Prof. Pëllumb Xhufi
Në burimet historike konstatohet një dukuri e përgjithshme, që nuk ka të bëjë vetëm me Shqiptarët. Fjala është për përdorimin e papërshtatshëm të etnikonëve “turk” apo “grek” për të cilësuar myslimanin apo të krishterin. Shëmbull tipik është ai i ngulimeve arbëreshe të Italisë, Piana dei Greci në Sicili apo Greci në Avellino, të cilat janë banuar gjithnjë nga Shqiptarë, edhe pse emërtimi i tyre krijon keqkuptimin se ke të bësh me fshatra greke268. Ky konfuzion në përdorimion e emrave, ka joshur shumëkënd të njësojë besimin fetar me kombësinë 269. E bëjnë këtë rëndom autorët grekë, por e bëjnë edhe autorë e kanceleri evropiane deri në agim të shek. XX. Këtë ngatërresë e bën edhe autori i veprës monumentale Parga, Ludwig Salvator, megjithëse ka shfrytëzuar një material dokumentar të gjerë e të larmishëm, që nuk lë absolutisht shkas për një lajthitje të tillë20 Për këdo është e qartë, që kur komandanti venecian i Vlorës, në dhjetor 1690, pyet një mercenar francez se sa banorë kishte fshati ku ai u zu rob, që ndodhej pesë milje larg Kaninës, dhe nëse ai fshat banohej tërësisht nga “Turq”, apo kishte edhe banorë “Grekë” (addimandato quanta gente si trovi in esso villaggio, se tutti Turchi ò anche Greci), këtu Veneciani i referohej besimit fetar të banorëve të fshatit në fjalë, dhe aspak kombësisë së tyre, që ishte padyshim shqiptare. Pra, përcaktimet “Turq” dhe “Grekë” në këtë rast e në plot raste të ngjashme, vlejnë për “myslimane” e “të krishterë”271 Këtë konfuzion, që lind nga mbizotërimi i kriterit fetar mbi atë etnik në përcaktimin e kombësisë, na e davarit një akt noterial i vitit 1572, që flet për një familje të emigruar nga Koroni i Moresë në qytezen italiane Maschito (Potenza-Basilicata). Dokumenti flet një Dhimitër Xhamata i cili kishte lindur në Mbretërinë e Napolit dhe ishte djalë i Aleksit. Ky, ishte me origjinë nga një fshat i Manit (More) i quajtur Kodoni, rreth 10 milje larg kështjellës së Koronit dhe ishte larguar prej andej në kohën kur Koroni u rrethua dhe u pushtua nga Turqit, më 1533272. Interesant është, se në aktin noterial, Dhimitri regjistrohet si “grek nga Koroni” (Demitre Giamatta greco Coroneo), në një kohë që për të atin, Dhimitrin, që tashmë kishte ndërruar jetë, thuhet se ishte “Shqiptar nga Koroni” (detto Alesio patre di esso Diomitre era Albanese Coroneo) 273 Është e qartë, pra, se në rastin e të birit që kishte lindur në Itali, noteri i referohet përkatësisë fetare dhe e quan atë “grek”, d.m.th. ortodoks. Por në rastin e të atit, që kishte ardhur nga një vend i huaj, nga Koroni, ai i referohet kombësisë së tij shqiptare. Në fakt, në atë kohë Peloponezi, e në veçanti pjesa jugperëndimore e tij me kështjellat veneciane të Koronit e Modonit, ishte populluar dendur nga popullsi shqiptare të ardhura aty gjatë emigracionit masiv te fundit të shek. XIV274. Vetëm në zonën e Koronit, më 1425, flitet për një prijës shqiptar që kishte nën urdhrat e tij 5 mijë luftëtarë shqiptarë, dhe nëse llogarisim se ata kishin me vete edhe familjet e tyre, rezulton se vetëm në atë skaj fundor të Peloponezit prania e shqiptarëve ishte e jashtëzakonshme275. Ndarja në “Turq” e “Grekë”, të kuptuar të tillë në qenien e tyre fetare, bëhej më shumë nga të huajt. Por edhe këta e ndjenin përshtjellimin që sillte përdorimi jo i drejtë i terminologjisë. Shqetësimi për të dalluar midis termave etnikë e atyre fetarë, evidentohet qartë në përpjekjet për të “saktësuar” përmbajtjen e tyre. Kështu, kur më 1621, Mbreti Filip i Napolit lëshoi një privilegj për kapitenin shqiptar Buziq Renesi, ai bëri kujdes ta paraqesë atë si komandant të “stratiotëve shqiptarë grekë”, d.m.th. ortodoksë (stradiotorum Grecorum Albanensium) 276. Po ashtu, në regjistrin e vitit 1601 të Kolegjit Ortodoks të Shën Athanasit në Romë, i cili frekuentohej në masë të madhe nga shqiptarë ortodoksë, këta të fundit cilësohen vazhdimisht aty si Albanesi greci, d.m.th. si shqiptarë ortodoksë, duke mos lënë vend për keqkuptime277. Në krahun tjetër, më 1557 kemi rastin e një banori mysliman të Beratit me emrin Murat, të cilin dokumenti venecian e paraqet “Murati, Shqiptar turk nga Berati” (Murat, Turco Albanese da Belgrado) 278.
Ngatërrimi i termave etnikë e fetarë, gjithsesi, nuk bëhej vetëm nga të huajt, por filloi të bëhej edhe nga vetë shqiptarët. Në vitin 1619, kapiteni shqiptar në shërbim të Spanjollëve të Napolit, Jeronim Kombi, flet për kryengritjen e “grekëve” të Koronit, më 1531, dhe më tej për eksodin e banorëve të atij vendi mbi anije spanjolle ne drejtim të Italisë279. Sigurisht, përcaktimi “grekë” i banorëve të Koronit lidhet me ritin ortodoks të besimit të tyre. Në Evropë flitej thjesht për “ritin grek” dhe, për rrjedhojë, edhe për “grekë” për të shënuar besimtarët e atij riti. Përndryshe, banorët e Koronit ishin Shqiptarë, siç do kemi rastin ta tregojmë në vijim të këtij punimi. Më sipër treguam se banorët e Maschitos në Basilicata (Itali), të cilët erdhën aty pikërisht nga Koroni i Manit, më 1533, regjistrohen në vendbanimin e tyre të ri si “Shqiptarë”./usalvision
“Arbërit e jonit” Prof. Pëllumb Xhufi F.69, 70, 71
Shqiptarët, dhe gruaja greke e Smirnës.1838-40, nga Thomas Allom
Shqiptar Greqi – Janinë Veshje tradicionale
Shqiptarët 1875. Gjeografia e Re Universale (Elisée Reclus)