimin mikut nuk ia bëjnë si në Greqi. Kur pushon, për shembull në Lefkada, e të ndodh që je i detyruar të largohesh më herët, qoftë edhe nga moti i paqëndrueshëm, askush nuk t’i kërkon paratë e netëve që nuk ke shfrytëzuar, madje nga fatura e përgjithshme të bëhet zbritje për netët dhe të gjithë vaktet që ke ngrënë në hotel. Këtë mund ta vërtetojë kushdo, pasi është një standard me rrënjë të thella në turizmin e vendit fqinj.
Unë kam dyshime të forta sa i takon rikthimit të pushuesve të huaj për herë të dytë sidomos në brigjet e detit Jon. Sidomos ata me kapacitete financiare më të larta. Këta shndërrohen në dëshmitarë të lindjes dhe perëndimit feniksian të turizmit shqiptar.
E keqja më e madhe ne shqiptarëve na vjen nga…
Ndërsa ne vendalinjtë do i rikthehemi dashurisë së nëmur, sepse është atdheu ynë, dhe vendin e tij në zemër se zë asgjë e askush tjetër. Për më tepër ne ua dimë kokën “Arbërve të sotëm të Jonit”. Siç më thoshte shpesh një mik: “Mendjen e këtyre…e kam në pëllëmbë të dorës, ndaj s’ma hedhin dot.”
“E keqja më e madhe ne shqiptarëve na vjen prej vedvedit, prej njani-tjetri, prej shqiptarëve. Na nuk kemi dashni mes veti. Na kemi inate, mllef e asgja tjetër!”, i qe përgjigjur At Zef Pllumi gazetares Majlinda Bregasi, pak ditë para se ai të ndërronte jetë.
Le të mësojmë të shërojmë veten mbi të gjitha nga këto inate e mllefe! Mirupafshim vitin tjetër!